Pranimet në universitete/Rektori Artan Hoxha: Numër i ulët regjistrimesh në degët e mësuesisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ina Allkanjari

Ndërsa viti i ri akademik 2020-2021 për arsimin e lartë në vend pritet të nisë në javën e parë të nëntorit, universitetet vijojnë regjistrimet për pranimet e reja. Në një prononcim për gazetën “Fjala”, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Artan Hoxha, shprehet se rezultatet e raundit të parë, tregojnë se UT-ja ka regjistruar 69% të kuotave, një shifër, sipas tij, më e lartë sesa një vit më parë. Hoxha thekson se vendimi i qeverisë, ku u përcaktua pragu minimal i mesatares 7,5 për maturantët të cilët dëshirojnë të ndjekin një ndër degët e mësuesisë, është shoqëruar me ulje në numrin e regjistrimeve për këto degë. Më problematike paraqitet situata në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, kryesisht në degën Rusisht dhe Greqisht.

Shpallen fituesit e raundit të dytë të pranimeve në universitete për vitin e ri akadmik 2020-2021. Pas publikimit të renditjes së aplikantëve dhe periudhës 1-ditore të ankimimit, sot fillojnë 5 fazat 48-orëshe të regjistrimeve, të cilat pritet të përfundojë në 9 tetor, për të vijuar me fazën e fundit të raundit të dytë.

Kështu, duke nisur nga data 30 shtator dhe deri në datën 9 tetor, lista e fituesve do të ndryshojë pesë here, sipas numrit të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës fazë të regjistrimeve. Në një prononcim për gazetën “Fjala”, rektori i Univrsitetit të Tiranës, prof. Artan Hoxha, tregon se për shkak të pandemisë, në shkollat e larta vijojnë provimet për të mbyllur këtë vit akademik, por njëherësh edhe regjistrimet për pranimet e reja.

Teksa pritet që viti i ri akademik të nisë në javën e parë të muajit nëntor, Hoxha shprehet se për sa u përket pranimeve të reja, aktualisht ndodhemi në raundin e dytë, në pritje të nisjes së fazave të regjistrimit për këtë raund. Rektori i Universitetit të Tiranës shprehet se rezultatet e raundit të parë tregojnë se UT-ja ka regjistruar 69% të kuotave, një shifër, sipas tij, më e lartë sesa një vit më parë. “Kërkesat për plotësim në raundin e dytë, pra riaplikimet mbeten përsëri në rendin për një vend 10 kandidatë në shumicën e programeve kryesore, më së shumti te Juridiku, Ekonomiku dhe Shkencat Sociale.

Në thelb, mund të them që Universiteti i Tiranës vazhdon ta ruajë ekuilibrin e vet për sa i përket raportit me studentët. Vazhdojmë të jemi të kërkuar në programet tona kryesore. Nuk ka diferencë me vitin që shkoi, pavarësisht Covid-it dhe situatës së vështirë në vend, përkundrazi ka një rritje krahasimisht me raundet dhe fazat e njëjta nga njëri vit në vitin tjetër”, deklaron Hoxha, teksa shprehet optimist se programet e UT-së do të plotësohen me studentë të nivelit të lartë.

Degët e mësuesisë

Në vendimin e qeverisë, të datës 3 qershor 2020, u përcaktua se për vitin akademik 2020-2021 kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë, maturantët me notë mesatare mbi 6,5, ndërsa për vitin akademik 2021-2022 pragu minimal i mesatares do të jetë 7.

Ndërkohë nëse një maturant dëshiron të ndjekë një ndër degët e mësuesisë, në VKM është përcaktuar si kriter pragu minimal i mesatares 7,5. Ky vendim pritej të shoqërohej me ulje të regjistrimeve të studentëve në degët e mësuesisë dhe, madje, rrezikim të mosplotësimit të kuotave. Pas përfundimit të raundit të parë të regjistrimeve, rektori i Universitetit të Tiranës shprehet se programet e mësuesisë deri më tani reflektojnë një numër më të vogël regjistrimesh, një fenomen i cili, sipas Hoxhës, po ndodh edhe në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë.

“Kemi një problematikë, për sa u përket programeve që kanë të bëjnë me mësuesinë, për shkak të rritjes së notës mesatare. Pra, këto programe reflektojnë një numër më të vogël regjistrimesh, që po presim të rritet në raundin e dytë. Ky është një fenomen që po ndodh edhe në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë. Ne do të shikojmë se si do të vijë trendi në fund të raundit të dytë, për të konstatuar nëse do të rritet numri i të regjistruarve apo jo”, shprehet Hoxha.

Lexo edhe :  Veliaj inspekton punimet në Rr. “Grigor Cilka”: Rruga e re rrit ndjeshëm vlerën e pronës

Më tej rektori i UT-së thekson se për ato programe që do të shfaqen problematika, do të bëhet një analizë në vazhdimësi, por beson se në këto programe, krysisht të mësuesisë, trendi do të vijë në rritje. Sipas rektorit, degët e mësuesisë që kanë pasur problematika me numër të ulët regjistrimesh, janë kryesisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, më së shumti Rusishtja dhe Greqishtja.

“Por meqë ky është një proces me raunde dhe me faza, ajo që ne presim është që raundi i dytë me 5 fazat e tij, dhe raundi i 3 me tri fazat e tij, t’i plotësojë këto degë. Më pas ne do të realizojmë një analizë si universitet, nëse mungesa e regjistrimeve vjen për shkak të rritjes së mesatares, për shkak të nevojës së rishikimit të programeve, është një kompozim i shkaqeve, këto çështje do t’i diskutojmë në vazhdimësi”, shprehet rektori Artan Hoxha për gazetën “Fjala”.

Tarifat

Një problematikë e ngritur së fundmi nga disa prej studentëve të ciklit të dytë master në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Drejtësisë ka të bëjë me tarifat e studimit. Studentët e këtyre fakulteteve e kanë shprehur shqetësimin e tyre nëpërmjet një peticioni, duke kërkuar përgjysmimin e tarifave për ciklin master, për shkak të situatës së krijuar në vend prej pandemisë dhe pamundësisë ekonomike të familjeve, por edhe të atyre vetë, për të paguar studimet e larta.

Lidhur me këtë çështje, rektori i UT-së, Artan Hoxha, shprehet se së bashku me rektorët e tjerë të universiteteve publike kanë realizuar një takim me ministren e Arsimit. “Ne rektorët e universiteteve publike u takuam me ministren e Arsimit. Ishte një takim njohjeje me ministren e re. Qëllimi i takimit kishte të bënte me përcaktimin e datës së fillimit vitit të ri akademik, me përmbylljen e procesit të pranimeve në universitete, si dhe me përgatitjet kundër Covid-it që institucionet publike të arsimit të lartë duhet të kryejnë, për të filluar vitin e ri akademik.

Një nga çështjet që u diskutua në atë takim ishte dhe fillimi i vitit të ri akademik, që pritet të jetë java e parë e nëntorit. Lidhur me tarifat e studimit, ato përcaktohen në bazë të analizës së kostove të studimit, janë shumë elemente që nuk janë subjektive.

Ne nuk jemi në administrim, që kërkohet dhe merret përgjigje, pasi ka të bëjë me kosto ekonomike, studime, kompetenca që vijnë nga njësitë kryesore, nga fakultetet”, deklaron Hoxha, ndërsa nënvizon se Senati Akademik i UT-së i ka miratuar tarifat e shkollimit dhe ka ruajtur të njëjtat tarifa me vitin që lamë pas, me një ulje prej 5 mijë lekësh në pagesën e regjistrimit vetëm për ciklin “master”.

Për sa i përket uljes së tarifës së regjistrimit me 5 mijë lekë (të rinj), Hoxha shprehet se kjo shumë për studentët mund të jetë jo fort e ndjeshme, por për buxhetin e Universitetit të Tiranës kushton rreth 50 milionë lekë (të vjetër). Më tej rektori i Universitetit të Tiranës thekson se çështja e tarifave është në vëmendje të institucioneve, por vendimmarrjet do të jenë të bazuara objektivisht e jo subjektivisht./Jo/Be/Fjala.al

Fituesit e Raundit 2 duhet të regjistrohen në këto data:

  • 30 shtator – 1 tetorzhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së parë.
  • 2 – 3 tetordo të zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së dytë.
  • 4 – 5 tetordo të zhvillohen regjiztsrimet për fituesit e fazës së tretë.
  • 6-7 tetordo të zhvillohen regjistrimet e fazës së katërt.
  • 8-9 tetordo të zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së pestë.

Të fundit

Zbulohet faktori i ri që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ja për kë bëhet fjalë

Nëse do ta përfytyronit trupin tuaj si një makinë, zemra do të ishte motori. Zemra, një organ muskulor që ndahet...

Njohja e pensioneve me Italinë, nga e hëna drafti diskutohet në komisione parlamentare!

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare. Drafti parashikohet të prezantohet...

Puka dhe Tropoja bëhen bashkë dhe dhurojnë një mbrëmje të paharruar në “Gëzuar me ju”

Në programin “Gëzuar me ju” ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri, me origjinë nga Puka, dhe Arif Dushaj, nga...

Thuajse të gjithë po e lexojnë gabim takimin e Ramës!

Nga Alban Daci Disa e quajnë takim elektoral me patronazhitë që ndoshta është edhe e vërtetë! Disa thonë se Rama e mbushi stadiumin me autobuzë nga...

Shkëmbimet tregtare / Ja ç’po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

Lajme të tjera

Web TV