“Addio” kinema -Nga Leonard Veizi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Regjisori italian Giuseppe Tornatore inskenoi djegien e njërës prej kinemave të famshme siciliane të viteve ’50 me emrin “Paradiso”. Por po aq, duke qenë dhe skenarist njëkohësisht, e rindërtoi atë tempull në po të njëjtin vend dhe po në të njëjtin film të titulluar “Cinema Paradiso”.

Paralelizmi mund të mos jetë më i gjeturi, por një domethënie e ka. Mbi një objekt të rrënuar për shkaqe madhore, ringrihet i njëjti institucion, për më tepër kur ai është kthyer vërtet në një tempull popullor.

Në Shqipëri kinemaja është në udhëkryq… Kur flasim për kinemanë nuk e kemi fjalën për filmin si produkt fizik, por për vendin ku shfaqet ky film.

Megjithëse i njohur rëndom si vend i vogël dhe i varfër, Shqipëria ka pasur një rrjet kinemash për t’u pasur zili.

Kemi pasur shumë kinema, gjatë monarkisë së Zogut e gjatë regjimit të Hoxhës. Fillimisht ato ishin investime private të kompanive që kishin mjaftueshëm kapitale, e më pas u sekuestruan nga shteti i punëtorëve që kërkoi të bënte një eksperiment të ri social. Por, gjithsesi, kinemaja nuk e humbi as funksionin, as audiencën e madhe. Madje, në kinemanë e para viteve ’90 e kishe mundësinë të shikoje një film me ngjyra, sepse në televizorin e shtëpisë ndonjë “Adriatiku”, “Iliria” ose “Lura” pa grup, montuar në URT-në e Durrësit, nuk e kishe një shans të tillë.

Sot janë fare pak salla kinemaje, edhe pse popullsia e kryeqytetit është rritur disa herë. Për pjesën tjetër të Shqipërisë as që flitet për salla kinemaje, me përjashtim të ndonjë rasti sporadik.

Institucioni i kinemasë është ende larg zhdukjes së tij, megjithëse për momentin po përjeton ditët më të vështira të ekzistencës.

Për efekt të asaj që tanimë cilësohet si “pandemia COVID-19”, sallat e teatrove dhe të kinemave do të jenë të fundit që do të hapen për publikun. Por fundi ende nuk dihet. Dhe fati i kinemave nuk dihet gjithashtu. E meqë flitet për kujdes të tepruar dhe mundësinë e një vale të dytë pandemike, gjasa që një film të shfaqet në një sallë të mbushur plot, duket shumë e largët. Për më tepër kur bëhet fjalë për fare pak salla, aq sa nuk mbushin as gishtat e njërës dorë.

Në Shqipëri kinemaja po i humbet spektatorët e saj. Nëse ajo do të mbetet pjesë e karantinimit, dhe njerëzit do të kenë në vazhdimësi frikën për të qenë bashkë në të njëjtën sallë, mundësia që ata të rikthehen për të parë një film me ekran të gjerë e disa pista efektesh zëri, është në minimumin e mundshëm.

Kinematografia ishte një shpikje e jashtëzakonshme e njerëzimit. Ajo u bë një nga format më popullore të argëtimit që u ngrit lart në mesin e shekullit XX. Jo vetëm dokumentarët, por filmat artistikë kanë qenë joshja më e madhe gjatë gjithë kohës që kinemaja ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë si institucion.

Televizori është munduar ta eklipsojë kinemanë, por deri në një farë pike, pasi diferenca mes të dyjave është e madhe dhe e kuptueshme. Me ekranin e një kompjuteri ky dallim thellohet. Por që nga çasti kur platforma interneti ofrojnë shfaqje filmash, herë pa pagesë e herë me një kosto shumë të vogël, gjithçka ka ndryshuar.

Lexo edhe :  “Absurditet”/ Rama kërkon nga Athina shfuqizimin e ‘ligjit të luftës’ me Greqinë

Në mënyrë të shpejtë dhe pa shpenzime, madje pa humbur kohë për të zënë radhë për bileta, për të blerë kokoshka, e pije të gazuara, në ekranin e telefonit të dorës mund të shohësh një film, qoftë dhe kur mbyllesh brenda mureve të banjës. Jashtë kësaj, të shkuarit në kinema është një eveniment, sepse duhet të kujdesesh edhe për veshjen, duhet të respektosh edhe të tjerët që ndajnë të njëjtën sallë.

Po të kthehemi pas në kohë, arkivat na kanë dhënë mundësinë që të gjejmë se kur ka hyrë së pari filmi në Shqipërinë tonë. Dhe studiuesit nuk gabojnë, pasi njëzëri kanë rënë dakord që filmi hyri në Shqipërinë e prapambetur të viteve 1911-1912, ende pa u shpallur Pavarësia. Pra, jemi vetëm 16 vite larg nga shpikja së kinematografisë që u realizua nga vëllezërit Lymier, me origjinë franceze.

Në Tiranën e para viteve ’90, me 250 mijë banorë, veç kinemave të mbuluara, ka pasur edhe kinema verore. Kinema “17 Nëntori” dhe “Republika” të jepnin mundësi që gjatë netëve të nxehta të verës ta shihje filmin nën qiell të hapur. Para vitit 1945, po në Tiranë, por këtë herë me 45 mijë banorë, kanë qenë verore kinematë “Ideal”, “Imperiale” dhe “Impero”…

Tirana ka pasur një seri kinemash të cilat në vitet e diktaturës komuniste u riemërtuan. Kështu ishin kinematë  Orient “REX”. “Ideal”, “Popullore”, “Diana”, “Imperiale”, “Rozafat”, “Haverik”, “Dopo lavoro”, “Savoia”, “Kosova”, “Skënderbej”, “Tomori”. Më pas të njëjtat kinema u pagëzuan me emrat e rinj, si “Brigada”, “Agimi”, “Dajti”, “Ali Demi”, “Ylli i Kuq”, “Republika”, “17 Nëntori”, “Partizani”.

Pra njerëzit kishin mundësi të mëdha për të shkuar në kinema, për të ndjekur një film e për t’u argëtuar, ashtu si pjesa tjetër e botës.

Për më tej, Amerika por dhe shumë vende evropiane kishin investuar në salla gjigante kinemaje, ku filmin mund ta ndiqje nga makina. Por kjo nuk ka sens dhe nuk është fort joshëse në një vend të vogël si Shqipëria.

Aktualisht Tirana ka vetëm Kinema “Millenium 2”, rrjetin “Cineplex”, si dhe disa salla alternative me kapacitet të vogël, pjesë e hotelerisë. Në këtë mënyrë mund të themi se kinematë e dikurshme, që pushuan së funksionuari dhe u kthyen në depo e bingo, nuk u zëvendësuan më, edhe pse numri i banorëve të kryeqytetit shqiptar rritet çdo ditë.

Kjo ishte sa për informacion, sa për të thënë se koha e artë e kinemave ka kaluar edhe në Shqipëri me të njëjtat vlera. Nuk ka asnjë gjurmë tradite të kinemasë publike. Por nëse në Evropë e Amerikë kinemaja vazhdon të jetë një institucion i palëkundur kulturor, transmetues filmash dhe arkëtues të ardhurash pa fund, në Shqipëri kinemave u është bërë gati dryni.

Në fillim të këtij shkrimi, jo rastësisht mora si shembull filmin fort të ndjekur italian “Cinema Paradiso” me regji e skenar të Giuseppe Tornatore-s. Filmi është realizuar në Palazzo Adriano, një ngulim arbëresh në Sicili, banorët e të cilit ruajnë vetëdijen e të qenit arbëresh dhe ritin, por jo gjuhën. Një shoqërim idesh është kësaj radhe i pashmangshëm, shqiptarët sot e kanë ende në kujtesën e tyre kinemanë, edhe pse thuajse e kanë humbur atë fizikisht.

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Vrasja e efektivit në Fier, gazetari zbardh detaje të reja: Autorin e gënjen mendja

Gazetari Artan Hoxha ka folur për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Fier, ku ka mbetur i...

Së shpejti baba, Ermal Meta zbulon emrin e vajzës!

Këngëtari i njohur Ermal Meta së shpejti do të bëhet baba dhe në një intervistë që ka dhënë së fundmi për “Verissimo”, ka zbuluar...

Nesër protesta para bashkisë Tiranë, policia njofton masat, ja rrugët që do të bllokohen

Nesër 14 maj do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës dhe “Aleancës për Teatrin” para bashkisë Tiranë lidhur me çështjen “5D”. Për rrjedhojë policia...

Pasagjerët të alarmuar/ Ndalon për disa orë treni në Japoni, shkak një gjarpër

Një tren në Japoni u ndal për një orë pasi pasagjerët raportuan se kishin parë një gjarpër Një tren në një linjë të ngarkuar në...

Çfarë ndodhi me vaksinat Astrazeneca? Mjeku Alimehmeti tregon faktet shqetësuese

Për mjekun Ilir Alimehmeti shumë shpejt gjatë përdorimit të Astrozenecës u diskutua tromboza dhe në fillim u mundua që të fshihej si gjë. Në një...

Lajme të tjera

Web TV