Si u arratis nga Budapesti violinisti Arben Spahiu

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dokumentet arkivore / Korespodenca e vitit 1989, e ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile, me vartësit e tij diplomatë dhe familjen e artistit virtuoz nga Peshkopia, Arben Spahiu, që ishte diplomuar në Konservatorin e Vjenës! “Gjatë qëndrimit në Budapest, Arbeni është larguar disa herë kur shokët i kanë thënë se; nuk ka kohë, se do na niset avioni, ai është përgjigjur…”?

Nga DASHNOR KALOÇI

Familja e njohur Papavrami (Jolanda dhe Robert), e cila në vitin 1986, vendosi dhe qëndroi në Francë, ku studjonte prej vitesh djali i tyre i vogël, Tedi, nuk do të ishte precedenti i vetëm kur nxënësit e studentët artistë shqiptarë, vendosnin të mos ktheheshin më në atdheun e tyre. Gjendja e vështirë ekonomike e familjeve që ata kishin lënë në Shqipëri, situata gjithnjë e në përkeqësim, si dhe perspektiva e zymtë që ata shihnin për të ardhmen e karrierës së tyre artisike e profesionale, u bë shkas apo i detyroi disa artistë të njohur, që në vitet ’80-të studionin nëpër konservatorë e shkolla arti në vënde të ndryshme të Europës, apo që udhëtonin jashtë për aktivitete kulturore e artistike, të mos ktheheshin më në Shqipëri.
Pas Papavramëve, diku aty nga viti 1988, një tjetër artiste e njohur shqiptare, Elvira Liçaj Dones, e cila asokohe punonte në Kinostudjon “Shqipëria e Re”, dhe ndodhej jashtë shtetit për arsye shërbimi, vendosi të mos kthehej më në Shqipëri. Një vit më vonë, më 1989-ën, një tjetër violinist shqiptar, Arben Fadil Spahiu, (që kishte studjuar prej vitesh në Austri ku dhe ishte diplomuar në Konservatorin e Vjenës), po ashtu vendosi që të mos kthehej më në atdhe?! Arbeni, apo “Voci”, (siç e thërrisnin ndonjëherë shokët e tij të klasës, gjatë viteve të Liceut Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë për shkak të dialektit të tij dibran), së bashku me Tedi Papavramin dhe Klodiana Skënderin, konsideroheshin si; nxënësit më të talentuar që kishte nxjerrë “shkolla shqiptare e violinës”, që nga krijimi i saj.
Dhe nisur nga ky fakt, shteti shqiptar të asaj kohe, vendosi që t’i dërgonte ata për studime të mëtejshme jashtë shtetit (me bursa shtetërore), ku ata dhe qëndruan për vite me rradhë, duke perfeksionuar më tej talentin e tyre. Por, nga këta të tre violinist virtuozë, vetëm Klodiana Skënderi, iu përmbajt “kontratës” dhe u kthye në Shqipëri pas studimeve, pasi; Tedi Papavrami dhe Arben Spahiu, vendosën dhe qëndruan jashtë, për të vazhduar më tej studimet, karrierën dhe jetën e tyre, larg atdheut. Duke bërë kështu realitet, ëndrrën e tyre, për të punuar dhe kontribuar në orkestrat më në zë të metropoleve europiane.
Gjë e cila, nuk do të kalonte lehtë për ta personalisht dhe për familjet që ata kishin lënë në Shqipëri, që do të përballeshin me lloj lloj peripecish e problemesh të shumta, me regjimin komunist në fuqi. Por, për më shumë për historinë e ngjarjes së arratisjes së Arben Spahiut, (i cili prej më shumë se 20 vitesh, jeton në Gjermani e, punon si koncert-maestro në Opera-n e Mynihut), na njohin me detaje dhe hollësira këto dokumente arkivore, që publikohen bashkë me faksimilet përkatëse, ekskluzivisht për gazetën FJALA.

LETRA E QYTETARIT FADIL SPAHIU NGA PESHKOPIA, DËRGUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME, REIZ MALILE, PËR PROBLEMIN E DJALIT TË TIJ, VIOLONISTIT ARBEN SPAHIU, QË NUK U KTHYE NË SHQIPËRI!

SHOKU MINISTËR
Para së gjithash, ju kërkoj ndjesë për shqetësimin që mund t’ju krijojë letra ime. Në pamundësi për t’ju takuar personalisht, jam i detyruar, t’ju shkruaj për një problem me shumë rëndësi, që ka krijuar një gjëndje të padëshiruar në familjen time.
Unë që po ju shkruaj, jam Fadil Spahiu, puntor, antar i PPSh-së, me banim në Peshkopi, babai i Arben Spahiut, i cili, nën kujdesin e Partisë e të shtetit, për gjashtë vjet me rradhë studjoi në Konservatorin e Vjenës për violin.
Siç mund të jeni në dijeni, djali im, në fund të muajit gusht, mbasi mbaroi pushimet, u nis për Tiranë me qëllim që të fillonte punë atje, ku kishte nevojë atdheu. Më datë 1 shtator 1989, njoftohemi se Arbeni, në bazë të dokumenteve të përpiluara nga Komitei i Kulturës dhe i Arteve, u nis për në Vjenë, me qëllim që të merrte pjesë, në një konkurs ndërkombëtar në Itali.
Ne si prind, me shumë emocione prisnim të mësonim rezultatin e këtij konkursi dhe në të njëjtën kohë, kthimin e Arbenit, i cili gjithnjë, mendonte dhe ishte optimist, për të dhënë kontributin e tij, në okestrën simfonike të shtetit, mbasi thoshte se; në të gjitha mundësitë që orkestra jonë, të konkurojë me orkestrat më të mira të Europës.
Por pas një muaji e gjysëm, krejt papritmas, lindi enigma për Arbenin. Ministria e Arsimit, na njofton; përse Arbeni nuk paraqitej në detyrë. Ky njoftim, na shqetësoi dhe na tronditi pa masë, nuk po kuptonim asgjë. Pyesnim njëri tjetrin; si ka mundësi, që Arbenin e kërkojnë nga ne, kur dihej se nuk ishte kthyer akoma nga jashtë? Shoku Ministër: Si prind dhe si shtetas, jam shumë i shqetësuar, për fatin e jetës së djalit tim.
Jam interesuar në Ministrinë e Arsimit dhe në Komitetin e Kulturës dhe të Arteve. Më vjen shumë çudi mbasi, të gjithë ngrejnë supet dhe më thojnë të mos mërzitem, të mos shqetësohem! Si mund të flej i qetë, kur asnjeri nuk më spjegon, se ku ndodhet djali, çfarë i ka ndodhur dhe kur do kthehet?
Jam i detyruar t’ju kujtoj se; kemi 15 vjet që Arbenin e presim dhe e përcjellim me lot në sy, të malluar për të, mbasi është larguar nga shtëpia, qysh në moshën 7 vjeç, është rritur larg nesh, nëpër konvikte, duke qënë nën kujdesin atnor të Partisë. Për aq kohë sa rrinte me ne, periudhën e pushimeve verore, kemi bërë të gjitha përpjekjet për edukimin dhe me ndjenjën e dashurisë për Atdheun, Partinë, e Socializmin.
Familjarisht dhe në veçanti Arbeni, i jemi borxhli Partisë e shtetit, për çfarë ka bërë e bën për ne. Duke mos qënë në gjëndje t’i jap përgjigje, kësaj enigme, për jetën e djalit tim, mendova, t’u drejtohem juve shoku ministër, duke qënë i bindur, se vetëm ju i keni të gjitha mundësitë, për ta kërkuar e gjetur atë.
Jam i bindur gjithashtu, se kjo çështje, nuk është vetëm shqetësim prindëror, por edhe shqetësim shtetëror. Mbetem me shpresë dhe optimist, se pyetjes sime; se çfarë bëhet me fatin e jetën e djalit tim, do t’i ktheni përgjijge sa më shpejt.

Lexo edhe :  Jennifer Lopez vishet me fustanin e krijuar nga stilistja shqiptare

Me respekte e konsideratë
Fadil Spahiu
Peshkopi më 11.11.1989

LETRA E MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME, REIZ MALILE, DËRGUAR KRYETARIT TË KOMITETI EKZEKUTIV TË RRETHIT TË PESHKOPISË, ALI KAZA, LIDHUR ME PROBLEMIN E ARBEN SPAHIUT
Tiranë, më 4 Dhjetor 1989
KRYETARIT TË KOMITETIT EKZEKUTIV TË K.P.
P E SH K O P I
(Shokut Ali Kaza)

Qytetari Fadil Spahiu, më ka drejtuar një letër dhe më kërkon të mësojë për fatin e djalit të tij, Arben Spahiu, sepse nga Ministria e Arsimit dhe Komiteti i Kulturës e Arteve, nuk i është dhënë përgjigje.
Lutem që i mësipërmi, të thërritet nga ana juaj, ose ndonjë shok, ose këdo që të caktoni ju, t’i thuhet se letrën M.P.J. e ka marrë dhe se kthimi i djalit të tij në Atdhe dhe pranë, familjes, është në dorën të vet djalit të tij.
Reiz Malile

DOKUMENTI ME KËRKESËN ZYRTARE TË KOMITETIT TË KULTURËS DHE ARTEVE, DËRGUAR MINISTRISË SË BRENDSHME NË TIRANË, PËR PASIJEN ME PASAPORTË DHE VIZË, TË ARBEN SPAHIUT

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
KOMITETI I KULTURËS DHE I ARTEVE
ZYRA E MARRËDHËNIEVE ME JASHTË
Kërkesë për pasaportë e viza

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRËNDSHME
Degës së Vizave
MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
Degës Konsullore
TIRANË
Komiteti i Kulturës dhe Arteve, në zbatim të shkresës së Këshillit të Ministrave, Nr.2343/1, datë 26.08.1989, ka miratuar të shkojë në Itali, për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të violinës “Rodolfo Lipicer”, studenti ynë i violinës në Austri, Arben Spahiu.
Shpenzimet e qëndrimit në Goricia të Italisë, ku do të zhvillohet konkursi, si dhe të udhëtimit Vjenë-Goricia e kthim, I merr përsipër shkollA ku ka studiuar Arbeni, prandaj ai do të kalojë nëpërmjet Vjenës. Koha e qëndrimit jashtë shtetit, të jetë deri 20 ditë. Lutemi të pajiset me pasaportë e vizat përkatëse.
KRYETARI
Alfred Uçi

LETRA E DIPLOMATIT SHQIPTAR PERTEF HASANMATAJ, PER MINISTRINE E PUNËVE TË JASHTME NË TIRANË, LIDHUR ME ARRATISJEN E VIOLINISTIT, ARBEN SPAHIU
I n f o r m a c i o n
Me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr 2343/1, datë 26.08.1989, dhe me shkresën e Komitetit të Kulturës dhe të Arteve, Nr. 2634, datë 28.8.1989, është miratuar që violinist Arben Spahiu, të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të violinës “Rodolfo Lipicer” në Goricia të Italisë.
Për t’u përgatitur nga profesori i tij në Vjenë, Arbeni’ fillimisht do shkonte në Austri dhe prej andej në Itali. Me që nuk u bë e mundur, për të siguruar vizën italiane në Shqipëri, për arsye kohe, u ra dakord me ambasadën tonë në Vjenë, që të bëheshin përpjekje atje, për ta siguruar atë.
Kështu, më datën 1 Shtator 1989, me avionin hungarez “MALEV”, Arben Spahiu, u nis për në Vjenë. Më datën 7.9.1989, shoku Ëngjëll Kolaneci, njofton se, me gjithë përpjekjet e ndërhyrjet e Ambasadës sonë, pranë Konsullatës italiane në Vjenë, për të marrë vizë për Arbenin për në Itali, ajo nuk u sigurua.
Në këto kushte, po këto ditë, Arben Spahiu, së bashku me shokët Dritan Hysi (mjek) Alfred Papuçiu dhe Fatos Reka (që përcillnin fëmijët e tyre në Budapest), u nisën me mikrobuzin e ambasadës sonë në Vjenë, për në Budapest, me shofer Petrit Pashollin.
Ky grup, kur erdhi në Budapest, në ambasadën tonë gjeti edhe shokë të tjerë, që prisnin të niseshin për Shqipëri me avion, si Pirro Andonin, Stefanaq Pollon, Androkli Kostallarin, etj. Mbasi qëndruan rreth një orë, në ambasadën tonë në Budapest, të gjithë shokët, me përjashtim të Arben Spahiut, u nisën për në aeroportin e Budapestit, për të ardhur në Shqipëri, të shoqëruar nga shokët Çlirim Muzha dhe Adem Haxhi. Po këtë ditë, u nis për Shqipëri edhe punonjësi i ambasadës sonë në Budapest, Nasho Gjikopulli.
Nga të thënat e shokut Dritan Hysi, del se, gjatë udhëtimit me mikrobuz nga Vjena në Budapest, është ndaluar disa herë si në Gjerë etj., dhe ka rënë në sy, veçimi i Arben Spahiut nga shokët e tjerë bashkëudhëtar, me pretekstin; për të blerë disa partitura për violinë.
Ndërsa gjatë qëndrimit në Budapest, kur kanë dalë për të blerë diçka nëpër dyqane, Arben Spahiu, është shkëputur dhe ka hyrë në një dyqan, vetëm për të blerë partitura për violin. Kur shokët i kanë thënë, se; nuk ka kohë, se do na niset avioni, ai është përgjigjur; shkoni ju, se po të vonohem, do të marrë taksi për të kapur avionin, e për t’u nisur për në Shqipëri.

Pertef Hasanmataj
Tiranë, më 26.10.1989

Të fundit

E kemi ditur gabim! Ja sa herë duhen rimbushur shishet plastike të ujit

Shishet plastike kanë një përdorim të gjerë në vendin tonë. Nga një vëzhgim i lirë, kuptohet qartë se çdo amvisë...

E keni ditur? Ja pesë arsye përse duhet të konsumoni vezë më shpesh

Veza është një nga ushqimet më të shëndetshme për njeriun që ka pësuar një rikthim triumfues, pas pretendimeve për rolin e saj negativ në...

Këto janë shenjat më besnike dhe më të përkushtuara të zodiakut

Besnikëria mund të bazohet, përveç karakterit dhe edukimit, edhe në horoskopin e personave. Lexoni më poshtë cilat janë shenjat më të përkushtuara dhe më...

OKB miraton rezolutën për anëtarësimin e Palestinës, mes tyre Shqipëria

Misioni amerikan tha se Autoriteti Palestinez nuk i plotëson kriteret për anëtarësimin në OKB dhe se rezoluta nuk zgjidh shqetësimet e ngritura më parë...

Edi Rama si shpëtimtar I zgjedhjeve evropiane të Greqisë

Nga Mero Baze Takimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi ka marrë një vëmendje të madhe të panevojshme nga shtypi dhe politika greke,...

Lajme të tjera

Web TV