Në një kohë kur paketa e ndihmës ekonomike ka filluar të aplikohet për të përballuar situatën e koronavirusit, për disa kategori të caktuara qytetarët nuk dihet nëse do të përfitojnë nga paga e luftës apo jo.
Koordinatori për situatën e Emergjencës Arben Ahmetaj, ka theksuar se ata që punojnë në të zezë nuk do të përitojnë asgjë nga qeveria.
“Punonjësit në të zezë (pra të pasiguruarit) nuk do të përfitojnë nga paketa e luftës. Punonjësit sezonalë, që kanë punuar jashtë vendit, por tashmë kufijtë janë mbyllur, mund të shihen tek pagesa e papunësisë, por duhet me pare të regjistrohen si të papunë. Pagesat e sigurimeve nuk shtyhen. Kufijtë janë të mbyllur. Bursat e studentëve do vijojnë të paguhen. Qiratë e tërmetit do vijojnë të paguhen”, u shpreh Ahmetaj për emisionin ‘Opinion’.
Midis të tjerave Ahmetaj shpjegoi gjithashtu se të gjitha bizneset e lejuara për punë, mund të punojnë edhe pas orës 13:00.
“Policia është shumë e qartë që nuk do të pengojë asnjë biznes të punojë pas orës 13:00, përveç bizneseve specifike që nuk janë të lejuara”, theksoi ai.