Le të shkojmë të shlodhemi e pimë një kafe në Kamëz!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Reportazh nga Shefqet Meko

Pas një dekade vizitova Shqipërinë. Isha plot mall dhe jam shokuar nga gjërat e bukura që kanë bërë vetë shqiptarët dhe bizneset e tyre. Harroje politikën. Flas për individin që do të mbijetojë. Duket se tendencat e zhvillimit të brendshëm, sapo kanë filluar të futen në “hullinë e moskthimit” edhe pse politika si një mallkim, duket sikur nëpërkëmb çdo guxim që merr komuniteti i biznesit. Kjo bindje më buron qoftë edhe me rastin që po u rrëfej…Më vlen kritika juaj, lexoni këtë që po u rrëfej:

Kafenetë dhe rrugët e zhurmshme të qyteteve shqiptare, duket sikur fillojnë dhe mbarojnë me debatet vetëm për Qeverinë dhe Parlamentin. E pashë këtë në ato pak ditë që çmalla shpirtin tim në Shqipëri. Por ka një qytet që i ka të gjitha qytetet, krahinat, kulturat, traditat, zakonet dhe fiset shqiptare. Është një qytet që përherë është perceptuar në publik, si frikë dhe dështim, si kaos dhe papërgjegjshmëri, si spontanitet dhe si “repart ushtarak rezervë”, si geto dhe kakofoni dhe jo si një terren ku jeton qytetari shqiptar. Nuk e di pse më pëlqen ta shoh këtë qytet shqiptar si “shpresë e premtuar”… Shumica e tyre u sulën këtu, sikurse ju sul njerëzimi Amerikës dy shekujt e fundit. Të etur, të uritur, të guximshëm, të varfër, por me shpresë për të jetuar ndryshe.

“Sulmi” gati barbar drejt Bathores dhe Paskuqanit, ka qënë “migrimi” i brendshëm shqiptar ndër më historikët për nga përmasat dhe “kaubojizmi”, që autoktonët e kanë ndjekur në heshtje si dikur Indianët e Amerikës, “dyndjen e bardhë europiane”… Erdhën të uritur, plotshpresë, më çanta dhe dyshekë në kurriz…Pa anije, por plot shpresë se do “lëshonin rrënjë”. Ishte ardhje e pandalshme, si ato që ndodhin ende sot në kufirin jugor të Amerikës. Vendalinjtë ofruan paqe, durim, bujari. Nuk kërcënoi kënd uria, si të ardhurit e parë në Amerikë që i shpëtuan nga vdekja autoktonët. Qysh ato kohë Amerika feston një “Ditë Falendrimi”, festë që bëhet vetëm në këtë kontinent…Në Kamëz nuk ka festë falenderimesh akoma…Ata që erdhën, dita ditës, me mundim dhe përpjekje, u bënë kamzallinj. Ata tashmë e duan më shumë këtë vend se ata që ikën me anije, gomone dhe aviona. Ata mbetën aty duke pirë kafen e mëngjezit me njëri tjetrin, duke ndërtuar shtëpi të bukura, dhe duke u përshëndetur e bashkëjetuar paqësisht si shqiptarë të mirë…

Kamza dha Paskuqani, (duke nënkuptuar Bathoren) besoj se kanë qënë dy vendbanime pranë Tiranës, që Veriu dhe Jugu, Lindja dhe rrethinat kanë gjetur rrugën e bashkëekzistëncës dhe pranueshmërisë reciproke. Për arsye të errëta kamzallinjtë, ata që ishin dhe ata që erdhën, për një kohë relativisht të gjatë, sikur i ka simbolizuar “çomagia” e një daullexhiu. Është një iluzion i gabuar dhe çoroditës. Në fakt kamzallinjtë janë njerëzit më të mirë që kam njohur qysh në vitet kur isha student. Shumica e tyre i bashkoi në këtë qytet të harruar, puna në bujqësi dhe blegtori në sistemin ku “çdo vendim merrej në Tiranë”, ndërkohë që tashmë tregu i lirë është kthyer në një “turbinë” zhvillimi të rrëmujshme, por edhe të mahnitshëm … Është një qytet që duket se së fundmi po sheh “dorën e fortë” të një kryebashkiaku që pasioni i vetëm është si t’i shërbejë qytetarit, këtij “quantiumi” të vërtetë të çdo komuniteti dhe grupimi shoqëror kudo në botë.

Rakip Suli e shikon peshën e qytetit që qeveris, tek pesha njerëzore e çdo individi. Në ditët e para që jam takuar me Rakip Sulin, “guvernatorin” e Kamzës, më ka treguar aq shumë për projekte, investime, rrugë, shkolla, kopshte, ura, kanalizime, ujësjellësa, mjedise qytetare, qëndra kulturore, shërbime të koduara në ligje dhe rregulla të bashkisë, që çdo nëpunës duhet t’i zbatojë… “Nuk më ze gjumi kur më merr një qytetar në telefon për t’u ankuar…Dua të krijoj kulturën juridike se atë të drejtë që individit ja jep ligji, nuk mund t’ja vërdallosë askush. Aty fillon përgjegjësia e qeverisjes – më thotë Rakip Suli, që i ndrisin sytë kur të rrëfen tërë pasion për sfidat që ka përballuar në dy vjet qeverisje. Ai ndihet tërësisht në kontroll të përgjegjësisë që ka marrë. Përmes ekranit të celularit të tij më “shëtit” nga një projekt në tjetrin, nga një shërbim në tjetrin, nga një transformim në tjetrin… Për herë të parë shoh një njeri në krye të qeverisjes lokale, që me kujton udhëheqsit e komunitetit ku jetoj në Amerikë: në fokus qytetari dhe e ardhmja e qytetit. Pastëria dhe rregulli. Qetësia dhe paqja e komunitetit. Asgjë më e rëndësishme se një individ i vetëm, ky postulat qeverisës amerikan duket se ka “pushtuar” nga brënda kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli.

“Guvernatori” i Kamzës ka një pagjumësi të çuditshme në shërbim të realizimit të abmicjeve të veta. I ardhur nga biznesi në politikë, Rakip Suli ka një koncept ndryshe të punëve që duhen bërë. Dhe ai ka filluar nga menaxhimi i përgjegjshëm i “jashtëqitjeve” të qytetit që qeveris… Në fakt aty fillon çdo qytetërim modern, aty ku synon të arrijë ky qeverisës lokal. Ai qesh kur më rrëfen për këtë dhe më thotë: “Unë shkoj të kontrolloj ecurinë e punimeve dhe projektin më ambicioz, ndërsa ka qytetarë që më ankohen “O kryetar, shumë zhurmë po na bëjnë këto maqineritë or tëj…Shumë pluhur…” As vetë nuk e beson se ka qytetarë që duan ende të rrinë në kubenë e “erës kundërmuese”, por ai nuk ka fuqi ta ndryshojë një jetesë të tillë, ai ka fuqi të krijojë një mjedis të ndryshëm nga “uji i ndenjur”. Sulit përsëri i ndrisin sytë kur rrëfen për këto momente të punës. Nuk kam parë deri më sot një optimizëm të brendshëm siç buron nga sytë e Rakip Sulit. Ai ka shëtitur gati të gjithë bashkitë e vendit, ka parë edhe më tutje nëpër botë, dhe ka marrë atë që ka pëlqyer. Më rrëfen për punët e mira që kanë bërë bashkitë në Pogradec dhe Korçë. “Mbase nuk kanë bërë shumë investime, por kanë ditur të ruajnë profilet e qyteteve dhe kjo është më e rëndësishmja, më thelbësorja e një qeverisje lokale…” -ma thotë këtë duke pirë kafe dhe më vështron drejt në sy: “A më kupton sa të vështirë e kam?! Më duhet të krijoj profilin e bashkisë që qeveris për njeriun qytetar, një profil që të vetrrëfehet para çdo vizitori që një ditë në Tiranë të thonë “Le të shkojmë të shlodhemi e pimë një kafe në Kamëz… A më kupton?…”

=Ky njeri nuk fle gjumë, por ëndërron punën e ditës së nesërme. Ai shikon si vlerë çdo lloj komuniteti që qeveris sepse janë nga çdo cep shqipërie. Kërkon t’u japë kuptim emërtimit të rrugëve, shesheve, mjediseve pikante…”Kemi një rrugë që quhet Rruga “Pekin”… por në Kamëz nuk ka asnjë kinez…Kemi rrugë me emrin “Singapor”, “Tajvan” e plot idjotësi që vërtet ma marrin gjumin. Si ka mundësi të jemi kaq idjotë? Ne kemi emra të bukur që mund të “pagëzojmë” këto rrugë, sheshe, ndërtesa. Kemi emra trevash, heronjsh, artistë dhe intelektualë nga gjithësia shqiptare, që duhet të jenë një kujtesë qytetare. Unë dua t’i ripagëzoj denjësisht rrugët e bashkisë, do të jetë festa jonë e vërtetë, do jetë ringjallje shqiptare, që do tu ngjallë zili kolegëve të mi…” Rakip Suli nuk ka gjumë. Ky njeri mendon çdo çast se si të qeverisë për qytetarin, për çdo qytetar, si të krijojë besimin se zyrat janë t’u shërbejnë qytetarëve dhe askujt tjetër…Atij i ndrisin sërish sytë e vegjël, dhe me atë shpërthim që e ndien vetëm ai më thotë: “Dua ta bëj Kamzën që mos t’u shkojë mendja të shkojnë në Tiranë…Te liqeni i Paskuqanit do bëj një shëtitore të bukur…Edhe një parkim të madh. Është një projekt vërtet i bukur dhe ambicioz. Dua të realizoj një park të mrekuellueshëm për qytetarin dhe i qytetarit…Njerëzit të vinë dhe të shlodhen familjarisht pas pune e fundjave, dhe të mos u shkojnë kurrë mendja për liqenin e Tiranës…Rrugës që quhej Bulevardi Blu, i është vënë emri “Nënë Terëza” dhe në mes të qytetit, ku dikur ishte një statujë kali, është vendosur monumentin “Nënë Tereza”…Mua, kjo punë më duket sikur po ndërtoj një “Amerikë të vogël” me të gjithë etnitë shqiptare dhe në vend të Statujës së Lirisë, kam statujën “Nënë Tereza”- më tregon Rakip Suli me një pasion që i buron së brendshmi. Çeto, nuk e ke idenë sa më ka frymëzuar kjo punë e kryer…Një miku im ditën që bëmë përurmin më tha “Sot është ndarë e shkuara me të ardhmen”. Çdo ditë kur shkoj në zyrë ai monument sikur më jep një lloj energjije pozitive për t’i shërbyer çdo qytetari, ashtu siç i shërbeu shenjtorja shqiptare njerëzimit…”

Lexo edhe :  Të rritesh si fëmijë i vetmuar ka disa pasoja: Ja cilat janë më të zakonshmet

Ky njeri nuk është si çdo kryebashkiak tjetër. Rakip Suli ka ardhur në Kamëz që të shkruajë “historinë e pasonit qeverisës”. Me punë, fantazi dhe ide. Me këmbëngulje, me vizion dhe efektivitet. Me seriozitet, përgjegjshmëri dhe llogari të hapura… Nuk pashë kund një lloj të tillë “guvernatori” lokal. Natyrisht secili kërkon të krijojë profilin e vet në këtë “qeverisje lokale moniste” të dhuruar nga vetë opozita disfatiste, sipas mendimit tim. Dëgjoj këtë njeri që më tregon për atë që bën përditë, dhe më duket shumë më efektiv se kryebashkiaku u qytetit tim në Amerikë, sepse Rakip Suli ka motive të sinqerta në pushtetin që zotëron. Ashtu, duke dëgjuar me ëndje gazetareske rrëfimet e tij që natyrshëm kanë një krenari të bukur, befas ndërpres rrëfimet e Sulit dhe i them: “Keni ardhur te fusha ku di të bësh gjëra të mira… Qysh tani i shoh gjurmët që nuk do t’i fshijë koha…Më duket se parlamenti ishte një “stazh” ku sikur mbete stazhier, por që të solli në këtë pozicion qeverisës ku je vërtet Rakip Suli…” I them këtë me sinqeritetin tim naiv, dhe vërej se “guvernatori” sikur vërejtet në fytyrë. Më shikon përsëri drejt në sy, më troket gotën e rakisë, sërish m’i hedh sytë vetëtmthi dhe papritur ndjesën timë për ndonjë lëndim të pakeqdashëm, më përgjigjet: “Parlamenti ishte “stazhi” që më duhej, që më solli në këtë “Spot qeverisës” që unë e dua… Edhe në Amerikë kongresmenë lenë kongresin për tu bërë “qeveritarë lokalë”, kjo quhet dashuri për atë që di ta bësh mirë…Por, mos më thuaj se nuk shkëlqeva si deputet, të lutem…Unë shënohem ndër të vetmit deputetë që kur opozita më sulmoi për “konflikt interesi”, me guximin që më jepte liria ime parlamentare dhe ndershmëria në rrugëtimin e jetës time iu “vetdorëzova” Gjykatës Kushtetute për të më gjykuar…E bëra Çeto, pa pyetur kënd dhe bëra gjënë më të mire. Ligji ishte me mua, me të drejtën time të bekuar nga Zoti që besoj…Unë sfidova partinë time dhe vetë opozitën, ndaj puna e tashme më pëlqen pa masë sepse është diçka që i intereson vetëm qytetarit që më voton…”

Më vjen keq. Pa dashje sikur kam lënduar në sedër një prurje interesante në bashkinë e Kamzës. Pashë me sytë e mi pasionin e tij qeverisës, thjeshtësinë menaxhuese dhe përkushtimin idealist që rrallherë e sheh në Shqipëri. Duke i shtrënguar dorën, i kërkova ndjesë Rakip Sulit, dhe ai më qeshi duke më parë drejt në sy. “Puna, miku im, ka një fuqi magjike…Kur këtë lloj magjie e provon në biznesin privat, duke pasur atribute qeverisëse, të lind një pasion i çuditshëm. Dhe unë i jam mirënjohës personalisht kryeministrit Rama, që më krijoi këtë shans…” E thotë këtë kryebashkiaku duke mos e fshehur mirënjohjen, sepse sipas tij, ky virtyt njerëzor, është “shtylla kurrizore” e burrave të vërtetë me shpirt fisnik.

Rakip Suli duket se është një fenomen qeverisës, sepse së pari llogaridhënien dhe përgjegjshmërine ai së pari e sheh tek vetja. Ky është mbase edhe “çelësi” i suksesit të tij duke shënuar “dibranin që mund dibranin” në një bashki “një ditë rrugë” nga Peshkopia…

Tashmë bashkia e Kamzës ka një Bulevard me emrin “Nënë Tereza” dhe një statujë të kësaj shenjtoreje me krahëhapur si krahëhapja dhe pishtari në duart e “Statujës së Lirisë” në Nju Jork. A nuk është bashkia e Kamzës një sfidë dhe sukses ku jetojnë të gjithë së bashku me gati zero krime dhe me një traditë të bukur të paqes “komshiu me komshiun”… Kur kërkoj të gjej dritë suksesi dhe përvoje, Rakip Suli hesht. Me heshtjen e tij ky njeri më bën që të bëj premtimin e madh se kur të vijë fushata tjetër do jem gati të vij nga Amerika të bëj “Fushatë për Sulin”, si një dëshirë që buron në emër të punës dhe pasonit. “Guvernatori” i Kamzës të bën vërtet ta thuash duke bërtitur këtë dëshirë. E çfarë humb Kamza nëse ka edhe një mandat të dytë Rakip Sulin, që më tepër se “guvernator” është një sfidë e vërtetë e qeverisjes lokale? Një ithtar i opozitës nga Tropoja, një intelektual me eksperincë administrative, duke dëgjuar rrëfimet e qeverisjes së Sulit i thotë solemnisht: “Pash Zotin më shëno mua kryetar të shtabit elektoral sapo të çelet fushata… Do kërkoj votë për ty derë më derë, e oxhak më oxhak…

“Votoni përsëri Rakip Sulin” jam gati të bërtas nëpër Kamëz, Bathore e Paskuqan edhe pse ai është ende në mesin e mandatit e parë…Vendit i duhen njerëz me pasion për punë, jo njerëz që shkojnë nga “sherrnaja në sherrnajë”. Duket se ka ardhur koha për punë. “Guvernatori” i Kamzës, Rakip Suli gjatë gjithë bisedave nuk më foli fare për politikë, nuk u përfshi asnjë moment në debatet e politikës së ditës. Ai bisedon me pasion vetëm për punë, projekte, dhe investime. Rakip Suli të flet gjithnjë për Kamzën e së nesërmes që ai synon të kthejë në një “metropol sfide” për Tiranën e tejngarkuar në çdo gjë…Ky njeri beson se nuk do përsëris asnjë gabim që është bërë në Tiranë. Dhe ky është një premtim i madh si premtim i një burrshtetasi. Qëllimisht ja them këtë dhe ai lëshon një “Ah…” dhe befas hesht trishtueshëm. “Ah sikur të kishim ca qereste…” sikur ja plotësoj unë ofshamën nga shpirti, duke kujtuar një batutë të filamve të shekullit të shkuar. “Jo more burrë…Qereste ka boll tash kudo, por ah sikur të kisha opozitën në bashki dhe këshill…Më beso do t’i kisha kthyer mbledhjet e këshillit bashkiak si “parlamenti i parë pluralist”, ku njerëzit u vërsulleshin ekraneve për të dëgjuar…Neve na duhet opozita, jo si fallxhore e sherrtore, por si pasqyrë ku duhet të shohim gjëra të bukura, sepse në fund të fundit, e bukura, nuk ka partishmëri. Ajo ka magjinë monumentale që mbetet e tillë edhe kur ne ikim…Si Amerika, ku të çoi fati jot…” Ma thotë këtë dhe sikur është çliruar nga një brengë, sepse ky njeri ka dëshirë të debatojë, jo të shajë, ka dëshirë të të dëgjojë, jot ë fyejë, përdor logjikën dhe faktët dhe jo “partia mbi të gjitha”. Ndaj ai është ndryshe dhe nuk duhet të jetë i vetëm.

“Guvernatori” i Kamzës është vërtet një sfidë që shpreson se do ta provojë koha. Unë po e mbyll rrëfimin tim me shpresë se solla diçka të vërtetë. Më tepër se llafet duket puna. “Fshati që duket nuk do kallauz” thotë një mençuri popullore. Rakip Suli është i tillë. Në pak kohë, ai i ka sjellë Kamzës një “nusërim” modern, si karshillëk dhe “divorc” publik ndaj Tiranës, kësaj “vjehrre” me huqe të moshës së vet…Ky është zhvillim pozitiv, është një ogur i mirë për ata që ende shpresojnë se “Ai vend do të bëhet”…”Guvernatori” i Kamzës, Rakip Suli, po thyen një “mit” shqiptar.

Të fundit

Kur ta pranoni dhimbjen tuaj, do të mësoni të kujdeseni për veten

Lotët shpesh përjetohen si armiq, diçka për t’u mbajtur ose fshehur, të shoqëruara me dhimbje. Megjithatë, janë shprehje e...

13 maj 1917/ Tre fëmijë raportojnë shfaqjen e Zonjës së Fatimas, në Portugali

Mrekullia e Diellit e njohur gjithashtu si mrekullia e Fátimës, është një seri ngjarjesh që raportohet se kanë ndodhur mrekullisht më 13 tetor 1917,...

Origjina e Kamo’oalewa, ” pothuajse-hëna” e Tokës është zbuluar

Unë studioj një udhëtim të ri, në Kamo'oalewa, i cili filloi nga krateri hënor Giordano Bruno. Do të ishte konfirmim që asteroidi është një...

Greta Lena, dashuria për punën dhe shpirti i sakrificës..!

Nga Pandeli Bardhi  Bashkuar këto edhe me zëmrën bujare  “të lindur”, e bëjnë atë që shërbimi ndaj qytetarëve  dhe rezultatet  në punë, të flasin...

Rishikimi i Spacey Unmasked – shumë më tepër se një ekspozim

Dhjetë burra, duke përfshirë një boksier dhe një ish-marinist, bëjnë akuza për sjellje të papërshtatshme seksuale kundër yllit që dikur ishte dinamit në arkë....

Lajme të tjera

Web TV