Në situatën e rëndë të krijuar pas tërmetit, kryeministri Edi Rama u kujdes që të ishte vazhdimisht në terren, në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti. Shumë kritikë të tij nuk e pritën mirë këtë zgjedhje duke theksuar se kryeministri duhet të qëndronte larg terrenit dhe t’u krijonte më shumë hapësirë autoriteteve përgjegjëse për përballimin e situatës.
Kishte dhe nga ata që e shihnin paraqitjen në çdo moment të Ramës në television si përpjekje të tij për të shmangur vëmendjen nga problematikat që kishte nxjerr në pah tragjedia e 26 nëntorit.
E tashmë që koronavirusi është kthyer në temë të ditës, duket se kryeministri Rama nuk po e humbet mundësinë për të dalë sërish në qendër të vëmendjes. Pa u mbushur 24 orë nga konfirmimi i dy rasteve me koronavirus në Shqipëri, Rama ka bërë 10 publikime në ‘Facebook’, ka mbajtur një mbledhje qeverie, ka nxjerrë tre ministre në konferencë dhe ka zhvilluar një takim me liderët fetarë. Nuk mungon as citimi i Donald Trump për koronavirusin.
Duke qenë se rreziku i infektimit me koronavirus nuk përjashton as kryeministrin, mos prisni që Ramën ta shihni aty ku virusi ndodhet, siç ndodhi me rrënojat e tërmetit, pasi strategjia këtë herë janë rrjetet sociale.