E freskët, me pak kalori dhe me një sasi të lartë fibrash, kripërash minerale dhe vitaminash, marulja jo vetëm që është ylli i sallatave klasike të verës por është edhe një aleat i çmuar për bukurinë dhe shëndetin.
Mund të konsumohet e gjallë ose e gatuar, e vetme ose e kombinuar me perime të tjera. Duke qenë një perime shumë e preferuar, AgroWeb.org ju njeh më tej me vlerat dhe përdorimet e saj.
Vetitë
Nga pikëpamja ushqyese, marulja është një nga perimet me kaloritë më të ulëta me vetëm 22 kalori për 100 gram. Ajo përbëhet kryesisht nga uji (më shumë se 94 përqind), karbohidratet dhe fibrat bimore.
Sasia e proteinave është e vogël dhe e yndyrave është praktikisht zero. Është e pasur me kripëra minerale, veçanërisht kalium, kalcium, fosfor, magnez dhe hekur dhe plot me vitaminë A, B, C dhe karotenoidet, si beta-karotina.
Përfitimet
Një barishte që i përket familjes Asteraceae, e përhapur në të gjithë vendin dhe shumë e njohur për vlerat e saj që në lashtësi. Fibrat dhe përmbajtja e jashtëzakonshme e ujit, janë ndër përfitimet më të mëdha që ajo i jep sistemit tretës, sepse nxisin funksionimin e rregulltë të zorrëve.
Ndërsa sasitë e larta të vitaminës A forcojnë sistemin imunitar dhe mbrojnë shikimin.
Po ashtu prania e vitaminës C dhe klorofilit i japin asaj efekte antioksiduese dhe detoksifikuese.
Duke qenë e ulët në natrium dhe e pasur me kalium, rekomandohet edhe për ata me probleme kardiovaskulare.
Kuercetina e pranishme tek marulet, përveçse një antihistaminë natyrale, ul presionin e gjakut, përmirëson elasticitetin e enëve të gjakut dhe rrjedhshmërinë e gjakut.
Marulja është një aleate e çmuar për mirëqenien dhe shëndetin e trupit dhe madje edhe psikikës. Ajo ka efekt të butë qetësues dhe rekomandohet veçanërisht për ata që vuajnë nga pagjumësia.
Përdormet në kuzhinë
Marulja prodhohet dhe korret gjatë gjithë vitit, por varietetet më të shijshme dhe më cilësore mbërrijnë në markete në pranverë dhe verë. Të flasësh për çdo varietet është një çështje shumë e gjatë, pasi ekzistojnë shumë lloje dhe secila me karakteristikat e veta. Por në bazë të pamjes, teknikave të kultivimit dhe vetive ushqimore, mund të dallojmë tre forma kryesore botanike.
Marulet me kokë voluminoze dhe kompakte
Këtu bëjnë pjesë varietetet që formojnë koka kompakte. Ato përbëhen nga gjethe të gjerbra, të zgjera e të mëdha, konkave, të rrudhura që shpesh kanë edhe nuancë lejla.
Marulja Romane
Bimët e këtij grupi kanë gjethe të ngritura, të lëmuara e të mbledhura në tufa jo shumë kompakte. Ky varietet piqet kryesisht në periudhën verë-vjeshtë.
Marulet e vogla
Këtu përfshihen varietetet që formojnë tufa të vogla, me gjethe të lëmuara. Ato janë të disponueshme gjatë gjithë vitit. Marulja konsumohet kryesisht e papërpunuar duke e përfshirë në sallata, e kombinuar me perime si karota, domate, tranguj, qepë etj.
Në momentin e blerjes, gjethet duhet të jenë të freskëta, plot aromë dhe me skajet sa më të mprehta dhe jeshile, jo të thara, të zverdhura apo të njollosura. Larja duhet bërë në ujë të rrjedhshëm, duke kaluar butësisht gishtërinjtë nëpër gjethe.
Pasi ta shpëlani dhe thani, mbështillni gjethet me një leckë të pastër dhe ruajeni në frigorifer, për maksimumi 1-3 ditë.
Varietetet me kokë voluminoze dhe kompakte janë ato që përdoren më së shumti për sallatë, ndërsa ato romane përdoren edhe në supa të nxehta.
Për të përgatitur një meze unike, ju mund të përzieni gjethet e brendshme të maruleve, me kastraveca, qepë dhe kos.
Në fund mund ta zbukuroni me gjethe borziloku dhe copa buke të thekur./ S.M