Intervista/Ulsi Manja: “Nga KED ka mungesë impenjimi”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Roland Qafoku

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, në një intevistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, analizon çështjen e reformës në drejtësi dhe kritikon ashpër Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, i cili duket se është bërë pengesa kryesore për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. A do të formësohet institucioni suprem i interpretimit të Kushtetutës deri në fund të vitit?

171 GJYQTARË DHE PROKURORË TË LARGUAR

Ne kishim gjykata, por nuk kishim drejtësi. Këtë e vërteton më së miri procesi i vetting-ut, ku që nga marsi i 2018-s, kur u dhanë vendimet e para dhe deri në 16 shtator 2020, janë larguar nga sistemi mbi 171 gjyqtarë dhe prokurorë. Pra, janë dhënë në tërësi 291 vendime, nga të cilat 120 janë konfirmime në detyrë dhe 171 janë largime apo dorëheqje nga sistemi i drejtësisë, për shkak të procesit të vetting-ut.

ÇËSHTJET DREJT STRABURGUT

-Disa çështje janë drejtuar drejt Gjykatës së Strasburgut. Kjo krijon një ngërç akoma më të madh, nëse ata fitojnë një proces gjyqësor atje.

Natyrisht që vetting-u si proces ka garantuar mjetet e nevojshme ligjore të ankimit për subjektet e rivlerësimit. Është Kolegji i Posaçësm i Apelimit, shkalla e dytë, e më pas për proces të rregullt ligjor subjektet e rivlerësimit që janë larguar nga procesi i vetting-ut, ka raste që janë drejtuar dhe në Gjykatën e Strasburgut.

Akoma nuk ka një vendimmarrje në Gjykatën e Strasburgut, por nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit prej subjekteve që janë ankimuar 155 vendime kanë marrë formën e prerë. Dhe diferencat e vendimmarrjes nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit te Kolegji i Posaçëm i Apelimit, por shumica e rasteve kanë qenë në përputhje të plotë.

Sigurisht që kjo ka një faturë financiare të caktuar, por ata nuk kthehen më në sistem. Subjektet e larguara nga procesi i vetting-ut nuk mund të bëhen më pjesë e sistemit. Sepse ky është rregulli i vendosur dhe i përcaktuar në ligjin e rivlerësimit. Ata mund të fitojnë dëmshpërblim, por nuk mund të bëhen më pjesë e sistemit.

PS-ja DHE REFORMA NË DREJTËSI

-Për sa na takon neve socialistëve, kemi qenë konsekuentë nga dita e parë deri më sot, me reformën në sistemin e drejtësisë. Sepse pa votat tona kjo reformë nuk do të kishte ecur me këtë ritëm.

-Si na e mbush ti mendjen neve që ju socialistët nuk doni të ndikoni te kjo reformë?

Edhe kjo duhet sqaruar. “Ne po vëmë njerëzit tanë”. Ky është perceptim dhe po e marr të mirëqenë, por vetting-u si proces bën filtrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që ishin në sistem. Ndërsa pas zbatimit të reformës në drejtësi, kush e njeh këtë reformë, e di shumë mirë që politika nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore që të bëjë pjesë të sistemit njerëzit që do politika. Vetting-u po filtron ata që ne gjetëm në sistem.

TË LARGUARIT NGA SISTEMI PO PENGOJNË REFORMËN

Të larguarit nga vetting-u hedhin baltë mbi procesin e vetting-ut. Anatemojnë procesin e vetting-ut; edhe perceptimi që ne po çojmë njerëzit tanë, nga këtu buron. Por, në fakt, nuk është e vërtetë. Njerëzit që e kundërshtojnë reformën e drejtësisë apo përpiqen të vënë shkopinj në rrota, janë elementë me lidhje të forta politike dhe ekonomike.

Këta janë larguar për mosjustifikim të pasurisë dhe, mos harroni, njerëzit që e kundërshtojnë reformën e drejtësisë apo përpiqen të vënë shkopinj nën rrota për këtë proces, janë elementë me lidhje të forta. Janë larguar për mosjustifikim të pasurisë, për mungesë të burimeve për të justifikuar pasurinë.

-Lidhje të forta me politikën, i bie me opozitën…

Nuk po vë emra. Me ata që nuk janë treguar luajalë ndaj zbatimit të reformës së sistemit të drejtësisë. Kundërshtarët e reformës në drejtësi i bashkon një qëllim.

PËR GJYKATËN KUSHTETUESE

Në kompozimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta futi tre aktorë. Kuvendin, presidentin dhe Gjykatën e Lartë. Sigurisht, edhe një organ tjetër kushtetues, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, i cili bën filtrimin e kandidaturave që u ofrohen këtyre organizmave që kanë të drejtën e zgjedhjes apo emërimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas formulës, 3 i zgjedh presidenti, 3 i zgjedh Kuvendi i Shqipërisë dhe 3 Gjykata e Lartë. Natyrisht që ky proces ka vështirësitë dhe problemet e veta dhe kryesisht ato kanë ardhur nga mosfunksionimi në kohë i KED-së. Edhe KED-ja ka pasur vonesat e veta për arsye se gjyqtarët dhe prokurorët që janë pjesë përbërëse e KED-së, dhe që shqyrtohen çdo dhjetor të vitit pasardhës janë 9 gjyqtarë dhe prokurorë që përfaqësojnë nivele të ndryshme të sistemit, që shqyrtohen çdo dhjetor mes datës 5 dhe 10, dhe shortin e hedh presidenti i Republikës; ka pasur vështirësitë e veta, sepse gjyqtarët dhe prokurorët do të duhet të kishin kaluar procesin e vetting-ut.

Këtë e thotë Kushtetuta, nuk e them unë. Kushtetuta thotë: Anëtarët e KED-së duhet t’i nënshtrohen menjëherë procesit të vetting-ut. Fjala “menjëherë” nënkupton që kjo strukturë kushtetuese do të mund të jetë e vetuar. KED-ja u bë funksional në vitin 2018. Pastaj mungesa e kandidaturave ka qenë problem në vonesën e Gjykatës Kushtetuese. Pse ka mungesë kandidaturash? Sepse një pjesë e anëtarëve të saj kishin mandate plotësuese.

Lexo edhe :  Rama: Nuk kemi marrëdhënie të ngushta dhe as nuk kemi oreks për t’i pasur me Rusinë

Largoi vetting-u anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, disa nga anëtarët e larguar kishin mandat të plotë 9-vjeçar, disa kishin mandat plotësues. Kushtetuta ka saktësuar që anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, tre të Kuvendit, tre të presidentit dhe tre të Gjykatës së Lartë do të marrin mandate zëvendësuese. Dhe mandatet që aktualisht janë të paplotësuara, janë mandate shumë të shkurtra. Mbarojnë në maj të 2022-shit. Interesi i juristëve që plotësojnë kriteret për një mandat kaq të shkurtër nuk është.

Këtë ngriti dhe komisioni i Venecies në komisionin që ne kemi administruar. Një nga rrugët që sugjeron Venecia është që edhe këto mandatet plotësuese të ngrihen në nivelin e mandateve të plota 9-vjeçare kushtetuese. Aktualisht, në momentin që po flasim, nga tri vakancat që janë, 2 presidenti dhe një Kuvendi, kanë rënë kandidaturat për njërën nga vakancat dhe ne presim që KED-ja të na njoftojë që ne të bëjmë shpalljen, ndërsa për një vakancë të presidentit ka kandidatura në garë.

Dje ka pasur një proces të vlerësimit të kandidaturave që janë në garë për një nga vakancat e presidentit, që është vakancë e plotë. Nëse do të plotësohet dhe kjo vakancë, numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shkon në 5. Por ende kjo gjykatë nuk mund të jetë funksionale. Sepse ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë: nga 9 anëtarë të GjK, forumi i nevojshëm për të pasur vendimmarrje do të jetë 6.

-A mund të bëhet brenda vitit?

Normal. Jemi në diskutime e sipër dhe po elaborojmë rrugët për ta zhbllokuar këtë situatë.

AKUZAT PËR KËSHILLIN E EMËRIMEVE NË DREJTËSI

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të duhej të kishte plotësuar minimalisht afatet që i përcakton ligji në lidhje me vetting-un e kandidatëve që Kuvendi dhe presidenti i kanë përcjellë për në Gjykatën Kushtetuese. Dje ka pasur një mbledhje të KED-së, dhe unë u bashkohem kritikave.

Kuvendi i Shqipërisë për vakancën e vet i ka dërguar kandidaturat në nëntor të 2019-s. Sot po vjen nëntori i 2020-s dhe akoma KED-ja, për 10 kandidatura që ka çuar Kuvendi, nuk ka një përgjigje. Ligji thotë brenda 35 ditëve nga momenti që administron kandidaturat e ardhura nga Kuvendi apo nga presidenti, KED-ja do të duhet të bëjë vlerësimin e pasurisë , figurës dhe integritetit profesional të kandidatit. Ne nuk kemi instrumenta për të ndërhyrë, sepse KED është instrument kushtetues i pavarur. Mekanizmat e ripërtëritjes së këtij këshilli janë të përcaktuar në ligj.

-Kjo është një përplasje mes Kuvendit dhe KED-së.

Nuk do ta quaja përplasje, sesa mungesë impenjimi nga ana e KED-së për t’iu përgjigjur në kohë kësaj sfide që kemi përpara të gjithë.

ARRESTIMI I PESHQVE TË MËDHENJ

Një nga arsyet që reforma në sistemin e drejtësisë e pa të arsyeshme të ngrihet një strukturë e posaçme antikorrupsion, që është SPAK-u dhe BKH-ja, reflekton atë shqetësim dhe atë nivel perceptimi që shqiptarët kanë në radhët e zyrtarëve të lartë. BKH-ja është arteria kryesore që do të furnizojë Prokurorinë e Posaçme me lëndën e parë. Së bashku me prokurorinë kanë infrastrukturën e nevojshme hetimore që, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, të bëjnë histori suksesi në këtë vend.

PËRGJIMET E SPAK-ut

Ne si mazhorancë i kemi përmbushur të gjitha kërkesat lidhur me këtë strukturë, që ajo t’i përmbushë si duhet ato detyra që i ka caktuar Kushteta dhe ligji. Dhe jo vetëm kaq, por kjo strukturë do të ketë në dispozicion më vete edhe mjetet e posaçme që i nevojiten. Do të ketë bërthamën e vet, të ndarë nga prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm, të bërthamës së përgjimeve. Do ta kenë më vete. Mënyra e funksionimit të SPAK-ut garanton siguri maksimale.

LIGJI PËR PRESIDENTIN

Ligji për presidentin do të jetë një ligj i ri, sepse sot ne nuk kemi ligj për këtë institucion. Në fakt, do të duhej ta kishim miratuar me kohë, ishte një projektligj i depozituar për institucionin e presidentit të Republikës në 2016, në kuadër të reformës së drejtësisë, por që u tërhoq nga agjenda parlamentare, sepse ai projektligj ishte fokusuar më tepër në rregullimin ligjor të statusit dhe privilegjeve presidenciale. Ky ligj nuk heq asnjë kompetencë kushtetuese për presidentin e Republikës.

-Ju vetë, ku do të jeni kandidat?

Unë jam deputet i Tiranës që nga viti 2017, jam në zonën e Laprakës.

-Aty do të jeni përsëri?

Sërish do të kandidoj në zonën e Laprakës, në Tiranë. Unë vërtet jam deputet i qarkut të Tiranës, por këtu prej vitesh banon një komunitet shumë i madh dibranësh, kështu që unë ndihem mirë në Tiranë, ndihem si në shtëpinë time./Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Apple pranë marrëveshjes me OpenAl, ChatGPT do të integrohet në Iphone

Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple është afër finalizimit të marrëveshjes me OpenAl që do të shtoë ChatGPT-në në...

Takimi me emigrantët në Athinë/ Pse nuk u takua me zyrtarët grek? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion”, lidhuer me takimin e shqiptarët që jetojnë në Greqi, i cili solli reagime të politikës dhe...

Si janë raportet midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për një emision televiziv ndër të tjera foli edhe për raportet e qeverisë shqiptare me atë...

Ekspertja: Vizita në Athinë, më e suksesshmja për Ramën. Ishte në nivelin më të lartë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Enida Bozheku e cilëson vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë si më të suksesshmen në këto vite që është...

“Do të të laj…”, me kë e ka Xhensila Myrtezaj?

Prej disa kohësh po përflitet një ndarje mes aktorit të humorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Kjo u aludua vazhdimisht në media por...

Lajme të tjera

Web TV