Nga Akademik Artan Fuga posaçërisht për “Fjala”: A është Shqipëria fanari i shqiptarëve në Ballkan?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Akademik Artan Fuga

Tirana zyrtare, që shihej si zemra e atdhetarisë nga faktori shqiptar në Ballkan, ka humbur “busullën” për të qenë epiqendra e një politike gjeostrategjike në rajonin tonë. A e dëmton kjo faktorizimin natyral të shqiptarëve kudo që jetojnë? Për gazetën “Fjala”, akademik Artan Fuga trajton çështjen thelbësore të formës si shihej më parë Shqipëria, me kryeqendër Tiranën, dhe veçimin e natyrshëm të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut apo të emigrantëve tanë në vendet fqinje, për të forcuar identitetin e tyre aty ku janë.

Sigurisht që të gjithë shqiptarët e Ballkanit e kanë pikë referimi, kur vjen puna për ta konsideruar si bërthama shtetformuese e tyre si komb. Pa dyshim që edhe në raste krizash shumë të mëdha gjeopolitike e rreziqesh, supozohet që do të ishin përkrah saj. Sigurisht është e shkruar në gjenet kombëtare që shqiptari, pavarësisht vendit ku jeton, shqiptarin tjetër e konsideron si “vëlla” para të huajve të tjerë. Por, kjo nuk do të thotë që shqiptarët në Ballkan të sillen edhe elektoralisht, për politika specifike, për interesa ekonomikë etj., në atë mënyrë që interesi i Shqipërisë të kalojë përpara interesave të tyre specifike. Duket sikur u habitën disa politikanë të Shqipërisë që shqiptarët simpatikë, patriotë, malësorë të zgjuar, të qytetëruar, në Mal të Zi as ua fërshëllyen fare për votimet që u bënë atje së fundmi. As votuan vetëm dhe me platforma kombëtare, as për Gjukanoviçin, sikurse iu kërkua. Nuk ka vend as për habi dhe as për qejfmbetje. A thua sikur djali nuk ia plotësoi amanetin babit, nxënësi nuk u soll sikurse e këshilloi mësuesi. Një lloj paternalizmi prej gjasme i politikës të Shqipërisë mbi shqiptarët në Ballkan është një histori e kaluar, është një mit e delir politik, është një inerci, në mos qoftë edhe një lloj djallëzie për t’u thënë ndërkombëtarëve që shihni, me ne matuni mirë, sepse komandojmë jo vetëm Shqipërinë, por kemi kartën e ndezjes ose orientimit politik të Ballkanit!!!

Ky lloj paternalizmi shqiptaromadh ka vdekur me kohë! Shqiptarët në Ballkan, falë përpjekjeve të tyre, falë valëve të demokratizimit, falë kohëve të reja dhe, sidomos të mbështetjes amerikano-evropiane, kanë krijuar në Kosovë një shtet të dytë, dhe në vendet e tjera kanë kontrollin mbi komunat dhe ndikime në politikat e shteteve ku janë. Sigurisht, ka shumë hapësira për t’i përforcuar edhe më shumë të drejtat politike edhe kombëtare atje, por këtë nuk e presin nga Shqipëria, por nga vetja e tyre. Ka në gjeopolitikë teza shumë interesante, sikurse janë edhe ato të “përplasjeve në qytetërim” të Huntington-it që e mendojnë botën të ndarë në sfera, ku brenda secilës prej tyre ka një qendër civilizuese që rrezaton mbi të gjitha shtetet dhe popujt rreth saj. Kështu, bota ndahet në zona me qendrat dhe periferitë përkatëse. Ta zëmë, Gjermania rrezatonte mbi Austrinë, dhe popullsitë gjermane, në Poloni, Hungari, Biellorusi, Çeki etj. Franca mbi Monakon, Luksemburgun, popullsitë frankofone në Zvicër, Belgjikë etj. Rusia mbi vendet sllave përreth etj. Mirëpo kjo ndodh sikurse argumenton Huntington-i kur shteti në qendër është model zhvillimi dhe simbol gjeopolitik orientues. Nga bota bipolare – shkruan ai – e Luftës të Ftohtë u kalua në botën me shumë qendra civilizuese, pas Luftës së Ftohtë. Por, tanimë, edhe këto vatra civilizuese kudo ndihen disi të shpërbëra!!! Kush mund të thotë tani se Spanja apo Portugalia ndikon Brazilin! Kush mund të thotë se Italia ndikon vendet e romanizuara të Evropës!!! Aq më pak Shqipëria të ketë çelësin e orientimit gjeopolitik dhe aq më shumë të ndikimit politik të shqiptarëve atje ku ata jetojnë!!! Sepse ky pretendim shkon larg. Pastaj do të dilte që edhe jeta politike në Greqi do të ndikohej fort nga shqiptarët, edhe jeta politike në Itali do të ndikohej nga Shqipëria, pastaj edhe në Kosovë, në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut dhe kudo ku ka shqiptarë. Shqipëria pak e nga pak do të pretendonte të ndikonte edhe arvanitasit në Greqi, edhe arbëreshët në Itali!!! Ka madje në kafenenë-birrari të lagjes sime nga ata që e shpjegojnë edhe politikën amerikane në Shqipëri, sipas ndikimit të votës të emigrantëve me origjinë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Në një farë mënyre kështu Shqipëria në këto mendje me një imagjinatë disi të avancuar, çka iu dëmton arsyetimin realist gjeopolitik, kthehet përsëri dhe bëhet një qendër e botës, rimerr në një formë tjetër atë të fanarit ndriçues kudo në botë, që e kishte ideologjikisht në epokën e socializmit. Kudo ndriçonin mësimet e ardhura nga Shqipëria dhe të shpërndara në eter nga Radio Tirana! “Ju flet Radio Tirana” – dhe të gjithë popujt mbanin vesh dhe binin në gjunjë për shenjë respekti dhe nënshtrimi. Aq e verbër ishte kjo sjellje, saqë në fund u arrit që shqiptarët brenda Shqipërisë nuk donin më as t’ia ndienin erën propagandës brenda Shqipërisë, mediave zyrtare në Shqipëri, po ndiqnin me etje dhe pasion mediat serbe, jugosllave, greke, italiane, dhe pastaj radiot si “Zëri i Amerikës” etj.

 

Në një farë mënyre janë imagjinatat politike të kombeve të vogla

Ideja se Shqipëria është orientuesi i gjeopolitikave të shqiptarëve të Ballkanit, është një inerci e një tradite të gjatë në mendësitë dhe nostalgjitë tona kombëtare që, gjithsesi, kërkojnë një qendër. Sa herë dëgjojnë historira me vezirë me origjinë shqiptare, dhe pas faktit të vërtetë, supozohet se janë shqiptarët ata që udhëhiqnin Perandorinë Osmane. Madje, ne kemi edhe tezën se midis shqipes të tanishme dhe gjuhëve të tjera ka një marrëdhënie që vjen nga fakti se shqipja është drejtpërdrejt e ardhur nga sanskrishtja a pellazgjishtja, kurse gjuhët e tjera evropiane duke iu spërdredhur fjalët vijnë nga fjalët shqipe të sotme. Këtu ka ndikuar edhe një dëshirë për ta lindur ndjenjën e identitetit kombëtar, dhe përforcuar atë duke e vendosur vetveten në formën e një etnocentrizmi të agravuar në qendër të kulturave të mëdha! Dihet nga antropologjia që të gjitha fiset kanë ecur me mitin e asaj që ne jemi të vegjël, por origjina jonë është hyjnore! Ndërkohë ne nuk jemi as më të këqinj në origjina, por nuk ka përse të jemi edhe më të mirë se italianët, anglezët, gjermanët, madje edhe sesa të tjerët. Çdo popull ka dinjitetin dhe historinë e vet! Kjo duket edhe kur marrim drejtimin e OSBE-së, menjëherë na zgjohet deliri i të qenit në qendër të gjeopolitikave botërore, ndërkohë që jemi krejt-krejt në periferi të tyre. Na ndodh sapo bëhemi të pakënaqur, kur BE-ja na përplas derën në surrat, duke iu hakërryar si kalamaj të zmëruar : “Ta shihni se me kë do të lidhemi ne tani!” Kjo mendësi centriste na lind edhe kur kërkojmë që kryeministrat e Ballkanit të vijnë ca orë në verë në Shqipëri, pa pikën e interesit për ta!!! Dhe për ne!

 

Gjëja bëhet qesharake atëherë kur disa media patetike paraqesin pjesë të bregdetit tonë të bukur, si ta zëmë një nga pesë a shtatë bukuritë e rralla të botës!!! Sigurisht, ne kemi perla bukurie natyrore, por të mos harrojmë se çfarë ka në këtë botë, ku Zoti, i drejtë sikurse është, i ka shpërndarë bukuritë gjithandej! Nejse! Historia dikur i jepte të drejtë një ideje se Shqipëria ishte një mekanizëm përmbledhës i shqiptarëve në Ballkan nga pikëpamja e frymëzimit, orientimit dhe ëndërrimit politik. Të mos harrojmë se këtu ndikonte fakti se ideja e rilindjes sonë kombëtare për territorin shqiptar ishte shumë më e gjerë sesa territori i cunguar që iu la Shqipërisë në 1913, ku shumë pjesë të popullsisë shqiptare u lanë jashtë kufirit të shtetit të ri shqiptar! Kuptohet që këto pjesë të popullsisë u frustruan rëndë dhe u ndodhën nën presionin e politikave shoviniste të vendeve fqinje. Shqipëria nuk kishte si të mos ishte pikë orientimi, ideali në zemrat e patriotëve shqiptarë që luftonin për liri dhe të drejta kombëtare në Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në kohën e Jugosllavive, që me sëpatën, hanxharin, dhe blindin ushtarak, i kanë masakruar sa herë shqiptarët, duke i përgjakur ata. Sigurisht, ëndrra e bashkimit kombëtar mbetej ëndrra e madhe! Shqipëria mbetej shtëpia ku gjen strehë në ditë të vështira, sikurse bënin vëllezërit tanë çamë në 1920 apo në 1945, duke ikur nga reprezaljet e shovinizmit grekomadh të kohës dhe braktisur trojet e tyre. Të mos harrojmë se edhe nga propaganda komuniste Shqipëria dukej si një parajsë e Edenit, dhe për këtë arsye popullsia shqiptare jashtë kufijve, nën efektin e kësaj propagande, e konsideronte veten sikur të ishte Adami dhe Eva që ishin përjashtuar dhe flakur prej saj! Në një farë mënyre shqiptarët e Shqipërisë iknin nga Shqipëria sapo ajo hapej në vitin 1990, kurse shqiptarët nga ish-Jugosllavia vinin në Shqipëri. Të takuar në mes të rrugës nuk e kuptonin njëri-tjetrin, të parët iknin nga sytë këmbët, të dytët vinin të etur për të parë mrekullinë që kishin ndërtuar në imagjinatën e tyre. Realiteti takohej me imagjinatën dhe prodhonte keqkuptime epokale. Kohët sot kanë ndryshuar. Ideja se Shqipëria është qendra e orientimit politik të të gjithë shqiptarëve në Ballkan a më gjerë, sado e ëmbël të ketë qenë, është një imagjinatë që nuk përputhet me realitetin. Nuk mund të pretendojë asnjë politikan shqiptar, pavarësisht se çfarë mendon ai për veten e vet, që ta ndikojë me thirrje votën e shqiptarëve në Greqi, Itali, Serbi, Mal të Zi, kurse në Maqedoninë e Veriut apo Kosovë, as bëhet fjalë fare. Ndonjë vizitë e krerëve politikë shqiptarë të këtyre vendeve në zyrat e Shqipërisë, sado i jepet kuptimi sikur vijnë “valinjtë” e krahinave te sulltani, përsëri nuk është veçse një lojë propagandistike. Pa asnjë themel. Nuk ka përse mërzitet asnjeri. Kjo është jeta e sotme, ky është realiteti i sotëm. Kjo tregon se shqiptarët në vendet ballkanike janë zgjuar politikisht, kanë shpëtuar nga “kthetrat” e paternalizmit të politikës të Shqipërisë, dhe ecin me mendjen e tyre. Jeta ka ndryshuar. Nuk është as më vertikale, as e përqendruar dhe as piramidale, veç në imagjinatën e një ose disa politikanëve të ndryshëm. Drejtuesit politikë shqiptarë në vendet e tjera sigurisht bëjnë sikur ata e pranojnë diktatin e Shqipërisë, por edhe ata, të mençur sikurse janë, e dinë se politika tek ata ka shumë dimensione dhe ndikohet nga shumë faktorë. Për qëllime elektoraliste në vendet e tyre, përdorin edhe një lloj nostalgjie kombëtare të tejkaluar nga koha në orientimin taktik elektoral. Shqipëria do ta kishte ruajtur fuqinë e vet tërheqëse, nëse do të kishte qenë një vend shumë më i zhvilluar sesa vendet fqinje ku jetojnë shqiptarët. Mirëpo shqiptari emigrant kur ikën në Itali a në Greqi, e di se është e kundërta. Ai orientohet andej dhe jo këndej. Aq më shumë që nëse i ndodh që t’i vështirësohet kalimi në kufi, vizat në ambasadën greke etj. përgjegjësinë e kërkon mirë a gabim te politika e vendit të tij. Shqiptarët e Kosovës, me të drejtën e tyre, vijnë në plazhet e tyre të Shqipërisë në fundjavë, lahen, shpëlahen, ngrohen e nxihen në diell, dhe ikin të dielën në mbrëmje! Shqyqyr që vijnë, se përndryshe ekonomia e turizmit në Shqipëri futet në det, zhytet. Por, nuk është se janë gati që kur iu duhet të mos pranojnë t’i heqin barrierat doganore me Shqipërinë, të bëjnë të kundërtën. Prodhimet e tregut të tyre i mbrojnë me fanatizëm dhe shumë mirë bëjnë, interesat janë të ndarë, sikurse thoshte i vjetri “Vëllazëria (miqësia) – vëllazëri (miqësi) kuleta të shkojë e të vijë.”

Lexo edhe :  Mbyllet procesi për zgjedhjen e delegatëve/ Veliaj: Shkojmë drejt fitores në 2025-ën

 

Po ashtu, nuk duhet harruar asnjë çast se politika sot ka ndryshuar. Nuk është më kombëtare dhe unitariste. Shqiptarët edhe në Shqipëri nuk ndjekin të njëjtin orientim politik me njëri-tjetrin, jo më shqiptarët e zonave dhe krahinave apo shteteve të tjera në Ballkan. Me një fjalë dhe me fjalë të tjera një politikan në Shqipëri, cilido qoftë ai, nuk e ndjekin as vetë shqiptarët e Shqipërisë, në një projekt të përbashkët, jo më të pretendojë ta ndjekin shqiptarët e shteteve të tjera, ndërkohë që brenda vendit ku jetojnë, brenda shoqërisë ku jetojnë, ata kanë interesa specifikë, pa lidhje me ata të politikës në Shqipëri! Ata, me siguri, shohin të habitur njëri-tjetrin kur dëgjojnë thirrje unitariste të ardhura nga Shqipëria! Pyesin njëri-tjetrin: “Ça thotë ky?”. Mbase edhe qeshin me qesëndi! Madje, shqiptarët në komunat dhe zonat e tyre elektorale nuk dëgjojnë në mënyrë unitariste edhe politikanët e tyre atje. Sigurisht, votojnë parti që ndonëse me drejtues shqiptarë, janë me programe dhe ideologjira të ndryshme. Imagjinoni çfarë fyerjeje i bëjmë ndërgjegjes së tyre politike! Ne këtu në Shqipëri votojmë të ndarë politikisht, të diferencuar, secili në mendjen e vet, kurse shqiptarëve jashtë Shqipërisë u kërkojmë të votojnë si “dele”, të gjithë bashkë, kombëtarisht, e jo edhe ata të ndarë, sipas orientimeve të tyre politike dhe ideologjike. Sepse nuk duhet harruar që shqiptari në shoqëritë ku jeton në Ballkan nuk është një qenie që ka vetëm një identitet, atë që ja jep origjina e vet kombëtare, gjuha, zakonet, por ka edhe interesa si qytetar i një shteti që nuk është Shqipëria, është pronar, intelektual në një shoqëri tjetër, i papunë, i pasur etj. Dhe në këto identitete sociale të kryqëzuara ai mund të ndihet më afër komshiut, kolegut, individit që është malazes, maqedonas, turk etj., sesa një individi shqiptar me interesa të ndryshëm nga të tijët. Nuk përjashtohet që të ketë interes politik që të votojë për një parti politike, pavarësisht nëse ajo është shqiptare ose jo! Jeta është shumë e ndërlikuar, realiteti politik nuk ndahet në shqiptar versus joshqiptar, sikurse shpesh e kërkon politika e Shqipërisë t’i reduktojë orientimet politike të shqiptarëve jashtë Shqipërie. A thua që shqiptari brenda Shqipërisë të jetojë në epokën e demokracisë, kurse shqiptarët jashtë Shqipërisë të detyrohen të jetojnë në epokën e unitarizmit kombëtar të shekullit të 19-të dhe të votojnë sipas përcaktimeve politike të Shqipërisë! Dhe, mbi të gjitha, kërkesa për ta orientuar sjelljen politike të shqiptarëve në shtetet fqinje jo vetëm është imagjinare dhe pa lidhje me realitetin, por është edhe e dëmshme, si për shqiptarët në vendet e tjera, ashtu edhe për vetë Shqipërinë.

E dëmshme.

E rrezikshme.

Pa efektivitet.

Pse?

Sepse nxit çarjen midis grupeve kombëtare në vendet e Ballkanit dhe i ekspozon popullsitë shqiptare në vendet e tjera ndaj politikave në rritje nacionaliste. Sepse legjitimon ndërhyrjen e vendeve të tjera të Ballkanit në politikën e brendshme të Shqipërisë, duke pretenduar pastaj që edhe ato të ndikojnë minoritetet përkatëse në Shqipëri, që të votojnë sipas urdhrave të kryeqyteteve fqinje.

Imagjinata kthehet në bumerang!/Fjala.al/Ke.Ba

 

Të fundit

Kallëzimi për ndërhyrjen në serverat e PL-së/ Meta paraqitet në Prokurorinë e Tiranës

Ilir Meta paraqitet në Prokurorinë e Tiranës. Bëhet me dije se ai është paraqitur për të dhënë sqarime në...

Tensione që në nisje, protestuesit hedhin molotov para bashkisë së Tiranës

Përsëriten skenat e dhunës në protestën para bashkisë së Tiranës. Sende të forta bombola Molotov janë hedhur në drejtim të bashkisë menjëherë sapo nisi protesta.

E fundit që takoi Almën dhe 3 fëmijët e mitur, paraqitet në Prokurori Valentina Arrazi

Është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Shkodrës Valentina Arrazi, kunata e Alma Arrazit ,e cila u mbyt në lumin Buna së bashku...

Prokurori i Përgjithshëm raporton para Komisionit të Ligjeve: Bilanci për 2023

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela po raporton për kriminalitetin për vitin 2023 në Komisionin e Ligjeve. Në kuadër të hetimeve janë përgjuar 2675 telefona...

Shqiptarët pronarët e dytë më të mëdhenj të shtëpive në Europë

Shqiptarët rezultojnë që janë populli i dytë në Europë, pas maqedonasve për pronësinë e një apartamenti. Sipas të dhënave të Eurostat, të publikuara nga Euronews...

Lajme të tjera

Web TV