Të vërtetat pas një “klounade”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Josif Papagjoni

E kisha parë dramën “Pesë ditë mbret”, autor e regjisor Stefan Çapaliku në teatrin “Metropol”, një vit e ca më parë. I grishur nga idetë, asociimet dhe amalgimet e një historie trillane, gati anekdodike, me të vërtetat tona si shoqëri e sidomos si shtet e model qeveritarësh, shkrova asaj kohe një artikull. Por ja, e pashë rishtazi këtë dramë në një rikonceptim të regjisorit Gjergj Prevazi në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës, që i kishte mëshuar një bulbi mesazhor të pranishëm në tekst, por tejet të zgjeruar dhe të rimodeluar. Gjithë realitetin e kalbur historik dhe social të shqiptarëve dalë prej rrënojave të perandorisë osmane, 500 vjet ngulur në mendjet tona, koncepti i Prevazit e riqarkullon dhe e njëson në një situatë të ngrirë, të “pandryshueshme”, që përsëritet nga njëra periudhë historike në periudhën pasardhëse, qysh nga themelimi i shtetit të tyre e deri në ditët e fundme.

Ndonëse teksti ka një ironi që, në formën e shprehjes së vet kalon në formën groteske, në shfaqjen e Korçës është më shumë e pranishme satira, edhe pse në veprime e sjellje aktoriale, ndonjëherë, luhet në grotesk. Forma groteske vjen nga fakti se klouni gjerman Oto Wite ka lexuar diku se te ky shtet i ri që porsa është ngritur, Shqipëria, mund të vendoset si mbret djali i sulltanit të fundit, Abdyl Hamitit. Andaj dhe ai merr udhën e aventurës së tij drejt fronit të mbretit tek ky vend “kot”. U bë apo s’u bë kjo aventurë, ishte apo nuk ishte një i çmendur ky kloun, kjo pak rëndësi ka. Në ëndrrën e tij ai bëhet një mbret shqiptar për pesë ditë. Dhe kjo na vjen përmes një forme “çmendurie”, që na shtin në mendime. Ky kloun na e njohu, pra, gjendjen e këtij populli, idiotësinë e atij vendi i gjithë oriental, të asaj qeverie të re që krijon, me zyrtarë e ministra turkoshakë, dyfytyrash, sahanlëpirës, injorantë, kurvarë. Kjo është thelbësorja, jo konvencioni skenik dramaturgjik që autori ka ndërtuar. Këtë konvencion a fiction letrar Gjergj Prevazi, gjatë përpunimit të tekstit, gati e ka tejkaluar. Atij i ka interesuar brendia që shpreh drama. Sa e vështirë është të bësh një shtet me përkatësi evropiane për nga toka, por lindore, otomane, muslimane për nga mendja, kultura, filluar nga sjelljet, zakonet, veshjet, gjellët e gjer te mendësia!…

Duke e marrë, pra, si pretekst tekstin e Çapalikut dhe mesazhin e saj, shfaqja e Prevazit i ka begatuar më tej idetë e veprës, sidomos u ka dhënë atyre një përmasë sociale të spikatur, duke i riartikuluar në të tjerë parametra. Sido që ata pliksen me jetën e Oto Wite, një bohemi-kloun, i cili kërkon të përfitojë falë një truku, rrengu a “magjie”, e rëndësishme për ne është se koncepti regjisorial e hedh shfaqjen drejt vektorëve historikë, epokë pas epoke, që nga aventurierët e njëhershëm si Esad Pashë Toptani apo rebelimet e Haxhiqamilistëve me “Dum Babën”, te mbreti i përfolur lindor-perëndimor Zog I, më pas me diktatorin paranojak komunist Enver Hoxha e gjer tek drejtuesit e pas vitit 1990, që janë po e njëjta medalje por me fytyra të tjera e në rrethana të tjera. Në rikoceptimin e dramës Gj. Prevazi nuk ngulmon shumë te “aventura” e klounit Otto Wite, e cila mund të merret edhe si e vërtetë, pra si ngjarje e subjekt i njëmendët, por mund edhe të shihet edhe thjesht si një trill, fiksion, sendërgji prej një mendjeje fantaste prej klouni, në ëndërrim a si gjendje fantazie prej krijuesi të deprimuar. Por kjo s’ka shumë rëndësi për konceptin regjisorial të Gjergj Prevazit, ai e anashkalon këtë. Arti nuk është një pasqyrë dhe kopje e realitetit, por rindërtim i tij gjegjësisht ligjeve estetike, gjegjësisht të mundshmes dhe fantazisë. E rëndësishme për idenë regjisoriale dhe përpunimin që i është bërë tekstit ka qenë përqasja që ai krijon midis asaj çka na vjen prej veprës nga dy personazhet e saj, Klounit Oto Wite (luan Guri Koço) dhe Psikiatrit (luan Kristian Koroveshi), që rimarin e risjellin disa personazhe njëherësh gjatë lojës apo “tjetërsimeve” psikike të klounit plak, të cilët transformohen në vetje të tjera dhe po aty rikthehen në dy miq, bredharakë alla Becket, në kërkim të mbijetesës së tyre, të “kafshatës”, sa dhe të një aventure të “bukur” e të çartur, që vetëm mendje të tilla mund ta parafytyrojnë. Ata janë përplotës të njëri-tjetrit, krijojnë personazhe dhe dialogje të ndryshme: I pari dhe i dyti.

Kalimet e subjektit nga koha në kohë, ndofta mund të ishin edhe më mirë të ravijëzuara se sa i shohim. Dhe kjo mund të saktësohej më mirë në mizanskenë, në kostume, sidomos në dallimet midis karaktereve të ndryshëm që luan po i njëjti aktor, Otto Wite i G. Koços, por në kohë e role të tjerë. Kristian Koroveshi krijoi një figurë komplekse, të copëzuar në disa karaktere, por ajo që vlerësova tek loja e tij ishte vërtetësia, duke u përshtatur mirë me ndryshimet e personazheve që luante, shqiptimin e pastër të fjalës, veprimin e saktë, duke e mbajtur në një satirë estetikisht të pastër krejt interpretimin e tij. Guri Koço shfrytëzoi gjithë fuqinë e aktrimit të tij impulsiv, me ndryshime të shumta nga njëra situatë në tjetrën, madje duke operuar edhe me dramatiken dhe të trishtën, veçse do të mendoja se hijeshia e lojës, në një prerje më shumë sarkastike, ironike e më pak burleske, do ta zgjeronte edhe më shumë domethënien e figurës së tij.

Te shfaqja “Pesë ditë mbret”, sipas versionit dhe spikamës ideore të Prevazit, pushteti është një abuzim me të drejtën, të moralshmen, humanen, që ka fuqi të jashtëzakonshme korruptuese si fuqi e të padrejtës dhe të ligës. Ai nuk shërben, përkundrazi shtyp, ndot. Dhe ky model shteti e pushteti e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare nëpër vite, veç forma ndryshon sepse thelbi është po ai: korrupsioni, shtypja, zhvatja, zvetënimi i administratës dhe vetë natyrës njerëzore, krijimi i tipologjive abuzive ndaj popullit dhe vendit, kur njerëzit shihen veçse si mjete për realizimin e synimeve vetjake e klanore, keqpërdoren apo kthehen në shërbëtorë e sahanlëpirës. Kur një shoqëri nuk është e aftë të ndërtojë raporte natyrore midis fuqisë së pushtetit si posedues dhe selitës i të drejtës, të mirës, barazisë dhe qëndrimeve të ndershme morale, nga njëra anë dhe shoqërisë që ata udhëheqin, nga ana tjetër, ky pushtet kthehet në zvetënim, bjerrje dhe robërim. Por tanimë kjo është e metë edhe e vetë shoqërisë, që e riprodhon këtë model shteti e pushteti çdo herë, duke krijuar fetishe, kult individi, aureolat e mitizuara të fuqisë absolute, tanimë si realitete abuzive dhe korruptive, pa hequr kurrë dorë nga interesi, zhvatja. Pushteti luan po ashtu me sloganet, ideologjitë e rrejshme e premtuese. Le të kujtojmë këtu periudhën e komunizmit me utopitë, premtimet dhe gënjeshtrat e tij, me sajesat dhe krijimin e “njeriut të ri” etj. Por po njësoj vijojnë pushtet abuzive edhe pas vitit 1990, duke ricikluar premtimet dhe gënjeshtrat.

Lexo edhe :  Sofia Vergara thotë se nuk do të ketë më fëmijë për një arsye të fortë

Apeli i shfaqjes është për ndryshimin e gjendjes, sepse në një Shqipëri të varfër, me mendësi lindore, me një popull-turmë të mësuar nën hyqëm e kamzhik, pa personalitet, pa kulturë, pa vetëshprehje, pa dinjitet, “gënjeshtra” politike që një kloun me emrin Otto Wite dhe një psikiatër, që e merr si kllapi apo si të vërtetë ëndrrën e tij, na kujtojnë se ajo çka rrëfehet, paçka se një histori groteske dhe e sajuar, është e gjitha e vërtetë. Dhe jo vetëm për vitin e largët 1913, kur Shqipëria gjendej në kaosin e madh dhe priste emërimin e një mbreti në fron (Princ Vilhelm Vidi), por përherë e përherë ashtu ka mbetur: e prapambetur, e mashtruar, e trembur, e rrahur dhe me psikologjinë e robit. Shpirti kryengritës e rebel, për të kërkuar liritë dhe të drejtat e saj, ky popull i kthyer në “turmë” sot duket se i ka harruar. Kjo ide befasuese dhe fshikulluese theksohet qartë nga koncepti regjisorial në krijimin e një mase a “kori” manekinësh, me të cilët mund të bëhet gjithçka. Ata dhunohen sepse e pranojnë po vetë dhunën (kujtojmë përdhunimin e kukullave dhe memecllëkun e tyre si një dekor heshtan apo si një turmë militantësh, që mbushin brohoritësit e liderëve të tyre). A s’është po njësoj edhe sot siç ka qenë dikur? Kjo të tremb. Kjo na fton të vëmë gishtin në kokë. Dhe prandaj këtë ide regjisoriale unë e kam fare të lehtë ta përkthej me amullinë e shoqërisë civile sot, me vdekjen e nervit të protestës, me heshtjen dhe psikologjinë e robit se “këtë e dinë ata, e di Ai…”

E thashë në kryeherë se koncepti regjisorial i Gjergj Prevazit e kishte dimensionuar së tepërmi atë çka vjen nga drama. Kjo, jo thjesht se ai ka shtuar shumë tekst, jo vetëm se ai kishte krijuar disa personazhe në veprim, sikundër edhe një personazh të “heshtur”, korin e manekinëve, pra “turmën” idiote të jesmenëve, por kryesorja sepse ai e kishte hedhur idenë dhe brendinë dramaturgjike në një optikë dhe domethënie universalizuese, shumë e drejtpërdrejtë dhe shumë e rrokshme prej nesh. Afërmendsh se kjo erdhi edhe përmes imazhit filmik të projektuar në ekran, ku ne shikonim rrjedhën e kohës nga 1913 e deri në vitin 2020, por erdhi sidomos në bashkëshoqërimin ideor të tekstit duke i blatuar atij një hapësirë politike të rrokshme lehtësisht. Siç ky dimension u bë aktiv gjatë shfaqjes në shumë komponente, do të mendoja se ai mund të ishte po ashtu dhe në rrafshin figurativ, kostumografik etj, të personazhit të klounit sidomos, i luajtur nga aktori me përvojë Guri Koço. Ai mbetej me po ato shallvare turke si dje, edhe sot. Ndofta, ai mund të transformohej disi nga njëra situatë në tjetrën, duke sjellë përshtatshmëri të ndryshme psikike e fizike, të themi nga 1913 në 2000!… Kjo ishte pjesë edhe e konceptit regjisorial, atij kostumografik, jo vetëm e atij aktorial. Pandryshueshmëria e dukurisë, asaj antropologjike dhe asaj politike mes shqiptarësh të kohërave të ndryshme, ani pse personazhet kryeministrore, ministrore, kostumet dhe gjestet e tyre ndryshojnë, në thelb ajo çka është thelbësore – mendësia, mënyra e të sjellurit ndaj lirisë, pushtetit, fatit – ka mbetur po njësoj: një fosile antropologjike, shoqërore e politike e atributit dhe arealit oriental, që ende e kemi nëpër këmbë e s’e flakim dot. Apeli i shfaqjes dhe Prevazit është që kjo mendësi duhet refuzuar, sepse është ajo që e pengon shoqërinë tonë të ecë pvrpara, të demokratizohet, të bëhet perëndimore.

Ajo që mua më ka tërhequr jo pak dhe e fton vetëdijen time në diskutim është pikërisht raporti i shtrembëruar i shtetarit me të drejtën, me popullin e tij: a i shërben popullit apo e vjedh atë? A është një prijës si dikur motit Skënderbeu kundër turqve apo një tjetërlloj “prijësi” që i turet pasurisë kombëtare dhe e zhvat, e shet te të tjerët për të fituar për vete, që tokën e shpërdoron duke mbjellë helm, dmth hashash? Udhëheqësia e kombit tonë qysh nga 1912 e gjer më sot fatkeqësisht ka sjellë shembullin e më të ligës, e modelit të shtetarit zhvatës, injorant, halldup. E shtetarit, që në vend të një shprese e bukurie.

Nga të rinjtë, përveç Kristian Koroveshit unë do desha të vlerësoja edhe tre aktorët e rinj: Dhimitraq Tasellari, me një plastikë e shkathtësi të dukshme, duke krijuar njeriun pa personalitet, disi tuhaf e servil, i pafuqishëm e një nëpunës pa dinjitet, Lola Meta, një zyrtare skolastike, pedante e rregullit dhe e informacionit, qesharake e me nje vesk ironik të hijshëm, Katerina File me imitimin dhe talljen që i bëhet zyrtareve të paditura, ligjërimeve të tyre të budallallepsura me “koporatat”, siç u bë tejet qesharake një deputete e listës në parlamentin shqiptar.

Doemos nga komponentët aktivë e përplotësues të shfaqjes ishte muzika e zgjedhur dhe e kompozuar nga Endri Sina, diçka që e bashkëshoqëroi veprimin skenik, e pasuroi me emocion e ndjeshmëri.

Të fundit

Rama me bluzën e Forcave të Armatosura: Nesër prezantojmë nismën për ‘Shqipërinë 2030’

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto në rrjetet sociale ku lajmëron se nesër në orën 10:00  do të...

Momentet e fundit të Alma Arrazit, çfarë i tha kunatës pasi piu kafe me të?!

Prokuroria e Shkodrës në një njoftim zyrtar ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin Erdgys Arrazit, i cili është vënë në pranga për shkaktim...

J.Lo sjell tendencën e thonjve që duhet ta provosh patjetër

Edhe pse Jennifer Lopez ishte veshur yll, këtë radhë vëmendja është tek thonjtë e saj! Pas kapërcimit të stinëve, nga e kuqja e ndezur...

Destinacioni i turistëve, Gramshi çel sezonin turistik! Qytetarët festë me këngë e valle

Bashkia e Gramshit çel sezonin turistik. Këngë, valle dhe gatime tradicionale janë organizuar në Liqenin e Dushkut, ku mijëra qytetarë kanë ardhur me familjen...

Orari më i mirë për të konsumuar darkën

Lufta për të mbajtur një peshë të shëndetshme rritet me moshën, pasi metabolizmi ynë ngadalësohet dhe gjërat duket se nuk funksionojnë si më parë....

Lajme të tjera

Web TV