Kreu i Partisë Demokratike i ka kërkuar ndihmë Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Përmes një letre drejtuar shefit të Zyrës së OBSH-së në Tiranë, Dr. Raul Gonzalez, Basha kërkon mbështetje për pajisjen e autoriteteve shqiptare me pajisje për testimin më të madh të qytetarëve.
“Duke qenë të ndërgjegjshëm për mundësitë e pakta që kanë autoritetet tona për ta përballuar të vetëm këtë situatë, si dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi komunikimi, dëshiroj t’Ju kërkoj që të ndihmoni autoritetet shqiptare dhe Shqipërinë me sa mundeni, për marrjen e sa më shumë pajisjeve testuese, të kiteve testuese dhe të tjerave materiale testuese. Vetëm duke shtuar numrin e testimeve dhe duke verifikuar në kohë çdo person të dyshuar si të prekur nga virusi, ne arrijmë të izolojmë personin në kohë dhe të frenojmë përhapjen e virusit në numër më të lartë qytetarësh.”- shkruan zoti Basha në letrën për OBSH.
Në letrën drejtuar Zyrës së OBSH-së në Tiranë, Basha ngre edhe shqetësimin e ekspozimit të stafeve mjekësorë ndaj infektimit.
“Do të ishim shumë mirënjohës, nëse do të ndihmonit në sigurimin e një sasie të konsiderueshme veshjesh dhe pajisjeve mbrojtëse të tjera të domosdoshme për të mbrojtur stafet tona mjekësore”, shkruan Basha në letrën e tij.