Nga Leonard Veizi
Në guidat e shkurtra turistike, që ndërmarrim herë pas here në fundjavë, këtë herë gishtin e vendosa në Gjinar. Dy alternativat e tjera që më nxori google, si fshatra turistikë të Shqipërisë, ishin të largëta dhe vështirë të bëheshin brenda ditës. Ndërsa alternative fituese përmes guidës dixhitale më tregohej se prej shtëpisë time në Tiranë e deri në qendrën e Gjinarit ishte një rrugë e asfaltuar me një gjatësi prej 60 kilometrash, që me një shpejtësi mesatare udhëtimi bëhej për 51 minuta. Birinxhi. Ja 55 minuta me ndonjë vonesë të mundshme. 60-të të mos prishim qejf fare. Demek hiçgjë. Një vrap pele dhe mbërrije në destinacion. Unë nuk e njihja zonën por më kishin folur se ia vlente ta bëja një vizitë nga ato anë.
Me konsensusin e plotë, për të bërë një inkursion familjar, nisim rrugën. Pa hyrë në Elbasan morëm një dorë të mirë karburanti, që të ishim brenda, jo për gjë. Dhe mirë bëmë. Rrugës asnjëherë s’i dihet.
Andej nga mesi i unazës së Elbasanit, një tabelë të orientonte që po të merrje krahun e djathtë mbërrije o në Cërrik o në Peqin ose në Gjinar. Ja u zgjidh. Kisha dhe “google maps”-in në krye të kroskotit të makinës, por s’e di pse këtyre guidave dixhitale s’para ua kam besën. Se ja iu prish zembereku të shkretës, si i bëhet pastaj?
Si kaluam urën e Shkumbinit morëm në të majtë. Kishin mbetur edhe nja 20 kilometra deri në vendmbërritje. Tamam një vrap pele. Me një mendje të lehtë, pak a shumë i binte nja 15 minuta. Rruga filloi të merrte përpjetë. Shumë shpejt hoqa dorë nga marshi i pestë, pastaj dhe nga i katërti. Pas 15 minutave vura re se kisha bërë vetëm nga 6 a 7 kilometra. Më vrullin që kisha marrë do më duheshin nja 40-45 minuta të mbërrija në vend. Ose unë isha drejtues automjeti i paaftë. Epo, shofer amator mo. Me një muaj kurs që në 94-ën.
Rruga gjarpëronte. Ngjitu përpjetë, zbrit tatëpjeta e merr kthesa pa pushim. M’u kujtua Kërraba. U bë ca vite dhe e kemi harruar. Në fakt edhe në ballkonin e Dajtit do kisha mbërritur shumë më parë. Po Gjinarin nuk po e gjeja kund.
Deri në qendër të fshatit turistik m’u desh nja një orë. Mirë që isha furnizuar me karburant. Se po t’i fusje një mendje të lehtë, për 20 kilometra rrugë, mund të shkoje edhe me llambën e kuqe të ndezur.
Megjithatë nuk u pendova.
Në hyrje të fshatit, një tabelë e gdhendur mbi një copë druri të madhe na uronte: “Mirë se vini në Gjinarin turistik!”
Epo kishim mbërritur më në fund. Se edhe kështu, të shkosh për turizëm tak-fak, sikur nuk ka lezet. Po të ishte për një xhiro të shpejtë, do e kisha ndalur vrapin o nga zona e Farkës, ose andej nga Bërzhita e Tiranës. Maksimumi 15 minuta rrugë dhe nga karburanti dilje me fitim.
E gjithë rruga na ofroi një pamje relaksuese. Në Gjinar ca më shumë. Pak baltë dhe pak dëborë. Por në fund të fundit fshat ishte. Pisha e bredha sa të duash, e sidomos oksigjen me bollëk.
Në të djathtë të tabelës syri të zinte një obelisk, ca më të vogël si ai në Uashington DC, e cila na kujtoi kohën e luftës. Një pllakat me emrat e dëshmorëve të zonës së Shpatit dhe një tjetër që na siguronte se pikërisht në atë vend, më 23 shtator 1944, ishte formuar Brigada e XVII Sulmuese. Epo doemos, këtej e kishte konakun dhe “shoku Taras“, pikërisht në alpet e Elbasanit. Gjinari është maja e zonës së Shpatit. Por pikën më të lartë kjo zonë turistike e ka majën e Bukanikut me lartësi 1831 metra mbi nivelin e detit. Jo më kot shoku Enver mori dhe një pseudonim të dytë, atë të “shokut Shpati“. Pse e kishte lënë mendja gjermanin të ngjitej deri aty për t’i vënë prangat?! Në këto anë nuk kishte shkelur as turku që e kishte me nge e jo gjermani që ishte për luftën rrufe.
Ecim përpara. Në sheshin e fshatit shohim nja 10 mikrobusë, aq sa mendova se aty ishte ndërtuar një terminal, nga ata që s’i kemi as në Tiranë. Sa zbresim nga makina dëgjojmë që nga lokali më i afërt vinte me zë të lartë muzikë greke sa të shurdhonte veshët. Epo Gjinarin paskan zbuluar grekët, mendova. Ja ç’do të thotë të trumbetosh turizmin shqiptar në 100 fshatra.
Si mbaroi buzuku grek, plasi kënga “O moj çikë malcie”. U zhgënjeva. Se mendova mos na kishin ardhur ca grekë për të na bërë ndonjë lek xhiro, në rritje të qarkullimit të parasë përmes konsumit të turizmit. Jo mo jo, ishin shqiptarë. Fill pas çikës së malësisë, nisi një muzikë orkestrale me motive nga ato të Shqipërisë së Mesme, dhe… mjaft me kaq, se pastaj u shtrua tallavaja.
Edhe në Gjinar si kudo, njerëzit ishin mikpritës dhe shumë të gjendur për të ndihmuar nëse kërkoje diçka, qoftë dhe qiqra në hell.
Shpati i Epërm, ka dy lloj besimesh, atë ortodoks dhe atë mysliman. Çdo fshat i zonës së Gjinarit ka kishën e tij. Por ajo që të bën përshtypje, është se aty ka lënë penelin e tij dhe i famshmi Onufri. Bëjmë një vizitë në kishën e Gjinarit dhe ndezim ca qirinj. Përbri kishës, ndodhet edhe shkolla, një ndërtesë dykatëshe që nga pamja e parë dukej mjaft e mirëmbajtur.
Sa për lokale me gastronomi të zonës, në Gjinar gjeje sa të duash, ose të futur mes pemëve, ose buzë ballkonit natyral, nga mund të shihje malet e gjysmës së Shqipërisë.
Ndërkohë që ende vazhdonin objekte në ndërtim, që donte të thoshte se zona turistike po zgjerohej e në të ardhmen me siguri do të priste shumë më tepër turistë se sa në një fundjavë shkurti.