Një studim i zhvilluar në Amerikën e Jugut, në Kili, tregoi se instrumentet muzikore mund të kontribuojnë në kujtesën dhe kreativitetin e fëmijëve.
Në studim morën pjesë 40 fëmijë të moshës 10-13-vjeç të cilëve iu bënë teste të kujtesës dhe të përqendrimit afatshkurtër. 20 prej fëmijëve kishin marrë mësime të paktën për dy vite, minimumi në javë nga 2 orë praktikë dhe në intervale të rregullta kanë qenë dhe pjesë e ndonjë orkestre apo kori. Ndërsa 20 të tjerët kishin marrë mësime muzikore vetëm në shkollë.
Rezultatet e publikuara në revistën “Frontiers in Neuroscience”, tregonin se te fëmijët që luanin rregullisht me instrumente u vu re se mekanizmi i kujtesës dhe i përqendrimit funksiononin shumë mirë.
Ekspertët vunë në dukje se luajtja me instrumente muzikore përveç përmirësimit të kujtesës dhe fokusimit tek fëmijët mund të rrisin kreativitetin dhe cilësinë e jetës ndryshe nga fëmijët të cilët nuk praktikoheshin çdo ditë me instrumentet muzikore./Re.Gu/Fjala.al