Në një intervistë për gazetën “Fjala”, studentja e ekselencës Greta Neli, e cila ka përfunduar studimet master në Fakultetin Ekonomik dhe ende nuk është pajisur me kartonin e diplomës, ashtu si 314 studentë të tjerë të po të njëjtit cikël studimi, tregon peripecitë dhe përplasjet nga njëri institucion tek tjetri, teksa kërkon të drejtën e saj ‘Kartonin e Diplomës’. Ajo thekson se ky problem do të vijojë edhe me Bachelor-in. Përplasjet mes Fakultetit Ekonomik dhe Rektoratit të UT, si qëndron e vërteta e diplomave
Nga Ina Allkanjari
Pesë vite studime të thelluara në ekonomi, por një vit pritje për të marrë një “copë karton”, që nuk jepet nga burokracitë të cilat vërtiten në një qark të mbyllur absurd, Fakulteti Ekonomik – Rektorat. Prej disa muajsh tashmë, Greta Neli, e cila ka përfunduar studimet Master Shkencor për Kontabilitet dhe Auditim në Fakultetin Ekonomik në UT, po kalon peripeci nga një intitucion në tjetrin për të marrë atë çfarë i takon, kartonin e diplomës. Studentja e ekselencës ndihet e zhgënjyer për pingpongun që po luhet mes Dekanatit të Fakultetit të Ekonomisë dhe Rektoratit të Universitetit të Tiranës, gjë e cila po penalizon atë dhe 314 studentë të tjerë të ciklit master, të cilët prej 1 viti janë në pritje të kartonit të diplomës. Pas disa muajsh sorollatje, nga Dekanati, Rektorati deri te Minsitria e Arsimit, dhe tërheqjes së shkresave pa fund për të mësuar se pse nuk e pajisin me diplomë, ajo vendosi të iniciojë një peticion mes studentëve të prekur nga kjo situatë, për të ngritur zërin për këtë problematik. Neli, në një intervistë për gazetën “Fjala”, tregon gjithë peripecitë që ka hasur që prej muajit prill, kur u interesua fillimisht pranë Dekanatit se pse nuk po pajiset me diplomë, deri në ditët e sotme, kur arriti të organizojë peticionin me 150 firma të studentëve të prekur nga i njëjti problem. “Unë ndoqa rrugën institucionale, sepse doja të merrja kartonin tim të diplomës. Për këtë arsye u interesova në Fakultetin Ekonomik, pranë dekanit dhe i dërgova një e-mail zyrtar në fund të prillit. Më rikthehet një e-mail dhe më thuhet që diploma ime nuk ka ardhur pranë dekanatit, sepse ka mbetur e pafirmosur, duke mos ditur arsyet, në Rektorat. Kur iu drejtova Rektoratit, u shtanga, pasi nuk më njihte si studente. Këtu nisën të gjithë përplasjet e mia nëpër institucione, për të mësuar arsyen se pse nuk më pajisnin me diplomë”, tregon studentja Neli, teksa thekson se e gjykon të aryeshme që në këtë kauzë të mblidhen sa më shumë studentë, në mënyrë që të ngrejnë zërin dhe t’i japin një zgjidhje këtij ngërçi. Greta thekson se ajo që duan studentët është të mos kenë ecejake, duan një karton që ka kaluar të gjitha afatet e parashikuara ligjore, ndërkohë që i kanë shlyer të gjitha detyrimet. Studentja e ekselencës shprehet se si përfaqësuese e 150 studentëve, i kërkon Rektoratit të tregojë arsyet pse nuk firmoset diploma dhe nëse ai ezauron 10 ditët e afatit për firmën, kur kartoni është në Rektorat, do të duhet që studentët të mblidhen, të jenë më shumë. “Të gjejmë mundësinë, hapësirën, të kemi zërin tonë, është e vetmja mënyrë, sepse institucionet po na përcjellin te njëra-tjetra. Nuk na intereson ne të zgjidhim çështjet institucionale të të tjerëve, kjo nuk është kauza dhe interesi i studentit”, tregon studentja. Teksa tregon se si arriti të mbledhë studentët e tjerë të cilët ishin pjesë e kësaj problematike, dhe të përfaqësojë problemin e tyre drejt të të gjithë institucioneve përgjegjëse Neli thekson se është e vendosur t’i shkojë deri në fund këtij ngërçi, dhe të marrë një zgjidhjë së bashku me të gjithë studentët të cilët e mbështesin dhe patën besim në gjithë procedurat e ndjekura prej muajsh nga ajo, teksa thekson se studentët janë instrumentalizuar shumë herë, ndaj besimi i tyre është venitur, por, sipas saj, nuk duhet lejuar dhe pranuar që studentët të instrumentalizohet, sepse janë e ardhmja e këtij vendi. Një tjetër problematikë e ngritur nga studentja lidhet me faktin që peripecitë që po kalon ky brez i masterit në Fakultetin Ekonomik, do të vijojnë edhe në brezat që vijnë pas. “Drejtori i Kurikulave, Albano Zhapaj, na tha në mënyrë informale, që ky problem tashmë nuk ju përket vetëm ju, por të gjithë brezave që pasojnë. Çfarë nënkuptohet me këtë, hajt se e zgjidhëm ne problemin e 2017-2018 si vit akademik regjistrimi, po me vitet e tjera. Do të vijë Bachelor-i tha drejtori, që do përplaset si ju në qershor. Bachelor-i që është regjistruar në 2017-2018. Pra, është një problem që sot duket sikur u përket 315 studentëve ose vetëm një brezi, por që do të ketë pasoja në të gjithë brezat, dhe këtë e them në bazë të fjalës së zotërisë”, tregon studentja Greta Neli. Gjithashtu, si zëri i 150 studentëve në këtë nismë, ajo i fton të gjithë studentët t’i bashkohen dhe falënderon palët e treta për suportin e jashtëm, teksa thekson se fokusi janë dhe do të mbeten gjithmonë studentët.
Peripecitë dhe përplasjet nga njëri institucion tek tjetri, të studentes Greta Neli, teksa kërkon të drejtën e saj ‘Kartonin e Diplomës’
Kronologjia me data:
22 prill 2020 E-mail Dekanatit dhe sekretarisë qendrore të fakultetit (Përse ende nuk mund të paraqitem të tërheq kartonin e diplomës?)
01 maj 2020 E-mail / përgjigje nga sekretaria qendrore e FEUT (Problemi me kartonat e ka pikënisjen që në shtator të 2019-s, Rektorati ka firmosur 19 kartona në të njëjtat kushte me kartonin tuaj, ndërkohë që lë 315 studentë në pritje përtej afateve ligjore.)
02 maj 2020 E-mail Rektoratit të Universitetit të Tiranës (Përse unë nuk e tërheq dot kartonin tim të diplomës, kur i kam shlyer të gjitha detyrimet monetare dhe institucionale?)
06 maj 2020 Përgjigje me anë të e-mail-it nga Rektorati, i cili i referohet pikës 4 të nenit 9 dhe pikës 3 të nenit 74 të ligjit 80/2015, pikës 1 dhe 4 të kreut VI të Udhëzimit Nr.15 datë ? ? ?
(Rektorati i Universitetit të Tiranës nuk disponon të dhëna mbi znj. Greta Meleq Neli, të dërguara në rrugë zyrtare nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë, në lidhje me regjistrimin pranë këtij fakulteti në muajin tetor 2018).
06 maj 2020 Takim pranë zyrës së drejtorit të Kurrikulave, Rektorati i UT-së, ku u adresova referuar përgjigjes së marrë në adresën time të e-mail-it. Studentja: Përse unë nuk pajisem me karton? Drejtori: Ju kemi kthyer përgjigje në adresën tuaj të e-mail-it. Referojuni përgjigjes. Studentja: Cila është rruga që unë duhet të ndjek për pajisje me Kartonin e Diplomës? Drejtori: Merr të dhënat e tua si studente pranë FEUT me tri firma (sekretaria e Masterit, dekani i FEUT, kryesekretaria), m’i sill pranë zyrës dhe Rektorati do të firmosë Kartonin tuaj të Diplomës.
06 maj 2020 Kërkoj të protokolloj kërkesën time me shkrim, bërë më herët Rektoratit, me anë të e-mail-it (numri i protokollimit 1572/1).
07 maj 2020 Takim pranë Dekanatit të FEUT. Dhe pajisem me: Vërtetim studenti (kryerje dhe përfundim të studimeve gjatë periudhës akademike 2017- 2019 ) ; Vërtetim (Listë notash); Kthim përgjigje me shkrim (513 prot); Dokument “Përcillet informacioni” Nr. 513/1 (dokumenti që kërkoi drejtori i Kurrikulave pranë Rektoratit, në mënyrë që të mund të tërhiqja, sipas tij, kartonin tim të diplomës.)
11 maj 2020 Takim pranë zyrës së Drejtorisë së Kurrikulave, Rektorati i Universitetit të Tiranës, z. Albano Zhapaj më priti sërish. I paraqitem me dokumentin e kërkuar më herët prej tij (Nr. 531/1). Përgjigjet: Ky dokument nuk vlen, ju lutem mbetet në fuqi përgjigjja adresuar në adresën tuaj të e-mail-it. Tërheq me firmë dhe vulë të njomë përgjigjen me shkrim nga ana e Rektoratit të UT-së me Nr.1572/1.
12 maj 2020 E-mail në formën e kërkesës zyrtare adresuar Ministrisë së Arsimit dhe QSHA-së, duke e pyetur lidhur me problematikën që po has për tërheqjen e kartonit të diplomës.
14 maj 2020 QSHA (Lili Hajdari) më adreson një përgjigje me anë të e-mail-it, duke iu përgjigjur kështu pyetjeve adrsuar institucionit. (Përgjigjja: QSHA-ja me shkresë zyrtare drejtuar Rektoratit, ka përcjellë numrat e matrikullimit për ciklin e dytë të studimeve master. Në këtë listë matrikullimi është edhe numri i matrikullimit për studenten Greta Neli.)
08 qershor 2020 Paraqitem pranë QSHA-së dhe protokolloj në formën e një kërkese zyrtare me shkrim, kërkesën adresuar më 12 maj 2020 nëpermjet e-mail-it Ministrisë së Arsimit, si dhe QSHA-së.
15 qershor 2020 Njoftohem të paraqitem pranë QSHA-së, ku edhe tërheq me firmë dhe vulë të njomë përgjigjen e institucionit referuar gjithmonë kerkesave të parshtruara në e-mail, adresuar Ministrisë së Arsimit dhe QSHA-së më 12 maj 2020 (Nr.1785 Prot.).
15 qershor 2020 Me anë të një postimi te grupi “Për të drejtat e studentëve të Ekonomikut” kërkoj një takim mes studentëve (dt.16.06.2020, ora 17:30, përballë FEUT).
16 qershor 2020 Ora 17:45 mblidhemi një përfaqësi prej 19 studentësh pranë sallës A104 (Godina e FEUT) ku takohemi edhe me zv.dekanin e FEUT, prof.Alban Korbin. Aty ne studentët adresojmë pyetje rreth problematikës dhe na komunikohet që: “Ne e kemi kryer detyrimin institucional, dekani ka firmosur kartonat tuaj të Diplomave, të cilët mbahen në Rektorat dhe nuk firmosen prej tij).
16 qershor 2020 Në perfundim të takimit, ora 18:19 pm, propozoj të mblidhemi dhe të firmosim një peticion, të cilit do t’i bashkëlidhet një kërkesë me shkrim që adreson problematikën me qëllim zgjidhjen e saj, institucioneve që kanë përgjegjësi institucionale dhe morale ndaj nesh.
16 qershor 2020 Firmoset peticioni nga 19 prej nesh (studentëve me vit regjistrimi në një program studimi pranë FEUT, vitin 2017-2018).
17 qershor 2019 Me anë të një postimi te grupi në FB “Për të drejtat e studentëve të Ekonomikut” postoj me foto tri përgjigjet e marra me shkrim, vulë dhe firmë të njomë nga tri institucionet: Rektorati i Universitetit të Tiranës; Dekanati i Fakultetit Ekonomik; QSHA-ja. Kërkoj të ndjekim rrugën e një peticioni masiv për të pasuar me kërkesën zyrtare me shkrim, (dhe kështu nis maratona).
18 qershor 2020 Me anë të një postimi te grupi në FB “Për të drejtat e studentëve të Ekonomikut”, publikoj dy mënyrat e firmosjes së peticionit (fizikisht & elektronikisht).
22 qershor 2020 U bë një tjetër postim nga ana ime tek i njëjti grup në FB. U informua mbi firmat e mbledhura deri në ate datë (73 elektronikisht & 34 fizikisht), si dhe u bë një rikujtesë për firmosje nga ana e të gjithë studentëve që cenohen e që nuk kishin mundur ende të firmosnin, duke përdorur një nga dy mënyrat (fizike & elektronike).
23 qershor 2020 U realizua mbledhja definitive, ku u vendos mbi përmbajtjen e kërkesës së adresuar dt. 24.06.2020. Iniciuar dhe komunikuar nga unë në të njëjtin grup në FB.
24 qershor 2020 komunikova te grupi numrin prej 150 studentësh, prej nesh, që iu bashkuan iniciativës dhe firmosën peticionin (98 firma elektronike dhe 52 firma fizike), si dhe u informuan mbi formën e adresimit të kërkesës. Personat e referencës ishim: Unë, Greta Neli (iniciuese dhe përgjegjëse deri në zgjidhjen e problematikës); studentja Ines Mulollari (e cila siguroi mbështetjen e një pale të tretë me profil jurist, në formën e suportit të jashtëm për sa i takon renditjes kronologjike juridike të përmbajtjeve të përgjigjeve.
24 qershor 2020 (10:45 am Unë, Greta Neli (iniciuese dhe përgjegjëse për sa i takon besimit të vendosur të 150 studentëve mbi formën e kërkesës dhe realizimin e peticionit ), Ines Mulollari (studente e FEUT me të njëjtën problematikë) dhe pala e tretë e suportit të jashtëm (juristi) u paraqitëm pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe protokolluam kërkesën me shkrim bashkëlidhur peticionin (duke u pajisur me numrin e protokollit 1885, datë 24.06.2020 ) – kërkesë e cila i drejtohet: dekanit të FEUT; rektorit të UT; Ministrisë së Arsimit.
Përplasjet mes Fakultetit Ekonomik dhe Rektoratit të UT, si qëndron e vërteta e diplomave
Në një dokument të siguruar nga gazeta “Fjala”, i cili mban datën 31.01.2020, Fakulteti Ekonomik i ka përcjellë për firmë Rektoratit të Universitetit të Tiranës 137 diploma të sudentëve të cilët kanë kryer studimet në FE, në sistemin me kohë të plotë, për ciklin e dytë të studimeve. Sipas Marash Logut, juristit të Qëndresës Qytetare, i cili si palë e tretë po mbështet studentët, shprehet se janar në Rektorat janë përcjellë 137 diploma dhe vetëm 126 emra studentësh, teksa nënvizon se ka pasur 11 kartona më shumë se sa emra studentësh. “Për këtë arsye Rektorati ia ka kthyer prapë mbrapsht Fakultetit Ekonomik, duke theksuar se prej kësaj parregullsie nuk mund të vijojnë me nënshkrimin. Pra, disa studentë nuk i kanë emrat në listat e dërguara në janar të këtij viti. Dekani i Fakultetit Ekonomik ka dërguar vetëm 137 kartona për firmë në Rektorat, ndërkohë që janë 315 studentë në total në pritje”, shprehet Logu. Në lidhje me këtë situatë, gazeta “Fjala”, iu drejtua Dekanatit të Fakultetit Ekonomik. Në një reagim zv.dekani i FE Alban Korbi, shprehet se kjo është një shkresë e dërguar në janar nga Dekanati në Rektorat, për përcjelljen e diplomave në fjalë. Teksa thekson se në atë shkresë nuk ka asnjë parregullsi. “Rektorati nuk ktheu asnjë përgjigje, që normalisht nëse do mungonin 11 emra, do kthenin shkresë që në janar dhe do të specifikonin që këtu mungojnë 11 emra. Por pa kthyer përgjigje fare, dy ditë më parë dolën në media me një shënim me shkrim dore. Ndërkohë janë 137 kartona dhe emra të saktë, sepse kjo gjë është verifikuar. Problemi qëndron në 315 studentë që presim kartonat e diplomës”. Për sa i përket faktit që pse janë përcjellë vetëm 137 emra në muajin janar në Rektorat, Korbi shprehet se numri i personave që kanë plotësuar dokumentacionin për të tërhequr kartonin e diplomës, ka qenë në vijimësi, rritet çdo ditë, teksa thekson se sot është shtuar numri dhe janë 344 studentë që presim kartonin dhe kanë plotësuar të gjithë dokumentacionet e duhura për pajisjen me diplomë.
Reagimi i Dekanatit të FE
Gjatë ditës së djeshme nëpërmjet një njoftimi për mediat, Dekanati i Fakultetit Ekonomik ka reaguar pas kërkesës së studentëve dhe peticionit të nënshkruar prej tyre, ku kërkojnë pajisjen me kartonin e diplomës. Në njoftim shkruhet se Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë UT, në mbledhjen e datës 25.06.2020, shqyrtoi kërkesën e datës 24.06.2020 të 150 studentëve nënshkrues të ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave” dhe “ Master Profesional”. Sipas Dekanatit, kërkesa e studentëve për t’u pajisur me diploma, është në vijueshmëri të kërkesave për më shumë se gjashtë muaj, të strukturave përgjegjëse akademike dhe asministrative të Fakultetit të Ekonomisë të UT-së, për përmbushjen e këtij detyrimi nga rektori i UT-së nëpërmjet nënshkrimit të tyre. Teksa theksohet se kjo kërkesë është e ligjshme, sepse studentët kanë plotësuar detyrimet akademike, financiare dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për pajisjen me të. “Me realizimin në kohë nga Administratori i FEUT të pagesës së tarifës përkatëse ndaj QSHA-së, ky institucion në zbatim të legjislacionit në fuqi, përcolli numrat e matrikullimit pranë Rektoratit të UT dhe FEUT, në muajin mars dhe maj të vitit 2019. Nga strukturat e FE janë plotësuar në përputhje me ligjin të gjitha detyrimet për pajisjen e studentëve me kartonat e diplomave, duke i përcjellë prej kohësh rektorit të UT-së diplomat me të gjitha të dhënat përkatëse që parashikon legjislacioni në fuqi. Këto diploma ende nuk janë nënshkruar prej tij”, thuhet në njoftim. Sipas Dekanatit, lista emërore e studentëve u është dërguar institucioneve përkatëse dhe është publikuar gjithashtu edhe në faqen zyrtare të FE, në kuadër të transparencës të veprimeve të tij. Gjithashtu, nënvizohet se nga kjo kategori e studentëve, rektori i UT-së ka firmosur 19 diploma, gjë e cila sipas Dekanatit, evidenton qëndrimin e paligjshëm për mosfirmosjen e tyre. “Gjithashtu, po në të njëjtën periudhë, me të njëjtat pretendime të paligjshme, rektori i UT-së për një kohë të gjatë nuk firmosi kartonat e diplomave të studentëve të programit të studimit “Bachelor”, dhe kur i firmosi me shumë vonesë, nuk dha asnjë arsye për vonesën. Është për të ardhur keq, që qëndrimet e rektorit të UT-së mbështeten në ligjin e arsimit të lartë nr. 9741, datë 21.5.2007, të shfuqizuar në datën 6 tetor 2015”, thuhet në njoftimin e bërë nga Dekanati i Fakultetit Ekonomik. Më tej theksohet se, dekani, në zbatim të kompetencës të parashikuar në Statutin e UT ka nënshkruar diplomat dhe i ka përcjellë për nënshkrim te rektori i UT-së, ndërsa rektori, në zbatim të kompetencës të parashikuar në Statutin e UT duhet t’i nënshkruajë diplomat, detyrim të cilin nuk e ka plotësuar. Në përfundim të njoftimit Dekanati i FE të UT-së duke iu bashkuar kërkesës të studentëve, i kërkon edhe një herë rektorit të UT-së, të realizojë detyrimin që i përcakton legjislacioni në fuqi, për të nënshkruar diplomat e studentëve të Fakultetit të Ekonomisë të UT-së. Teksa theksohet se në të kundërt, jemi të bindur se Autoritetet dhe Institucionet të cilave u është adresuar kërkesa e studentëve, i kanë të gjitha mekanizmat ligjorë për t’i dhënë zgjidhje problematikës së krijuar nga vetë rektori i UT-së.
/En.Br./Fjala.al