Partia Socialiste dhe Partia Demokratike rënë dakord të shtyjnë edhe me 6 muaj punën e komisionit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe atë të Reformës Territoriale. Kur pritet të dekretohet edhe data e zgjedhjeve lokale, dy forcat kryesore politike nuk mundën të arrinin në një draft të unifikuar për ndyshimet zgjedhore.
Partitë politike nuk u treguan aspak serioze për të finalizuar reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Reforma Zgjedhore që pritej të ishte e zbatueshme në zgjedhjet e ardhshme, i ka humbur shanset për tu draftuar në një akt të unifikuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ndryshimet zgjedhore mesa duket nuk i intereson në këtë kohë as PS-së dhe as PD-së. Komisioni i Posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore vendosi t’i propozojë seancës plenare zgjatjen e afatit me 6 muaj. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në dakordësi me opozitën, propozoi shtyrjen me 6 muaj të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Vendimi kaloi me konsensus duke vendosur që veprimtaria të shtyhet deri në 10 mars 2023, kohë në të cilën partitë politike do të kenë zbritur në terren për zgjedhjet e përgjithshme vendore. 6 muajt e parë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ishin një dështim në veprimtarinë parlamentare, pasi nuk prodhuan asnjë rezultat.
Deputetët kërkuan të marrin edhe gjashtë muaj të tjerë kohë në mënyrë që të hartojnë amendamentet e nevojshme për të plotësuar mangësitë në organizimin e proceseve zgjedhore. Po ashtu, Gjiknuri propozoi edhe emrat e ekspertëve. Kryetari i grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu tha se grupi i ekspertëve duhet të funksionojë si i tërë. “Mos kalojmë këto diskutime si takime politike, ka nevojë për një agjende politike të punës së komisionit dhe të grupit të ekspertëve. Pra, duhet përcaktuar një axhendë takimesh. Ka nevojë për të vlerësuar problematikat e OSBE/ODIHR, problematika që nxjerrin të gjithë anëtarët e komisionit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese për t’i parë në tërësi dhe për një reformë zgjedhore që të na shërbejë jo vetëm në zgjedhjet vendore por dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha ai.
Në përgjigje të deputetit Mediu, Gjiknuri u kërkoi ekspertëve programin e punës sipas temave dhe me afat indikativ. Në fund, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ra dakord t’i propozojë Kuvendit shtyrjen e afatit të komisionit me 6 muaj, propozim i cili u votua nga të gjithë anëtarët. Mbledhja zgjati më pak se 30 minuta, por mosbesimi ndërmjet palëve u reflektua, ndonëse në rendin e ditës ishin çështje teknike si zgjatje afati dhe caktim ekspertësh. Ndonëse jo të shprehur në letër, deputetët vendosën ta ndajnë punën e komisionit në dy faza. “Reflektohen edhe disa çështje të cilat janë më emergjente siç janë ata që prekim për aq sa prekin edhe çështjet e zgjedhjeve vendore pasi ju të sillni produktin, në një kohë sa më të shpejtë do të mblidhemi sërish”, tha Enkelejd Alibeaj. Emergjenca e amendamenteve për nenet e Kodit që prekin zgjedhjet vendore është edhe më e madhe në një kohë kur Presidenti i Republikës pritet të dekretojë datën për lokalet 2023.