BB: Rritja e moshës së pensionit garantoi qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit
Nga Ornela Bereti
Në pesë vitet e para reforma e pensioneve ka prodhuar dy rezultate pozitive. E para, ngushtimin e diferencës mes pensioneve në qytet dhe atyre në fshat, e cila erdhi si rezultat i rritjes së këtyre të fundit. E dyta rrija e moshës së daljen në pension garantoi qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit. Këto janë dy konkluzionet e Bankës Botërore e cila ishte mbështetësja kryesore e kësaj reforme.
Në një raportin me titull “Shqipëria, sfidat e politikave të pensioneve në 2020-ën” nënvizohen disa aspekte të sistemit nga shkalla e kontributeve tek raporti i mbulimit dhe ndryshimet demografike si dhe nevoja për përfshirjen e skemave me kosto të ulët të kursimeve si plotësuese të kolonës së parë.
“Shqipëria prezantoi reforma të rëndësishme parametrike në sistemin e saj të pensionit në 2015, me disa aspekte ende në proces deri në implementimin e plotë, siç është rritja e moshës së pensionit. Këto reforma kanë përmirësuar qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit, por shtrojnë pyetje në lidhje me përshtatshmërinë e përfitimeve dhe nëse prezantimi i një pensioni jo-kontribues do të kompensojë trendin në rënie të mbulimit. Shqipëria duhet të vazhdojë të monitorojë efektet e reformave, si dhe të përmirësojë aspektet specifike të sistemit, si pensionet e fshatit, pensionet e aftësisë së kufizuar dhe regjimet speciale. Masat gjithashtu mund të marrin parasysh edhe zgjerimin e kursimeve vullnetare për të plotësuar pensionet e kolonës së parë” vlerëson BB në përmbledhjen prezantuese të raportit.
Banka Botërore vlerëson se shuma mesatare e pensionit (në lekë shqiptare) është rritur lehtë me kalimin e viteve. “Megjithatë, kur krahasoni pensionet mesatare me të ardhurat mesatare kontributive, shkalla e zëvendësimit për pensionet e qytetit është ulur nga 43.2 për qind në 2015 në 41 për qind në 2018 në terma bruto. Shpenzimet e pensioneve në Shqipëri janë ndër më të ulëtat me Bashkimin Evropian apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, vlen të përmendet se deficiti në skemë ka një kosto 2.7 për qind të PBB-së. Rënia e vërejtur në normat e zëvendësimit do të duhet të monitorohet me kalimin e kohës dhe të vlerësohet nëse kjo rënie përfaqëson një trend të qëndrueshëm.
Raporti përfitues kontribuues
Shqipëria përfaqëson një nga raportet më të vogla të mbështetjes (numri i kontribuuesve për 100 përfitues) të të gjitha vendeve të Evropës. Pavarësisht reformës së fundit të 2015 për të kontrolluar numrin e përfituesve të hershëm të pensionit, tendencat demografike vazhdojnë të ulin këtë raport.
Nga ana tjetër mbulimi i sistemit të pensioneve është zvogëluar që nga viti 1994, numri i pensionistëve gjithashtu ka mundësi që të ulet për shkak të rritjes së punës jo formale. Teksa brezat e pas vitit 1994 fillojnë të dalin në pension, numri i kontribuuesve dhe pensionistëve ka të ngjarë të bjerë, me një efekt të papërcaktuar në raportin e mbështetjes.
Nëse raporti i mbështetjes vazhdon të përkeqësohet, qëndrueshmëria dhe aftësia e sistemit për të paguar pensionet përkatëse në planin afatgjatë do të rrezikohet. Shkalla e kontributeve e aplikuar nga Shqipëria prej 21.6 për qind është afër mesatares evropiane prej 21 për qind dhe më e lartë se mesatarja e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit (OECD) prej 18 për qind. Megjithatë, siç vërehet, kontributet e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për të paguar shumën totale të e pensioneve të dhëna nga sistemi” thuhet në raport.
“Reforma e pensioneve e vitit 2015 shkoi në drejtimin e duhur të përmirësimit të qëndrueshmërisë si dhe sigurimin e një lidhje më të ngushtë midis kontributeve dhe përfitimeve (domethënë forcimi i stimujve) për të kontribuar) dhe sigurimin e një baze themelore të ndihmës për të ardhurat në pleqëri me prezantimin e një pensioni bazë. Është e rëndësishme të monitorohet ecuria e parametrave kryesorë siç janë shpenzimet e pensioneve, kontribuuesit dhe të ardhurat kontributeve, normat e zëvendësimit dhe moshat mesatare të daljes në pension për të mbajtur nën kontroll efektet e reformave. Për më tepër, tendenca demografike dhe rënia e lehtë e niveleve të zëvendësimit vërejtur kohët e fundit sugjerojnë nevojën për të eksploruar burimet plotësuese të të ardhurave nga pensioni për individë me të ardhura të mesme të ulëta.
Nëse raporti i përfitimit përkeqësohet (aktualisht duke përmbushur kriteret e Organizatës Ndërkombëtare të Punës [ILO] për 40 për qind të pagave pas 30 vjetësh kontribute), skema me kosto të ulët kursimet dhe plotësuese të pensionit mund të eksplorohen për të mundësuar mbështetje të mëtejshme të të ardhurave në pleqëri. Duke pasur parasysh reformat e fundit dhe ndryshimin e vazhdueshëm të faktorëve ekonomikë dhe demografikë, parashikimet afatgjata financiare dhe demografike të sistemit janë të nevojshme për të kuptuar në afatgjatë implikimet e reformave dhe të sigurojë një bazë solide për të vlerësuar rekomandimet e politikave të tyre dhe ndikimet afatgjata në sistem.
Për më tepër, ka hapësire për të punuar në disa aspekte specifike të sistemit të pensioneve si regjimet e veçanta dhe mbulimi i pensioneve të fshatit. Përvoja ndërkombëtare mund të shërbejë si një pikë referimi e dobishme për të analizuar opsionet për të vazhduar forcimin e sistemit në Shqipëri, duke përmirësuar qëndrueshmërinë, mbulimin dhe barazinë e saj” vlerëson Banka Botërore.
Sektori i kursim-kreditit, fondi arrin arritën 11 miliardë lekë
Sektori i shoqërive të kursim-kreditit vitin e kaluar arriti përmasat e 10.9 miliardë lekëve ose rreth 88 milionë euro. Rreth 70% e aktiveve të këtij sektori janë kredi të dhëna për anëtarët. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se aktivitet e shoqërive të kursim kreditit u rritën me pothuajse 17% për vitin e kaluar.
Sipas të njëjtave të dhëna mësohet se në fund të vitit të kaluar, portofoli i kredisë bruto të dhënë nga SHKK-të arriti në afërsisht 8 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse në vlerë portofoli i SHKK-ve është vetëm sa 1.3% e portofolit të kredisë së sistemit bankar, ky sektor ngelet i rëndësishëm sidomos për financimin e fermerëve dhe bizneseve të vogla në zonat rurale.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se treguesi i kredive me probleme për Shoqëritë e Kursim Kredisë u përmirësua gjatë vitit të kaluar dhe ra në 4.7%, 0.3 pikë përqindje më pak krahasuar me vitin 2018. Ndikimin kryesor në uljen e raportit të kredive me probleme e dha rritja sasiore e portofolit të kredisë. Gjatë vitit 2019, shoqëritë e kursim-kreditit raportuan një rezultat financiar fitimprurës në vlerën e 116 milionë lekëve ose rreth 940 mijë eurove. Fitimi i sektorit u rrit me 3% kundrejt vitit 2018.
Ndërkohë Banka e Shqipërisë ka licencuar 14 SHKK dhe një union të tyre. Megjithëse ligji kërkon përfshirjen e tyre në skemën e administruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, pjesa më e madhe e tyre ende nuk e ka përmbushur këtë detyrim. Numri i SHKK-ve të përfshira në skemën e sigurimit të depozitave është vetëm shtatë. Deri tani, ndaj tyre nuk janë ndërmarrë sanksione regullative.
Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë bën të ditur se po vijon të ndjekë SHKK-të të cilat janë të licencuara, por të pa anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave, me qëllim marrjen e masave në drejtim të tyre.
/En.Br./Fjala.al