Libri, do të këshilloja të lexoheshin autorët shqiptarë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Majlinda Rama

Të gjitha dimensionet e saj i përshkon eleganca, si portret fizik, në punën e përditshme e në krijimtari gjithashtu. E vlerësuar me çmime në gjithfarë disiplinash letrare, ajo njihet veç të tjerash dhe për një nga organizimet më serioze që kanë të bëjnë me librin, Panairin e Fierit. Për më tej, në një intervistë për “Fjalën” Majlinda Rama thotë:

-Jeni shkrimtare, studiuese e gazetare, cilën prej tyre shfrytëzuat më shumë gjatë izolimit?

Natyrisht që si kudo, pandemia konfiguroi një situatë e re, na vendosi rregulla të reja, ndërtoi mënyrë tjetër jetese, solli funksionim krejt të ri në të gjitha fushat e veprimit, por duke qenë se qenia njerëzore është qenie dinamike në shumë aspekte, pa dyshim që di të gjejë mundësi për të bërë më të mirën e mundshme edhe në këto rrethana. Gjykoj se kjo mbyllje, megjithëse e detyruar, na shërbeu për t’u lidhur më shumë me atë që ndodh brenda nesh, patëm kohë të dëgjonim më shumë ndjenjat tona, na lidhi më tepër me imagjinatën, na solli rrethana të reja socializimi me miqtë e të afërmit dhe, përveç se zbuluam aspekte të reja të vetvetes, patëm kohën e mjaftueshme, si rrallë ndonjëherë, për t’iu përkushtuar tërësisht familjes. Ky bashkëveprim ndjesish, marrëdhëniesh, meditimesh, komunikimesh online, erdhi si një amalgamë që e ndikoi botën e krijuesve, edhe timen, natyrisht. Të gjitha këto, besoj, se sollën forma novatore në mënyrën e të konceptuarit të gjërave, pasi i pamë nga një tjetër perspektivë, nga ajo e mbylljes dhe shkëputjes nga bota e jashtme. E shfrytëzova në maksimum këtë kohë për të gjitha çfarë përmenda më lart. Duke qenë se unë jam në marrëdhënie pune, e vijova punën nga shtëpia, pa u shkëputur asnjë ditë, por ajo çfarë është më e rëndësishme, pata kohën e nevojshme për t’u shërbyer djemve të mi, dhe këtë e bëra me kënaqësinë më të madhe, pasi, qysh nga lindja e tyre, nuk kisha pasur mundësi të qëndroja kaq gjatë me ta.

-Si letrare, patët muzë, ndikoi për mirë apo ju kufizoi një situatë e tillë?

Juvenali, poeti i shquar romak, shkruan se vargun/shkrimin e lind revolta. Në këtë kontekst, atëherë kur duket se çdo gjë bie, thyhet, prishet, humb ekuilibrin dhe koha sikur ndalet, është vetë kjo e fundit që të imponon rrethana dhe kur themi imponim, nënkuptojmë imponim me të gjitha. Letërsia, tek e fundit, është pasqyrimi i realitetit që shkreptin dhe përthyhet në mendimin, shpirtin e ndërgjegjen tonë krijuese. Prandaj, kohë të tilla nuk mund të konsiderohen si kohë bllokimi ose kufizimi, ato janë mundësi të reja imitimi të reales, siç përmend Aristoteli te “Poetika”. Por, në tërësi, unë si natyrë, nuk dallohem si e disiplinuar në krijimtari, në kuptimin e asaj që ta nis një vepër dhe të pres sa ta përfundoj atë, për të nisur një tjetër. Përkundrazi, krijoj, lexoj, studioj kur kam nxitje, kur kam ngacmim, pra, pa sistem, pa e edukuar vetveten me rregulla fikse. Nëse do ta bëja këtë, do të dështoja.

-Krijimtaria apo leximi ishte parësor gjatë karantinimit, por dhe më tej?

Për atë që shkruan, leximi dhe krijimi ecin përherë në të njëjtën trajektore, herë merr njëra përparësi e herë tjera, por asnjëherë nuk funksionon krijimtaria pa leximin dhe vice versa, leximi pa krijimtarinë. Veçanërisht kur vetë mbyllja/izolimi është një kohë dashurie me librin. Kuptohet që letërsia është çështje individuale dhe, si e tillë, mund të perceptohet ndryshe nga persona të ndryshëm, unë po flas për vete. Për më tepër detaje, ditët e para të marsit, kur edhe u dha urdhri i mbylljes, isha duke punuar me redaktimin e romanit të fundit të Kim Mehmetit, “Mëhalla e grave”, i cili u botua, po gjatë kësaj periudhe dhe, pasi përfundova me të, iu riktheva leximit të Dekameronit, një përkthim i Shpëtim Çuçkës dhe Ali Hashorvës.

Po ashtu, lexova romanin e shkurtër “Çështje të marrëzisë”, të Kadaresë, pastaj me shkëputje, lexova për herë të parë një përmbledhje interesante me poezi japoneze, të përkthyera nga Petraq Kolevica, iu riktheva “Sagës së Forsajtëve” të Gollsuorthit, me përkthimin e Vedat Kokonës… Por çdo herë që kisha nevojë për një çlodhje nga rutina e izolimit, shijova poezi nga librat poetikë “Kundërpërfytyrimi” të Natasha Lakos, “Robi i manive” të Timo Fllokos, “Lulet e së keqes” të Bodlerit, me përkthimin e Mihal Hanxharit, aty nëpër duar mbaja edhe një libërth me poezi të Brehtit me përkthim të Lasgush Poradecit.

Ç’është e vërteta, tryeza ime e punës është një katastrofë e vërtetë sepse, këta libra dhe shumë të tjerë, i mbaj aty, rreth e rrotull dhe sikur ndihem mirë kur i shfletoj herë pas here. P.sh., duke e pasur mbi tryezë, më ka tërhequr vëmendjen një libër studimor i Zejnullah Rrahmanit mbi letërsinë e Lindjes, edhe ky hyn tek ato çlodhjet në kohë pandemie. Kur më duhej për punën i jam rikthyer Teorisë së Letërsisë së Ali Aliut… Për sa i përket krijimit, jam marrë me rishikimin e një romani të përfunduar më herët, por që, me sugjerimet e miqve, kam tentuar t’i bëj disa ndërhyrje. Kam krijuar, herë-herë edhe poezi, por jam fokusuar më me shpirt, te një studim mbi poezinë e disa poetëve rusë, bëhet fjalë për poezi të përkthyera nga Qazim Shemaj prej poetëve të mëdhenj si, Bllok, Pastërnak, Mandelshtam, Majakovski, Cvetajeva, Esenin, Jevtushenko, Ahmadulina dhe Brodskij. Nuk po pretendoj se kam bërë ndonjë zbulim, por besoj se kam sjellë një prej alternativave të shumta të leximit të poezive të tyre. Është një punë modeste, në proces dhe që vërtet më tërheq, ndonjëherë edhe më shumë se vetë krijimi.

Por letërsia nuk ishte i vetmi stacion argëtimi në karantinë, netëve pa gjumë, bashkë me fëmijët, iu dhamë disa herë edhe botës së filmit. Pra, kemi gjetur mënyra për ta kaluar mirë këtë fazë mbylljeje.

Lexo edhe :  Furtunë në qeveri/ Shkarkohet zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit

-Njiheni si organizatore e panairit të librit në qytetin e Fierit, a do të mbahet ky event?

E kam të vështirë të jap një përgjigje konkrete. Bashkë me partnerët tanë jemi mbledhur, kemi diskutuar dhe shpresojmë që në vjeshtë të kemi mundësi ta mbajmë edicionin e këtij viti, duke respektuar rregullat e distancimit social, pajisjes me mjetet e nevojshme të ekspozuesve të librit, por edhe të vizitorëve. Kemi menduar që, në rast se do të kemi mundësi ta zhvillojmë, të reduktojmë takimet masive në salla të mbyllura, duke i realizuar aktivitetet librore në ambiente të hapura, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish. Pra, çdo gjë do të jetë në varësi të rrethanave, sepse, para së gjithash, ka rëndësi jeta dhe shëndeti i njerëzve, pastaj vijnë të tjerat.

-A keni një bilanc të panairit, si është ecuria e autorëve shqiptarë?

Vetë Panairi Kombëtar i Librit në Fier, prej shtatë vitesh, ka ndërtuar një lidhje harmonike mes lexuesit, botuesit e shkrimtarit, sidomos atij shqiptar. E kemi pasur në fokusin tonë që t’i japim hapësira dhe mundësi librit shqip. I kemi promovuar autorët shqiptarë me të gjitha hapësirat e mundshme promocionale, një pjesë të madhe i ftojmë çdo vit të jenë prezentë gjatë ditëve të panairit, duke u dhënë mundësi të takojnë lexuesit e tyre, të fitojnë lexues të rinj, të krijojnë ura bashkëpunimi me studiues e kritikë, të cilët po ashtu, i ftojmë çdo vit.

Këtë panair, përveç se e kemi kthyer në një dritare të madhe multikomunikimi, në veçanti, jemi munduar të vlerësojmë autorët shqiptarë, duke veçuar çdo vit prurjet më të mira të letërsisë shqipe nga trojet shqipfolëse e diaspora. Kjo, natyrisht me kosto, por është një mundësi e mirë për t’i dhënë vëmendje letërsisë shqipe, e cila siç dihet, ka kusuret e veta bashkë me rrokopujën e tranzicionit të tejzgjatur.

-Çfarë keni menduar ndryshe rreth këtij panairi, qoftë dhe për takime letrare me autorë?

Organizimi i një panairi është një punë e madhe, sidomos një panair libri, i cili duket se luftohet nga të tëra anët. Për çdo gjë mund të punohet nga pak, ama sektori i librit është më i varfri në kuptimin e vëmendjes. Duke njohur “thembrën e Akilit”, ne lodhemi të hartojmë një program që të jetë efikas. Çfarë nënkuptoj me efikas: përzgjedhim autorë të moshave të ndryshme, të brezave të ndryshëm letrarë, të zhanreve të ndryshme krijuese, të hapësirave të ndryshme gjeografike, të dialekteve të ndryshme të shkrimit. Ky kombinim ka bërë që lexuesi ta kthejë kokën dhe shkrimtari të marrë feedback-un që meriton.

Tryezat e diskutimit, të alternuara me konferenca shkencore mbi çështje të librit dhe problematikave mbi të, debatet mbi libra dhe autorë, tryezat e bashkëbisedimit autorë – lexues, takimet me të rinjtë e shkollave, takimet me grupet e interesit, promovime çdo një orë në stenda e salla leximi, kanë bërë që kjo festë të shijohet me të gjitha ngjyrat dhe ne jemi të kënaqur që çdo vit ky eveniment nuk mbetet në kufijtë e një trivialeje, por gjeneron ide e rrugë të reja për t’i hapur shtigjet e librit.

-Për ç’lloj letërsie kemi nevojë këto kohë, sipas këndvështrimit tuaj?

Ne kemi nevojë të lexojmë, të diskutojmë mbi ato që lexojmë, të rrahim mendime pro dhe kundër. Kjo është e para gjë për të cilën kemi nevojë. Personalisht, duke parë që letërsia shqipe ka shënuar prurje në nivele të mira artistike, do të këshilloja të lexoheshin autorë shqiptarë. Kjo “luftë” orientimi duhet të bëhet, veçanërisht nga botuesit dhe libraritë. Në kushtet kur në vend mungon një institucion i kritikës letrare dhe pjesa dërrmuese e shkrimeve kritike janë individuale që, natyrisht, bëhen nga dashamirësia, nga dëshira, nga ngacmimi i mirë, le të themi, nuk mund të presim që lexuesi t’i marrë sugjerimet si të drejta nga ky kanal informacioni.

Edhe nëse i merr në këtë formë, do të duhej të konsideroheshin si shije personale, që shpesh janë të diskutueshme, sepse asnjë kritik ose studiues nuk e detyron asnjë ligj i shkruar a i pashkruar që të merret me një libër “x”, ai shkruan kur ka dëshirë të shkruajë, kur ka mundësi të shkruajë, dhe, natyrisht, kur ngacmohet nga vepra që ka lexuar (që, sidoqoftë, duhen përgëzuar ata pak emra seriozë që japin kontribut për një punë që s’u paguhet).

Por logjika ime ka të bëjë me politikën e madhe të letërsisë kombëtare. Në të gjithë botën letërsia e përkthyer zë një përqindje të vogël, gati të papërfillshme, në vendin tonë kjo skemë vjen si rend i përmbysur, më shumë promovohet letërsia e huaj, sepse është më komerciale. Pa diskutim, ka kryevepra që i duhen sjellë lexuesit tonë, por ka edhe autorë shqiptarë, dhe janë jo pak, që lexuesi ynë duhet t’i njohë e pastaj le të mbetet në dorën e tij vlerësimi. Nuk po përmend emra autorësh e libra, sepse kjo mbetet në nivel shijesh dhe shija asnjëherë nuk imponohet.

Letërsia është si gruaja, lidhet me kiminë e shpirtit dhe mendjes e nuk shihet asnjëherë njësoj nga të gjithë, sepse, ndonëse me sytë e dashurisë, ndryshe e shihte Don Kishoti Dylqinjën, ndryshe Dantja Beatriçen, ndryshe Petrarka Laurën, ndryshe Shekspiri Anën, Majakovski Lili Brikun, Çehovi Lidian apo Pietro Krespi Amaranta Buendian… Pra, ndonëse e kemi të njëjtë dashurinë për letërsinë, shijet i kemi vetjake. Mendimi im, më sipër, ishte në parim mbi letërsinë vendase, si një respekt ndaj vetes, ndaj asaj që është jona.

Intervistoi Leonard Veizi

Të fundit

1.5 milionë përdorues të TikTok-ut: Çfarë po ndjekin të rinjtë shqiptarë?

Për Arditin, një adoleshent 16-vjeçar nga Shqipëria, TikTok është më shumë se një aplikacion social—është një mënyrë jetese. Çdo ditë,...

Një hakmarrje ndaj qytetarëve që e kanë braktisur

Mero Baze Sali Berisha ka gjetur një mënyrë për t’u hakmarrë ndaj qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, të cilët e kanë braktisur. Meqenëse ata...

Digjen tre autobusë të linjës së “Ish-uzinës Autotraktorëve” në Shkozë

Tre autobusë të linjës së “Ish-uzinës Autotraktorëve” në Shkozë janë shkrumbuar nga flakët. Ngjarja ka ndodhur nw orwt e para tw mwngjesit tw kwsaj...

Reshje shiu e dëbore/ Parashikimi i motit për sot, 24 dhjetor 2024

Orët e paradites do të mbeten nën dominimin e vranësirave të shpeshta duke sjellë reshje shiu e dëbore në të gjithë territorin. Më të theksuara...

VIDEO/ Interi nuk gabon, zikaltërit tregohen “cinikë” në shtëpi ndaj Comos

Interi vijon serinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa mbrëmjen e sotme mposhti Komon me rezultatin 2 me 0 në duelin e vlefshëm për...

Lajme të tjera

Web TV