Pragë: Gushti i vitit 1968/ Rusia pushton Çekosllovakinë, Tirana ngre në alarm ushtrinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Trupat e Paktit të Varshavës, po organizonin manovra të mëdha ushtarake. Ndërsa në natën mes 20 e 21 gusht ‘68, trupat e 5 vendeve, rreth gjysmë milioni ushtarë sulmojnë Çekosllovakinë. Po atë natë mblidhet udhëheqja e Partisë Komuniste të vendit dënon agresionin, si një akt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Popullsisë i bëhet thirrje që të ruajë gjakftohtësinë. Më 21 gusht ‘68, ora 04.00 i mëngjesit ushtarët rusë pushtojnë ndërtesën e udhëheqjes së partisë çekosllovake dhe internojnë anëtarët e Byrosë Politike, ministrat e funksionarët e tjerë, të cilët më vonë i dërgojnë në Rusi. Në orën 07.35, një barrikadë ngrihet në sheshin “Vacllavski” dhe qindra çekë e sllovakë përpiqen të pengojnë me trupat e tyre avancimin e tankeve ruse. Në orën 09.00 të mëngjesit pushtohet Shtëpia e Radios. Atë ditë në Pragë u vranë nga forcat pushtuese 50 burra, 7 gra, si dhe një vajzë 8 vjeçe. Pasdite qytetarët e Pragës, duke mbajtur në ballë flamurin e përgjakur, vërshuan në sheshin “Vacllavski”. Të gjitha organet dhe institucionet e vendit dënuan agresionin dhe aprovuan rezoluta, përmes të cilave kërkuan largimin nga vendi të trupave pushtuese. Në këto rrethana pushtimi, filloi të organizohet një qëndresë, e cila më vonë u personifikua me emrin e Jan Pallahut. Studenti 21-vjeçar i letërsisë, më 16 janar 1969, në shenjë kundërshtimi ndaj okupimit rus, dogji veten në sheshin “Vaclavsky”, qendrën kryesore të kryeqytetit…

…Prej vitit 1961, Shqipëria nuk bënte pjesë në Traktatin e Varshavës, edhe pse juridikisht emri i saj ndodhej në listën e vendeve pjesëmarrëse. Kjo situatë vazhdoi për 7 vite, derisa midis palëve nuk ndodhi asgjë e pazakontë. Por në verën e vitit 1968, si Praga edhe Tirana u drodh nga ndjesia e një lufte të afërt. Trupat ushtarake të Traktatit të Varshavës bënë ndërhyrjen e parë agresive mbi një vend tjetër, për më tepër anëtar të saj. Në Kampin Socialist marrëdhëniet ishin tensionuar. Tanket dhe mjetet e blinduara kishin zbarkuar përgjatë një nate të vetme dhe, vetëm më mëngjes herët, kur askush s’e kishte besuar, Praga ishte vënë nën zinxhirët e mjeteve të rënda të luftës. Ishte një aksion “blic”, tepër sekret, gjë që shokoi dhe perëndimin kapitalist. Shumë nga shefat e zbulimit të vendeve të tjera, panë fundin e karrierës së tyre, pas kësaj ngjarjeje. Askush prej tyre nuk kishte qoftë dhe një informacion fillestar se ushtritë e kampit socialist, po përgatiteshin për të bërë pushtimin e tyre të parë. Dhe jo vetëm Praga, por dhe kryeqytetet e tjera të Lindjes socialiste, vunë në dyshim ekzistencën e lirisë së tyre, në rast se do të kundërshtonin Kremlinin…

Gadishmëria luftarake

Një prej ushtarakëve madhorë të ushtrisë shqiptare, Hetem Halili, ka rrëfyer për situatën e vështirë që kaloi Shqipëria disa vitë pas prishjes së marrëdhënieve të saj me BS e tërheqjes së nëndetëseve e anijeve mbiujëse nga baza e Pashalimanit. Këtë herë situata u tensionua, pasi trupat e Traktatit të Varshavës pushtuan një prej vendeve anëtarë të kampit socialist. E, në këtë rast mendohej se Shqipëria ishte vendi më i zbuluar ndaj një agresioni të tillë, përderisa cilësohej si një vend që e kishte tradhtuar këtë kamp.

Por cila ishte situata në Shqipëri pas pushtimit të Çekosllovakisë? Sipas Hetem Halilit: Ishte një situatë tepër e vështirë. Shqipëria kishte kohë që nuk merrte pjesë në mbledhjet e Traktatit të Varshavës, por dhe nëse merrte, delegacionit shqiptar i krijohej aq tension, sa që pjesëtarët e tij ishin të detyruar të largoheshin.

Dihet që në ‘68-ën trupat ushtarake të Traktatit të Varshavës hynë në mënyrë të befasishme në kryeqytetin çekosllovak, Pragë. Kjo ndërhyrje agresive u hartua në kuadrin e një stërvitjeje ushtarake të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, në lindje të Çekosllovakisë. E gjitha kjo vinte për shkak të frymës liberale që po frynte në shtetin komunist të atyre viteve. Sovjetikët hoqën sekretarin e parë, Aleksandër Dupçekun, si dhe bënë disa veprime të tjera kundër reformave në ndërmarra nga ai. Pushtimi ishte një sinjal për të gjithë për rrezikun që u kanosej nga socialimperializimi sovjetik. Në këto kushte, Partia e Punës dhe Enver Hoxha morën një sërë masash për të përballuar çdo të papritur, lidhur me mbrojtjen e vendit.

U bënë organizime dhe riorganizime të ushtrisë, si p.sh me Bazën Ushtarako-Detare të Vlorës dhe me disa reparte ushtarake të Fierit u krijua Korpusi i Fierit, në krye të së cilit u vu komandanti i bazës. Po ashtu u krijuan brigada të reja me detyrë jo vetëm të mbronin vijën bregdetare, por veçanërisht për të përballuar rrezikun nga desantët ajrorë, sidomos në rajonin Fier-Lushnjë, që ishte dhe rajoni më ideal për të kryer desantim nga ajri. U bënë vendosje dhe rivendosje të reparteve të artilerisë e veçanërisht të artilerisë bregdetare. Një drejtim tjetër ishte intesifikimi i fortifikimeve.

Lexo edhe :  Ja pse stresi bën që të shtoni peshë

Në atë kohë, në kuadër të ndryshimeve strukturale të ushtrisë, midis të tjerave u krijua dhe brigada e 32-të e këmbësorisë që kompletohej me forca rezerviste nga zona e Myzeqesë. Detyra e kësaj njësie ushtarake ishte kryesisht bllokimi dhe asgjësimi i desantit të mundshëm ajror. Në vjeshtën e vitit 1968, pas aventurës së Traktarit të Varshavës kundër Çekosllovakisë, kur Shqipëria denoncoi këtë veprim si një agresion, duke denoncuar njëkohësisht dhe vetë Traktatin e duke dalë “de juro” jashtë saj, situata e përgjithshme ishte tepër e rrezikshme. Në atë kohë, me çdo lloj preteksti, trupat e Traktatit të Varshavës mund të vepronin kundër Shqipërisë, si dhe kundër Çekosllovakisë.

Në këtë kuadër, brigadës “32” të këmbësorisë iu vu detyra për të mbrojtur vijën Qafë e Sqepurit-Roskovec-Marinës-Mbyet, duke vendosur forca në formacionin luftarak për të bërë fillimisht bllokimin e ndonjë desantimi të mundshëm ajror. Dhe në se ky desantim do të ndodhte realisht, brigada bashkë me forcat e tjera që do të mobilizoheshin, duhet të merrte pjesë në asgjësimin e plotë të tyre. Shtabi i brigadës u vendos në Rërës (Patos i vjetër) te kalaja e Mërgëlliçit. Ishte pikërisht ky vend, ku 24 vjet më parë brigada e 6-të sulmuese zhvilloi një nga luftimet më të lavdishme kundër trupave nazisto-gjermane, e ku dhanë jetën disa partizanë, mes të cilëve dhe heronjtë e popullit Mustafa Matohiti, komisar i brigadës dhe Meleq Gostnishti.

Korridoret e desantimit

Po nga mendohej se mund të kryhej desantimi prej ushtrisë sovjetike? Kësaj pyetje Hetem Halili i është përgjigjur: Kishte disa korridore desantimi. Në një farë mënyre pjesa lindore përjashtohej, pasi për shkak të terrenit malor ishte e vështirë të pilotohej në kuota të ulta, gjë që e bënte më të lehtë desantimin. Por, edhe nga ajo anë mund të shfrytësohej ndonjë korridor midis luginave. Mendohej që avionët desantues të vinin nga deti. Masat ishin marrë dhe brigada e 45-të ishte në gatishmëri për të mbrojtur vijën bregdetare. Artileria kundërajrore kishte për detyrë që të hapte zjarr kundër armikut, për të mbajtur avionët në një lartësi të madhe, nga ku dhe desantimi bëhej më i vështirë. Ndërsa repartet e këmbësorisë dhe forcat vullnetare (që si detyrë kryesore kishin bllokimin e desantëve) hapnin zjarr kur desantët ishin në ajër. Qëllimi ishte për ta çorientuar dhe asgjësuar (me aq sa mundej), por dhe për t’i krijuar vështirësi në organizminin e tij pas rënies në tokë. Pas kësaj, bëhej bllokimi për të mos lejuar të zgjerohej në territor apo për të kapur lartësitë dhe, me ardhjen e forcave të tjera, të kalohej në asgjësimin e plotë e përfundimtar të tyre. Artileria tokësore hapte zjarr të përqendruar në rajonet ku bëhej desantimi, për ta vënë desantin në situatë të vështirë dhe në pamundësi të organizimit dhe veprimeve luftarake të tij.

Zona që mbulonte brigada e 32-të kishte në dispozicion kundërajrorë të kalibrit 37 mm, 57 mm dhe 100 mm. Arma më moderne ishte kundërajrori 57 mm, me drejtim automatik nëpërmjet Stacionit të Drejtimit të Topave. Por, në atë zonë vepronin dhe brigadat e Tankeve. Ajo e Fierit e Beratit si dhe ajo e Elbasanit. Tanket ishin jo vetëm për mbrojtjen e vijës bregdetare, por në luftë kundër desantit ajror.

Epilogu

Sipas Hetem Halilit në pozicionet e gatishmërisë brigada qëndroi për tre muaj me radhë. Shtabi i brigadës ishte i gjithi në gatishmëri, ndërsa efektivi me gatishmëri dyjavore për çdo batalion. Batalioni ngrihej në alarm dhe vinte në pozicione. Vetëm pasi ishte bërë zëvendësimi i të gjithë trupave, batalioni që kishte mbajtur për dy javë gatishmërinë, mund të largohej. Kjo ishte situata e krijuar në Shqipërinë e vitit 1968.

Mirëpo erdhi dimri. Vështirësitë për desantim u shtuan. Me kohë repartet kaluan në një tjetër shkallë gatishmërie, më të ulët, por gjithmonë vigjilentë e të gatshëm për t’iu përgjigjur situatave të reja që mund të krijoheshin.

 

Të fundit

Shkak procesi i vettingut, KPK merr vendimin për prokurorin e njohur

Procesi i vettingut vijon të pastrojë nga radhët e drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë të cilët kanë probleme me ligjin. Komisioni...

Robert Berisha rrëfen planet për një dasmë të dytë

Së fundmi, Robert Berisha nuk është kursyer me detajet nga lidhja e tij më e re. Në një intervistë ai tregoi se si është njohur...

Qershia rrezikon të mbetet në pemë, mungesa e fuqisë punëtorë vë në vështirësi fermerët

Sektori i bujqësisë viteve të fundit po përballet me vështirësi sa i përket gjetjes së fuqisë puntore. Punonjësit në këtë sektor pakësohen çdo ditë, duke...

‘Euronews Travel’: Lugina e Thethit, vendi i përsosur për t’u çlodhur

Destinacionet në të gjithë Evropën po luftojnë kundër turizmit masiv. Nuk është për t’u habitur që shumë vizitorë po kërkojnë alternativa më pak të...

Çfarë po ndodh?/ NATO nis manovrën më të madhe ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore

Një manovër e madhe e NATO-s që përfshin trupat ajrore nisi të hënën fazën e saj kryesore në Rumani me parashutistët të zbritur në...

Lajme të tjera

Web TV