Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë, duhet të zbatohen disa rregulla sipas së cilave do të kryhen rregullimet e TVSH-së së zbritur. Nëse zbritja e TVSH-se është kryer siç duhet dhe/ose nuk lidhet me mallra të përjashtuara nga e drejta e zbritjes, atëherë zbritja e ushtruar në kushtet e parashikuara në përputhje me ligjin nuk është në kushtet e një rregullimi të TVSH-së së zbritur, bën me dije informacioni.
Sipas njoftimit, “Zbritja e TVSH-së e kryer më parë rregullohet kur është më e lartë apo më e ulët se ajo vlerë për të cilën personi i tatueshëm ka gëzuar të drejtën e zbritjes. Kështu ligji parashikon se duhet të kryhet një rregullim kur koeficienti i zbritjes së pjesshme të mallit apo shërbimit duhet të modifikohet për shkak të ndryshimit/ zgjerimit të përdorimit të mallit apo kur ndodhin ngjarje, të cilat detyrojnë ndryshimin e përdorimit te mallit ose shërbimit”. Gjithashtu sipas DPT duhet të kini parasysh:
Afati i rregullimit
Rregullimet mund të kryhen brenda një afati dhjetë-vjeçar për mallrat kapitale të paluajtshme, pesë-vjeçar për mallrat kapitale të luajtshme duke filluar nga data në të cilën mallrat janë blerë ose prodhuar, me kusht që çmimi i blerjes ose kosto e prodhimit të tyre të jetë mbi 500.000 (pesëqind mijë) lekë pa përfshirë TVSH- në. Rregullimet e kryera mund të rezultojnë ose me derdhjen e një pjese të TVSH- së së zbritur ose me një zbritje shtesë. Në të dyja rastet ato deklarohen në librin e blerjes dhe në rubrikën përkatëse të Deklaratës së TVSH-së, sipas efektit plus (+) ose (-) në zbritje të TVSH-së.
Kujdes!
Asnjë rregullim nuk mund të kryhet për mallrat me koeficient tatueshmërie të barabartë me zero, pra mallra të cilat që në fillim nuk janë përdorur nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë për realizimin e transaksioneve brenda fushës së zbatimit të TVSH.
Rregullimet e zbritjes për mallrat kapitale
Zbritja fillestare e TVSH-së korrigjohet atëherë kur shfrytëzimi i mallrave kapitale pëson ndryshim që ndikon në të drejtën e personit të tatueshëm për zbritjen e shumës së TVSH-së, që mund të jetë më e vogël apo më e lartë. Korrigjimi vjetor bëhet vetëm për pjesën e së dhjetës ( p.sh 1/10) e TVSH-së së pasurisë të paluajtshme dhe për pjesën e të pestës (p.sh. 1/5) të TVSH-së të mallrave të tjera kapitale, mbi TVSH-në e mallrave kapitale. Korrigjimi duhet të bëhet mbi bazat e ndryshimeve të së drejtës së zbritjes për vitet pasuese që ndërlidhen me vitin kur mallrat kapitale janë pranuar(blerë ose prodhuar). Viti kalendarik i papërfunduar do të merret si vit i plotë. Veprimet e rregullimit të zbritjes duhet të pasqyrohen në librin e blerjeve dhe ne kutinë përkatëse të Deklaratës së TVSH-së.
Rast mos rregullimi
Personi i tatueshëm nuk është i detyruar të korrigjoje zbritjen nëse diferenca e TVSH-së së zbritshme për t’u korrigjuar është më e vogël se 20.000 lekë.