Stefan Zvajg, shkrimtari që ëndërroi botën pa kufij

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bujar Meholli

Zvajgu ka tërhequr vëmendjen e përkthyesve shqiptarë të cilët ndër vite kanë sjellë veprat e tij artistike, esetë, trajtesat, si dhe biografitë e letrarizuara shumë të njohura

Kur flasim për shkrimtarin austriak Stefan Zvajg, kemi parasysh prototipin e intelektualit të shquar, njeriun që ia kushtoi tërë jetën letërsisë ku trajtoi sërë temash, gjinish e formash për t’u bërë njëri nga autorët më të lexuar në mbarë botën.

Jeta e Stefan Zvajgut është shumë interesante dhe komplekse me përpjekjet e tij kulturore dhe kontributin që dha për paqen, afrimin e popujve dhe bashkimin e tyre përmes artit. Veprimtaria e tij letrare është mjaft e dendur. Zvajgu i ri nisi rrugëtimin letrar me poezinë për të vazhduar me përkthime, ese, drama, novela e romane, biografi të personazheve të rëndësishme, krahas memuarëve dhe udhëpërshkrimeve (Zvajgu njihet si autor që udhëtonte shumë).

Çka e bën Zvajgun autor të spikatur, të lexuar në masë të madhe dhe të përkthyer në pothuajse të gjitha gjuhët e botës? Pa dyshim, kultura e gjerë, sensibiliteti i hollë dhe idetë pacifiste të shprehura në letërsi përmes një stili të veçantë që depërton lehtë dhe thellë te lexuesi. Këto e bëjnë Zvajgun njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, të kërkuar e të lexuar edhe në ditët e sotme.

Qysh në fillim, Zvajgu pozicionua kundër nazi-fashizmit të cilin e luftoi gjer në fund të jetës, ani pse jo haptazi; librat e tij u dogjën nëpër sheshet e Gjermanisë me urdhër të Hitlerit, por idetë që rridhnin nga letërsia e tij megjithatë mbijetuan.

Në një artikull të gazetës The New Yorker, studiuesi dhe eseisti George Prochnik shkruan: “Zvajgu bëri punë të furishme në shkrimin e autobiografisë, libër i cili u konceptua si mesazh për të ardhmen. Brezave pasardhës u mbetej detyra e rindërtimit të shoqërisë nga rrënojat e nazizmit. Ai ishte i vendosur të gjurmojë terrorin nazist dhe të vë në pah verbërinë e njerëzve që i shkonin pas.”

Pra, Zvajgu ishte autor i angazhuar, që do të thotë mori anë dhe qëndrim ndaj ngjarjeve socio-politike dhe ndaj botës në përgjithësi. Në shekullin e kaluar, një numër i madh i artistëve ishin të angazhuar. Përveç bindjeve ndaj pulsioneve të tyre, ata nuk mund të ishin shurdh ndaj situatave me të cilat po përballej bota. Këtu ndërmendim diktaturën hitleriane që po shkatërronte gjithfarë vlerash duke e shndërruar në vend të zymtë jo vetëm Evropën, por mbarë botën.

Stefan Zvajg, me talent të jashtëzakonshëm në prozë, artist me sensibilitet të hollë, nuk mundi të jetë indiferent ndaj padrejtësive dhe shtypjeve që po preknin shoqëritë evropiane.

Siç e shohim nga autobiografia Bota e djeshme (Kujtime të një evropiani), Zvajgu i tëhuajtur nga Evropa, atdheu i tij shpirtëror, e vuan shembjen dhe vetëshkatërrimin e kontinentit të vjetër. Si njohës i thellë i historisë së Evropës, ai vë paralele mes kohës së bukur kur jehonte muzika e arti dhe njerëzit jetonin në paqe, dhe kësaj kohe lufte që po sillte konflikte, intolerancë, fanatizëm e diktaturë, me pak fjalë, mjerim shoqëror.

Zvajgu nuk u aktivizua politikisht asnjëherë; si njeri paqësor i ndodhur mes pabarazive, padrejtësive, racizmit dhe ardhjes së Hitlerit në pushtet (Zvajgu rridhte nga një familje hebraike), u largua nga Evropa; gjatë viteve në ekzil, me zemrën e thyer, ishte aq i ndjeshëm saqë i dha fund jetës në Brazil, dhimbshëm, bashkë me të shoqen, për ta përlotur gjithë botën intelektuale.

Lexo edhe :  Kostoja e të folurit online/ Analiza e REL, ja çfarë ndodh me dhunën në Shqipëri

Gjersa lexonte gazetat dhe shihte se bota po shkonte drejt fundosjes, duke mos i përballuar dot mizoritë, ky autor i madh pacifist, qytetar i botës, i la botës shëndenë “me vullnet të lirë dhe ndërgjegjshëm” siç shprehej në një letër. Ai kishte ëndërruar një botë pa kufij, ku njerëzit e çfarëdo race, feje e gjuhe do t’i bashkonte e bukura, e dobishmja, arti dhe kultura, pa pasur nevojë për ligjet e kota, jofleksibile.

Për fat të mirë, Zvajgu ka tërhequr vëmendjen e përkthyesve shqiptarë të cilët ndër vite kanë sjellë veprat e tij artistike, esetë, trajtesat, si dhe biografitë e letrarizuara shumë të njohura. Disa nga këto vepra të Zvajgut që ‘flasin’ shqip janë: Padurimi i zemrës, Dehje nga metamorfoza, Maria Stjuart, Frojdi, Pushtimi i Kostandinopojës, E fshehta e Bajronit etj… Gjersa lexojmë novelat dhe romanet, shohim talentin e tij për t’i skalitur personazhet duke u futur në skutat më të thella të psikikës së tyre, përmes gjuhës ekspresive të pasur dhe të gjallë shohim se si Zvajgu portretizon gjendjen e rëndë ekonomike të personazheve të rëna, dëshirat dhe ëndrrat e tyre mes mjediseve të varfra ku gëlon inflacioni e prostitucioni që çojnë gjer në vdekjen e njerëzve nga sëmundjet, uria e vuajtjet.

Nga ana tjetër kemi personazhe të shoqërisë së lartë austriake që jetojnë mes të mirave materiale, por me trauma shpirtërore e me dhimbje të shkaktuara nga padrejtësitë dhe situata e tendosur socio-politike që po rrënonte gjithçka. Siç shprehet Mario De Micheli, kritiku italian i artit: “Njeriu kurrë s’ka qenë më i vogël dhe s’i ka munguar kaq shumë gëzimi dhe liria, andaj ai ulëret dhe s’është i qetë, kjo është britmë ankthi e kohës sonë që thërret shpirtin: është ekspresionizëm.”

Realiteti i dhimbshëm që pasqyrohet përmes pendës së Zvajgut përqendrohet te faktorët etik e moral që janë përcaktuesit e transformimit dhe ndryshimit të gjendjes që kishte pllakosur. Zvajgu e kishte mik të mirë Frojdin dhe u ndikua nga ai. Analiza psikologjike që ua bën personazheve, gjurmimet në të brendshmen e tyre mes vrullit të mendimeve dhe dilemave, e bëjnë Zvajgun autor tepër të lexuar. Me idenë se duke përsosur etikën dhe moralin shoqëria do të bëhet një e tërë dhe do të transformohet, Zvajgu del autor tipik utopist.

Kur plasi Lufta II Botërore të gjitha iluzionet e tij u shembën, ky shpirt delikat s’mundi assesi ta marrë veten nga katrahura shoqërore që mbretëronte. Qoftë përmes novelave të jashtëzakonshme Novela e shahut, Amoku, Një natë fantastike, Letra e një të panjohure, Rrugica nën dritën e hënës, etj, qoftë përmes romaneve, Zvajgu, është i aftë të krijojë personazhe komplekse që bartin idetë e tij, depërtimin në thellësi të brendësisë së njeriut dhe zbulimin e enigmave psikologjike.

Si ithtar i dijes, i muzikës së bukur e i ndjenjave fine që sjell arti, dhe si kundërshtar i zjarrtë i gjërave të pavlera dhe kotësisë njerëzore, ai nuk mundi t’i përshtatet një bote të mbushur me terror dhe luftë ku nuk kishte siguri për asgjë. Zvajg iku për të ngelur një nga mendjet më brilante të shekullit të 20-të dhe njëri nga utopistët e mëdhenj që u përpoq të krijojë një botë pa kufij ku mbizotërojnë dashuria dhe paqja.

Fjala.al

Të fundit

Rama me bluzën e Forcave të Armatosura: Nesër prezantojmë nismën për ‘Shqipërinë 2030’

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto në rrjetet sociale ku lajmëron se nesër në orën 10:00  do të...

Momentet e fundit të Alma Arrazit, çfarë i tha kunatës pasi piu kafe me të?!

Prokuroria e Shkodrës në një njoftim zyrtar ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin Erdgys Arrazit, i cili është vënë në pranga për shkaktim...

J.Lo sjell tendencën e thonjve që duhet ta provosh patjetër

Edhe pse Jennifer Lopez ishte veshur yll, këtë radhë vëmendja është tek thonjtë e saj! Pas kapërcimit të stinëve, nga e kuqja e ndezur...

Destinacioni i turistëve, Gramshi çel sezonin turistik! Qytetarët festë me këngë e valle

Bashkia e Gramshit çel sezonin turistik. Këngë, valle dhe gatime tradicionale janë organizuar në Liqenin e Dushkut, ku mijëra qytetarë kanë ardhur me familjen...

Orari më i mirë për të konsumuar darkën

Lufta për të mbajtur një peshë të shëndetshme rritet me moshën, pasi metabolizmi ynë ngadalësohet dhe gjërat duket se nuk funksionojnë si më parë....

Lajme të tjera

Web TV