Ekonomia “Low-Tech” dhe Antroposofia e zhvillimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Florjan Bombaj

 

Teknologjia është një shërbëtor i dobishëm, por një mësues i rrezikshëm” (Christian Lous Lange, 1869-1938). Situata ekonomike dhe ajo pas Covid-19 po tregon se Kapitalizmi bashkëkohor po përjeton një problem “sistemik” global me burimet jo të rinovueshme. Energjia e bollshme dhe e lirë po bëhet e rallë, ku prodhimi ose nxjerrja e saj do të kërkojë sasi në rritje të burimeve, energjive dhe metaleve.

Natyrisht, ka ende një sasi të madhe gazi dhe “nafte argjilore”, qymyri apo energjie diellore por do të duhen gjithnjë e më shumë pajisje komplekse për t’i rikuperuar ose përvetësuar ato.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe “mineralet metalike”, gjithnjë e më pak të përqendruara, do të konsumojnë gjithmonë më shumë energji për t’u rafinuar në metale. Tendenca afatgjatë mund të jetë vetëm mungesa e përhapur, ndoshta me përjashtim të hekurit dhe aluminit, e çdo gjëje që nuk rigjenerohet nga biosfera në një shkallë kohore njerëzore (Philippe Bihouix, 2015).

Për shkak të nevojës së saj për metale të rralla, sistemi aktual kapitalist do të orientohet drejt energjisë bërthamore dhe të rinovueshme për shumicën e burimeve dhe teknologjive.

Natyrisht “Ekonomia Rrethore” (origjinal Anglisht “Circular Economy”, e bazuar veçanërisht në eko-dizajn dhe riciklim, duhet të jetë një përgjigje ndaj mungesës së këtyre metaleve. Por kjo do të funksionojë vetëm pjesërisht nëse nuk ndryshojmë rrënjësisht mënyrën e prodhimit dhe konsumit. Sepse për të ricikluar, është ende e nevojshme të jesh në gjendje të rikuperosh fizikisht burimin, gjë që është e pamundur në rastin e përdorimeve dispersive siç janë ngjyruesit ose aditivët dhe ku më pas të riciklosh në mënyrë korrekte dhe pa degradim funksional, gjë që aktualisht është e vështirë duke pasur parasysh diversitetin dhe përzierjen e materialeve: përbërjen, aliazhet, përzierjet, komponentët gjithnjë e më të vegjël dhe të integruar, etj.

Në librin e tij të titulluar “Epoka e teknologjisë së ulët. Drejt një qytetërimi teknikisht të qëndrueshëm” botuar në vitin 2014, autori Philippe Bihouix rrëfen se “sa më shumë të shkojmë drejt objekteve të pasuruara teknologjikisht, me elektronikë të integruar, lidhje metalike ose materiale të përbëra që janë më pak të riciklueshme, aq më shumë largohemi nga ekonomia rrethore, e cila është qëllimi i një ekonomie më efikase ose “Low-Tech”. Duket se hendeku i ardhshëm, midis kërkesës gjithnjë në rritje në vlerë absolute (dhe kjo, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet apo inovacionet që lejojnë zëvendësimin, riciklimin, përmirësimin e “efikasitetit të materialieve”) dhe një oferte që vetëm pritet të ulet në terma afatgjatë, do të jetë shumë i madh.

Për të shmangur mungesën, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të mendojmë për të ulur kërkesën, në vend që të shpresojmë të gjejmë alternativa ndaj ofertës. Nuk do të ketë zgjidhje me “shkop magjik” duke përdorur risi të frikshme, por, përfundimisht, një zgjidhje nga kërkesa, kjo sigurisht do t’i bëjë njerëzit më pak të lumtur, por zgjidhja mund të jetë shumë më efektive socio-ekonomikisht. Por çfarë propozon “Ekonomia Low-Tech”?

Ekonomia “Low-Tech”

Për të shpjeguar shfaqjen e “Low-Tech” (në Shqip “Teknologji e ulët”), është e nevojshme t’i kthehemi kundërshtimit të tyre ndaj konceptit “High-Tech” (Shqip “Teknologji e lartë”), sepse vetë termi “teknologji e ulët” u ndërtua si një pengesë ndaj teknologjive të avancuara që janë shfaqur që prej viteve 1950, favorizuar nga shfaqja e teknologjive të informacionit. Dhe për të kuptuar këtë kundërshtim, është e nevojshme të pozicionohet se çfarë nënkuptohet me “teknikë” dhe “teknologji”.

Kërkuesi shkencor Gaulthier Roussilhe (2020) rrëfen se në antropologjinë e teknikave, ekzistojnë tre nivele të aktiviteteve teknike: niveli i parë i referohet materialeve, mjeteve, gjesteve dhe njohurive; niveli i dytë i referohet proceseve, zinxhirëve operativë dhe marrëdhënieve shoqërore të lidhura dhe niveli i tretë sistemi teknik i konceptuar si “të gjitha aktivitetet teknike të një grupi të caktuar shoqëror”.

Teknologjia është studimi i këtyre aktiviteteve teknike, larg kuptimit që i jepet kësaj fjale në një vizion inxhinierik dhe/ose ekonomik.

Sistemi kapitalist modern është “High Tech” dhe ka besuar prej kohësh se mund të mbështetet në kapacitetin e teknologjive për të përmbushur nevojat dhe dëshirat tona. Por planeti thotë “stop” dhe nuk ka vëlla binjak që të plotësojë kërkesat tona. Në fakt e gjithë teknologjia moderne monopolizon debatet.

Përgjigjet kryesore të propozuara nga shtetet, kompanitë dhe shumë shkencëtarë ndaj të gjitha sfidave ekologjike bazohen në mënyrë të pashmangshme në një ringjallje të kërkimit dhe inovacionit të teknologjisë së lartë, të shoqëruara më pas me një mori zgjidhjesh teknike komplekse siç janë inteligjenca artificiale, robotika, sistemi digital, energjitë e gjelbërta dhe 5G, të cilat na ofrojnë performancë të përsosur dhe premtime produktiviteti.

Pa diskutuar vlerën e këtyre teknologjive, e gjithë kjo dëshmon për përhapjen e një imagjinate të shfrenuar teknologjike. Imagjinatë që kufizon fushën e mundësive dhe lë pak vend për çdo alternativë tjetër. Inovacioni nuk duhet të “akaparohet” vetëm nga teknologjia, ai është gjithashtu njerëzor, organizativ, institucional dhe mbi të gjitha social.

Logjikisht, çdo zgjidhje teknologjike ka pjesën e saj të eksternaliteteve. Në pjesën më të madhe, përparimi teknologjik shkakton prodhimin e objekteve dhe shërbimeve të reja jo thelbësore, dhe shpesh e ndërlikon riciklimin e produkteve në fund të jetës së tyre. Mallrat e konsumit janë ende shumë shpesh të dizajnuara në logjikën e amortizimit të planifikuar ose konkurrencës së çmimeve me çdo kusht. Ata hiqen shpejt sepse janë të vështirë për t’u riparuar ose bëhen “démodé”.

Ne nuk pyesim më për dobinë e shërbimeve dhe objekteve që rrjedhin nga teknologjitë e reja, apo nëse të gjithë plotësojnë një nevojë thelbësore, apo nëse nuk mund t’i përmbushim ato me atë që tashmë ekziston duke riorganizuar ose kombinuar teknika të kolauduara.

Objektet novatore janë bërë zgjidhje dhe i paraprijnë nevojave.

Në këtë kontekst, kuptimi i progresit teknik bëhet çështje e shoqërisë. Sa thelbësor është ky bollëk i produkteve të rinj të sofistikuar? Teknologjia “Low-Tech” bën të mundur vënien në dyshim të këtyre arbitrazheve duke shtruar pyetjen e gjykimit teknologjik. Teknologjia “Low-Tech” nuk është një refuzim i teknologjisë.

Një botë e teknologjisë së ulët nuk e përjashton teknologjinë e lartë, por e vë në dyshim atë dhe e përdor atë kur është e nevojshme, për shembull në shëndetësi. Qasja e teknologjisë së ulët e vendos teknologjinë në vendin e duhur. Ajo kërkon përdorimin e drejtë dhe të mjaftueshëm të saj si një përzierje teknologjike e balancuar midis teknologjive të thjeshta dhe komplekse. Por, si mund të duket kjo marrëdhënie e drejtë midis njerëzve dhe teknikave të tyre?

Që prejt vitit 2020 po vendoset në dyshim dobia e shërbimeve dhe objekteve që rezultojnë nga inovacionet teknologjike nëse ato po plotësonin nevojat tona reale, a ishin vërtet zgjidhja ideale dhe thelbësore për secilën prej tyre dhe a është e nevojshme të rritet dhe rinovohet vazhdimisht numri i objekteve të prodhuara?

Kjo logjikë e rritjes gjithnjë përballet me tre kufij të mëdhenj : (1) përkeqësimin e kushteve të aksesit në burime; (2) rënien e fuqisë blerëse të një pjese të madhe të popullsisë dhe (3) një shkëputje midis furnizimit me produkte dhe përmirësimit të kushteve të jetesës të përdoruesve të tyre të ardhshëm. Në këtë kontekst, kuptimi i progresit teknik është bërë çështje e shoqërisë. Ekonomia “Low-Tech” nuk është, pra, një refuzim i teknologjisë, por një përdorim i drejtë dhe i mjaftueshëm i saj për të reduktuar ndikimin tonë mjedisor në planet. Ajo e vendos mjetin përsëri në shërbim të njerëzve dhe shoqërisë.

Sipas raportit të publikuar në mars të këtij viti nga “Ecole des Mines de Saint-Etienne”, disa nga principet bazë të një sistemi ekonomik “Low-Tech” janë: (1). Përshtatshmëria për nevojat. Një sistem i imagjinuar dhe projektuar për të përmbushur një nevojë reale të identifikuar si të mjaftueshëm për të siguruar një nivel minimal komoditeti. (2) Jetë e zgjatur e produkteve. Një sistem ku jetëgjatësia maksimizohet falë materialeve dhe dizajnit të fortë, riparueshmërisë së lehtë dhe inkurajimit të ripërdorimit. (3). Kursimi i burimeve. Një sistem cikli i jetës së të cilit (projektimi, prodhimi, përdorimi, fundi i jetës) karakterizohet nga konsumi i ulët i materialeve, energjisë dhe ujit. (4). Përvetësimi. Një sistem që lejon përvetësimin e njohurive në një shkallë kolektive dhe individuale. Qasja në njohuri lehtësohet shumë në mënyrë që çdokush t’a përdorë dhe pasurojë atë. (5). Bashkëpunimi. Një sistem që inkurajon krijimin e një komuniteti pjesëmarrës dhe ndërveprimet njerëzore. Vetë sistemi zë një vend të dytë si mbështetje për vendosjen e lidhjeve bashkëpunuese, jetës kulturore dhe sociale. (6). Qëndrueshmëria. Një sistem që është pjesë e trajektoreve të prodhimit dhe konsumit që synon varësinë e kufizuar nga aktivitetet e jashtme. Përdorimi i tij inkurajon mobilizimin e burimeve lokale. (7). Përshtatja me mjedisin. Një sistem i projektuar dhe përdorur sipas kufizimeve sociale dhe materiale të identifikuara qartë, të cilat përcaktojnë shkallën e duhur të aplikimit. Por a është ekonomia “Low-Tech” një qasje antroposofike e zhvillimit?

Lexo edhe :  Gjeografia e simpatizantëve të 4 politikanëve kryesorë

Antroposofia e zhvillimit

Në librin e tij të titulluar “The Computer and the Incarnation Ahriman” botuar në vitin 2017, autori David B. Black, ndër të tjera rrëfen se kompjuteri po transformon shoqërinë tonë dhe mënyrën tonë të jetesës.

Sipas tij, kompjuteri si objekt, pasi është bërë mbizotërues në zyrat qendrore të korporatave të mëdha, institucioneve kërkimore shkencore dhe agjencive qeveritare, po gjen aplikim të gjerë në automobila, pajisje dhe biznese të vogla.

Në ditët e sotme, shumë njerëz janë të shqetësuar për ndryshimet që rezultojnë nga përhapja e kompjuterëve. Ndërsa kompjuterët na japin argëtim pas lodhjes, ata kanë efekte të tjera që ne nuk i mirëpresim. Disa njerëz kanë idenë se marrëdhënia jme kompjuterin po del jashtë kontrollit, se ata po fitojnë një lloj autonomie.

Profesoresha e Massachusetts Institute of Technology (MIT) Sherry Turkle, rrëfen se njerëzive i’u pëlqen të ndjejnë fuqinë që lidhet me programimin e një kompjuteri. Por sipas saj, ajo që njerëzit nuk kuptojnë është se dëshira për t’a detyruar kompjuterin të bëjë diçka përfundon me faktin e hipnozës dhe dëshirës që kompjuteri t’u bëjë diçka atyre. Kjo na sjell në idenë se kompjuteri nuk është një makinë e zakonshme pasi ai mund të ushtrojë një fuqi mbi ne që asnjë mjet tjetër nuk mund t’a bëjë.

Sergei Prokofieff (1954-2014), bashkëthemelues i Shoqatës Antroposofike në Rusi, shkroi për marrëdhëniet midis kompjuterëve, internetit dhe Ahrimanit në librin e tij të titulluar “Relating to Rudolf Steiner and The mystery of the Laying of the Foundation Stone” botuar në vitin 2006, ndër të tjera rrëfen “…Nga toka do të lindë një racë e tmerrshme qeniesh, një kombinim midis mbretërisë minerale dhe bimore, si qenie robotike me intelekt ekstrem, intensiv dhe logjik. Ata do të përhapen dhe do të kapin tokën, duke e mbuluar atë si me një rrjetë merimangash, organizimi i të cilave megjithatë nuk arrin as nivelin e bimëve. Këto merimanga do të ndërthuren dhe do të përzihen me njëra-tjetrën, duke imituar në lëvizjen e tyre gjithçka që qeniet njerëzore kanë konceptuar me intelektin e tyre pa lejuar që ajo të frymëzohet nga një imagjinatë e re dhe gjithçka që do të vijë përmes shkencës shpirtërore…”.

Ashtu si termi “Filozofi”, Antroposofia tregon një metodë dhe rrugë kërkimi, në vend të një përmbajtje ose grupi fiks idesh. Rudolf Steiner (1861-1925) dikur e karakterizoi Antroposofinë si një bimë me kokë poshtë, me rrënjët e saj në qiej (botën e shpirtit) dhe lulet dhe frytin e saj në jetën praktike në tokë.

Ky “kultivim” do të thotë se njohuritë e qarta të lindura nga kërkimi i disiplinuar shpirtëror mund të na ndihmojnë të rigjallërojmë praktikën e edukimit, shëndetësisë, bujqësisë, teknologjisë dhe fushave të tjera të panumërta të jetës së përditshme.

Antroposofia mund të përkufizohet gjithashtu si një rrugë e dijes ose kërkimit shpirtëror, e zhvilluar në bazë të filozofisë idealiste europiane, e rrënjosur në filozofitë e Aristotelit (384-322) para erës sonë, Platonit (428-348) para erës sonë dhe Thomas Aquinas (1225-1274). Ajo përcaktohet kryesisht nga metoda e saj e hulumtimit, dhe së dyti nga njohuritë ose përvojat e mundshme që kjo të siguron.

Nga ky këndvështrim, Antroposofia mund të quhet edhe shkencë shpirtërore. Si e tillë, është një përpjekje për të zhvilluar jo vetëm një kërkim shkencor natyror, por edhe shpirtëror mbi bazën e traditës idealiste, në frymën e përpjekjeve historike, që kanë çuar në zhvillimin e shkencës moderne.

Mbi këtë bazë, Antroposofia përpiqet të kapërcejë çarjet që janë zhvilluar që nga Mesjeta midis shkencave, arteve dhe përpjekjeve fetare të njeriut si tre fusha kryesore të kulturës njerëzore dhe të ndërtojë themelet për një sintezë të tyre për të ardhmen. Antroposofia është gjithashtu një shtysë për të ushqyer jetën e shpirtit në individ dhe në shoqërinë njerëzore, që do të thotë ndër të tjera të ushqejë respektin dhe interesin për të tjerët mbi një bazë thjesht njerëzore, pavarësisht nga origjina dhe pikëpamjet e tyre.

Rudolf Steiner e zhvilloi idenë midis viteve 1917 dhe 1922. Koncepti thelbësor i tij njeh tre fusha të veprimtarisë shoqërore njerëzore: ekonomike, ligjore dhe kulturore. Ai pohoi se shëndeti i shoqërisë njerëzore varej nga një popullatë e rritur që kuptonte karakteristikat e çdo domeni dhe në këtë mënyrë mund t’a organizonte shoqërinë në mënyrë që çdo fushë të gëzonte pavarësi dhe autonomi. Në një karakterizim të hershëm, Steiner tha se të tre fushat duhet të jenë po aq të pavarura nga njëra-tjetra sa shtetet kombëtare që ndërveprojnë me anë të traktateve.

 

`          Veprimtaria ekonomike ka të bëjë me transformimin e asaj që natyra ofron në mbretëritë minerale, bimore dhe shtazore në mallra që plotësojnë nevojat njerëzore. Nga këndvështrimi i trefishtë, veprimtaria ekonomike duhet të organizohet dhe të kryhet në frymën e bashkëpunimit me objektivin e plotësimit të nevojave të të gjithë njerëzve në planet. Rudolf Steiner pohoi se e gjithë jeta ekonomike ishte e përfshirë nga ai që ai e quajti “Ligji i Çmimit të Vërtetë”.

Ai e formuloi ligjin si vijon: “Një çmim i vërtetë vjen kur një njeri merr, si kundërvlerë për produktin që ka bërë, një sasi të mjaftueshme për t’i mundësuar të plotësojë të gjitha nevojat e tij, duke përfshirë sigurisht edhe nevojat e atyre në ngarkim, derisa ai të ketë përfunduar sërish një produkt të ngjashëm”.

Duket qartë se formula flet për të ardhmen dhe thotë se çmimi i vërtetë i lejon pjesëmarrësit në jetën ekonomike të plotësojnë nevojat e tyre për kohën e nevojshme për të riprodhuar vlerën. Logjikisht nëse nuk është kështu, pra nëse njerëzit nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre për një kohë të mjaftueshme për të riprodhuar vlerën, atëherë përfundimisht procesi ekonomik do të rrëzohej.

Sfera e mesme e organizmit të trefishtë shoqëror është veprimtaria juridike (e quajtur edhe fusha politike ose e të drejtave). Roli i saj është të vendosë ligje që rregullojnë sjelljen e të gjithë të rriturve në mënyrë të barabartë.

Veprimtaria e tretë, pra kultura, në kuptimin më të gjerë, ka të bëjë me kultivimin dhe njohjen e kapaciteteve njerëzore. Kapacitetet njerëzore janë dhuntitë shpirtërore që bien mbi tokë me lindjen e qenieve të reja njerëzore.

Gjetja e mënyrës më të mirë për të shpalosur këto kapacitete është detyrë e fushës kulturore, përbërësi kryesor i të cilit është liria. Të gjitha këto aktivitete kërkojnë liri dhe konkurrencë midis qenieve njerëzore.

Nocioni se konkurrenca i përket jetës ekonomike është një konfuzion që lind sepse një pjesë e jetës kulturore është parë gabimisht si ekonomike nga qytetërimi modern. Ajo që qytetërimi ynë e sheh si konkurrencë biznesi në zhvillimin e produktit dhe inovacion është i njëjti lloj aktiviteti që zhvillohet në një konkurs për violinën e parë të karriges në një orkestër.

Me fjalë të tjera, është një veprimtari e jetës së lirë kulturore. Është ky konfuzion që ka çuar në idenë e gabuar se jeta ekonomike ka të bëjë me konkurrencën. A është koha pra, që e ardhmja e sistemit ekonomik dominant të orientohet drejt “Ekonomisë së Ndërgjegjes”?

De Praescientia Dei

Të fundit

Bashkëshorti i ministres plagosi drejtorin e ATK-së te Financat, ja çfarë u konstatua

Prokuroria e Tiranës ka pushuar një hetim ndaj bashkëshortit te ministres Delina Ibrahimaj, Andri Ibrahimaj, i cili ishte përfshirë...

Vonesa prej magjistratëve dhe mungesa e listës zyrtare nga burgjet, ILD nis verifikimet

A po shoqërohet apo jo me dritëhije ligji i amnistisë penale që u bë i zbatueshëm prej 24 prillit dhe që solli lirimin e...

I hoqën nga duart dy herë tenderat dhe ia dhuruan ‘4 A-M’, SPAK merr të pandehur zyrtarët

Tre zyrtarë të bashkisë Tropojë, të cilët kanë marë pjesë në dy procedura tenderuese të shpallur nga ky institucion, janë marë të pandehur nga...

Ndryshimet klimatike, ekspertja: Shqipëria preket më shumë se çdo vend i Europës

Ndryshimet klimatike kanë ngritur alarmin mes ekspertëve për të gjetur zgjidhjet që do të ulin pasojat që mund të jenë katastrofale. Në ‘Studio Live’...

Ambasadori i Rusisë në Tiranë largohet nga Shqipëria, ja kush e zëvendëson

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Mikhail Afanasiev ka përfunduar sot misionin e tij diplomatik dhe është larguar drejt Moskës. Lajmin e bën me dije Ambasada...

Lajme të tjera

Web TV