“Martesa” e Teatrit me pandeminë!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adonis Filipi*

Një shfaqje teatrore është padyshim një ngjarje e gëzueshme për jetën kulturore të një qyteti. Për më tepër, në kontekstin e pandemisë, të tilla ngjarje shndërrohen në simbole të dritës dhe zjarrit, të cilat shërbejnë mjaftueshëm për të iluminuar dhe ngrohur shpirtin njerëzor.

Në mbrëmjen e 14 majit pata kënaqësinë të ndjek një triptik të dramës skenike me titull “Martesa”, bazuar në tri farsa të shkurtra nga A. P. Chehov (Martesa, Ariu, Fejesa). Realizimi i shfaqjes ishte projektuar nga regjisorja Driada Dervishi enkas për hapësirën e Amfiteatrit antik të Durrësit, me pjesëmarrjen e trupës së teatrit “Aleksander Moisiu”.

Ishte një simbiozë vërtet mbresëlënëse e padurimi, që dukej se ndahej mes spektatorëve  të shumtë që prisnin në radhë për të ndjekur shfaqjen dhe amfiteatrit antik. Një bashkëjetesë e munguar, e cila po realizohej më në fund pas një kohe aq të gjatë dhe të trishtuar.

Brenda rradhëve të përcjella më sipër përfshihen shumë ndjesi të bukura, por njëherazi edhe shumë përsiatje, shqetësime e mëdyshje, të cilat kryqëzohen jo vetëm me faktorë natyrorë të pashmangshëm, por edhe me status quo-në që shoqëria jonë, politika dhe sigurisht komuniteti artistik i janë borxhlinj teatrit.

Më shumë se kurrë në këto kohë të vështira izolimi, kur e gjithë bota vazhdon të jetë nën kërcënimin e një pandemie, ne kemi nevojë për stimuj për ekzistencën tonë artistike dhe mundësitë për t’u akorduar dhe për t’u zhvilluar më tej.

E vërteta është se teatri i Durrësit, sidomos në këto dy dekadat e fundit (pa mbetur në trashëgiminë e tij), ka qenë dhe vazhdon të jetë një zë i prekshëm dhe tingëllues në mjedisin teatror shqiptar, në raport me teatrot simotra dhe jo rrallë  konkurrues edhe me institucionet e varura nga Ministria e Kulturës.

Duket se pandemia nuk e pengoi këtë trupë të re me mbi dhjetë aktorë, plot energji dhe dashuri të dukshme ndaj teatrit, të punonin me  karburant  të plotë përpara, duke treguar se teatri mund dhe duhet të jetojë në kohërat më të pazakonta. Miku i mire duket në kohë të vështirë!

Në situatën kur institucionet publike vazhdojnë të trashëgojnë të njëjtat marrëdhënie institucionale fosile (jashte konkurrencës), roli i individëve të veçantë, artistëve idealistë që i janë kushtuar teatrit është mjaft i vlefshëm. Ata kanë gjetur brenda këtyre institucioneve (tradiconale e konservatore) forcën për të përcjellë vokacion dhe qasje provokative teatrore, si një nevojë bashkëkohëse. E tillë është padyshim edhe regjisorja Driada Dervishi.

Përmes këtij shkrimi, nuk do të doja të ndalesha në një analizë të detajuar të shfaqjes, ku për hir të së vërtetës ndihej vizioni i qëndrueshëm e argëtues  i performancës, i kombinuar qartë me lirinë artistike dhe natyrën improvizuese të aktorit, duke u pritur mjaft ngrohtë nga spektatori. Por ajo që  doja të  theksoja ishte se “Martesa” erdhi si një teatër i gjallë, si një zë shprese, për të hapur portën e saj për publikun në mundësinë më të vogël që ju dha për ta bërë këtë.

Lexo edhe :  A shkakton ankthi ëndrra të këqija? Ja ç’thonë psikologët

Është më lehtë të flasësh për artin e të teorizosh dhe padyshim është tjetër gjë që të jetosh, të krijosh e të lindësh ditë e natë në skenë. Teatri është kusht human, ndaj secili prej nesh një ditë do të duhet të takohet ballë për ballë me teatrin. Artistët nuk mund të jetojnë të shkëputur nga realiteti, në ndryshim me politikanët dhe elitat.

Teatri i ka mbijetuar shumë plagëve dhe epidemive para nesh dhe do t’i mbijetojë shumë epidemive pas nesh. E rëndësishme është që secili të përpiqet dhe të mendojë se ç’duhet bërë në këto kohë të vështira dhe të çuditshme.

Shpresa është karburanti që nxit çdo risi, çdo përpjekje për të ecur përpara dhe për të bindur njerëzit të sillen ndryshe.

Ne kalojmë orë të tëra duke shqyrtuar grindjet politike dhe çështjet shoqërore që përjetojmë në të përditshmen tonë. Është teatri, si një shprehi e pazëvëndesueshme publike, që na lejon t’i tregojmë njëri-tjetrit dhe spektatorëve, përmes argëtimit, lojës së aktorëve (paradoksialisht me jetën e tyre), afrimin e një vizioni alternativ të shpresës që ata të mund të orientohen drejtë, përballë gjithçkaje që nuk është në rregull me botën tonë.

Pasi shfaqja kishte mbaruar, duke ecur në pllakat plot shkëlqim të bulevardit të Durrësit, ndiheshim më mirë, më të relaksuar, por gjithashtu duke menduar për atë që sapo kishim përjetuar, gjetjes sa domethënëse po aq edhe atraktive të vendosjes së kësaj shfaqjeje në hapësirën e amfiteatrit gjigand,  duke na joshur me një teatër të gjallë e plot dritë.

Marrëdhënia midis poezisë dhe arkitekturës sugjestionuese të amfiteatrit madhështor të Durrësit, ishte tregues i një bashkëveprimi sa të natyrshëm po aq edhe familjar. Ky format, kjo lloj marrëdhënie provokon dhe zbulon në të njëjtën kohë ndjesinë e munguar të peizazhit që qyteti duhet të ketë me teatrin –  nevojë, oksigjen, në kultivimin e cilësisë së jetës qytetare.

Shqipëria, qytetet tona – falë trashëgimisë arkitektonike – e kanë këtë pasuri, madje edhe të larmishme, e cila në të njëjtën kohë mund dhe duhet të dimensionojë objektivin turistik, duke sjellë një pamje më tërheqëse e europiane. Kjo pasuri duhet të eksplorohet , stimulohet dhe  promovohet përmes politikave, ku   çdo qeveri do të rriste performancën e saj.

Padyshim, nga ana tjetër do të nxiste edhe vet  teatrin për të performuar drejt hapësirave të reja, drejt një eksplorimi me të gëzueshëm dhe dramatik.

*Regjisor

Të fundit

‘Euronews Travel’: Lugina e Thethit, vendi i përsosur për t’u çlodhur

Destinacionet në të gjithë Evropën po luftojnë kundër turizmit masiv. Nuk është për t’u habitur që shumë vizitorë po...

Çfarë po ndodh?/ NATO nis manovrën më të madhe ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore

Një manovër e madhe e NATO-s që përfshin trupat ajrore nisi të hënën fazën e saj kryesore në Rumani me parashutistët të zbritur në...

“A bën Ramushi punë shtëpie?” Ja si përgjigjet Anita Haradinaj

Ramush Haradinaj është një figurë e dashur për shumë shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri. Daljet e tij mediatike janë më së shumti në lidhje...

Sot protesta e opozitës, policia zbulon cilat janë rrugët që do bllokohen në kryeqytet

Opozita mban sot protestën e saj të radhës para Bashkisë së Tiranës. Policia e Shtetit me anë të një lajmërimi ka dhënë detaje për...

Hidhet në qarkullim monedha metalike shqiptare, 10 Lekë, emetim i vitit 2023

Banka e Shqipërisë njofton publikun se duke filluar nga data 28 maj 2024 do të hidhen në qarkullim, monedhat metalike shqiptare me vlerë nominale...

Lajme të tjera

Web TV