Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga punimet që po kryhen në bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Kreu i qeverisë bën me dije se punimet po ecin me ritëm të lartë, ndërsa thekson se janë krijuar 400 vende pune. Investimi për ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë kap vlerën e 50-mijë eurosh, për ta përshtatur atë me standardet e bazave të këtij lloji të Aleancës.
“MIRËMËNGJES dhe me kantierin e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë, ku janë krijuar 400 vende pune e ku punimet po ecin me ritëm të lartë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Sipas projektit, në përfundim të investimit, baza do të jetë në gjendje të mbajë gjashtë avionë luftarakë në baza periodike.
“Po bëjmë një aleancë të fortë akoma edhe më të fortë! Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim mori sot pjesë në një ceremoni në bazën ajrore të Kuçovës, me rastin e fillimit të një projekti rindërtimi prej 50 milionë eurosh të NATO-s. Gjatë viteve të ardhshme, NATO do të financojë rinovimet dhe ndërtimin e plotë në bazën ajrore të Kuçovës. Pas përfundimit, baza do të jetë në gjendje të mbajë gjashtë avionë luftarakë në baza periodike. Ky është një tjetër hap në rritjen e rolit të Shqipërisë si anëtare e aleancës”, shkruante ambasada amerikane në muajin janar.