Filozofia në rrjedhën e kohës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ferit Baça

Në kohët moderne që po jetojmë kanë ndodhur shumë ndryshime rrënjësore e sipërfaqësore të mënyrës së jetesës dhe botëkuptimeve të trashëguara. Me të drejtë, nxitur nga nevojat e ngutshme të këtij zhvillimi galopant janë shfaqur dije dhe fusha të reja të veprimit dhe mendimit. Teoritë dhe përdorimi i mjeteve të informatikës sikundër në një maratonë vrapimi zënë vendin e parë. Askush nuk mund ta parashikojë maratonën e kësaj fushe, por fshati që duket nuk ka nevojë për kallauz. Tashmë kudo shihen njerëz të moshave të ndryshme me këto mjete komunikimi nëpër duar të cilët kërkojnë të ndihmojnë vetveten. Dhe në një farë mase, këto mjete ia kanë dalë të shndërrohen në bashkëudhëtarë të domosdoshëm. Në këto rrethana me të drejtë lind pyetja që fsheh edhe vëzhgimin tronditës: Po filozofia, mbretëresha dhe hyjnesha e dijeve njerëzore që nuk i “tradhëtoi” kurrë interesat dhe dashurinë për dije të njerëzve, cfarë roli do të luaj këtej e tutje? Cfarë do të bëhet me këtë “prima dona”?
Në pararojën e mendimit njerëzor, duke përcaktuar e shqyrtuar nevojat dhe kërkesat emergjente dhe ato perspektive të shoqërisë, shpirtërore, ekonomike, materiale e politike, qëndron dhe udhëheq filozofia. Supremacia e saj ndaj shkencave të tjera, manifestohet edhe me vetinë që ajo zotëron në raport me shpikjet dhe mjetet e ndryshme që njeriu përdor në dobi të vet. Me sa duket, asnjë lloj shpikje nuk do të mund të arrijë shpejtësinë e mendimit, i cili ia kalon edhe vetë shpejtësisë së dritës (240 mijë km /sek) e ashtuquajtura energji mentale, e prodhuar dhe e çliruar vetëm nga truri njerëzor, nëpërmjet të cilit, mendimi i njeriut arrin të “udhëtojë”, gati njëherësh, në dy vende, në të njëjtën kohë.
Misioni i filozofisë mbetet ndriçimi i jetës në errësirën e kohës dhe përballimi i konflikteve sociale. Synimi i saj është ç’montimi i dhunës dhe ofrimi i zgjidhjeve dhe sundimit të së drejtës dhe të vërtetës. Ndaj, asnjëherë nuk është i vjetëruar, por sot më shumë se kurrë i nevojshëm, përvetësimi i mendimit filozofik të Platonit dhe Aristotelit mbi nevojën e arsimimit dhe edukimit të brezit të ri, përpara daljes së tyre në jetë dhe drejtimin e punëve të shtetit
Nevoja e studimit të filozofisë është e ngjashme me atë të kërkimit të ujit në shkretëtirë në një botë që t’kurret dhe thahet pa ide. Termi “filozofi” përfshin një diapazon të gjerë teoriko-praktik, që nga botëkuptimi i një personi, deri te mënyra se si e zhvillon ai një aktivitet të veçantë. Nisur nga etimologjia e termit, philo (mik) dhe sophia (urtësi, mençuri, dituri), kuptimi më i përafërt i filozofisë do të ishte “mik i diturisë. Deviza e filozofëve të lashtësisë mbi filozofinë “konturon përdorimin e arsyes tënde, pavarësinë nga tradita apo opinioni mbizotërues.” Filozofia është një proces dhe veprimtari, një mënyrë të menduari, ndaj dhe një karakteristikë e veçantë e saj është përdorimi i argumenteve logjikë.
Filozofia synon shpjegimin e çështjeve më themelore të shoqërisë njerëzore, si për shembull: realitetin, diturinë, kuptimin mbi jetën, vlerën e saj, qenien dhe të vërtetën. Ajo është nëna e të gjitha dijeve dhe mbështetet te mendimi dhe arsyeja njerëzore. Në një kuptim të përgjithshëm filozofia është mënyra e konceptimit të botës ose një problemi të caktuar. Mendimi filozofik lind për ti dhënë përgjigje pyetjeve të parashtruara. Në filozofi duhet vlerësuar akti i të menduarit dhe aftësia për të depërtuar në thellësi të mendimit dhe të shpirtit njerëzor. Të filozofosh do të thotë të mendosh, të arsyetosh, të reflektosh dhe formulosh një koncept të ri mbi të sotmen dhe të ardhmen.
Një nxitje e rëndësishme për studimin e filozofisë është trajtimi i pyetjeve esenciale mbi kuptimin e ekzistencës tonë dhe organizimin e jetës të shoqërisë njerëzore. Vetëm nëpërmjet filozofisë njeriu mund tu japë përgjigje pyetjeve që e shqetësojnë gjatë jetës së tij, si: Pse jemi këtu? A ka ndonjë provë mbi ekzistencëën e Zotit? Cili është qëllimi i jetës tonë? Çfarë janë e drejta dhe e gabuara? A mundet që jeta jonë të jetë vetëm një ëndërr? A është mendja e ndryshme prej trupit, apo ne jemi thjesht disa qenie fizike? Si zhvillohet shkenca? Çfarë është arti? E kështu me radhë… Pyetje të tilla janë themelore dhe kërkojnë njohuri e koncepte të thelluara që i përgjigjen problemeve të shtruara. Duke qenë se filozofia na ndihmon të formulojmë pyetjet themelore në çdo fushë kërkimi, ajo shndërrohet në një model dhe burim kërkimor për të gjitha fushat e tjera të dijeve.
Metodologjia themelore e filozofit është e lidhur pazgjidhmërisht me formulimin e argumentëve, si një metodë e mbrojtjes së një pohimi përmes pohimeve të tjera. Përdorimi i mjeteve të logjikës mundëson vlerësimin e argumenteve pro dhe kundër të cilat përbëjnë edhe përgjigjet ndaj pyetjeve thelbësore për vete dhe botën tonë. Analizat e thelluara rreth dijeve shuajnë “urinë” tonë me njohuri të reja shkencore si dhe përcaktojnë nevojën e kërkesave tona për të ardhmen.
Njohuritë filozofike në një farë kuptimi shërbejnë si një alfabet për njohjen e rrugëve të dijes drejt të panjohurës. Ajo konceptohet si një korrelacion bashkëpunues midis nevojës për tu ushqyer si një energji që të shtyn përpara dhe nevojës për të ushqyer shkencat e tjera me njohuritë bashkëkohore sipas spirales së zhvillimit dialektik të shoqërisë dhe botës që na rrethon. Në këtë bashkëjetesë filozofia luan rolin e partnerit lider dhe nuk mund të zëvendësohet nga zhvillimi i shkencave të tjera, të cilat përqëndrohen në fusha dhe dije të veçanta të jetës. Me vizionin e saj të thellë si një refleksioni i diturisë dhe mençurisë njerëzore. Filozofia mbetet shkenca avanguardë që i paraprin dhe i hap horizonte të reja zhvillimit të shoqërisë.
Nëpërmjet “humusit” të dijeve që përthith nga jeta, praktika dhe shkencat e tjera, Filozofia rrit staturën e saj dhe spektrin e njohurive mbi ligjet e zhvillimit të përgjithshëm mbi natyrën dhe shoqërinë. Aftësia e filozofisë për të ushqyer e orientuar drejt të ardhmes shkencat e tjera është e ngjashme me vetinë e gravitacionit të objekteve dhe trupave në univers, të cilët bashkëveprojnë dhe mbajnë ekuilibrin nëpërmjet forcës shtytëse dhe tërheqëse.
Nisur nga shembujt e trashëguar vërejmë se idetë e reja dhe veprat e ndryshme në fushën e artit, që janë ushqyer me koncepte dhe ide filozofike, mbeten një ushqim i freskët, gjallërues e progresiv i tyre. Përse ndodh kështu? Përgjigja është e thjeshtë: Sepse filozofia është ushqyer dhe zotëron thesarin e dijeve të shoqërisë njerëzore të cilat ua përcjell brezave. Sepse ajo i edukon dhe nxit studiuesit dhe autorët që merren me përgatitjen e këtyre veprave të zbatojnë kriteret më progresive, në fushën e përmbajtjes, të formës estetike dhe origjinalitetit autentik.
Filozofia njësoj si vaksinat që mbrojnë organizmin e shëndetshëm nga vdekja, i mbron dhe i ruan dijet shkencore nga vaniteti dhe “plakja”. Filozofia ka qenë dhe mbetet në thelbin e saj “arma” më e dobishme dhe efektive e njeriut për të përballuar problemet dhe sfidat e kohës. Duke qenë se njohuritë në fushën e filozofisë mbeten në shënjestër të kritikëve “mbi padobinë e saj”, lufta vazhdon edhe sot në kohën tonë midis kundërshtarëve dhe ithtarëve të saj. Në vijim po sjellim disa prej argumentëve mbi dobinë dhe vlerat e studimit dhe përvetësimit të Filozofisë.
Filozofia ka qenë dhe mbetet shkenca që i përgatit studiuesit me njohuri të thella shkencore jo vetëm në një fushë të veçantë, por në të gjitha fushat e dijes dhe shumëllojshmërinë e gjerë të karrierave.
Përvetësimi i filozofisë zhvillon aftësitë e mirëkuptimit, kompromisit dhe debatit shkencor.
Filozofia mbetet “nëna e mendimit dialektik” dhe si e tillë i edukon studiuesit për të menduar, për të shkruar dhe diskutuar gjerësisht mbi përvojën e vet, jo vetëm “si të”, por edhe “pse?” Dhe “pse jo?”
Filozofia edukon njeriun për të qenë një qytetar jo indiferent dhe individualist, por aktiv në shoqëri.
Studiuesit e filozofisë bëhen qytetarë të cilët arsyetojnë dhe mendojnë përpara aksiomave që shtron komuniteti apo vendimarrësit dhe rrethanat e jetës.
Studimi i filozofisë si një disiplinë gjithëpërfshirëse, veç avantazheve të lartpërmendura e pajis studiuesin me një intuitë inteligjence për thellimin e dijeve edhe në disiplinat e tjera; qofshin të fushës sociale ose të shkencave ekzakte. Është një fakt i pamohueshëm orientimi i shpejtë dhe rekreativ në tregun e punës, në sektorin shtetërorë e privat, duke i ofruar stafit drejtues ide, mendime dhe projekte, i studiuesve që kanë marrë njohuri dhe dije në fushën e filozofisë, në krahasim me ata që kanë studiuar vetëm në një fushë të caktuar.

Të fundit

Apple pranë marrëveshjes me OpenAl, ChatGPT do të integrohet në Iphone

Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple është afër finalizimit të marrëveshjes me OpenAl që do të shtoë ChatGPT-në në...

Takimi me emigrantët në Athinë/ Pse nuk u takua me zyrtarët grek? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion”, lidhuer me takimin e shqiptarët që jetojnë në Greqi, i cili solli reagime të politikës dhe...

Si janë raportet midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për një emision televiziv ndër të tjera foli edhe për raportet e qeverisë shqiptare me atë...

Ekspertja: Vizita në Athinë, më e suksesshmja për Ramën. Ishte në nivelin më të lartë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Enida Bozheku e cilëson vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë si më të suksesshmen në këto vite që është...

“Do të të laj…”, me kë e ka Xhensila Myrtezaj?

Prej disa kohësh po përflitet një ndarje mes aktorit të humorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Kjo u aludua vazhdimisht në media por...

Lajme të tjera

Web TV