Në qendër të programit politik të Partisë Agrare Ambientaliste është bujqësia. Por çfarë specifike ka dhe do ketë nëse opozita vjen në pushtet, pjesë e së cilës është edhe PAA? Nënkryetari i saj Arben Tafaj deklaron:
-Nëse PD fiton zgjedhjet, çfarë do bëjë PAA në lidhje me bujqësinë?
–Do të jetë fat për zotin Basha që zoti Duka të jetë ministër i Bujqësisë në qeverinë e tij. Ka të gjitha ato cilësi që thatë ju, dhe është njeri që nuk ka dështuar kurrë në jetën e tij. Por ajo që ne na motivon është fakti që PD në programin e saj i cili do kthehet në programin e opozitës së bashkuar, do të unifikohet, do të ristrukturohet, ka tamam pikat kryesore që kemi propozuar ne. Propozimi jonë i parë ishte dyfishimi i fondeve për bujqësinë. Nga 110 në 220 milionë euro. Propozimi jonë i dytë ishte heqja e akcizës së naftës për fermerët.
-E hoqi PS këto ditë.
-E di, e di, por kishte 8 vjet kohë për ta hequr.
-Megjithatë e arriti.
-Megjithatë po ju them unë juve, edhe kështu siç është bërë nuk është në rregull sepse ata që do përfitojnë nga heqja e akcizës do të jenë të regjistruar me numër nipti i cili do t’i pengojë fshatarët. Nipti ka dhe karakter zonal. Nuk do përfitojnë realisht ata që kanë nevojë. Ndërsa Basha në programin e vet ka thënë do e ul çmimin e naftës për të gjithë 240 lekë të vjetra. Është absolutisht e thjeshtuar si skemë. Do unifikohet TVSH-ja në bujqësi. Sot me këtë lloj TVSH-je është e disfavorizuar sipërmarrja e vogël. Janë propozime të cilat i ka shkrirë në programin e saj dhe do jenë nesër program i opozitës së bashkuar. /Fjala.al/Ke.Ba