Kriza e çmimeve dhe inflacioni – lufta në Ukrainë dhe kërcënimet në rritje

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

AKADEMIK ANASTAS ANGJELI

 Ndërsa vendet e zhvilluara, SHBA dhe vendet e Eurozonës, po “hedhin pas shpine “pasojat ekonomike e sociale të krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ato po ndeshen me një krizë të re, atë të rritjes së çmimeve dhe inflacionit në rritje. Kjo, për shumë arsye të zhvillimeve ekonomike postkrizë, të rritjes së çmimeve të produkteve energjetike-naftës, por edhe të zhvillimeve të reja gjeopolitike, sidomos të konfliktit ushtarak tashmë të hapur dhe në zgjerim, Rusi–Ukrainë. Lufta tashmë e filluar Rusi-Ukrainë veç pasojave humane, po rishfaq pasoja të rënda ekonomike, tregjet e aksioneve u tronditën, çmimet dhe inflacioni po rriten me shpejtësi, çmimi i naftës i kaloi 105 Usd për fuçi.

 

Problematika e rritjes ekonomike post-krizë

 

Viti që lamë pas dhe tre muajt e parë e këtij viti dhanë sinjale të plota që Pandemia e covid-19 po shkon drejt fundit të saj, ekonomia globale po rimëkëmbet, edhe pse fenomenet postkrize si kriza e çmimeve- inflacioni dhe kriza energjitike, tashmë kanë shpërthyer. Tendenca e rimëkëmbjes ekonomike dhe problemet e tjera postkrizë Rritja globale pritet të ngadalësohet në 4.1% në 2022 dhe 3.2% në 2023, pasi shumë vende filluan të mbështesin nëpërmjet politikave fiskale dhe monetare, për të trajtuar pasojat nga pandemia e Covid-19.

Banka Botërore vlerësoi se ekonomia botërore u rrit me 5.5% në vitin 2021. Ekonomitë e mëdha, duke përfshirë SHBA-të, Kinën dhe vendet në Eurozonë, pritet të ngadalësohen këtë vit. Rritja në Kinë pritet të pësojë rënie nga rreth 8% në 2021 në 5.1% këtë vit. Ekonomitë e zhvilluara parashikohet të ngadalësohen nga 5% në 2021 në 3.8% në 2022, duke u konsideruar mjaftueshme për të rikthyer prodhimin agregat të ekonomisë së përparuar në tendencën e saj parapandemike në 2023. Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike për Shqipërinë në 2022 parashikohet të jetë 3.8 për qind. Për vitin 2021, rritja në vend vlerësohet të ketë qenë 7.2%, ose 2.8 pikë për qind më e lartë sesa parashikimi i qershorit 2021. Nga vendet e rajonit, Shqipëria kishte në 2021 rritjen e dytë më të lartë pas Malit të Zi (me 10.8%, por ky shtet shënoi dhe rënien më të lartë në 2020), e ndjekur nga Kosova (7.1), Serbia me 6%, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut me nga 4%. Por, lufta Rusi – Ukrainë, siç deklaron drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgeva, po shton rreziqet ekonomike për rajonin dhe botën”, duke ndryshuar parashikimet e rritjes.

 

Inflacioni në rritje dhe konflikti në Ukrainë – çfarë efekteësh priten?

 

Inflacioni është shfaqur si një nga çështjet kryesore, me të cilën po përballen ekonomitë dhe politikëbërësit ekonomikë jo vetëm në vendet e BE-së, por edhe në SHBA, Britani e më gjerë.. Çmimet e konsumit në Shtetet e Bashkuara janë rritur me ritmin më të shpejtë në 39 vjet dhe inflacioni ka arritur rekordin në më shumë se një dekadë në Britani. Inflacioni në Eurozonë u rrit në 5.1% në janar 2022, nga 5% që ishte në dhjetor 2021, sipas vlerësimeve paraprake që ka bërë sot Eurostat, (Instituti i Statistikave të Europës), i ndikuar nga çmimet e energjisë. Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të eurozonës, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore të rritjes në janar (28.6%, krahasuar me 25.9% në dhjetor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (3.6%, krahasuar me 3.2% në dhjetor), shërbimet (2,4%, e qëndrueshme krahasuar me dhjetorin ’21) dhe mallrat industriale joenergjetike (2,3%, krahasuar me 2,9% në dhjetor ‘21).

Shifra prej 5.1% përfaqëson një tjetër nivel të ri rekord, pasi në nëntor u shënua fillimisht niveli më i lartë i të gjitha kohërave prej 4.9%. Në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, inflacioni në janar ‘22 u vlerësua paraprakisht në 5.3%, me një kërcim të fortë, nga 4.2% në dhjetor të vitit të kaluar.

Në Greqi, ky tregues arriti në 5.5%, në Gjermani në 5.1%. Ekonomistët globalë kanë argumentuar se pandemia dhe inflacioni janë ndër rreziqet më të mëdha për ecurinë ekonomike në vitin 2022. Inflacioni vjetor në Turqi është rritur me ritmin më të shpejtë në 19 vjet, përkatësisht 36.08% në muajin dhjetor ‘21, kanë treguar të dhënat e Institutit Turk të Statistikave. Sipas tij, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur për 13.58% në dhjetor 2021, në krahasim me vitin paraprak.

 

 

Rritja vjetore në çmimet ushqimore ka arritur në 43.8%. Shkalla e inflacionit ka qenë më e larta prej shtatorit të vitit 2002. Inflacioni është rritur në këtë shtet, ndërkohë që lira turke është zhvlerësuar në nivele rekord pasi Banka Qendrore e shtetit nën presion të Presidentit, Recep Tayyip Erdogan, ka ulur normat e interesit për pesë për qind në muajin shtator. Dobësimi i lirës i ka bërë importet, naftën dhe produktet e përditshme më të shtrenjta, duke lënë 84 milionë banorë me mungesa të gjërave të domosdoshme. Shumë njerëz kanë blerë valuta të huaja dhe ar për të ruajtur kursimet e tyre. Erdogan shprehet se: “Ulja e normave të interesit ndikon në rritje të ekonomisë, pavarësisht se ekonomistët e thonë të kundërtën”.

Kjo rritje çmimesh në të gjithë globin kërkon masa konkrete shtrënguese nga ana e Bankave Qendrore për të riorientuar politikën monetare. Ekspertët vlerësojnë se Banka Qendrore Europiane mund të përgatisë terrenin për një rritje të parë të interesave në pranverën e vitit 20231. Ekspertët parashikojnë gjithashtu se baza e inflacionit do të lehtësohet, por do të qëndrojnë mbi 2% gjatë këtij viti, duke i lënë hapësirë Bankës Qendrore Evropiane (BQE) të marrë vendim lidhur me normat.

Ndërkohë, Banka e Anglisë u bë Banka e parë Qendrore e një ekonomie të përparuar që rriti normat e interesit që prej se ka nisur pandemia. Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka ndërmarrë një qasje më të kujdesshme, por gjithashtu ka vendosur që të tërheqë disa prej stimujve për vitin e ardhshëm. Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara (FDE) po lëvizin më shpejt sesa Evropa për të shtrënguar kreditë teksa çmimet në nëntorin e vitit të kaluar u rritën për 6.8 për qind.

 

Pse po rritet çmimi i naftës dhe i gazit?

 

Ekonomia globale po ndeshet me krizën energjetike dhe të rritjes së çmimeve te naftës bruto. Bursat e mallërave, të aksioneve dhe tregjet financiare po tronditen. Tregjet e naftës pësuan ndryshime strukturore prej marsit 2020, kur pandemia COVID-19 u përhap gjerësisht. Pandemia e COVID-19 dëmtoi tregjet e naftës bruto dhe përforcoi pasojat e pasigurisë që rrjedhin nga lufta e çmimit të naftës bruto Rusi-Arabia Saudite në mars-prill 2020.

Aktorët e tregut u përgatitën të asimilonin ndryshimet e tij dhe të rregullonin pritshmëritë e tyre, të cilat frenuan ndikimet që duhet të kishin ndodhur gjatë luftës me çmimin e naftës bruto. Masat frenuese reduktuan aktivitetet e njerëzve në natyrë dhe ndikuan rëndë në turizëm, linja ajrore etj,.. Çmimet ranë aq shpejt sa shkaktuan një çmim historik negativ të naftës bruto.

Mes trazirave të tregjeve të naftës, një gjeopolitike e lidhur me konfliktin e naftës midis Arabisë Saudite dhe Rusisë. Çmimet ranë aq shpejt sa shkaktuan një çmim historik negativ të naftës bruto. Në prill 2020, përmes një ndërmjetësimi të gjerë dhe ndërhyrja politike ndërkombëtare, Rusia dhe Arabia Saudite më në fund arritën një marrëveshje të përkohshme në muajin prill 2020. Lufta e çmimit të naftës bruto dhe pandemia dëmtuan rëndë tregjet e naftës, të cilat bënë presione të mëdha në rënie e çmimeve dhe ndikoi negativisht në mirëqenien e prodhuesve të naftës.

Por lufta e çmimit të naftës bruto rezultoi gjithashtu me disa ndryshimet strukturore në tregjet e naftës që sfiduan sistemin e çmimeve. Reflektimi i rritjes së çmimeve në bursë dhe në organizatën OPEC. Sipas njoftimeve të organizatës OPEC, është dashur që në fund të janarit të ketë stabilizim të çmimeve, por kjo nuk ndodhi dhe nuk pritet të ketë shenja përmirësimi. Konflikti Rusi-Ukrainë ka tensionuar dhe ka dhënë shtytje që të rriten më tej çmimet e naftës e të lëndëve të para.

Fundviti i kaluar dhe muajt e parë të këtij viti dhanë sinjale të plota të rritjes së çmimit të naftës bruto. Dhe kështu ndodhi. Dje, çmimi i barelit të naftës bruto kaloi 105 usd. Shkaqet janë të ndryshme. Sipas Helima Croft, menaxhere e strategjisë së mallrave në RBC Capital Markets, “nëse tanket ruse do të kalojnë kufirin (dhe kjo po ndodh) kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet e mallrave”.

Nëse Rusia pushton Ukrainën, ndikim të madh do të jepte fillimisht në tregjet e naftës e të gazit të Europës. Dhe kjo po ndodh. Dhe ja sepse. Rusia është eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe eksportuesi i dytë më i madh i naftës bruto. Ajo furnizon gati një të dhjetën e aluminit dhe bakrit në të gjithë botën dhe prodhon 43% të paladiumit. Është gjithashtu eksportuesi më i madh i grurit. Për shkak të kësaj situate, Rusia mund të vendosë të pezullojë disa eksporte veçanërisht të gazit. Vetëm frika e ndërprerjeve të furnizimit me gaz ka shkaktuar rritjen e çmimeve tashmë. Më 26 janar 2022, nafta Brent u rrit mbi 90 $/ fuçi, që ishte edhe niveli më i lartë në 7 vitet e fundit, ndërsa dje ky çmim kapi shifrën prej 105 USD për fuçi.

Gjatë krizës globale financiare mbas vitit 2007, si prodhimi industrial global ashtu edhe çmimet e mallrave pësuan rënie. Po të shtojmë këtu edhe sanksionet që SHBA, Britania dhe BE kanë vendosur dhe do të vendosin ndaj Rusisë, pasojat në tregjet dhe çmimet do të rriten. Tregjet në javët e fundit nuk ishin prekur gjerësisht nga situata në kufirin Rusi-Ukrainë. Ndërsa tani situata ndryshoi.

Me ndodhitë e sulmit rus në Ukrainë tregjet e aksioneve ranë menjëherë dhe çmimi i naftës nuk dihet sa do të arrijë. Por lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja serioze për ekonominë evropiane e më gjerë, atë botërore. Furnizimet energjetike me gaz dhe naftë do të kapnin çmime të larta, ndërsa do të përkeqësohej shumë pasiguria ushqimore, për shkak të furnizimit me grurë dhe plehëra kimike. IshPresidenti rus Medvedev, në përgjigje të sanksioneve të marra ndaj Rusisë, të fillimit të procedurave të Gjermanisë për moscertifikimin e gazsjellsit Nord Stream 2, Rusia do t’i përgjigjet me rritje të madhe të çmimit të gazit.

 

 

 

Nga ana tjetër, me dëgjimin e “krismës se parë” ekonomistët dhe bankat qendrore do të rishohin normat e tyre të interesit. Megjithatë, kriza ka dhënë efektet e saj në rritjen e çmimit të naftës dhe të gazit, si edhe të metaleve kryesore që përdoren për prodhimin e makinave, pajisjet elektronike dhe ndërtim, çmimet e mallrave ushqimore etj.. Prandaj, në afat të shkurtër, lufta RusiUkrainë, qoftë edhe e kufizuar, do të nxiste një rritje të madhe të çmimeve të naftës dhe gazit, veçanërisht në Evropë. Rusia sjell rreth 30% të naftës së Evropës dhe 35% të gazit të saj natyror në Evropë, që do të ndërpritej në rast konflikti. Çmimi i naftës mund të shkojë mbi 125$/fuçi, ndërsa edhe çmimet e gazit do të rriten ende. Edhe skenari tjetër ku vendosen sanksione masive ndaj Rusisë ka ndikim të fortë te çmimet. Nëse të gjitha vendet evropiane ndalojnë blerjen e gazit dhe naftës ruse, ndikimi në çmim do të ishte i madh, me rritjen e naftës në 175$ /fuçi dhe gazi në 250$. Edhe çmimet e ushqimeve do të kishin rritje.

Ukraina dhe Rusia janë ndër kultivuesit më të mëdhenj të grurit në botë, në pesëshen e parë. Lufta do të ndikonte te prodhimi i elbit, misrit, lulediellit dhe farave të tjera. 23% e amoniakut, 17%, 14% e uresë dhe 10% e fosfateve eksportohen nga Rusia, ku sektori bujqësor dhe plehrat kimike që përdoren për të do të shihnin rritje të madhe çmimi. Kriza në kufirin me Ukrainën është një nga më të rëndat për Evropën dhe sigurinë botërore të pasluftës së Dytë Botërore.

 

Lufta në Ukrainë: Sanksionet ekonomike e çojnë Rusinë drejt një krizë serioze ekonomike e financiare

 

Këto sanksione të reja kanë të bëjnë me: Bashkimi Europian : 351 deputetët rusë që votuan në favor të njohjes së dy territoreve separatiste;        27 individë dhe entitete që minuan integritetin territorial të Ukrainës (përfshirë 5 zyrtarë qeveritarë, 6 komandantë të forcave ruse dhe 5 persona të cilësuar si “figura qendrore të propagandës” ruse); 4 subjekte ruse (një kompani “propagande”, dy banka të lidhura me energjinë ruse dhe një bankë zhvillimi); marrëdhëniet ekonomike të territoreve të republikave të vetëshpallura; Qasja e Rusisë në tregjet e kapitalit të Bashkimit Evropian (BE) si dhe në shërbimet e saj financiare (siç është banka qendrore e Federatës Ruse); Në të njëjtën kohë, Gjermania njoftoi pezullimin e autorizimeve për projektin e gazsjellësit Nord Stream 2.

Lexo edhe :  Pse turizmi nuk po rrit konsumin në Shqipëri?

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, njoftoi “paketën më të madhe dhe më të ashpër të sanksioneve ekonomike që Rusia ka parë ndonjëherë”. Këto sanksione të reja “do të bëjnë të mundur përjashtimin e plotë të bankave ruse nga sistemi financiar britanik, i cili është sigurisht më i madhi në Evropë”. Këto masa do të parandalojnë kompanitë publike dhe private nga mbledhja e fondeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të kufizojnë shumat që qytetarët rusë mund të mbajnë në llogaritë e tyre bankare në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Doëning Street, këto sanksione do të synojnë njëqind subjekte, si konglomerati Rostec (mbrojtje, hapësirë ajrore, etj.). Por edhe shumë biznesmenëve  do t’u ngrihen asetet dhe do t’u ndalohet hyrja në MB.

Shtëpia e Bardhë njoftoi sanksione të reja “të rënda”, duke paraqitur “një kosto të menjëhershme” dhe ndëshkuese për Rusinë. Këto sanksione, synojnë “të izolojnë Rusinë nga sistemi financiar global”, duke ndërprerë lidhjen me sistemin bankar amerikan për Sberbank.

Shtetet e Bashkuara kanë dekretuar gjithashtu një “bllokim të plotë të sistemit financiar amerikan” për bankën e dytë ruse, VTB– Banka për tregëtinë me jashtë me rreth 14,53 miliard aktive, e dyta mbas Sberbank, si dhe tre institucione të tjera financiare ruse: të gjitha asetet e tyre në dollarë janë ngrirë. Përveç kësaj, SHBA ndalojnë mbledhjen e fondeve në monedhën amerikane për trembëdhjetë kompani në pronësi të shtetit rus (përfshirë gjigantët e energjisë Gazprom dhe Transneft). Masat synojnë gjithashtu individët që konsiderohen si “elita ruse dhe familjet e tyre”, por edhe individë bjellorusë, për të detyruar Bjellorusinë, një aleat i Vladimir Putin, “të tërheqë mbështetjen e saj për agresionin rus në Ukrainë”. Transaksionet në dollarë janë të ndaluara dhe asetet që ata mbajnë në Shtetet e Bashkuara janë të ngrira. Ata janë të ndaluar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Së fundi, eksporti në Rusi i produkteve ushtarake ose të teknologjisë së lartë me komponentë ose softëer amerikanë është i kufizuar në mënyrë drastike. Uashingtoni njoftoi gjithashtu se vendet që miratojnë masa të ngjashme tregtare kundër Rusisë do të përfitonin nga disa përjashtime të pronësisë intelektuale. Së fundi, me pushtimin e Ukrainës, po merret vendimi që të përjashtojë Rusinë nga rrjeti ndërbankar Sëift.

Këtyre sanksioneve të rënda ekonomike e financiare, po i bashkohen cdo ditë e më tepër edhe mjaft vende të tjera të botës si Australia, Japonia, Koreja e Jugut, etj.,, sidomos në drejtim të mbylljes së hapësirave ajrore për kompanitë ruse të aviacionit, etj. Po kështu, edhe në aspekte të tjera në fushën e aktiviteteve sportive, kulturore, etj., cdo ditë e më tepër po shtohen sanksionet.

Efektet

Rubla po cvlerësohet ndjeshëm; mjaft banka ruse po i tremben falimentimit; Banka qendrore e Rusisë dyfishoi normën e interesit në 20%.

Sanksionet ekonomike perëndimore duket se ndihen shumë: të hënën, më 28 shkurt, Rusia ishte në një krizë të rëndë financiare. Rubla, e cila tashmë ishte 60% në rënie që nga viti 2014, po zhvidhoset: në mëngjes, ajo kishte humbur më shumë se 20% kundrejt dollarit. E detyruar të reagojë, banka qendrore ruse dyfishoi normën e interesit, nga 9.5% në 20%, duke i dhënë një goditje të rëndë ekonomisë ruse.

Në të gjithë vendin, qytetarët rusë po qëndrojnë përpara ATM-ve, duke kërkuar valutë. Rritja e inflacionit dhe varfërimi i papritur i Rusisë duken të pashmangshme. Fillimi i një paniku bankar po afrohet: filiali evropian i Sberbank, banka e parë ruse, në pronësi të shtetit, falimenton, pas tërheqjes masive të depozitave nga klientët e saj.

Banka qendrore ruse ka 630 miliardë dollarë (562.3 miliardë euro), sipas shifrave të saj, të publikuara në janar. Mjaft për të “mbuluar njëzet e një muaj importe” nga Rusia. Nga kjo shumë, një pjesë (167 miliardë dollarë) është në rubla dhe sot vlen shumë më pak. Një pjesë e tyre është në ar (132 miliardë dollarë), në Rusi dhe nuk ndikohet nga sanksionet. Por një pjesë (95 miliardë dollarë) është depozituar në bankat kryesore qendrore perëndimore, veçanërisht në Rezervën Federale Amerikane (Fed), ose në Bankën e Francës, e cila ka rreth 3 deri në 4 miliardë euro depozita. Këto para tani janë të ngrira. Konkretisht, institucioni monetar rus nuk ka më të njëjtën fuqi për të mbrojtur rublën në tregjet financiare. Në rast të një krize valutore, normalisht mund të blejë rubla për të frenuar zhvlerësimin. Tani ajo është e kufizuar në veprimin e saj.

 

Rritja e çmimeve dhe frika e inflacionit në Shqipëri

 

Në Shqipëri, inflacioni, gjatë vitit 2021 ishte 2.4%, me një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë, kur arriti në 2.5% niveli më i lartë në katër vjet. Në parashikimet për rritjen ekonomike në 2022, ku norma vjetore llogaritet që të mos kalojë nivelin 4%, një ndikim do të jetë edhe te norma e inflacionit, e cila pritet të bjerë. Por, rritja e çmimeve në shtetet e Europës rrezikon të rrisë të ashtuquajturin inflacion të importuar, pasi importuesit do të blejnë mallrat më shtrenjtë, por, nisur nga ndikimi në këtë rritje ekonomike prej zhvillimit masiv të ndërtimit, në kushtet e kësaj norme rritje ekonomike në rënie një pasojë e pritshme negative mund të jetë shpërthimi i një “flluskë” të çmimit të aktiveve.

Kjo situatë që në gjuhën e makroekonomisë përshkruhet si stagflacion, në kushtet kur politikat fiskale me ndryshime të shpeshta dhe një ndërhyrje në vendimmarrjen e biznesit diktojnë edhe rrjedhën normale të tregut me një ndikim në ruajtjen e një pozite të disfavorshme për goditje të ardhshme të tregut shqiptar. Kjo është arsyeja pse këtë fillimviti të 2022, përballë inflacionit në nivelin më të lartë të 10 viteve, Banka e Shqipërisë (BSH) vendosi të mos i rrisë normat e interesit. BSH raportoi së fundmi se pesha e inflacionit të importuar në rritjen totale të çmimeve në Shqipëri u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit. BSH llogarit se kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total rezultoi 54%, kundrejt një mesatareje prej 40% të dy tremujorëve të mëparshëm të vitit. Banka Qendrore parashikon se, në një perspektivë të afërt, presionet e shtuara inflacioniste nga çmimet e huaja parashikohet të jenë të pranishme në inflacionin mesatar në Shqipëri edhe gjatë 2-3 tremujorëve në vijim, për t’u qetësuar gradualisht gjatë vitit të ardhshëm.

 

 

Por ka gjasa që efektet të mos jenë të përkohshme, për aq kohë sa në prapavijë ka faktorë strukturorë që ndikojnë. Borxhet shqiptare të dekadës së fundit kanë arritur në mbi 80% të PBB-së, duke i bërë bizneset dhe familjet më të ndjeshme ndaj rritjeve edhe më të vogla të normave. Në situatën kur inflacioni rritet në Shqipëri përtej normës aktuale prej 3%, atëherë kjo do të ketë një ndikim negativ në kursimet e qytetarëve, por edhe në koston e bizneseve në tërësi. Edhe pse ata do të shkarkojnë një pjesë të mirë të kostos së inflacionit te konsumatorët do të duhet të ruajnë një balancë në rritjen e çmimeve me frikën e rënies së shitjeve, pra, të të ardhurave.

Ndërsa ekonomia me gjasa është rritur mbi 3.5 herë krahasuar me normën mesatare të rritjes ekonomike në dekadën e fundit efekti më kryesor ka rezultuar te konsumi i rritur nga bizneset dhe konsumatorët, të cilët kanë shpenzuar më shumë para për mallra dhe shërbime. Nisur nga kjo tendencë bizneset kanë filluar të rritin çmimet dukshëm mbi mesataren e inflacionit në dekadën e fundit. Çmimet më të larta të energjisë janë një nga arsyet kryesore për këtë inflacion, që u rrit dukshëm në dhjetor 2021. Bizneset më kryesore kanë rritur kostot e tyre dhe kanë diktuar çmime më të larta për konsumatorët.

Rritja e fortë e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore në tregjet botërore ka nisur të reflektohet në rritje të indeksit të çmimeve të konsumit në Shqipëri, sipas BSH. Parashikohet që norma e inflacionit do të rikthehet në normalitet vetëm gjatë vitit 2023. Inflacioni është i pranishëm në çmimet e thuajse të gjithë artikujve të shportës së konsumit. Gjithashtu, rritja e inflacionit u diktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve të përpunuara dhe të naftës. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare vlerësohet të jetë rritur me 6.9% në nivel ekonomie dhe me rreth 8% për sektorin privat, ndërkohë norma e papunësisë është ulur në 11.3%.

Ndonëse çmimet e energjisë për konsumatorin final nuk janë rritur, shtrenjtimi i energjisë për rreth 7400 biznese që duhet të dalin në tregun e liberalizuar ka filluar që në janar 2022, kur këto subjekte do ta blejnë energjinë pothuajse dyfish, çka mund të transmetohet te kosto e produkteve të tyre. Rritja e çmimeve të mallrave të produkteve të shportës prek çdo familje sidomos ato më të varfrat. Sipas një studimi të fundit nga INSTAT, rreth 621 mijë shqiptarë jetojnë në rrezik varfëri. Të ardhurat e tyre janë shumë të ulëta, ndërsa çmimet po rriten. Sipas avokatit të popullit, një qytetari në Shqipëri i duhen 18 500 lekë për të jetuar në kushte minimale.

Por pjesa më e madhe e pensioneve janë nën këtë shifër. Ndihma ekonomike apo pagat gjithashtu nuk garantojnë kushtet minimale për të jetuar. Kjo rritje e çmimeve çon në rritjen e shpenzimeve mesatare/mujore të këtyre familjeve. Në këtë situatë, familjet janë të detyruara të përballojnë jetesën duke shfrytëzuar alternativa të ndryshme si për shembull të fillojnë të përdorin kursimet, si dhe duke marrë hua. E gjithë situata e krijuar dikton vëmendje të shtuar edhe në politikat ekonomike, tregtare, monetare e financiare dhe të menaxhimit të rezervave strategjike shtetërore, drithërat, naftën etj.

 

Ja si, sa dhe në cilët sektorë goditet ekonomia jonë nga lufta Rusi-Ukrainë.

 

Konflikti i krijuar nga kriza e luftës Rusi-Ukrainë vec pasojave humane e njerëzore  po shkakton dhe pasoja të mëdha ekonomike e financiare jo vetëm në ekonominë e dy vendeve luftuese, por në gjithë ekonomine globale, dhe sigurisht edhe në ekonominë e vendit tonë. Kjo sepse, Shqipëria ka marrëdhënie të rëndësishme eksport-importi me këto dy vende në vecanti drithra (grurë),naftë,gaz,vaj lule dielli, metale,etj. konflikt Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit. Volumi tregtar dominohet nga importet e mallrave prej këtyre dy vendeve. Në vitin 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore. Pavarësisht se volumi tregtar në këto vende është i ulët, Shqipëria ka varësi të lartë në importin e lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta nga Rusia. Nga këto vende importojmë 50% të sasive vjetore të drithërave dhe 12% të naftës.

Drejtimet kryesore të ndikimit të kësaj krize janë;

1-Vala e ngritjes së menjëhershme e cmimeve të mallrave  në tregjet globale dhe efekti domono, presioni i tyre në ekonominë tonë, direkt dhe indirekt (vetem ditën e parë të fillimit të luftës cmimi e naftës,gazit dhe grurit u rritën nga 5-8%)

.2-Pamundësia e vazhdimit të zbatimit të kontratave të importit për këto mallra dhe riorientimi në tregjet e tjera, shfrytëzimi dhe menaxhimi më i mirë i rezervave  strategjike për disa mallra deri sa të rivendoset zinxhirri i ndërprerë i furnizimit me to.

3-Një ndikim do të ketë edhe sektori  i turizmit i cili vecanërisht 3-4 vitet e fundit(edhe pse në kushtet e koronavirusit, sidomos nga ukraina por dhe vendet afër konfliktit, Polonia, Cekia etj, prurjet nga industria e turizmit ishin të konsiderueshme. Goditjet ketu do të vinë për shkak : a-Nderprerja e fluturimeve per shkak te luftes dhe sanksioneve te vendosura ne shfrytezimin e hapsirave ajrore  te vendeve ne konflikt; b-Ngurimi nga pasiguria paaftesia financiare per te udhetuar per turizem nga keto vende; c-Te rritjes se cmimit te karburantit dhe me ndikim ne rritjen e cmimit te biletave ne vendet e tjera prane konfliktit  dhe me gjere.

 

Të fundit

Zbulohet faktori i ri që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ja për kë bëhet fjalë

Nëse do ta përfytyronit trupin tuaj si një makinë, zemra do të ishte motori. Zemra, një organ muskulor që ndahet...

Njohja e pensioneve me Italinë, nga e hëna drafti diskutohet në komisione parlamentare!

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare. Drafti parashikohet të prezantohet...

Puka dhe Tropoja bëhen bashkë dhe dhurojnë një mbrëmje të paharruar në “Gëzuar me ju”

Në programin “Gëzuar me ju” ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri, me origjinë nga Puka, dhe Arif Dushaj, nga...

Thuajse të gjithë po e lexojnë gabim takimin e Ramës!

Nga Alban Daci Disa e quajnë takim elektoral me patronazhitë që ndoshta është edhe e vërtetë! Disa thonë se Rama e mbushi stadiumin me autobuzë nga...

Shkëmbimet tregtare / Ja ç’po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

Lajme të tjera

Web TV