Kina, ja çfarë ofron për shqiptarët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Sidorela Manaj rrëfen përvojën si mësuese anglishteje në Kinë, detaje nga jeta e përditshme në shtetin e madh aziatik

Në Kinë mund të gjesh nje vend pune si mësues anglishteje. Këtë e kanë bërë jo pak shqiptarë. Dhe Sidorela Manaj është njëra mes tyre. E diplomuar në “Master për Mësuesi, dega Histori” në Universitetin e Tiranës, ajo i ishte përkushtuar prej vitesh edhe gjuhës angleze. E gjendur në Shqipëri dhe e izoluar prej pandemisë COVID-19, Sidorela thotë se mësimin e ka vazhduar normalisht nëpërmjet teknologjisë, duke ruajtur lidhjet me nxënësit, si dhe marrëdhënien korrekte të punës me Kinën.

Si u gjendët në Kinë për t’u bërë një mësuese anglishteje?

Vendimi për të udhëtuar drejt Kinës nuk ishte i lehtë. E ndodhur mes dy ofertave shumë të mira, njëra me lokacion në Shqipëri dhe tjetra në Kinë, ma bëri edhe më të vështirë zgjedhjen. Pasi analizova shumë gjëra, zemra më çoi në Kinë. Nuk është thjesht një përvojë pune shumë e mirë apo vetëm një pagesë shumë herë më e lartë, krahasuar me Shqipërinë, por një përvojë e re që do të më vlente në shumë dimensione, një jetë e dytë për mua.

Kina do të ishte një trampolinë për të njohur një kulturë rrënjësisht ndryshe nga e jona, një mundësi për të eksploruar vende të reja në kontinentin aziatik, për të shijuar e testuar ushqime të reja, për të bërë miq të rinj të kombësive të ndryshme, për të parë nga afër se sa ngjajmë e sa ndryshojmë nga njëri-tjetri. Kurrë nuk do të kisha pasur shansin të shkoja përballë kësaj aventure, në qoftë se do të kisha vendosur të qëndroja në shtëpi, ulur në divanin e preferuar.

Patët vështirësi të përshtateshit?

Java e parë ishte pak e vështirë për mua, le të them se përjetova të ashtuquajturin “shok kulturor”, duke qenë se çdo gjë më dukej ndryshe nga çfarë isha mësuar të shihja. Ishte hera e parë që dilja përtej kontureve të Evropës, dhe kalimi në një kulturë të ndryshme nuk ishte aq i lehtë.

Megjithatë, kjo ndjesi kaloi shumë shpejt, vetë natyra ime, e cila është e hapur ndaj eksperiencave dhe zbulimeve të reja, më bëri ta kaloja me sportivitet këtë pjesë. Mbi të gjitha, jam natyrë që i shkoj një gjëje deri në fund dhe nuk më ndodh të dorëzohem për asgjë, derisa t’i kem arritur qëllimet dhe objektivat e mia.

Një rol kyç pati edhe atmosfera shumë pozitive që më dhanë studentët gjatë kohës së mësimdhënies, si dhe kolegët kinezë, të cilët m’i lehtësuan shumë gjërat në ditët e para të ardhjes sime, gjë që më bëri të përshtatesha dhe orientohesha shumë shpejt. Sot, me shumë siguri, mund të them që Kina ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë ndonjëherë.

Keni tentuar t’u mësoni fëmijëve kinezë gjuhën shqipe?

Po, shumë herë në orët e lira, një ndër gjërat që më pëlqen të bëj është t’u mësoj fëmijëve kinezë pak nga gjuha shqipe, dhe çuditem që mund ta artikulojnë shumë mirë që me dëgjimin e parë. Shpeshherë më ndodh t’u bëj video duke folur shqip, i shpërndaj në rrjete sociale dhe marr shumë reagime pozitive nga miqtë e mi, të cilëve u duket se u pëlqen që gjuha shqipe shkon kaq larg dhe artikulohet kaq mirë.

E ardhmja juaj do të jetë sërish në Kinë?

Nuk e mendoj të ardhmen në Kinë. Mendoj se Kina është një përvojë unike për të punuar disa vite, për të udhëtuar, për të parë e mësuar gjëra të reja, mirëpo jo për të jetuar gjithë jetën atje. Kemi gjëra shumë të ndryshme me ta, dhe një evropian, përtej çdo lloj aventure apo përtej çdo lloj eksperience pune, do habitatin e vet, do shtëpinë e vet. Premisat e mia pas Kinës janë diku nga Evropa ose Amerika.

Në cilin vend jetoni saktësisht, larg apo afër zonës ku shpërtheu virusi COVID-19?

Qyteti im është i lokalizuar në pjesën veriore të Kinës, ndërkohë që zona e virusit ndodhet në jug të saj. Pra, jetoj shumë larg zonës së virusit, edhe pse virusi pati përhapje në gjithë hartën e Kinës e jo vetëm. Aktualisht ndodhem në Shqipëri, por me informacionet që kam nga kolegët e mi kinezë dhe shqiptarë, të cilët ndodhen aktualisht atje, duket se situata e ka kaluar tashmë prej muajsh panikun.

Gjendja paraqitet e mirë, njerëzit vazhdojnë jetën normalisht, sigurisht duke u kujdesur më shumë se më parë. Lajmet prej andej thonë se situata është e qetë, jeta vazhdon normalisht, madje dhe ajo e natës. Pandeminë duket se e kanë lënë pas. Në Veri, njerëzit janë shumë herë më të kujdesshëm me ushqimin sesa në Jug.

Ndaj dhe Veriu ndryshe njihet si një zonë me ushqim më cilësor dhe më të shëndetshëm. Zakonisht në Jug konsumohen kafshë e gjallesa të cilat nuk janë fare në shijet dhe kuzhinat veriore. Kina është një kompleks kulturash dhe traditash, secila provincë ka stilin e vet të jetesës, e cila ndryshon nga tjetra.

 Keni udhëtuar dhe në vende të tjera aziatike?

Pata fatin që gjatë qëndrimit në Kinë të vizitoja edhe dy nga destinacionet me famë botërore, Singaporin dhe Balin. Dy vende të jashtëzakonshme, të cilat ma kanë pasuruar shpirtin dhe mendjen. Ndërkohë që kam ende vende me bukuri mahnitëse, të pazbuluara në kontinentin aziatik, të cilat mezi pres t’i vizitoj.

Lexo edhe :  “Një çift nuk martohet për t’u ndarë”/ Blero dhe Afrona përloten gjatë intervistës

Si është një ditë e juaja?

Pasi mbaroj orarin zyrtar në punë, mundohem ta shfrytëzoj kohën në maksimum, kështu që jap mësim part-time edhe në institucione të tjera pas punës. Kohën që më mbetet e shfrytëzoj për ndonjë shëtitje me kolegët, duke folur me miqtë dhe familjarët në Shqipëri (të cilët janë 6 orë mbrapa), ndonjë qendër tregtare, me përgatitjen e planit të punës për të nesërmen, e deri të përgatitja e një ushqimi të shëndetshëm për të rifituar energjitë e nevojshme nga një ditë e lodhshme.

Kishte raste që mbrëmjeve u bashkohesha grupeve të kërcimit në sheshet e mëdha publike, diçka mjaft argëtuese për mua. Ndërsa fundjavat i shfrytëzoja për të eksploruar zona dhe vende të cilat nuk i kisha parë. Është një nga pasionet e mia më të mëdha dhe një nga arsyet pse ndodhesha në kontinentin aziatik.

Cili ishte stili i jetesës së kinezëve?

Në përgjithësi kinezët janë njerëz që punojnë shumë deri vonë pasdite. Pjesën pas punës ua kushtojnë ngrënies në restorante apo shëtitjeve në natyrë, organizimit të piknikëve me shoqërinë apo barbekjuve. Nuk janë njerëz që parapëlqejnë kafet dhe të ndenjurit gjatë në kafe. Madje, mund të them se shumë të rralla janë kafet-lokale në qytetet kineze.

Ato që gumëzhijnë më shumë janë restorantet sesa kafet-lokale. Mbrëmjet i kanë për të ushtruar aktivitete fizike, ose kërcim në sheshet e mëdha publike. Shpeshherë bashkohesha edhe unë me ta, edhe pse kishin lëvizje shumë të sakta dhe precize, sa ndonjëherë nuk e kapja dot ritmin e tyre.

Por ishte shumë interesante dhe shumë argëtuese. Këtë rit kinezët e praktikonin herët në mëngjes ose mbrëmjeve, varet nga mundësia dhe koha që kishin. Shpeshherë në sheshet e mëdha organizoheshin edhe spektakle shumëngjyrëshe shatërvanësh, gjë që grumbullonte turma të mëdha njerëzish për t’i shijuar.

Nëse je i huaj, nëse ke një fytyrë ndryshe nga ta, ata do të të shohin sikur po vjen nga një planet tjetër, plot kureshtje dhe plot çudi. Madje-madje nuk do të t’i ndajnë sytë për minuta të tëra, derisa t’ju zhdukesh nga qendra e shikimit. Janë shumë të sjellshëm me të huajt, shumë ndihmues, dhe shumë të dashur. Gjëja e parë që të kërkojnë sapo të shohin një të huaj është: A mund të bëjmë një foto bashkë?

Mos u çudit nëse shpeshherë të fotografojnë fshehurazi, kur ti je duke bërë blerje në supermarket, kur je duke u hedhur një sy rrobave në qendrat tregtare, kur je duke shëtitur në rrugë, apo kur je duke ngrënë në restorant. Për ta, fytyra e të huajit është e veçantë, dhe për këtë gjë ke gjithë vëmendjen e tyre.

Gjithmonë do të marrësh komplimente për sytë, për hundën, për vetullat, tipare krejt të ndryshme me të tyret e, për këtë arsye, tipare që tërheqin shumë vëmendjen e tyre. Vetëm diçka ishte e vështirë me kinezët, duke qenë se shumica dërrmuese e popullsisë nuk dinë anglisht, shpeshherë më duhej të përdorja aplikacione apo gjuhën e trupit (shenjat) për t’u marrë vesh me ta në supermarket, qendra tregtare, metro, restorant, rrugë etj.

Kur jeni me rezidencë në Kinë ju merr malli për vendlindjen?

Sigurisht që kur jam në Kinë më merr malli shumë për vendin tim, për familjarët, miqtë, natyrën shqiptare, ushqimet, sidomos ato të cilat është shumë e vështirë t’i gjesh në Kinë. Megjithatë, i shfrytëzoj periudhat e gjata të pushimit për t’u kthyer në Shqipëri e për të kaluar kohë me familjarët e mi.

Në të njëjtën mënyrë siç po shfrytëzoj situatën në të cilën ndodhemi tani, e gjendur mes familjarëve nga njëra anë dhe klasave on line nga ana tjetër. Gjithsesi, u bë rreth një vit që jetova fizikisht në Kinë. Tashmë jam duke vazhduar me mësimin on line, derisa ta shikoj të arsyeshme për t’u kthyer prapë, gjë që mezi e pres.

Çfarë ju pëlqen në Kinë dhe çfarë jo?

Ajo çka më pëlqen në Kinë është se mund të fitosh shumë dhe të shpenzosh pak, pasi kostoja e jetesës në përgjithësi është e lirë dhe t’i arrin të kursesh një shumë të konsiderueshme parash. Të ofron një teknologji telekomunikacioni shumë të shpejtë dhe të sigurt, sa mund t’i biesh Kinës anembanë.

Pagesa e shërbimit të ofruar me anë të aplikacionit WeChat, i bën shumë më të lehta dhe të rehatshme blerjet e gjithçkaje. Kështu nuk do të duhet aspak ta marrësh gjithandej portofolin apo shuma parash nëpër duar, mjafton aplikacioni në telefon. Nëse mendoni se kuzhina kineze bazohet vetëm tek orizi, gaboheni. Kulinaria e tyre ofron shumë larmi dhe gatime tepër të shijshme.

Ato çka nuk më pëlqejnë janë cilësia e ajrit, sidomos në qytetet e mëdha, barriera e gjuhës, dhe nga ana tjetër mungesa e theksuar e anglishtes në shumicën dërrmuese të popullsisë.

Për çfarë do ta linit Kinën?

Premisat e mia janë diku në Evropë ose Amerikë. Pasi të merrja gjithë përvojën e këndshme në mësimdhënie, e pasi të ndihem e plotësuar në aspektin e të udhëtuarit e të kem parë vende mjaftueshëm në kontinentin aziatik, do të jetë koha të shkëputem me zemrën plot nga Kina. Me saktësi, nuk mund të ta them kur, por e di që ende nuk është koha për t’i thënë lamtumirë Kinës, se kam ende për të marrë e për të mësuar prej saj, duke qenë se është një përvojë që po e shijoj shumë./Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Shqipëria negociata me një shtet të huaj, do marrë 40 mijë punëtorë

Shteti shqiptar është në bisedime më një shtet të huaj për të marrë30-40 mijë punonjës të kualfikuar. Lajmi është bërë...

Kurti i prerë: Kosova nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me...

Të vjetrit do zëvendësohen brenda 2029/50 mln euro kredi për autobusë elektrikë në Tiranë

Tre linja autobusësh në Tiranë, do të zëvendësohen plotësisht me autobusë elektrikë, brenda vitit 2029. Bëhet fjalë për linjën e Tiranës së Re, Unazës...

Harroi që ishin kamerat/ Çfarë porosie i dha Julit para se të dilte: Boh, a na dëgjuan

Pas surprizës së bukur, ku takoi vajzën e tij Reinën, Julian Deda u surprizua kur mes banorëve gjeti djalin e tij, Mateon. Aktori i dashur...

Njihuni me 5 rracat e qenve më të shtrenjtë në botë

Qentë janë një nga kafshët shtëpiake, shumë të dashura nga njerëzit. Ata janë të rracave të ndryshme, por disa dallohen për çmimin e tyre...

Lajme të tjera

Web TV