Haraçi i heshtjes ndaj islamikëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Xhemal Ahmeti

Me islamik – brenda diskursit kompetent – shenjohet individi që vepron në kuadër të aspiratave politike që luftojnë për instalimin e sistemit shtetëror të bazuar në sherihat.

Islamikët që veprojnë brenda kulturosferës shqiptare ndahen në dy kategori kryesore:

1. Në ata që besojnë në teopolitikën e Erdoganit, e cila thotë se islami, me ndihmën e Turqisë, do të determinojë nesër rendin global. Teopolitikë, e cila në veprime është më racionale se në deklarata dhe punon për dominimin e nacionalizmit turk mbi ish sferat e Perandorisë Osmane. Religjioni në këtë kontekst është mjeti dhe

2. Në ata që besojnë se dikur do të triumfojë ideologjia e IS-isit mbi ideologjinë neoliberale euroamerikane dhe se shqiptarët për shkak të përkatësisë fetare (shumicë) duhet të rreshtohen në këtë vijë. Mbi 98% e grupeve dhe individëve të analizuar viteve të fundit veprojnë në kuadër të islamizmit erdoganesk. Prandaj i ëndrrojnë edhe etnitë e tyre (sidomos kosovarët) sipas formatit të nacionalizmit turk e në kuadër të pannacionalizmit osman (si kundërpeshë përballë atij pansllav), i cili poashtu është konstruksion i ri i historisë për nga gjeneza dhe trashëgimia kulturore.

Të dyja grupet përdorin myslimanët shqiptarë si armatë rrugës për realizimin e planeve të tyre. Me mysliman – brenda diskursit kompetent – shenjohet njeriu religjioz, i cili kultivon besimin në Zot si të drejtë personale dhe njerëzore të tij, pa qenë misionar apo ushtar i ideologjive të shumta politike jashtëkuranore.

II.

Sa masive janë këto grupe? Për shkak të ligjeve ende të bazuara mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe kushtetutave si imitatio të atyre perëndimore, si dhe proceseve gjyqësore kundër «shefave» të tyre, grupet e llojit veprojnë së fundi me kujdesin maksimal. Kështu që është e vështirë t’i numërosh të gjitha.

Një ndihmë në këtë drejtim e ofrojnë ndodhitë singulare, të cilat i nxjerrin prej takti, i bëjnë të pakontrollueshëm si në rastin me lajmin rreth prerjes së kokës së një mësuesi francez nga një terrorist çeçen, ose nëse i provokon qëllimshëm me postime që i prekin në tel që t’i të mbledhësh materiale për analizë nga inbox-i dhe metoda tjera hulumtimi efektiv.

Menjëherë pas botimit të lajmit, pesë orë më vonë, në profilin e facebook-ut të gazetave si «Koha Ditore» dhe tjerat (pa i llogaritur këtu faqet religjioze dhe ato proturke) u bënë mbi 1000 komente në përkrahje të çeçenit, reagime, të cilat sollën në pah reagues që premtonin se do ta kishin bërë të njëjtën edhe në Kosovë, Shqipëri e në veçanti në Maqedoni.

Këto deklarata (të cilat analizohen nga të gjitha shërbimet e mundshme, kështu siç bëjmë ne) mirëpo janë më pak interesante për analizën në krahasim me rrjetin që këto paraqitje të pakontrollueshme (është në vetë natyrën e dinamikës së masave kjo veti) vetëshpalosin duke ekspozuar hartën vepruese, liderët, ideologët, partitë, imamët e kësaj lëvizjeje tashmë masive ideologjike brenda kultursoferës shqiptare.

Gjatë analizës së këtyre profileve, duke kërkuar elementët e përbashkët, ato më frekuentët e më prezentët që militantët glorifikojnë e ripropagandojnë zbulon edhe fundamentalistin më subtil, organizatat, xhamitë, partinë që disponon me këto elemente dhe kupton se pse shumica absolute e mediave dhe intelektualëve e heshtin këtë zhvillim.

III.

Po, pse heshtën dhe heshtin pra shumica absolute e opinionbërësve shqiptarë, mediat, partitë dhe shteti? Pse heshtin ta zëmë ministritë më të sulmuara nga këto grupe, si ajo e Arsimit, Kulturës, ajo e Mbrojtjes dhe Sigurisë, sikur mos të ekzistonte dukuria fare?

Heshtën para se të ikin 400 veta në Siri (ose më të zëshëm ishin ata që i mbronin e sot janë në politikë); heshtin edhe sot kur masa e kësaj ideologjie është më e madhe se FSK-ja (dhe brenda saj është në numër) dhe kur universiteteve më shumë predikohet ideologjia ekstreme fetare se matematika ose gazetaria për të cilat marrin edhe diplomat?

Heshtin se e konsiderojnë problemin inekzistent? Heshtin ngase flirtojnë me metodat dhe rrugën e fondamentalistëve, apo heshtin ngase janë frikacakë dhe shohin ëndrra qëtash duke ua prerë kokën Lavdrimët e shumtë fqinjë? Këtë aktualisht nuk do ta marrim vesh. Ose duhen analizuar edhe këta për të parë se ç’na del më shumë përveç korruptimit të shumëve nga shoqatat dhe shërbimet turke, që i financojnë ose i përkrahin për t’u përkthyer në turqishte, arabishte e andejpari.

Pse media të mëdha e të caktuara bëjnë sikur nuk ekziston ky problem? Ngase i kanë redaksitë përplot me ëndërrimtarë pro botës islame të modelit turk? Apo edhe këta janë po aq frikacakë si ata që u japin diplomat? Po shtetet? Eh, këto kanë hyrë thellë nën kontrollin e Erdoganit dhe mezi lëvizin kokën.

IV.

Ku i sjell shqiptarët kjo rrugë? Do ta shohim më vonë këtë punë, nëse ia dalin këto grupe aktive që nga 2008. Aktualisht diagnoza kufizohet vetëm në këto segmente: antisemitizmi, urrejtja ndaj Perëndimit, gatishmëria për të imituar çeçenin e Parisit janë edhe më në kulm dhe më të rrezikshme (se subtile, të maskuara) se gjatë rekrutimit të njerëzve për në Siri. Institucionet e arsimit më shumë bëjnë namaz – të tipit islamik – sesa veprojnë kundër fenomenit.

Lexo edhe :  Skemat lehtësuese të OSHE për klientët debitorë: Në prill u mbyllën 677 aktmarrëveshje

OJQ-të e «deradikalizimit» ose kanë harxhuar paratë e subvencioneve ose i hanë ato dhe gëzohen me heshtjen që s’bën presion duke kërkuar rezultatet. Dy mundësi spekulative mund të merren parasysh rreth kësaj heshtjeje: – elitat, shteti dhe partitë vërtet besojnë se duhet shkuar me bllokun e prirë nga Erdogani e jo të insistohet për në BE-në refuzuese dhe diskriminuese karshi shqiptarëve (BE-ja e ndihmon këtë rrugë më shumë se të gjitha shërbimet ruse, serbe, turke bashkë) ose – këta besojnë se me heshtjen ndaj tërbimit të radikalizmit do të bindin masat se myslimanizmi nuk është gjellë që duhet ta hanë shqiptarët si identitet kulturor dhe se ai do të vyshket a shuhet me vullnetin e shumicave e jo nëpërmjet ligjeve rigoroze të shtetit ligjor.

Të dyja këto mundësi [spekulative] janë fatale.

E para është tragjike kur kihet parasysh se «Bota e Erdoganit» e përtej është ende një botë mizore për sa i përket lirisë individuale, lulëzimit të tiranive, shkeljes brutale gjinore, varfërisë totale për shkak të sistemeve politike ku sundon sherihati (a nuk ishte ky sistemi më i drejtë në botë), analfabetizmit (mbi 80% të analfabetizmit botëror gjenden në vendet me sisteme islamike) e tjera në këtë drejtim. Apo pikërisht këtë e duan shqiptarët si skllavë të përjetshëm se s’mund të jetojnë pa diktaturë dhe pas komunizmit islamizmi del si shans i mirë?

E dyta – eksperimenti reth demyslimanizimit – është fatal ngase shqiptarët gjenden ende në luftën për ndërtimin e shteteve të tyre, si dhe etablimin e të drejtave dhe lirive si kulturë në vendet ku s’e kanë ende shtetin e vet.

Të eksperimentosh në këtë fazë me idiotizma të tilla do të thotë se nuk ke lidhjen as minimale me fuqinë e religjioneve; do të thotë të mos kesh lidhje me atë çka ndodh në Perëndim (shtetet po radikalizohen në mbrojtje të vlerave të tyre perëndimore); do të thotë t’i katapultosh shqiptarët sërish në duar të turqve dhe sllavëve, të cilët, si për shembull të fundit, vetëm në islamizimin dhe tëhuajësimin e shqiptarëve shohin shpëtimin e tyre demografik, për shkak të morbiditetit të lartë e natalitetit zhdukës (Vuçiç). Njësoj si të parët, miqtë e tyre turq atëbotë pra, të cilët dikur besonin se vetëm me shqiptarë të deportuar nga Jugosllavitë të mbushnin Anadollin me popull dhe të krijonin balancën e nevojshme kundër kurdëve shumicë – por ende të pazgjuar nacionalisht.

V.

Me këtë zhvillim të brendshëm shqiptar dhe me këtë zhvillim të politikave perëndimore karshi Turqisë, Iranit dhe Rusisë do të rezultojë vetëm një përfundim që diplomacia perëndimore nuk e thotë: ata janë të bindur se shqiptarët kanë rrëshqitur thellë në drejtim të ideologjive që përfaqëson triniteti lindor i aksit Rusi–Turqi–Iran.

Jo vetëm si qeveri e në qeveri të shteteve përreth, por më shumë si shoqëri. Dhe janë këta që kërkojnë viza e jo qeveritarët me pasaporta diplomatike. Kësaj gjendjeje – që Perëndimi të mbetet i bindur në këtë gjykim – i ndihmon heshtja masive e mediave ose zhurma masive e tyre në prezantim e sipër të kulturës dhe politikës stoike turke. Partitë tashmë, shumica e tyre ia kanë siguruar madje vetes edhe ca me uniforma të shkollave radikale për të demonstruar profilin e tyre prolindor.

Elitat, siç thamë, njëra palë është frikacake e tjetra beson në udhën e radikalëve. Korrupsioni është vërtet fatkeqësia e shteteve shqiptare, mirëpo më pak ai që në ballë ka valutën e euros e shumë më tepër ky që në zyra, oda e shkolla mban portretin e Hashim Thaçit, Rugovës apo Veselit, por në frymë si akrep ka farkuar atë të Osama Bin Ladenit, Erdoganit apo Homeinit, ashtu siç edhe i pagëzojnë në masë fëmijët e tyre aktualisht.

Në luftë heroi i një shoqërie kap pushkën për ta fituar lirinë e tij, në paqe ai kap fjalën dhe vepron politikisht për ta mbrojtur atë liri që fitoi me luftë. Siç duket, shumica absolute e sotme që popullon institucionet, shtetin, mediat, shkollat si në luftë ashtu në paqe janë të kategorisë që: i veshin dimijat pët t’i bërë gostinë sa më përulëse ushtarit të parë të huaj që u hynë në shtëpi. Duhet kontrolluar edhe një herë mirë lista e veteranëve.

la.mi/fjala.al

Të fundit

Studimi: Vaksinat mund të ndihmojnë në luftimin e baktereve rezistencë ndaj antibiotikëve

Duke përdorur një qasje të re për zhvillimin e vaksinave, studiuesit mund të kenë gjetur një zgjidhje të mundshme...

Në krye të bandës shqiptarët, dënohen me burg 50 anëtarë të grupit të drogës

50 persona janë dënuar nga Gjykata e Apelit në Selanik për trafikim të lëndëve narkotike në ambientet e Universitetit Aristotele të Selanikut, në sheshin Rotonda dhe Navarino. Pesë...

Tjetër aksident me shqiptarë në Maltë/2 punëtorë bien nga kati i tretë pasi shembet çatia

Dy punëtorë ndërtimi u plagosën rëndë kur një çati mbi të cilën po qëndronin u rrëzua dhe ata ranë tre kate në një shtëpi...

Përgatitje për zgjedhjet e 2025?/ Kryedemokrati Basha takim me bashkëatdhetarët në Itali

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka njoftuar se ditën e shtunë në orën 18:00 një takim me bashkëatdhetarë në Itali. Me anë të një...

Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Nga Lorenc Vangjeli Nëse Sali Berisha është mbreti i kurorëzuar, Gazmend Bardhi është princi i errët i inkoherencës. Të dy së bashku, në një listë...

Lajme të tjera

Web TV