Luçiano Boçi: Mësimi online dështim i plotë, pasoja negative në shumë breza

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një intervistë për gazetën “Fjala”, ka bërë një vlerësim të situatës ku ndodhet arsimi në vend, në kushtet e situatës së krijuar prej pandemisë së koronavirusit.

Boçi e ka cilësuar vendimin e Ministres së Arsimit, Besa Shahini, për të mbyllur vitin shkollor, për sistemin 9-vjeçar dhe atë të mesëm 2 javë përpara datës zyrtare, një deklaratë kapitullimi, para sfidës së mësimdhënies online.

Ish-deputeti demokrat, thotë se nuk është bërë asnjë investim real, dhe nuk është akorduar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për të përballuar emergjencën mësimore, për të ndihmuar familjet e nxënësve në pamundësi ekonomike për të pasur qasje në mësimin online.

Ai e cilëson vendimin për rikthimin e studentëve në auditorë si të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm për shëndetin e të rinjve. Sipas tij, një pjesë e madhe e studentëve vijnë nga vendbanime të ndryshme, me intensitete pandemike të ndryshme, dhe kjo përkthehet në një rrezik për transmetimin e virusit.

Ish-deputeti, mendon se në tërësi qeveria nuk ka pasur asnjë strategji të qartë për menaxhimin e kësaj emergjence, por vetëm ka kaluar nga njëri improvizim tek tjetri. Për të, mësimi online, ka lënë shumë boshllëqe në dijet e nxënësve, dhe ky dështim sipas tij do të ketë pasoja negative afatgjata për breza të tërë nxënësish.

Ministrja e Arsimit njoftoi mbylljen e vitit akademik 2019-2020 për sistemin parauniversitar, dy javë para datës zyrtare. Si ka funksionuar mësimdhënia online përgjatë periudhës së karantinës, dhe a do të lërë kjo boshllëqe tek nxënësit?

Është pak e vështirë ta kuptosh Ministren e Arsimit, duke u nisur nga deklaratat e saj. Shpesh ato kanë qenë kontradiktore, dhe më shumë se kanë hedhur dritë mbi procesin e mësimdhënies dhe situatën brenda sistemit arsimor, kanë krijuar paqartësi, stres dhe amulli mbi menaxhimin dhe efektivitetin e këtij mësimit. Ndërsa kjo e fundit njoftonte mbylljen e vitit shkollor dy javë përpara datës zyrtare, ishte de jure një deklaratë kapitullimi, para sfidës së mësimdhënies nëpërmjet online. Qeveria e pranoi dështimin e saj të plotë, dhe dëshmoi paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e saj. Vendimi i mbylljes parakohe me mos kthim në klasa, për të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar, përjashto maturën, bie krejtërisht në kundërshtim edhe me gjoja planin gradual të hapjes së paraqitur nga vetë Rama, dhe me gjoja zonalizimin e gjelbërt apo të kuq të territoreve të caktuara. Në këtë aspekt ngjan si i çuditshëm. Ministrja nuk ka dhënë realisht asnjë argument, qoftë ky shëndetësor apo arsimor. Megjithatë duket qartë se është mungesa e testimeve dhe mospasja e një panorame të saktë mbi trendin e përhapjes së pandemisë, që e kanë çuar detyrimisht Ramën dhe ministren e tij drejt pengimit të rikthimit të nxënësve në shkolla. Plus kësaj, shkollat tona nuk ofrojnë standarde shëndetësore dhe fizike, që garantojnë një mbrojtje reale të fëmijëve nga pandemia. Shumica e godinave janë të rrënuara dhe në kushte mjerane, dhe nuk funksionojnë sipas indeksit evropian të shkollave të shëndetshme. Dhe nën këtë arsyetim rikthimi i vetëm maturantëve në shkolla, i ngjason një penalizimi për hir të propagandës. Mësimi online nuk arriti të përcjellë tek nxënësit përqindjen e duhur të dijes, dhe nuk arriti të vendosë kontakt me një numër të madh nxënësish. Ai është dështimi më i madh përgjatë kësaj kohe, dhe me pasoja afatgjata negative për breza të tërë nxënësish.

Kjo për dy shkaqe madhore, që lidhen me situatën e para karantinimit dhe pas karantinimit. Para karantinimit investimet për futjen e teknologjisë në arsim, për klasat virtuale, laboratorë e tableta u zhdukën në drejtim të paditur. Bëhet fjalë për 3 milion euro, në bazë të një marrëveshje me qeverinë austriake. Drejtorisë së e-learning iu vu kyçi, dhe IZHA u shkri brenda Inspektoratit. Ndërsa premtimet e Ramës në vitin 2015 për të pajisur me këto mjete çdo shkollë e klasë të mesme u tretën, dhe rezultuan të ishin mashtrime. Kjo bëri që i gjithë sistemi pas pandemisë dhe mbylljes së shkollave, të gjendej në një situatë krejt të panjohur dhe pa rrugëdalje. Masat e marra nga ministria e qeveria, ishin kaotike dhe mbështeteshin tek përkohshmëria. Qeveria nuk ndërtoi asnjë strategji me një grup ekspertësh dhe profesionistësh, duke i dorëzuar mësuesit e nxënësit tek rrjetet sociale në rastin më të mirë, dhe para RTSH-së në rastin më të keq. Nuk u ndërtua asnjë platformë e dedikuar. Asnjë investim real nuk u realizua, kur dihet që në teknologji një gjë e tillë bëhet në kohë rekord. Asnjë qindarkë nuk doli nga buxheti i shtetit për të përballuar këtë emergjencë mësimore, për të ndihmuar familjet e nxënësve në pamundësi ekonomike për të aksesuar mësimin online. Çdo gjë iu la në dorë inercisë, gjetjeve momentale dhe fjalëve boshe që ministrja i transmetonte nëpërmjet FCB-së. Mësuesit përjetuan një trysni të paparë, dhe nxënësit ishin krejtësisht të paqartë mbi mënyrën e komunikimit mësimor. Një pjesë e madhe e fëmijëve në pamundësi ekonomike, shkëputën çdo lidhje me procesin mësimor dhe nuk janë pak.

70 mijë familje e fëmijët e tyre nxënës, u gjendën të përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, ndërsa 50 mijë të tjerëve ajo ndihmë nuk mund t’i siguronte dot aksesin në internet apo aparate smart. Plus që 42 për qind e prindërve të nxënësve sipas sondazhit të vetë ministrisë, ishin të papunë. Po t’i shtosh numrin e atyre që e humbën atë për shkak të pandemisë, numri bëhet goxha i madh. Mënyrat e transmetimit pa një platformë unike, pa metoda shkencore adekuate për këtë lloj mësimdhënie, e ulën ndjeshëm dhe atë pak efektivitet të mësimit online dhe transmetimi linear i mësimeve, pa marrë në konsideratë kushtet specifike të mungesës së kontaktit të drejtpërdrejtë, dhe pa konsideruar ciklet dhe grupmoshat, e dëmtuan rëndë cilësinë e mësimdhënies. Rama dhe ministrja Shahini nuk lëvizën nga vendi për të unifikuar platformat, metodat, për të bërë ndërhyrjet e nevojshme në kurrikul, duke e lënë procesin t’i nënshtrohej një zbehjeje të plotë, dhe duke e zhytur në një fiktivitet dhe formalitet qesharak.

Lexo edhe :  'Duan vetëm të dalin në ekran'/ Ilda Bejleri thumbon moderatoret e sportit

Duke qenë se përgjatë kësaj kohe nuk mund të flasim për cilësi të mësimdhënies, a është i mjaftueshëm rikthimi 3-javor i maturantëve në klasa, të cilët më pas duhet të japin menjëherë provimet?

Rikthimi i maturantëve nuk ka kuptim. Së pari, në kuadër të masës për mbylljen para kohe dhe pa kthim në klasë të të gjitha cikleve të tjera. Dhe së dyti, pasi në kushtet e mungesës së testimeve dhe të qenies së shkollave jashtë standarteve, nuk sigurohet dot shëndeti i tyre.

Vendimi është jo produktiv edhe në aspektin mësimor, pasi realisht pjesa më e madhe e maturantëve kanë pothuaj 2 muaj që nuk marrin sasinë e duhur të njohurive, kur dihet që dija

ka hallkat e veta në sistemin zinxhir të transmetimit të saj. Koha rrufe e kalimit të mëpasëm në provime, rrezikon ta shndërrojë këtë në një formalitet të shëmtuar krejt pa vlerë, dhe që do zhbalancojë dukshëm rezultatet e nxënësve të arritura ndër vite. Provimet jo vetëm që nuk do të nxjerrin në pah meritën e tyre, por rrezikojnë të shprishin çdo lloj vlerësimi të mëparshëm real, pasi menaxhimi i tyre ka qenë problem në kohë normale, me kopje të dala e jo më në kohë pandemie e alarmi. Vetë ministrja ka qenë kaotike në raport me maturantët. Njëherë u ka deklaruar se njohuritë online nuk do merren në konsideratë, dhe herë tjetër që atyre do t’i shtohen mësime të tjera gjatë kthimit 3-javor, kur i ishte premtuar vetëm përsëritje. Pra një mish-mash që vetëm Besa është e aftë ta krijojë. Për mendimin tim, zgjidhja më e mirë do të ishte implementimi i modelit anglez me notë parashikuese ose të kalkuluar sipas viteve e semestrave, nga mësuesi i lëndës për provimet e maturës. Pra pa i kthyer me dhunë maturantët në klasa, dhe pa realizuar një tjetër proces fiktiv. Provimet kanë peshën e tyre, gati 20 për qind, por ato nuk mund të jenë kusht për të rrezikuar kaq shumë jetët e maturantëve, nën një regjim që dhe mbledhjet e kabinetit nuk guxon t’i bëjë vetë kryeministri fizikisht, por i zhvillon ato online.

Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, një pjesë e studentëve do të rikthehen në auditorë përgjatë muajit qershor e në vijim. A kanë kushte të mjaftueshme auditorët dhe konviktet për t’ju përshtatur distancimit social?

Besa gjithmonë befason, por befasia e saj e vërtetë është vetë Rama. Këto janë vendimet e tij të improvizuara. Ndërsa më parë bërtisnin që janë autonomë, sot u vendosin përpara një detyrim taksativ. Dhe për ironi, deri tani i kanë lënë të veprojnë në një terren antiligjor, pasi ligji i arsimit të lartë e ndalon mësimin dhe diplomimin online. Por rikthimi i studentëve, nuk mund të bëhet jashtë një plani kombëtar për lëvizjet e hapura ndërqytetëse e ndërbashkiake, i cili ende nuk ka marrë formë përfundimtare. Një pjesë e madhe e studentëve vijnë nga vendbanime të ndryshme, dhe me intensitete pandemike të ndryshme, dhe kjo përkthehet në rrezik transmetimi. Aq më tepër Tirana është shpallur zonë e kuqë nga vetë Rama, dhe çdo gjë ngjan pa kuptim. Më pas me ardhjen në universitete, studentët ribashkohen në godina e dhoma të përbashkëta, ku transmetimi i virusit është fare i thjeshtë. Për të mos folur për kushtet skandaloze higjeno-sanitare të godinave, që janë jashtë çdo parametri e standardi shëndetësor. Kthimi i studentëve kërkon dhe rikthim e shërbimeve të tjera, pa të cilat jeta e tyre nuk mund të organizohet. Por kjo kërkon një shkallë të lartë normalitetit, gjë që duket shumë larg. Rikthimi i tyre ka më shumë një prapavijë zgjedhore në universitete, se sa duket se bëhet për hir të procesit mësimor.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se duke marrë shkas nga kjo situatë, edhe përgjatë vitit të ardhshëm akademik, do të vazhdojë mësimdhënia online, duke qenë se pandemia pritet të vazhdojë edhe për disa muaj. Sa mund ta dëmtojë kjo procesin e mësimdhënies?

Nëse Rama vazhdon ta organizojë mësimin online si deri më tani, ai është i kotë dhe nul. Revolucionet online qesharake që bërtet ai me transmetime në TV, janë filma bardh e zi të kohërave të shkuara. Revolucionet reale me futjen e teknologjisë dhe inovacionit, bëhet me investime serioze për shkollat, universitetet, mësuesit, pedagogët, studentët e nxënësit. Me laboratorë modernë e pajisje bashkëkohore, dhe jo me kompjutera të vitit 2000, dhe as me video-selfie se kush bën pozën më të bukur, ai apo Besa.

Si e vlerësoni strategjinë që po zbaton Ministria Arsimit për menaxhimin e sistemit arsimor në situatën e pandemisë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë?

Ministria nuk ka kurrfarë strategjie. E ka pranuar vetë ministrja. Ka pasur dhe ka ende në xhep skenarë. Skenarë të dalë ku të dalë, sikurse ka bërë deri më tani. Prandaj një krahasim me vendet e rajonit do ishte sa absurd, po aq sa edhe qesharak. Mjafton të përmend vetëm një fakt të vogël nga Kosova. Për të motivuar mësuesit, Kosova u shtoi atyre një pagë suplementare prej 300 eurosh, ndërsa ministria jonë u hoqi atyre orët suplementare dhe pagesat për transportin./Intervistoi, Silvana Tresa/

 

Të fundit

Surpriza e motit për ditën e nesërme, ja çfarë pritet të ndodhë me temperaturat

Në vendin tonë moti do të jetë me vranësira dhe reshje shiu me rrebeshe me në mesditë dhe pasdite...

Ja pse stresi bën që të shtoni peshë

Stresi ju bën të shtoni peshë: disa kërkime shkencore e konfirmojnë këtë njëherë e përgjithmonë. Pavarësisht nga lloji i reagimit që kanë njerëzit individualë...

U vra sot me armë zjarri, efektivi Novruz Cenalia ishte martuar para një muaji

Një detaj prekës mësohet për Novruz Cenalian, efektivin e forcave “Shqiponja”, që u vra me armë në mes të ditës në fshatin Baltëz të...

Richard Orlinski në Tiranë/ Veprat e skulptorit të njohur çelin javën franceze në Tiranë

Veprat e skulptorit të njohur francez Richard Orlinski kanë ardhur në Tiranë dhe janë ekspozuar përpara Piramidës. Me këtë ekspozitë hapet java kulturore franceze në...

Dëshmia në SPAK/ Bardhi kërkon ndryshim të datës, zbulohet arsyeja

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka dërguar në Prokurorinë e Posaçme një shkresë me anë të së cilës kërkon që marrja në...

Lajme të tjera

Web TV