“U ftova në dasmën e djalit të fillrojtësit që ngriu në dëborë”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dëshmia e rrallë e aktorit të famshëm të skenës dhe ekranit Rikard Ljarja, që mbushi tre vjet që është ndarë nga jeta, për filmin dhe miqësinë e tij me familjen e ‘fillrojtësit Dedë”! Rrëfimi / “Pas një jave, erdhën ata të Sigurimit të Shtetit e i thanë nanës tonë se, dyshohej që baba, Pjetri, kishte tradhtuar atdheun dhe ishte arratisur në Jugosllavi”!

Nga DASHNOR KALOÇI

Filmin artistik ‘Rrugë të bardha’, prodhim i ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, realizuar në 1973-in, shumica e shqiptarëve që kanë jetuar në moshë madhore para viteve ’90-të, e mbajnë mend shumë mirë, pasi veç të tjerash, thuhet se, ai është konsideruar një nga filmat më të mirë shqiptar, përsa i përket anës së realizimit. Por, pak vetë e kanë ditur dhe e dinë ende, se, skenari i atij filmi është bazuar mbi një ngjarje reale, si dhe lidhjen e aktorit kryesor, Rikard Ljarja, me familjen e fillrojtësit Pjetër Llesh Doda, (me origjinë nga fshati Domgjon i Mirditës), i cili në mëngjesin e 31 dhjetorit 1966, u nis të rregullonte linjën që lidhte Kukësin me Tiranën dhe nuk u kthye më në shtëpi! E gjithë kjo histori, bëhet e ditur nëpërmjet dëshmive të rralla të bashkëshortes së tij, Liza dhe të birit, Zefit mbi ngjarjen e dhimbshme të ‘fillrojtësit Dedë’, i cili sikur kishte para ndjerë fundin e tij tragjik, i kishte lënë amanetet gruas së tij! Si dështuan përpjekjet e fshatarëve të asaj zone për gjetjen e tij në malet më dëborë të asaj zone të thellë në Veri të vendit dhe dyshimet e organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilët mendonin se ai ishte arratisur në Jugosllavi dhe u bënë gati t’i internonin familjen?! Si u bë e mundur gjetja e tij në shkurt të vitit 1967, në fshatin Kolsh të rrethit të Kukësit dhe varrimi madhështor, pasi ai u shpall “Hero i Punës Socialiste”, si dhe përkujdesja e shtetit dhe e vetë udhëheqësit kryesor, Enver Hoxha, për t’u mbaruar shtëpinë e lënë përgjysmë, shkollimin e fëmijëve, dhe punësimin e Lizës si centraliste. Historia e rrallë e ‘fillrojtësit Dedë’, familja e të cilit, thirri aktorin Rikard Ljarja, në dasmën e djalit të dytë, madje duke e vënë atë në krye të vendit, aty ku do ishte Pjetri, vjen nëpërmjet dëshmive që na ka dhënë vite më parë, vetë aktori tashmë i ndjerë, Rikard Ljarja, i cili sot më 20 prill, mbush tre vjet që është ndarë nga jeta.
RRRËFIMI I RIKARD LJARJES
“Mbasi u dhashë fjalën se do shkoja në dasmën e djalit të tyne, pas disa ditësh, e shtunë ka kenë, dola nga shtëpia dhe u nisa me shku te Kafe ‘Flora’, ku kisha lënë me u taku me dy punonjësit e Kinostudios, që do vinin me më marr me makinë, për me shku në fshatin Domgjon të Mirditës, ku e kishte shtëpinë familja e fillrojtësit Pjetër Llesh Doda. Pak pa mbërrit te vendi ku ata do vinin, rastësisht takoj Dor Kekon, që sapo kishte dalë prej shpiet, që e kish po aty ngjit me Kafe ‘Flora’, i cili më ftoi të uleshim aty për kafe dhe ndonjë gotë. Edhe pse Keko insistoi shumë, nuk ndenja, duke i than se nuk kisha kohë, pasi po më priste makina, me të cilin do udhëtoja për në fshatin e largët të Mirditës dhe i tregova arsyen se pse po shkoja atje. Pa mbaru mirë fjalën, Dori më tha: ‘Ouuu, po kjo qenka një mrekulli, do t’ja propozoj shefit tim, kryeredaktorit, sa të shkoj ne redaksi dhe do ta bëj shkrim te ‘Drita’, ku…’! dhe aty u damë me Kekon, pasi e lamë me u taku përsëri, kur të kthehesha unë. Kështu, unë shkova në atë dasëm, ku më pritën me shumë përzemërsi, duke më vënë në krye të venit, si i pari dasmës, njësoj sikur aty të ishte i zoti i shtëpisë, Pjetër Llesh Doda, fillrojtësi, rolin e të cilit unë e kisha pas rastin me e lujt n’ film. Pas dy tre ditësh, erdhi më takoj Keko-ja, i cili bëri një shkrim në gazetën ‘Drita’, për atë histori që i kallxova…”!
Kjo ishte një nga ngjarjet që më kishte treguar disa vite të shkuara, i madhi Rikard Ljarja, miku im, gjatë një dreke në fshatin Skuraj të Kurbinit, ku na kishte ftuar, Lek Pervizi (me bashkëshorten e tij, Beba, ish-të përndjekur politik), kur aty ra biseda për doket, zakonet, traditat e gjithë historinë e asaj treve që kufizohej me rrethin e Mirditës, për të cilat, Rriku (siç e thërrisnim ne), kishte aq njohuri, saqë pa e tepruar aspak, them se do ja kishin zili edhe studiuesit e historianët më në zë. Ngjarjen në fjalë, pra pjesëmarrjen e aktorit dhe regjisorit të madh të skenës, ekranit dhe kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja, në dasmën e djalit të ‘fillrojtësit Dedë’, diku aty nga pranvera e vitit 2015, ja tregova gazetares dhe moderatores së njohur, Sonila Meço, kur punonim bashkë në televizionin ‘Agon Channel’ dhe po përzgjidhnim temat për emisionin ‘Surpriza je ti’, ku unë isha skenarist-autor dhe ajo moderatore. Sonila u mrekullua nga ajo histori dhe vendosëm menjëherë ta realizonim emisionin, edhe pse që në fillim u pezmatuam disi, pasi ndeshëm në refuzimin e prerë të Rikardit, të cilin ne donim t’ia bënim surprizë familjes së fillrojtësit, Pjetër Llesh Doda, gjatë emisionit në fjalë. Lidhur me këtë ide tonën, Rriku na “ngushëlloi”, disi, duke na thënë: “Shikjo…, nuk shkon me ardh unë në emision, pasi jam kenë njëherë te dasma e tyne, por ma mire, merrni Elida Cangonjin dhe do të shikjoni sa mirë ka me u dal, pasi me sa di, ajo s’asht taku kurrë me ta…”! Dhe kështu ndodhi vërtetë, Elida Cangonji, pranoi me shumë kënaqësi, të ishte pjesë e atij emisioni që realizuam asokohe bashkë me Sonilën dhe gjithë stafin realizues, aq sa, duartrokitjet e publikut që ishte i pranishëm në atë format televiziv, vazhduan gjatë. Ngjarjen në fjalë, si dhe gjithë historinë e reale të familjes së “fillrojtësit Dedë”, të cilën unë pata rastin ta njihja gjatë përgatitjes së atij emisioni, (nga takimet dhe bisedat me pjesëtarët e asaj familje, kryesisht djalit të madh, Zefit), po e risjellim sot ekskluzivisht për gazetën FJALA, në shenjë homazhi për të madhin Rikard Ljarja, me rastin e tre vjetorit të ndarjes nga jeta. Po kështu ky shkrim, publikohet në shenjë homazhi edhe për aktoren e njohur, mjeken Elida Cangonji, e cila gjithashtu e është ndarë nga jeta para pak vitesh, por edhe për Lizën, bashkëshorten e Pjetër Llesh Dodës, e cila u nda nga jeta vetëm në moshën 84 vjeçare, në dhjetor të vitit 2019.
HISTORIA E VËRTETË E FILLROJTËSIT “DEDË”, TE FILMI ‘RRUGË TË BARDHA’
Quhej Dedë, u nis të rregullonte linjën telefonike pasi bëri një dorë gallatë me shokët beqarë dhe pasi takoi vajzën për të cilën zemra kishte nisur t’i rrihte fort. Pastaj mbeti në bardhësinë e borës, i ngrirë kallkan, i vdekur, apo siç thuhej në ato kohë: “në krye të detyrës”. Vdiq, për të mundësuar lidhjen telefonike të një zone të bllokuar nga dëbora, diku në thellësi të maleve, në Veri të vendit. Filmi shqiptar me titull “Rrugë të bardha” (me skenar të Vath Koreshit dhe regji të Viktor Gjikës), i bënte njerëzit për të qarë, i bënte të vlerësonin vetësakrifikimin e tjetrit, për të mirën e përgjithshme. Shkurt, propaganda e komuniste e kohës, me anë të tij, ja kishte arritur qëllimit.
Por pas dekadash të shkuara, përkundër pamjeve të ngritura në art dhe shkëlqimit të skenave të luajtura me mjeshtëri nga artisti i njohur Rikard Ljarja, shumë pak shqiptarë e dinë se, subjekti i këtij filmi, i shfaqur në kinematë shqiptare në vitin 1974 dhe më pas për vite me radhë edhe në Radio-Televizionin Shqiptar, si dhe në festival filmash në disa shtete të Europës, është marrë nga një ngjarje e vërtetë. Nga një ngjarje e dhimbshme, me protagonist babanë e pesë fëmijëve, madje fare të vegjël, të cilët pas vdekjes së tij, u detyruan të rriteshin jetimë e, me shumë vështirësi ekonomike. Kështu, ngjarja reale, nuk ka asnjë lidhje me pjesën e parë të filmit, pra nuk ka Dedë, që çante arra në hyrje të kinemasë, nuk ka humor me shokët, nuk ka as takim me atë vajzën që i’a donte zemra! Krejt ndryshe, filmi i jetës reale, nis me një djalë 5-vjeçar, madje të ushqyer keq, që mëngjesin e ditës së fundit të vitit 1966, përpiqej të barazonte, me hapat e shkurtra, shalokun e të atit dy metrosh, nëpër rrugën me akull të fshatit Domgjon të Mirditës. Ca trokëllima të forta hapash, dy silueta, një gjigante dhe një fare e vocërr, përmes një rrugice gri, të ngrirë deri në palcë edhe prej asaj që do të ndodhte më pas. Ka një përcjellje të dhimbshme nga një fëmijë, i cili ndjek të atin nga pas, sikur ta parandiente se, s’do ta shihte më të gjallë…?! Dhe që nga ajo ditë, e gjithë pjesa tjetër e jetës, do ta fshikullonte me fatin e një jetimi! Në fund, ka një përshëndetje, kujtesë ndaj të birit, të mos ngatërrojë rrugën, në kthim, për te shtëpia dhe zhytje në bardhësinë e pakufishme…!
DËSHMIA E BASHKËSHORTES, LIZA DHE DJALIT ZEFIT, SI E KUJTOJNË PJETRIN
“Im atë quhej Pjetër, Pjetër Llesh Doda. Ishte 45 vjeç dhe në atë kohë ne banonim në fshatin Domgjon të Mirditës”, nisi të na rrëfente, rehatuar në një kolltuk në shtëpinë e vet dykatëshe diku në periferi të Tiranës, Zef Lleshi, pikërisht ai djali 5-vjeçar që në ngjarjen reale, mëngjesin e 31 dhjetorit 1966, shoqëroi të atin deri në fund të shtëpive të fshatit. Familja e varfër, kishte si burim jetese, pikërisht rrogën prej fillrojtësi të Pjetrit, ndërkohë që gruaja e shtëpisë, Liza, nuk punonte, pasi kujdesej për fëmijët, më i madhi 8 vjeç dhe më të vegjlit, dy binjakë motakë, djalë e vajzë. Ndërsa Zefi, ishte djali i madh, nga tri të tillë. Prandaj i ati, kishte pranuar që vocërraku t’a shoqëronte deri në fund të fshatit në rrugën e pa kthim. “Ishte mëngjesi i ditës së festës së Vitit të Ri, 31 dhjetori 1966-ës, kur Pjetri u bë gati, veshi çizmet e mori pajimet, këmbalecët, mushamanë, aparatin telefonik dhe u nis për në punë. E kishin lajmëruar se, linja me Kukësin ishte prishur. Duke u veshur, më tha që të shtroja tryezën dhe darka e festës së Vitit të Ri të niste, edhe nëse ai do të vonohej”, na rrëfente Liza, bashkëshortja e Pjetrit, që deri ditën që u nda nga kjo jetë (dhjetor 2019), ka jetuar me njërin nga djemtë, diku në qytetin e Durrësit. Nënë Liza, tregonte se, në kohën kur bashkëshorti i saj, Pjetri humbi jetën, ajo ishte vetëm 29 vjeçe dhe se drithërohej sa herë që i ai nisej rrugës nëpër borë, të rregullonte linjën telefonike me Kukësin. “Ik e martohu se, sivjet do ngel në borë”, i kishte ngrirë ai gjakun edhe atij mëngjesi. “Kështu më thoshte gjithmonë, sa herë nisej në punë, ndërsa unë bëhesha gjysmë njeriu, duke e pritur, sepse e dija se, edhe mund të ndodhte”, na rrëfente gruaja që, përkundër asaj dëshire për humor të të shoqit, nuk u martua kurrë pas vdekjes së tij, duke i’a kushtuar jetën rritjes së fëmijëve. Sipas Lizës, me Pjetrin ishin martuar me shkuesi, por gjithsesi ajo e kishte njohur edhe më parë fillrojtësin. Në kohën që ndodhi ngjarja, ata ishin duke ndërtuar shtëpinë e tyre në Domgjon të Mirditës, madje sapo ishin futur në dhomën e vetme të rregulluar. “Nuk kthehem pa e lidhur linjën”, kishte qenë fjala e fundit, që nëna e pesë fëmijëve, ka dëgjuar nga bashkëshorti, Pjetër Llesh Doda. Një vendim që në ato kohëra, përzihej me kurajon e malësorit, për të realizuar gjithçka të mundshme, por edhe me kërkesat e kohës, pasi ajo linjë telefonike, ishte lidhja e vetme me Kukësin, ai fill i hollë prej metali bakri, mbante gjallë, mbante me shpresë, gjithë zonën e rrethuar nga bora. Por, në pritje që Pjetri të kthehej, fëmijët dhe nëna e tyre, do shtroheshin në darkën e Vitit të Ri, pa njeriun e tyre të afërt…! Ndërsa, ushqimi ishte konsumuar si në darkë zie, gjatë gjithë natës, Liza nuk vuri gjumë në sy, duke menduar më të keqen, ndërkohë që në mëngjes, lajmi se linja me Kukësin ishte rregulluar, i kishte sjellë shpresë.
LIZA: “U HAP LAJMI SE PJETRI ISHTE ARRATISUR NË JUGOSLLAVI”!
Rivendosja e lidhjes me Kukësin, dhjetë orë pasi Pjetri ishte larguar nga shtëpia, pra në mbrëmjen e ditës së fundit të vitit 1966, kishte zgjuar shpresat e familjes Lleshi, një ditë më pas. Por nuk ishte e thënë që, Pjetri të kthehej, as gjatë gjithë ditës dhe natës tjetër. Ditë më pas, ishin hapur fjalë se, ai ishte arratisur për në Jugosllavi…! “Pas një jave, i thanë nënës se, dyshohej që Pjetri kishte tradhtuar atdheun, për t’u arratisur”, na rrëfen Zefi, djali i madh i fillrojtësit nga Domgjoni. “Një javë pas zhdukjes së Pjetrit, në fshat erdhën ata të Sigurimit të Shtetit dhe u hapën fjalë se, e gjithë familja jonë do të arrestohej”, tregonte Liza, duke këmbëngulur se, në të njëjtën kohë, ishte gëzuar shumë. “Unë, kërcënimin që po na vinte, e mora me gëzim. U gëzova, pasi mendova se Pjetri ishte gjallë. Sepse ata të Sigurimit të Shtetit, kishin mundësinë e informacioneve të sakta”, kujtonte Liza, që i ishte përgjigjur njeriut që i kishte sjellë lajmin: “Vetëm të jetë gjallë Pjetri, pa le të shkoj edhe në burg…”!
KËRKIMET PËR TË GJETUR TRUPIN E PAJETË TË PJETRIT, DERI NË SHKURT 1967
Grupe të ndryshme banorësh nga fshati Domgjon, ishin nisur të kërkonin gjurmët e Pjetër Lleshit, duke ndjekur linjën e shtyllave që mbanin telat e telefonit. E njëjta linjë, nga Fani në drejtim të tunelit të Thirrë-Kalimash, ku tashmë ndodhet autostrada Durrës-Kukës. Por, penguar edhe nga bora që atë dimër kalonte mesataren, (dy metër trashësi), njerëzit që kërkonin nuk kishin pasur fat të gjenin trupin e fillrojtësit. Ai ishte gjetur vetëm pas pesë javësh, në Kolsh të Kukësit, në fillim të shkurtit 1967, nga një bari dhe kjo falë shkrirjes së borës. “Çobani e gjeti të padëmtuar. Gojëdhënat e zonës thoshin se; trupi i njeriut nuk prishet derisa ta shohë dikush. U gjet i ruajtur nga bora, nën njërën nga shtyllat. Grupe të shumta kërkuesish i kishin kaluar sipër pa e vënë re”, na rrëfente Zefi, i biri. “Erdhën përfaqësuesit e shtetit që më dhanë lajmin e gjetjes së trupit të Pjetrit. Erdhën nga Kukësi, pasi Tirana ishte larg dhe rrugët ishin të bllokuara nga bora”, na tregonte Liza, duke sjellë në kujtesë, një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Një moment, kur mendja kishte nisur t’i bënte llogari të vështira. Kishte pesë fëmijë të mitur, për të rritur, krejt e vetme. Ndërsa kohët ishin të papërballueshme, mes një varfërie ekstreme dhe përpjekjesh për të siguruar vetëm mbijetesën. Trupi i Pjetrit, kishte mbërritur për t’u varrosur në Domgjon të Mirditës, nga Kukësi, pasi i ishte bërë autopsia nga organet kompetente. Kishte mbërritur i mbyllur në arkivol, ndërsa Liza dhe prindërit e Pjetrit, të cilët ishin ende gjallë, nuk kishin këmbëngulur ta hapnin. “Nuk këmbëngulëm se, na thanë që trupi është i dëmtuar. Por edhe nuk e hapëm që, të mos e shihnin dashakeqët”, rrëfente Liza. Shpejt, lajmi i gjetjes së fillrojtësit të ngrirë, pasi më parë kishte mundur të bënte punën e vet, duke lidhur linjën e dëmtuar telefonike me Kukësin, kishte rënë në vesh të krerëve të shtetit komunist në Tiranë. U kishte rënë në vesh, në një kohë kur propaganda zyrtare, raste të ngjashme, i kërkonte “me qiri”! I kërkonte për t’i bërë shembuj, frymëzim për të tjerët. Shembuj frymëzimi për të drejtuar turmën, atje ku ata kishin paracaktuar të shkonte.
VARRIMI MADHËSHTOR I PJETRIT DHE LETRA E ENVER HOXHËS DËRGUAR FAMILJES
“Ndërsa Enver Hoxha na dërgoi dhurata”, na rrëfente Zefi që, edhe pse në atë kohë ka qenë vetëm 5 vjeç, betohej se, pamjet vizive të ngjarjeve, i kishte shumë të qarta. Ndihma nga shteti nuk kishte vonuar të dukej. Sipas Lizës, kooperativa kishte marrë një fond për rregullimin e shtëpisë së mbetur në mes, të fillrojtësit Pjetër Lleshi. “Shtëpia u bë model. E bëri shteti me fondet e veta. Më të njëjtin fond, u blenë edhe pajisjet e mobilimit të brendshëm. Kuptohet, mobilim si në fshat”, na sqaronte Zefi. Bashkë me këto lëvizje, shteti komunist kishte ndihmuar pafundësisht familjen mirditore të mbetur në pikë të hallit pas vdekjes së burrit të shtëpisë. Me urdhër nga lart, e shoqja Liza, ishte punësuar si centraliste, një vend pune që kishte lidhje me atë të të shoqit të vdekur, ku ajo pati shërbyer edhe pas shembjes së regjimit komunist, madje deri më 1994-ën. Por edhe fëmijët, ishin ndihmuar nga shteti i asaj kohe, për arsimim. Fëmija më i madh i Lizës dhe Pjetrit, që ishte vajzë, ishte dërguar nga shteti të përfundonte shkollën Pedagogjike, ndërsa vetë Zefi, kishte mbaruar gjimnazin, për të nisur punë si gjeolog. Surprizat nuk kishin të sosur. Në të njëjtën periudhë, në shtëpinë e familjes Lleshi, erdhi një letër e shkruar nga vetë Enver Hoxha. “Në letër ai shkruante për aktin heroik të babait e, të tjera të ngjashme. Letrën e kam ruajtur deri vonë, por për fat të keq, më ka humbur bashkë me do sende të tjera, gjatë kohës kur ndërruam vendbanim”, shpjegonte Zefi, i biri i fillrojtësit Pjetër Llesh Doda. Gjithsesi, nuk kishte mbaruar gjithçka këtu, sepse pak kohë më pas, kooperativës, i kishte mbërritur edhe një kamion “ZIS”, krejt i ri, si dhuratë për aktin heroik të Pjetër Lleshit, shoqëruar nga porosia që të reklamohej si ‘dhuratë e dërguar nga vetë Enver Hoxha’. Njëkohësisht kooperativa e Domgjonit, kishte marrë emrin “Pjetër Llesh Doda”.
KUR FAMILJA U THIRR TË SHIKONTE FILMIN ‘RRUGË TË BARDHA’!
Ne, nuk dinim asgjë, deri në kohën kur në shtëpi na erdhën nga Kukësi, ca përfaqësues të Komitetit të Partisë dhe na thanë se, për Pjetrin, ishte bërë një film”, na tregonte Liza. Ndërsa sipas Zefit, filmi ishte realizuar në vitin 1973, pra rreth 6-7 vjet pas ngjarjes. Por filmin, fillimisht do ta shikonte vetëm Liza, për të cilën ishte dërguar enkas një makinë nga Kukësi. “Filmi më rikujtoi Pjetrin. Ishte e dhimbshme. Mos më pyesni kot, se nuk qava. Kisha qarë boll deri në atë kohë dhe nuk më dilnin më lot. Pastaj njeriu duhet të durojë. Unë jam mirditore dhe kam ruajtur respekt për zakonet. Në ato kohëra, gratë nuk duhet të përloteshin”, na tregonte nënë Liza, gruaja e fillrojtësit, Pjetër. Fëmijët e familjes Lleshi, e kishin parë filmin, pak vite më vonë, më 1977-ën, ndërsa surpriza më e madhe, ishte shënuar në dasmën e Markut, djalit të dytë të Pjetrit dhe Lizës. “Në dasmë na erdhi vetë Rikard Ljarja, me ca të tjerë të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Ishte një ditë e vërtetë gëzimi, sepse Rikardi, me figurën e vet në film, na dukej si ta kishim baba të dytë”, na rrëfen Zefi, duke shtuar se, marrëdhëniet me artistin e njohur, i ka ruajtur deri vonë.
Mbërritur në ‘erën tonë’, historia vetë sakrifikuese e Pjetër Lleshit, e përdorur nga propaganda e kohës së komunizmit, pothuaj është harruar. Harruar nëse shumëkush nuk do të përdorë pak batuta nga filmi si: “alo Dedë?” apo: “na ishte se ç’na ishte, na ishte një njeri që çante arra tek dera e kinemasë, kush na ishte? Dedaaa”. Ose, ose përdorimi i asaj shprehjes krahasuese: “Ngriva si Deda, majë shtyllës”. Por kaluar perceptimit kolektiv, në jetë ka ende një grua të vjetër, e veja e ish-fillrojtësit real, historia e të cilit u bë film, e cila bluante në mend më shumë se këto batuta. “Më vjen shumë keq që, tashmë historia dhe sakrifica e Pjetrit është harruar nga e gjithë shoqëria. Atij nuk i përmendet më emri kurrkund. Madje thonë se, edhe dokumentet për aktin e tij në dobi të shtetit, kanë humbur që të gjitha. Por tani nuk ka më mirënjohje. Ajo është varrosur…”, përfundonte Liza, tregimin e saj të parë dhe të fundit, për bashkëshortin e saj, Pjetrin, pasi edhe ajo vetë, u nda nga jeta pak vite më vonë.

Të fundit

Mos harroni çadrat/ Parashikimi i motit për ditën e nesërme, ja çfarë pritet të ndodhë

Në vendin tonë moti do të jetë me vranësira dhe reshje shiu me rrebeshe me në  pjesën e pare...

Rama paralajmëron bizneset: Goditjet do të jenë drastike nëse nuk futeni në binarë

“Klasifikimi i bizneseve do të bëjë që bizneset do të rezultojnë korrekte nuk do të kontrollohen. Pra do të jenë në një fashë A të...

Rama: Krijojmë një forcë të re autonome të shkëputur nga ministritë

“Inspektimet. Sot është një pikë e dobët dhe pavarësisht përmirësimeve që janë bërë dhe sa më pak e ndjenin presionin e inspektorëve në raport...

Prindërit regjistruan katër dele në shkollë për të parandaluar mbylljen e saj

Për shkak të mungesës së nxënësve dhe mbylljes së paralajmëruar të një klase në një shkollë në departamentin Moselle në Francën verilindore, prindërit e...

Çfarë mund të bëjë modeli i ri i Inteligjencës Artificiale?

OpenAI ka prezantuar një version të ri – me kapacitet më të lartë dhe me më shumë aftësi si të njeriut – të teknologjisë...

Lajme të tjera

Web TV