Puthja e vdekjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Besnik Gjongecaj

Njohës i thellë i universit ballkanik, Edward P. Joseph e karakterizoi mbështetjen që Lavrov i dha “Open Balkans” menjëherë pas dështimit të fluturimit të tij për në Serbi si “puthja e vdekjes”. “Puthja e vdekjes”, pra gjendja në të cilën vdekja përcillet përmes një akti dashurie, dëshmohet për herë të parë në Testamentin e Ri, atëhere kur Judes puth Jessus për ta shenjuar atë si objektiv te ekzekutorët e tij. Qartësisht, ministri i jashtëm rus nuk e shprehu mbështetjen e tij për “Open Balkans” që kjo inisiativë të vdiste nesër, ashtu si Jessus vdiq pas puthjes së Judes. Përmes mbështetjes së inisiativës “Open Balkans” ai shprehu interesin më të lartë të Kremlinit, mbështetjen e padiskutueshme për Vuçiç në sytë e popullit serb. Por, fatmirësisht, deri këtu zgjat efekti i kësaj mbështetje. Ky efekt venitet menjëherë, madje edhe pa u sendërtuar, pasi mbështetja e Lavrov ishte një mesazh i qartë për Perëndimin se pas “Open Balkans” është Rusia dhe mjafton kjo, që demokracitë perëndimore të fillojnë të mbledhin energjinë e nevojshme dhe jo vetëm diplomatike për ta çmontuar këtë inisiativë. Këtu fillon e sqarohet pse Edward P. Joseph e karakterizoi “puthja e vdekjes” mbështetjen e Lavrov. Akti i dashurisë së Lavrov për “Open Balkans”, megjithëse spontan dhe vulgar, jasht çdo dyshimi do të sjellë vdekjen e kësaj inisiative. Demokracitë perëndimore nuk do të tolerojnë fuqizimin politik të Serbisë përmes premisës së fuqizimit ekonomik të saj, të cilën ia mundëson kjo inisiativë. Aq më shumë, kur nuk ka asnjë garanci se inisiativa “Open Balkans” do të mund të zhvillohet mbi bazë të vlerave evropiane. Shenjimin ia bëri Lavrov. Ekzekutimin do ta bëjë Evropa e mbështetur nga popujt e Ballkanit.

* * *

Mizoritë më të mëdha në historinë e kësaj bote janë kryer përmes akteve të dashurisë dhe në emër të tyre. Rasti më i fundit është krimi në Ukrainë. Kremlini mundohet të vërtetojë që po i vret qytetarët e Ukrainës sepse kërkon t’i shpëtojë ata nga nazistifikimi i vendit. I do, prandaj i vret! Ja pse, në thelbin e vet, dhe nuk mund të ishte ndryshe, “puthja e vdekjes” ka tradhëtinë. Ja pse, për t’i gjetur një gjeografi, për t’i përcaktuar asaj “hapësirën e vet jetike”, vdekja apo mizoria është përcjellë dhe përcillet përmes dashurisë (puthja e vdekjes) atje ku tradhëtia ka edhe mbretërinë e vet. Në ditët e sotme, politika është mbretëria tradhëtisë. Ky pohim, gjithsesi, pasqyron një të vërtetë relative, sepse është e vështirë, gati e pamundur, që “puthja e vdekjes” të karakterizojë ato sisteme politike që janë projektuar dhe vihen në lëvizje përmes një transparence të thellë dhe të plotë. Është shumë e vështirë “të vrasësh pas puthjes” në një sistem politik të tejdukshëm, demokratik, prandaj edhe para syve të popullit. E kundërta ndodh në politikën translucent të një vendi autokratik, si Shqipëria. Atje ku nga populli dallohen ekzaktësisht ato ngjarje, personazhe, krime, që janë zgjedhur për t’u dalluar nga peshkaqenët e politikës dhe mbeten në errësirë më të rëndat, më tragjiket. Mbeten në errësirë ato krime, ngjarje, personazhe, që në fakt përcaktojnë edhe fatet e vendit. Populli shqiptar, thjesht, nuk është zot i fatit të tij. Ja pse Shqipëria ka kohë që karakterizohet si një vend hibrid, pra si një vend ku shqiptarët e kanë të pamundur t’i dallojnë faktorët e brendshëm dhe tragjikë të ekzistencës së tyre (ato janë të fshehur, recezivë), por dallojnë vetëm ato sipërfaqësorë, të gënjeshtërt, tallës, komikë. “Puthja e vdekjes”, prandaj dhe pa gabuar shumë, mund të quhet edhe si “puthja shqiptare”.

* * *

Në Shqipëri, raporti i politikës me popullin është një raport mizor. Më shumë se kudo tjetër, politikanët shqiptarë përcjellin mizorinë te populli i tyre përmes një dashurie të shtirë, të pistë, të kalkuluar si të tillë në krejt tranzicionin pas diktaturës hoxhiste. Përmes fjalimeve bosh ata premtojnë gjëra që s’kanë ndërmend t’i kryejnë kurrë, ndërkohë që përgatisin me kujdes ato që do t’i kryejnë në fshehtësi, për të plotësuar interesat e tyre dhe në kurriz të vendit. Në Shqipëri e vërteta ka një çmim aq të lartë sa nuk gjendet një shqiptar i thjeshtë që mund ta blejë. Ja pse edhe “puthja” më e pështirë e politikës së këtij vendi mund të përcjellë mizoritë më tragjike te shqiptarët, madje edhe pa u kuptuar prej tyre. Vendi është zhytur në një errësirë të kobshme ku e vërteta fshihet midis nebulozave të pafund të pavërtetash, rrenash. Të gjithë kanë licensë për të thënë një rrenë dhe askush për të thënë të vërtetën. E gjithë kjo po ndodh prej tridhjetë vitesh, por që, të paktën në dhjetëvjeçarin e fundit, është shndërruar në gjendje normale për një vend dhe një popull të tërë. Dhe tamam në këtë kohë merr ekzistencë si asnjëherë më parë raporti i Shqipërisë me Evropën. Kllouni i Shqipërisë shkon në Bruksel dhe akuzon fuqitë demokratike se janë futur në një krizë të thellë dhe se prandaj, për shkakun e tyre, po e pëson edhe Shqipëria. Të mëdhenjtë e Evropës aplikojnë gjuhën e drunjtë, e cila ka një dopio efekt negativ në raport me Shqipërinë. E para, duke mos kuptuar asgjë qartë, pra duke mos e ndarë dot nëse vendi i tyre i ka apo nuk i ka plotësuar kriteret meqë edhe Evropa nuk e ndan, shqiptarët kanë filluar të dyshojnë për mjerimin e paanë ku jetojnë, nëse ai është i vërtetë apo jo, nëse janë në ëndërr apo në zhgjëndër, megjithëse e prekin atë mjerim çdo ditë. E dyta, meqënëse fuqitë demokratike vazhdojnë dhe i japin dorën atij që është në krye të Shqipërisë pavarësisht manierave prej kllouni që demonstron, shqiptarët, për shkak të kompleksit të inferioritetit që ka zënë rrënjë te psiqika e tyre që në kohën e diktaturës hoxhiste, madje edhe pse i shqyejnë sytë e veshët për ndonjë sinjal, akoma nuk e kanë ndarë nëse po i puth vdekja apo kryeministri klloun në vend të saj. Dhe e gjitha kjo ka një kohë të gjatë që ndodh. E gjithë kjo ka patur kohën e mjaftueshme për ta çuar shoqërinë shqiptare në ndryshime dramatike të teksturës psiko-morale të saj, të cilat, fatkeqësisht, kanë natyrë mbetëse, janë jo elastike dhe i duhet një kohë shumë e gjatë për t’u rikthyer atje ku kanë qenë. Ndryshime, të cilat, duke pranuar gabimin në kontekst, mund të krahasohen me gjendje psiko-morale të popujve mesjetarë, atëhere kur dhuna dhe mjerimi pranoheshin me po atë lehtësi sa edhe mungesa e lirisë.

Lexo edhe :  Këngëtarja Teuta Selimi kallëzon për dhunë bashkëshortin dhe vëllanë

* * *

Asnjë analizë e Shqipërisë së sotme nuk do të ishte realiste nëse politika e këtij vendi, pra dy pjesët e saj, pjesa qeverisëse dhe ajo opozitare, do të konceptoheshin të ndara. Sa më shumë që përfaqësuesit e të dy anëve përsëritin se nuk kanë lidhje me njeri tjetrin, se janë dy botë të ndryshme, që madje e sigurojnë mbijetesën duke u mbështetur në parime dhe mekanizma të pa ngjashëm, aq më shumë vërtetojnë se janë të lidhur me njëri tjetrin, se reflektojnë njëri tjetrin si në sipërfaqen e një pellgu, se ruajnë balancën me njëri tjetrin. Dhe jo vetëm në kuptimin banal, por më shumë në kuptimin dialektik.
Le të marrim një rast për të cilin demokratët nuk duhet të rreshtin së analizuari, madje, edhe ashtu, ndoshta të pa kuptuar mirë, ata do të duhet t’ia u lënë amanet fëmijve për të mos ta harruar kurrë nëse një ditë hyjnë në politikë. Rastin e z. Basha. Megjithë inkonseguencën, mediokritetin, interesat thellësisht të dyshimta të z. Basha me qeverisjen, apo humbjet e njëpasnjëshme të tij në betejat elektorale dhe jo vetëm; në thelb, pra, megjithë zhytjen e z. Basha në një moçal të thellë mosbesimi dhe korrupsioni të heshtur apo të dalë në sipërfaqe nga njerëz afër me të, emërimi i z. Basha dhe mbajtja e tij pa as më të voglin shqetësim për 9 vjet në krye të partisë më të madhe opozitare mund të konsiderohet si shenjimi më i zi që i është bërë ndonjëherë një opozite. Gjithçka i ka ngjarë puthjes së Judes. Djalë i ri megjithëse me flokë të lyera, i arsimuar jashtë megjithëse askush se mori vesh cilësinë e arsimimit të tij, i pajisur me elokuencë dhe anglisht tamam si i kurdisur nga një dorë tjetër, i akullt për ta bërë të mundur të shtirurit që edhe mund t’i pëllciste në dorë sa herë aplikonte një personalitet shtesë, një ekzistencë robotike, stazhier shembellor i KOP-it të partisë, z. Basha u vendos në krye të PD për ta rrënuar atë, prandaj edhe opozitën shqiptare. Ashtu si në vdekjen e Jessus, rrënimi i PD u përcoll përmes një akti dashurie, apo përmes fabrikimit të një personazhi që të krijonte imazhin e njeriut të ri për një PD të re, i cili të mund të dukej edhe si dashuri edhe si naiv përballë njeriut të vjetër, lodhur e stërplakur. Ashtu si në rastin e Judes, megjithatë, nuk u mor vesh kurrë ekzaktësisht pse u caktua ai, z. Basha pikërisht, për t’i dhënë PD puthjen e vdekjes; pse jo një tjetër. Nuk u mor vesh kurrë se cila zezëri ishte më e zezë te ky njeri për t’i ngarkuar atij shenjimin e krejt opozitës së një vendi. Që pastaj të vinin ekzekutorët dhe ta shqyenin; dhe Shqipërinë ta sundonin përfundimisht ata që e duan më pak atë, shpirtzinjtë. Një gjë, megjithatë është e sigurtë. Me vendosjen e z. Basha në krye, PD i braktisi demokratët duke i syrgjynosur ata në Saharën e një shteti të verbër, armiqsor. Shqiptarët u vendosën përballë një qeverie pa opozitë, që kishte rrëmbyer shtetin dhe ashtu si para një ushtrie me të cilën nuk luftohet me sfurqe, ata kanë zgjedhur prej kohësh ikjen. Ja pse, emërimi i z. Basha në krye të PD nuk ishte një gabim rutinë, nuk ishte dekor, nuk ishte thjesht një zgjedhje si ato që njerëzit bëjnë çdo ditë. Nuk ishte madje as thjesht një tradhëti, madje as edhe nga ato që shkruhen në librat e shenjtë. Emërimi i z. Basha në krye të PD ishte akti i lënies së një vendi të tërë pa opozitë. Ishte prandaj një tradhëti më e madhe se ajo që Judes i bëri Jessus. Ishte tradhëti ndaj një populli, ndaj një vendi të tërë. Ishte tradhëti kombëtare.

Të fundit

Apple pranë marrëveshjes me OpenAl, ChatGPT do të integrohet në Iphone

Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple është afër finalizimit të marrëveshjes me OpenAl që do të shtoë ChatGPT-në në...

Takimi me emigrantët në Athinë/ Pse nuk u takua me zyrtarët grek? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion”, lidhuer me takimin e shqiptarët që jetojnë në Greqi, i cili solli reagime të politikës dhe...

Si janë raportet midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për një emision televiziv ndër të tjera foli edhe për raportet e qeverisë shqiptare me atë...

Ekspertja: Vizita në Athinë, më e suksesshmja për Ramën. Ishte në nivelin më të lartë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Enida Bozheku e cilëson vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë si më të suksesshmen në këto vite që është...

“Do të të laj…”, me kë e ka Xhensila Myrtezaj?

Prej disa kohësh po përflitet një ndarje mes aktorit të humorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Kjo u aludua vazhdimisht në media por...

Lajme të tjera

Web TV