Drejtësia e re/ Bllokohet BKH-ja, nuk do të jetë gati as në fund të vitit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Byroja Kombëtare e Hetimit, e njohur si “FBI-ja shqiptare”, rrezikon të mos ngrihet as në fund të këtij viti. Në total janë 103 kandidatë që garojnë për 60 vende. Numër ky mjaft i vogël, pasi përveç testit me shkrim ku përgjigjet nuk kanë dalë ende, ata do të kalojnë në filtrat e vetingut dhe të makinës së të vërtetës, ku jo të gjithë do të arrijnë t’i kalojnë këto faza. Por ajo çka mund ta fusë në ngërç ngritjen e BKH-së, është edhe kallëzimi i të skualifikuarve, ku nëse gjykata do të pranojë kërkesën e tyre, normalisht do të bllokohet edhe gara për 60 hetuesit e BKH-së.

Nga Elvis Myrta

Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të zgjasë edhe për disa muaj. Institucioni më i ri i drejtësisë, i cili do të hetojë të korruptuarit dhe bosët e krimit, i cili ishte parashikuar që në fund të këtij viti të bëhej funksional, fatkeqësisht pritet të zgjasë edhe disa muaj më shumë. Shkak i kësaj vonese janë bërë zhvillimet e fundit dhe pakënaqësitë që shfaqën 300 të skualifikuarit në këtë garë gjatë testit fizik.

Kandidatët e skulifikuar, menjëherë pasi nuk i panë emrat e tyre në listën e fituesve, hodhën akuza që kjo garë nuk ishte transparente, dhe disa prej tyre bënë kallëzim penal në Gjykatën Administrative, por edhe në SPAK. E gjithë kjo situatë mund të sjellë edhe shtyrjen e afatit të ngritjes së të ashtuquajturës “FBI-ja shqiptare”. Kjo për faktin që, nëse do pranohet kallëzimi i aplikantëve, organeve kompetente do t’u duhet kohë për shqyrtimin e pretendimeve të tyre.

Të skualifikuarit pretendojnë se ata kanë marrë pikët maksimale në testin e arsyetimit logjik, ndryshe nga disa të tjerë që, edhe pse gjatë këtij testi kanë kaluar me pikë minimale, kanë arritur t’i kalojnë testet fizike.

Por një pretendim tjetër i të skualifikuarve është se organizatorët gjatë testit fizik nuk kanë pasur matës, kronometër apo pajisje elektronike. Sipas tyre, gara është zhvilluar me pajisje të vjetra, siç është kronometri mekanik. Por gjithashtu ata shprehen se nuk u është komunikuar në moment numri i pikëve që kanë marrë në secilën garë. Por sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar nga SPAK-u, një tjetër detaj që mund ta fusë në ngërç Byronë Kombëtare të Hetimit është edhe eliminimi i kandidatëve të tjerë në fazat e ardhshme.

Ditën e hënë 103 kandidatët që kaluan testet fizike dhanë provimin me shkrim, apo siç quhet ndryshe testin e eseve. Edhe pse përgjigjet e këtij testi nuk kanë dalë ende, gazeta nga burimet e saj ka marrë informacion se numri i kandidatëve që nuk kanë arritur ta kalojnë këtë test nuk është i vogël. Por, megjithatë, edhe pse kanë kaluar fazën e katërt, 103 kandidatët për hetues do të kalojnë dhe disa “sfida” apo “filtra” të tjerë për 60 vende.

Kanidatët që kanë kaluar testin e esesë do të intervistohen, do të kalojnë në vetting, si dhe në makinën e së vërtetës (poligrafi). Mesatarisht në tri fazat e mbetura që BKH-ja të bëhet funksionale, duhet të kalojnë minimalisht 60% e kandidatëve. Por a do mundet pjesa më e madhe e kandidatëve t’i kalojë këto filtra, dhe a do ta kalojnë vetingun të gjithë kandidatët fitues? Kjo mbetet për t’u parë, por nga një vëzhgim që gazeta u ka bërë 103 emrave që janë në garë për 60 vende në BKH, disa prej tyre rezultojnë se janë pjesë edhe të partive politike, kur depolitizimi i aplikantëve ishte një nga kriteret bazë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pra, me shumë gjasa deri në përfundim të këtij procesi, do të mbeten më pak se 60 persona, çka do të bënte që gara të rihapej edhe një herë nga e para dhe ta shtynte për disa muaj ngritjen e plotë të BKH-së. Megjithëse sipas burimeve që gazeta “Fjala” ka siguruar, kjo strukturë do ta nisë punën me ata aplikantë që arrijnë të kualifikohen në të gjitha fazat.

Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Ata do t’i bashkohen një skuadre elitë që do të mbështesë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kriteret që duhet të përmbushë kandidati për hetues në BKH

Rolin kryesor në Byronë e Hetimit do ta kenë hetuesit, të cilët me ndryshimet e reja ligjore, do të jenë personat që do të kenë përgjegjësi për hetimin. Hetuesit e BKH-së do të gëzojnë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Ata do të kryejnë hetime vetëm nën drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Kandidatët për hetues të këtij institucioni do të përzgjidhen pas një procesi rekrutimi.

Hetuesit e BKH-së rekrutohen nëpërmjet procesit të konkurrimit të hapur dhe testimeve konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik dhe testimit të aftësive fizike. Megjithatë, ata/ato emërohen nga DBKH vetëm pasi të kenë përfunduar trajnimin përkatës dhe të kenë kaluar me sukses testimin për aftësitë e nevojshme profesionale. Një kandidat mund të emërohet si hetues vetëm pasi të ketë plotësuar disa kritere. Kriteret që duhet të plotësojë një kandidat që dëshiron të jetë pjesë e BKH-së, nisin me kushtin që të ketë shtetësi shqiptare.

Gjithashtu, një hetues i këtij institucioni duhet të ketë kryer arsimin e lartë policor, juridik, apo si ekonomist kontabël, por edhe arsim të lartë në fusha të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në një universitet shqiptar ose të huaj. Një tjetër kriter i rëndësishëm është që çdo kandidat të ketë më shumë se 1 vit përvojë pune në zbatimin e ligjit, apo në një fushë tjetër që ka lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe të ketë përmbushur me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Të gjithë aplikuesit për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të kalojnë me sukses të gjitha fazat e mëposhtme të përzgjedhjes: të plotësojnë një aplikim on line, përfshirë një CV në formë elektronike, të shoqëruar me dokumente të tjera, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivin për t’u punësuar në Byronë Kombëtare të Hetimit; një provim me shkrim dhe me gojë, ku përfshihen teste të nxënies, sjelljes dhe arsyetimit logjik; një provim i zgjeruar me shkrim, ku maten aftësitë e shkrimit të një raporti, si dhe niveli gjuhësor; një intervistim nga një panel ku maten aftësitë e komunikimit me gojë, si edhe aftësia për t’i komunikuar idetë me efikasitet; një testim i aftësive fizike që mat si forcën, ashtu edhe rezistencën fizike; një hetim i sigurisë së të kaluarës së personit, i cili duhet të konfirmojë se nuk ka dënime penale e nuk është shpallur fajtor në të shkuarën; aplikuesi duhet të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar një testi poligrafi në lidhje me integritetin.

Lexo edhe :  Vizita e Spiropalit në Parlamentin e MB, Ambasada britanike në Tiranë zbardh diskutimet

Informacioni në raportin e ekzaminuesit të poligrafit në lidhje me intervistën dhe testin do të merret parasysh gjatë procesit të emërimit dhe riemërimit.

Kallëzimi i të skualifikuarve pas përgjigjeve të testeve fizike

Mbyllja e fazës së tretë për rekrutimin e 60 hetuesve që do të jenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka sjellë pakënaqësitë e para tek të skualifikuarit që shfaqën interes për t’u bërë pjesë e kësaj strukture. Në këtë fazë konkurruan 403 kandidatë që synonin të bëheshin pjesë e të ashtuquajturës “FBI-ja shqiptare”, por vetëm 103 prej tyre mundën të kalonin në fazën tjetër.

Të skualifikuarit në këtë fazë nuk e kapërdinë lehtë “ngeljen në klasë”. Disa prej tyre, të kontaktuar nga gazeta “Fjala”, janë shprehur të pakënaqur, ku kanë theksuar se kjo fazë ka qenë jo transparente. Gjithashtu, ata janë shprehur se me anë të një peticioni do t’i drejtohen ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të parashtrojnë ankesat dhe pakënaqësitë e tyre.

Njëri nga 300 kandidatët e skualifikuar në testet fizike, u shpreh për gazetën “Fjala” se kandidatët e kualifikuar në testin logjik kanë marrë më pak pikë se kandidatët e skualifikuar.

“Ka nga ata persona që, edhe pse kanë arritur të marrin pikët minimale në testin logjik, kanë arritur të kualifikohen në fazën tjetër. Nuk mund të them nëse komisioni i monitorimit më ka ngrënë pikë apo jo gjatë testeve, por unë i kam kryer të gjitha ushtrimet e këtij testi”, është shprehur njëri nga të skualifikuarit. Një tjetër nga kandidatët e eliminuar pretendon se në këtë fazë të garës nuk ka pasur transparencë, pasi kandidatëve nuk u janë bërë me dije kriteret e përcaktuara për sa i përket pragut të pikëve në disiplinat e testit fizik.

“Gjatë testeve neve nuk na është komunikuar se sa pikë ka një disiplinë. Pra, nuk e di se sa pikë kishin pompat, vrapimi dhe ushtrimet e tjera. Në fund të testit na është komunikuar se duhet të merrnim pikë në të gjitha disiplinat. Kjo fazë nuk ka qenë transparente”, tha për gazetën “Fjala”, një tjetër prej kandidatëve të skualifikuar.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta, mësohet se kandidatët e skualifikuar janë duke përgatitur një kallëzim penal për manipulim të rezultateve, kallëzim të cilin ata e depozituan në SPAK dhe Gjykatën Administrative.

Ndërkohë, referuar listës që BKH-ja publikoi në faqen e saj zyrtare të fituesve, rezulton se në testet fizike nuk ka mundur të kalojë asnjë prej oficerëve të policisë gjyqësore të SPAK-ut, të cilët janë të njëjtët që kanë qenë edhe në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda.

Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar, këta të fundit kanë marrë më shumë se 12 pikë në testet e arsyetimit logjik. E njëjta gjë ndodhi edhe me oficerët e policisë gjyqësore që punojnë në Prokurorinë e Tiranës apo atyre të rretheve, që kishin aplikuar për t’u bërë pjesë e BKH-së, ku nuk kanë mundur të kalojnë testet fizike. Sipas informacioneve, këtë fazë e ka kaluar vetëm një OPGJ.

Reagimi i SPAK-ut dhe i ambasadës amerikane

Pas akuzave dhe padisë së ngritur nga kandidatët e skualifikuar për hetues reagoi edhe vetë Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila siguroi se procesi monitorohet nga një komision prej tre prokurorësh, por edhe nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. SPAK-u tha se monitorimi nga ndërkombëtarët është bërë për t’u siguruar transparenca dhe mënyra e drejtë e përzgjedhjes së kandidatëve për hetues të BKH-së.

“Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej të cilëve të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një komisioni ndërkombëtar, për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë. Këta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe të figurës. Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej komisionit ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Pra këto reagime, hedhin poshtë të gjitha pretendimet dhe akuzat që janë hedhur gjatë ditëve të fundit në drejtim të shefes së BKH-së, Aida Hajnaj. Ndërsa përmes një postimi ku ka shpërndarë edhe postimin e SPAK-ut, ambasada e SHBA-së u shpreh se rekrutimi i hetuesve është bazuar në kriterin e meritës, duke shtuar se mbështesin procesin objektiv që po zhvillohet. Për amerikanët, aftësitë intelektuale dhe fizike janë kryesore për të përmbushur më së miri mandatin e saj.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht procesin objektiv dhe të bazuar në merita të Shqipërisë për të rekrutuar dhe përzgjedhur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këto standarde ligjzbatimi të aftësive fizike dhe intelektuale janë thelbësore që BKH-ja të përmbushë mandatin e saj”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.

Uashingtoni ka shprehur mbështetjen e tij për reformën në drejtësi në vendin tonë. Edhe ambasadorja Yuri Kim ka monitoruar nga afër organet e reja të drejtësisë. Në përfundim, 60 hetuesit e zgjedhur do të ikin në SHBA ku do të trajnohen nga FBI-ja për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.

Të fundit

Armëpushimi nis mëngjesin e së dielës. Izraeli, sulme deri në minutën e fundit

Armëpushimi në Gaza do të nisë të dielën në 08 e 30, me orën lokale, ose 7 e 30...

Pija perfekte e mëngjesit, uji me kete frut pastron mëlçine dhe permireson tretjen

Një nga pijet më të famshme është uji me rrush të thatë. Pija me rrush të thatë mund të bëhet shpejt një zakon sepse...

Shqipëria, potencial për litium?

Për herë të parë vendi ynë do të ketë Udhërrëfyesin mbi Potencialin e Lëndëve të Para Kritike dhe Strategjike. Ky udhërrëfyes do të ofrojë një...

Ukraina ndërpret gazin rus, Orban: Europa po shkon drejt një krize energjetike.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e ka cilësuar situatën e fundit energjetike në Europë, si alarmante. Sipas tij aktualisht vendimet e Ukrainës për të ndërprerë...

Trajneri i Dinamos: Statistikat nuk vlejnë ndaj Elbasanit, pres takim delikat

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja doli në konferencë para ndeshjes ndaj Elbasanit. “Nuk do të thotë asgjë që e kemi mundur Elbasanin në dy ndeshjet...

Lajme të tjera

Web TV