Zgjedhjet në Universitete, Majlinda Keta: Të tregojmë me votë se duam një UT më të mirë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ina Allkanjari

Pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, ku u përcaktua se zgjedhjet në universitetet publike do të zhvillohen në datën 30 korrik, Majlinda Keta, kryetare e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, në një intervistë për gazetën “Fjala” tregon rëndësinë e realizimit të këtyre zgjedhjeve. Lidhur me përplasjet e vazhdueshme mes rektorit të Universitetit të Tiranës dhe KIZ-it, Keta tregon se janë një nga shumë hallkat si autoritete udhëheqësie apo struktura të zgjedhura me të cilat rektori në ikje është në konflikt deri në dyer gjykatash e prokurorish. “Një gjë i them rektorit në ikje, KIZ-i ka qenë dhe është strukturë që bazohet në kolegjialitetin vendimmarrës që asnjë raport i KLSH-së, auditit të brendshëm të ndonjë ministrie, vendim prokurorie apo gjykate, të interesuari publik për UT-në, apo organizate jofitimprurëse, nuk ia ka cenuar ndonjëherë aktivitetin, dinjitetin institucional dhe rezultatet e punës”, shprehet kryetarja e KIZ-it. Më tej Keta tregon se aktualisht janë regjistruar dy kandidatura për rektor, prof. dr. Mimoza Hafizi, që vjen nga shkencat e natyrës dhe prof. dr. Artan Hoxha, që vjen nga jurisprudenca, teksa thekson se procesi i aplikimeve për rektor dhe anëtar i Senatit Akademik përfundon në datën 5 korrik. Për sa i përket aspektit administrativ të zgjedhjeve, kryetarja e KIZ-it nënvizon se zgjedhjet në UT do të jenë modeli i institucionalizmit zgjedhor, paraprirës për zgjedhjet në vend.

Ministrja e Arsimit vendosi rihapjen e procesit zgjedhor në universitetet publike, ku përcaktoi datën 30 korrik për zhvillimin e zgjedhjeve. Si e shikoni këtë vendim?

Vendimi është brenda të ligjshmes, brenda logjikës zgjidhëse, minimalisht për problematikën që ka shfaqur për institucionalizmin universitar mbarimi i afatit të mandatimit 4-vjeçar të zgjedhjes së autoriteteve drejtuese dhe senateve akademike; është pritur të përfundojë një proces në vijimësi, qysh nga urdhri i parë i 14 janarit. Kjo fazë tranzitore e stërzgjatur e legjitimitetit të autoriteteve dhe organeve drejtuese universitare, por edhe mbyllja e mundësive për normalitet të procesit zgjedhor, për arsye që nuk varen nga ne të gjithë (tërmeti, karantinimi) është kthyer në një asfiksi të eficencës institucionale, të paktën për UT-në. Nga ana tjetër, është e përligjur një ambicie brenda të ligjshmes nga MASR-ja për cilësi udhëheqësie shumë më të konsoliduara në universitetet publike, në angazhimin e akademizmit për përmbylljen e vitit akademik 2019-2020, fundgushti dhe shtatori përpara, por, mbi të gjitha, për fillimin e vitit të ri akademik. Cilësia e “përshtatjes” së sjelljes institucionale ndaj COVID-19 me universitetin online edhe në një prognozë kritike mbi shtatorin dhe më tej nga OBSH-ja, kërkon vendimmarrje dhe zgjidhje që nuk pranojnë autoritete drejtuese me autoritet në tranzicion, senate që tranzicioni i tejzgjatur ua anemizon aktivitetin. Unë këtu nuk harroj të vlerësoj që qysh prej urdhrit të parë të 14.01.2020, për arsye të etikës elektorale universitare, nuk duhet të jetë ushtruar normalisht vendimmarrja e disa komisioneve, si ai gradave dhe titujve në nivel universisteti, pasi është në konflikt interesi me vullnetin e shumë anëtarëve të tyre që kanë vendosur të kandidojnë e për këtë kërkojnë edhe votën e atyre që janë të listuar për gradën dhe titullin e radhës në karriera personale. Normalisht, qysh nga janari pothuaj është pezulluar ky aktivitet në emër të mosabuzimit me pushtetin e vendimmarrjes akademike.

Ky vendim ka ardhur edhe si kërkesë e rektorëve të IAL-ve, për shkak të përfundimit të mandateve. Sa i rëndësishëm është realizimi i këtyre zgjedhjeve?

Me sa di personalisht, ministrja ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me rektorë dhe dekanë, studentë dhe administratë të universiteteve publike gjatë gjithë periudhës së karantinimit (periudhë që nuk mundësonte zgjedhjet e 8 majit, sipas urdhrit të janarit) dhe më pas, gjë që i ka mundësuar të njohë realisht, në detaje anën “rezultative” të kësaj faze të pas 4 viteve, prej zgjedhjeve të prillit 2016. Cilësia e mësimit online nga universitetet publike me problematikat e tij, mungesa e strukturave të zgjedhura të këshillave studentore gjatë këtij 4-vjeçari nga disa universitete, si në atë të Tiranës, ekspozimi ndaj anarkisë dhe destruktivizmit si në Universitetin e Tiranës, në rastet kur udhëheqësia në nivel rektori dhe zyrat nën varësinë e tij gjenden në konflikt me autoritete drejtuese të tjera të larta në nivel administrimi apo në njësitë kryesore, pasqyrimi i këtyre konflikteve edhe në komisione të jetës universitare, por, mbi të gjitha, detyrimi ligjor për zgjedhje një herë në 4 vjet, janë arsye madhore për një vendimmarrje të tillë nga ministrja.

Ka pasur zëra që kanë dalë kundër mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të COVID-19. Cili është qëndrimi juaj?

Shpallja e zgjedhjeve nga ministrja e Arsimit në këtë shumësi urdhrash, plot 4, tregon që ndiqet dhe respektohet dialektika e treguesve të prekjes së popullatës nga pandemia. Për më tepër që në këtë vendimmarrje shprehen disa ministra dhe struktura të niveleve të task forcës për situatën. Ndërkohë jo vetëm MASR-ja, por i gjithë institucionalizmi botëror vijon të përshtatet për të gjetur eficiencën edhe në këto kushte. Shqipëria po diskuton që në vjeshtë të përfshihet edhe në zgjedhje kombëtare, sikurse në shtete fqinje po ndjekim procese zgjedhore. Procesi zgjedhor është detyrim kushtetues në demokraci që buron nga e drejta përkatëse, por në rastin e universiteteve, ku mosha e votuesit është mbi 18 vjeç dhe është ky i fundit që vendos pjesëmarrjen dhe mospjesëmarrjen. Jam e bindur qe data 30 korrik do t’í kalojë sërish të gjithë këta filtra, si në rrafshin personal të votuesit, ashtu edhe atë institucional nga universitetet apo Ministria. Që diskutohet nuk ka asgjë të keqe, në Universitetin e Tiranës është diskutuar gjithmonë pro dhe kundër, edhe kur nuk ka pasur COVID-19. Ushtrojmë realisht demokraci, rëndësi ka cilësia dhe argumenti ligjor, institucional dhe logjik realizues. Besoj se ju e dini që edhe tani që ne po realizojmë këtë intervistë unë vij nga një provim në auditor me studentë të vitit të dytë të masterit, që askush nuk mund të guxojë t’ua cenojë të drejtën për të mbrojtur diplomën tani në korrik apo shtator, sikurse ata vetë vendosin përballë objektivave në karrierën e tyre. Zgjedhjet janë një aktivitet tjetër në jetën universitare.

Lexo edhe :  Skema e re/ Ndryshojnë sahatët për furrat e bukës

KIZ më herët pati përplasje me rektorin e UT-së, për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve… Si është situata aktualisht mes KIZ-it dhe rektorit Mynyr Koni?

KIZ-i asnjëherë nuk ka qenë iniciues i ndonjë përplasjeje me rektorin në ikje të UT-së, ai thjesht ka mbrojtur ligjshmërinë dhe institucionalizmin, kur rektori e ka dhunuar hapur atë, ndërsa tejkalonte kompetenca, pretendonte që ne të merrnim kompetenca që nuk na takojnë e, për më tepër, është dhe do të mbetet rektori i vetëm që pushoi nga puna si pedagogë të UT-së anëtarët e KIZ-it, ndërsa argumentin e gjente te veprimtaria e KIZ-it dhe vendimet e tij. Për 4 vjet rektori në ikje Koni nuk mësoi se UT-ja funksionon mbi bazën e një ligji të ri për IAL-të, që UT-ja ka një Statut të ri, që ka Rregullore Zgjedhjesh e, për më tepër, që cilësinë e vendimeve tona e cenon vetëm Komisioni i Apelimit, të cilin nuk guxoi asnjëherë ta përdorte si institucionalist për ato çka pretendonte lidhur me vendimet tona kolegjiale. Gjithsesi, ne ishim një nga shumë hallkat, si autoritete udhëheqësie, ashtu edhe struktura të zgjedhura me të cilat rektori në ikje është në konflikt, deri në dyer gjykatash e prokurorish. Një gjë i them rektorit në ikje, KIZ-i ka qenë dhe është strukturë që bazohet në kolegjialitetin vendimmarrës që asnjë raport i KLSH-së, auditit të brendshëm të ndonjë ministrie, vendim prokurorie apo gjykate, të interesuari publik për UT-në apo organizate jofitimprurëse nuk ia ka cenuar aktivitetin, dinjitetin institucional dhe rezultatet e punës. Ne do të vijojmë të mbajmë përgjegjësitë që na ka përcaktuar vota e Senatit Akademik të UT-së, edhe për këtë muaj zgjedhor. Ne edhe sot, në vendimin nr. 13 të KIZ-it vijojmë t’í drejtohemi në rrugë institucionale “rektorit” të UT-së, pasi ai është përgjegjës po aq sa dhe ne për suksesin e procesit zgjedhor të radhës. Ai vijon me dacibao drejt stafeve tona akademike, duke mos njohur aktivietin tonë që, e theksoj, bazohet në vendim Senati. Epo vetëm ky lloj pseudorektori në historinë e IAL-ve të pas ligjit të 2015-s guxon të dalë mbi vendimet e Senatit!!!

Për fyerjet dhe dëmet publike të bëra në adresën e ne 5 anëtarëve të KIZ-it, ju siguroj që me mbarimin e angazhimeve do ta çojmë atje ku vendoset drejtësi në rastet e abuzimit nga funksionarët publikë. Tani për tani, mbi të gjithë ne të pestë apo faktit si jemi trysnuar e dhunuar publikisht si strukturë (në fakt gjashtë bashkë me studentin, por ai shpëtoi nga “pushimi i menjëhershëm nga puna”), është ambicia e vijimit të këtij procesi zgjedhor si i lirë, larg presioneve të çdo lloji, transparent, i ndershëm dhe i pranuar nga të gjitha palët. Nuk e mbyt dot institucionalizmin e UT-së asnjë rektor, qoftë ky edhe ishi Koni që do të shënohet si historia më e shëmtuar e plejadës së rektorëve të UT-së. Kur kujtoj prof. Osman Krajën, rektorin e kohës sime të parë universitare, më vjen keq për nivelin ku ka mbërritur udhëheqësia përfaqësuese e nivelit më të lartë në UT-në e 2020-s.

Cilat janë kandidaturat e regjistruara në këtë proçes zgjedhor?

Më vjen mirë që ma bëre këtë pyetje pas mbylljes së mësipërme. Deri tani kemi dy kandidatë të regjistruar për rektor, prof. dr. Mimoza Hafizi, që vjen nga shkencat e natyrës dhe prof. dr. Artan Hoxha, që vjen nga jurisprudenca. Të dy ekpertë të shenjuar të fushave përkatëse, por edhe me profile publike të spikatura. Deri më datë 5 korrik mund të kemi edhe kandidatë të tjerë. Pra, në UT, gjatë këtij muaji zgjedhor do të ketë garë. Kemi një shumësi aplikimesh për anëtarë Senati me profile tepër cilësore dhe me zë e protagonizëm publik në fushat e ekspertizës. Kemi një përfaqësim gjinor për ta marrë shembull.

A do të ketë këtë vit ndryshime që lidhen me aspektin administrativ të zgjedhjeve?

Patjetër, pasi vetë ekzistenca e COVID-19 na detyron për marrjen e masave admistrative dhe për manuale e kode sigurie lidhur me të cilat kemi pasur ndihmën e pakursyer të z. Dafa, në cilësinë e administratorit të UT-së, të Bordit të Administrimit dhe të strukturave të tyre nën varësi. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me çdo dekan në detyrë dhe administratat e tyre. Kemi një transparencë në kohë reale me ju mediat dhe çdo strukturë shtetërore që ka përgjegjësi për zgjedhjet. Unë ju siguroj që zgjedhjet në UT do të jenë modeli i institucionalizmit zgjedhor paraprirës për zgjedhjet në vend. Ju siguroj që strukturat tona zgjedhore do ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre me dinjitet, pa u tronditur në angazhim, edhe pse presioni i rektorit në ikje mbi to është shumëformësh dhe i disponuar nga ne si KIZ. U them votuesve staf dhe studentë të UT-së që kemi rastin të tregojmë me votë se jemi ne që duam një universitet më të mirë nga ky që është sot. Le ta bëjmë realitet. Universiteti u përket shqiptarëve si taksapagues, por dhe si hapësirë shqipfolëse, pa harruar se ata janë edhe besimplotë se UT-ja është mjedisi ku rriten elitat dhe prodhohet përgjegjshmëri për problematika të zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit, kombit, përfshirë këtu edhe demokracinë e kulturën e brishtë elektorale mes nesh.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Nuk ka fitues në “Allianz Arena”, Bayern nuk ruan avantazhin ndaj Realit

Bayern Munich dhe Real Madridi dhurojnë spektakël mes katër golash në gjysmëfinalen e parë të Champions League, por në...

“Më ka treguar se…”/ Çfarë sekreti di Egla për Heidin dhe Romen?

Pak para spektaklit të mbrëmjes së sotme, në shtëpinë e “Big Brother Vip” kanë nisur diskutimet. Teksa Egla ka qëndruar me Julin në oborr kanë biseduar...

Zelenskyy merr vendimin drastik: Ja kur do t’i bashkohemi NATO-s!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha këtë të martë se nuk ka shpresë që vendi i tij të anëtarësohet në NATO para përfundimit të luftës...

Shqipëria, i vetmi vend në rajon që nuk ka prioritet të përdorë teknologjinë

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka në prioritet përdorimin e teknologjisë për zhvillimin e kapitalit njerëzor ndryshe nga Serbia, Maqedonia...

KUJDES! Dogana e Përgjithshme kalon online pesë shërbime të rëndësishme

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka njoftuar ditën e sotme kalimin online të pesë shërbimeve të rëndësishme. Aplikimi online për pajisjen me dokumenta të caktuara...

Lajme të tjera

Web TV