Për herë të parë, në vendin tonë do të ketë një muze për arbëreshët.
Muzeu do të jetë në kalanë e Skënderbeut, tregoi sonte kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvendin Arbëresh që po mbahet në Tiranë si pjesë e Samitit të Diasporës.
“Ne nuk e kemi një muze, ndërkohë që komuniteti arbëresh ka ruajtur relike të pazëvendësueshme. I kemi gjetur vendin, ku tjetër, në kalanë e Skënderbeut. Kemi bërë një ditë të parë të verërave, ku kemi çuar disa nga prodhuesit tanë në Arbëri, do të ndërtojmë për këtë dhe një kalendar për t’i lidhur të gjithë prodhuesit, sepse janë të gjitha shqiptare”.
Sipas kryeministrit, qeveria do të financojë një program për binjakëzimin mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh.
“Do të ndërtojmë një program për bashkitë, për ti dhënë jetë këtij binjakëzimi. Ti japim jetë këtij komunikimi të vazhdueshëm mes komunitetit arbëresh dhe Shqipërisë”.
Gjatë këtij Samiti u dhanë edhe çmimet “Shqiponja e artë”, për disa personalitete, mes të cilëve dhe trajneri i Kombëtares, Silvinho. Çmimi iu dha nga vetë kryeministri Edi Rama pas rezultateve që arriti me Kombëtaren duke e kualifikuar në finalet e Europianit. Po ashtu u dekorua ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, shkencëtarja Mira Mezini si dhe personalitet të tjera./O.S