Burrat që kanë frikë nga ngjyrat e ylberit

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

LGBT huazoi ylberin dhe ngjyrat e tij për ta përdorur si simbol të diversitetit seksual. Tanimë, çdokush prej heteroseksualëve, ka drojë të ngatërrojë dy-tri ngjyra bashkë, ashtu si në paletën e piktorit, nga frika se e marrin për një homoseksual safi. Dhe ylberi duhet harruar me gjithë të mirat që i ka sjellë botës, duke e bërë të mahnitshme pamjen pas shiut.

Ylberin e përdorën si element skenik grupi legjendar i hard rock-ut “Deep Purple” në një koncert gjigant të vitit 1974, në Los Anxhelos, e ku një vokalist si Dejvid Koverdell këndonte nën shoqërinë e kitaristit legjendë Riçi Bllejkmur. Ndërkohë dhe një grup tjetër hard rock-u mban emrin “Rainbow”, pra “Ylber”, ku këtë herë po nën tingujt magjik të Riçi Bllejkmur këndon një nga vokalistët më me ndikim në botën e metaleve të rënda: Roni Xhejms Dio.

Tanimë burrat që adhurojnë metalet e rënda as që guxojnë të shohin në “youtube” ndonjë nga këto koncerte, sepse një veprim i tillë i padit e i nxjerr lakuriq në sy të botës, dhe nuk është çudi që paskëtaj të dëgjojnë llafe poshtë e përpjetë: E vllajo, e paske kapërcy ene ti ylberin m’duket?

Hall i madh kjo punë. Shpesh, ngaqë nuk dimë nga t’i japim, flasim çapraz: Epo… punët e Zotit.

Ç’është e vërteta, Perëndia kur e bëri zorrën e trashë e bëri për shkarkim dhe jo për ngarkim. Nuk di a shpjegohem qartë për këtë proces. Nëse biem dakord që qenia e vetme e përsosur në këtë univers, – të cilin nuk jemi në gjendje ta zbërthejmë dot, – është Zoti, atëherë duhet të besojmë se Ai bëri një punë të shkëlqyer me njeriun. Çdo gjë e vuri në vendin e vet dhe i gjithë organizmi punon në perfeksion. Mbi të gjitha bëri mashkullin, Adamin demek, dhe femrën, domethënë Evën.

Nëse na është mbushur mendja dhe themi se në organizmin njerëzor punët nuk shkuan dhe aq mirë, ndaj ka çedime, duhet të besojmë se njeriu u prodhua nga një punë amatore, fjala vjen: nga ekipi i alienëve që quheshin Anunakë, e që ka zbritur në këtë truall nja 450 milion vite më parë. Të paktën kështu ka deklaruar Zecharia Sitchin që pretendoi se kishte deshifruar pllakat sumere ku ndodhej e koduar historia e planetit Tokë.

LGBT-ja që tani i ka shkuar emri aq gjatë sa nuk ia themi dot, – LGBTQI – ka ekzistuar gjithmonë, në Romën e lashtë e Stambollin mesjetar që dikur quhej Kostandinopojë. Jo me këto iniciale sigurisht. Pra, nuk është ndonjë fenomen i ri. Por sot ajo po na paraqitet si platformë. Madje e mbështetur fuqimisht dhe me para. Pra, po e mbështesin njerëz që nuk dinë sa para kanë madje nuk dinë as ku t’i investojnë, ndaj në vend që të ndërtojnë ndonjë spital, azil a strehë vorfnore, i japin zë kauzës së shoqatave gay. Dhe për para njerëzit çfarë s’bëjnë.

Dikur tregohej si anektodë që djali i një sheiku me studime në Londër i shkruan të atit: Baba më vjen turp nga shokët, të gjithë vijnë në shkollë me tren, vetëm unë me limuzinë. Babai mbeti ngushtë dhe për ta bërë të birin të ndihej mirë e të barabartë me të tjerët…. i bleu një tren.

Për analogji, një miliarderi i ka dalë djali gay. Që të mos e bullojnë dhe as ta shtrojnë me dru shokët e vet, babai po investon fort që në botë të ketë së më shumë gay. Kjo do ta bëjë djalin e tij të ndihet më mirë. Tek e fundit nuk është i vetëm. Ka shokë boll.

Madje po punohet aq fort nga Organizata Jo Fitimprurëse, por dhe nga njerëz që mbajnë kostumin e diplomatit, e kanë ndikim në sallonet e politikbërjes, saqë djali-gay sot ndihet superior pasi “të rënit të dajres” tek e fundit është kthyer në trendy.

Ushtria e gay-ve po shtrëngon radhët. Paradat e dikurshme ushtarake, me hap rreshtor e pushkën krahut, tani janë zëvendësuar me paradat ku tunden flamujt me ngjyrat e ylberit dhe tullumbace gjithashtu. Imagjinoni kur të plasë lufta me plumba prej vërteti dhe të të djegë bytha nga baroti. Djemve që hipin nëpër biçikleta, herë më shalë e herë drejt e mbi tub, do t’u kërkohet të hipin nëpër tanke, ku në dorë do u duhet të mbajnë një automatik, e në brez nja 4-5 granata ofensive…

Nejse, nuk është për të thënë… se bota ka njohur dhe komandantë ushtrie homoseksualë.

Kjo frymë erdhi dhe në Shqipëri ku burrat mbajnë mustaqe, pinë duhan të rëndë me të dredhur dhe nuk parfumosen me “dolce & gabbana”. Dhe burrat në këto vise kanë qenë të gatshëm të të vrisnin ditën për diell për një vështrim të shtrembër. Mirëpo shoqata e LGBT-së këto zakone anakronike të shqiptarëve ka marrë përsipër t’i kthejë në modernitet. Ndaj meshkujt sot jo vetëm parfumosen, por dhe depilohen nga koka tek këmbët, e s’u ka mbetur më një qime në trup.

Lexo edhe :  Tortura e koincidencave

Kauza e LGBT-së për ta bërë botën si vetja, edhe pse fillimisht u duk me nota plot humor, tanimë po bëhet e frikshme. Ajo nuk po njeh kufij. Njëlloj si trupat e vandalëve që shkatërruan Evropën, si ato të mongolëve të Xhenghis Khanit, si osmanët, apo si trupat e Vermahtit. Tentakulat e tyre janë përhapur shumë, dhe për çudi në ndihmë u vijnë ca ambasadorë, vendet e të cilëve i kemi pasur zili. Epo mirëqenia i ka këto, se kur s’ke ç’bën më në këtë botë, o do tundësh derën, ose do t’i “biesh dajres”.

Iniciativa e fundit për të ndërhyrë në kodin e familjes, me qëllim që të heqin nga fjalori fjalën “nënë” dhe “baba” dhe për t’i zëvendësuar ato me “Prindi 1” dhe “Prindi 2” është dhe më e stërholluar. Përveç faktit se LGBT si fitoi ca të drejta për njohje, kaloi në një plan të dytë, te kërkesa për martesë, pastaj kërkesa për birësim fëmijësh. Pastaj me mbarsje që kalojnë nga njëri bark në barkun tjetër… e vari trapin kësaj pune. Dhe tani doli teoria e re. Po punon platforma. Mos ju duket si teori konspirative.

Prisni se s’keni parë gjë akoma…

Ata e kanë nisur seriozisht punën. Pak nga pak e çdo ditë, si ajo pika e ujit që të gërryen në çdo sekondë. Për shembull: A ka sens që psikologët nëpër ca shkolla nisën të pyesin fëmijët: si ndihesh, si djalë apo vajzë? Po ti moj psikoloqe… ende nuk e di se djalë a vajzë del nga materniteti, dhe kjo s’ka të bëjë me qejfin tënd dhe as me pyetësorin prej idjoteje. Mirëpo ja që një takëm i tillë shoqatash e ka futur hundën deri këtu.

Nëpër faqet e librave të shkollës fillore nisën të shkruheshin mbi modelet ku kërkohej të humbiste gjinia…

Kujt i shërben kjo???

Shoqatës, e kujt tjetër?! Se nënës dhe babait jo një herë. Ata i kanë çuar fëmijët në shkolla të mësojnë e të ndriçohen, e jo të futen në ankthin seksual, për diçka që as e dinë që ekziston dhe as e dinë si funksionon.

“Vajza daneze” apo “The Danish Girl”, është një film biografik i vitit 2015 me regji të Tom Hooper, bazuar në romanin me të njëjtin emër shkruar nga David Ebershoff. Vepra e botuar në vitin 2000 është frymëzuar nga jeta e piktorëve danezë Lili Elbe dhe Gerda Wegener. Ai na çuditi me historinë e tij: Një piktor i talentuar, i cili në luhatjet mes dy identiteteve, të qenit mashkull dhe femër, preferoi të bënte këtë të fundit. Madje iu nënshtrua dhe një operacioni fatkeq, për të ndërruar organin seksual. Ishte rasti i  parë në botë ku u tentua të bëhej ky lloj operacioni. Nuk ia doli dot, por të paktën vdiq e lumtur si një femër. “Vajza” prej Danimarke e mbaroi misionin. Tani fuqinë e ka marrë Holanda.

Homoseksualiteti trajtohej si një sëmundje mendore. Psikiatrit, pas përplasjeve të shumta, kanë rënë dakord prej vitesh që homoseksualiteti nuk është një sëmundje. Madje nuk kërkon as terapi. Ec e ta marrësh vesh. Por në një shkrim të tillë, nuk ka vend të merremi as me zbërthimin e Frojdit e as të Fromit.

Ne që e jetuam një pjesë të jetës nën regjimin komunist, ku homoseksualiteti dënohej me ligj, e dinim që Shqipëria jonë, shkëmb graniti, ishte një vend pa homoseksualë.  Homoleksualiteti ishte një veprimtari që u përkiste vendeve të degjeneruara borgjezo-revizioniste, por ajo nuk kishte vend për moralin komunist.

Në kapërcyellin e sistemeve rezultoi e kundërta. Edhe në Shqipëri kishte homoseksualë sa të doje. Madje ca e ca e kishin mësuar këtë zanat nga vendet e lindjes, pjesë e Kampit Socialist, ku kishin shkuar për studime. Por kishte dhe nga ata që s’e kishin kapërcyer kurrë kufirin e që gjithashtu ishin homoseksualë. Gjithsesi ia gjetëm anën. Ia vumë fajin mbetjeve osmane apo si një kulturë që na vinte nga Azia e vogël pushtuese.

Në fakt nuk ishin vetëm osmanët, se edhe Roma e lashte kishte homoseksualizëm të shfrenuar. Madje tregohet si legjendë se për shkak të orgjive pa fund që bëheshin në qytetin e Pompeit, Zoti u lëshoi Vezuvin e i zhduku nga faqja e dheut me kuç e me maç.

Tanimë, nuk e dimë se si do të shfaqet ndëshkimi i radhës. Por dhe nëse nuk do të ketë një ndëshkim të dukshëm, raca njerëzore është e ndëshkuar tashmë.

Shoqatat gay kanë fituar goxha të drejta vitet e fundit. Mirëpo fjala se oreksi ardhka duke ngrënë, nuk është pa gjë. Dhe këto shoqata po vazhdojnë të kërkojnë gjithnjë e më tepër. Hungaria ua preu rrugën, u tha stop: adoptimit të fëmijëve nga çiftet gay dhe u preu rrugën materialeve rreth homoseksualitetit nëpër shkolla. Tek e fundit, kavardisuni me ato që keni fituar… që të mos mbeteni fare pa gjë.


Të fundit


Urdhri i Biden/ Kim shpjegon planin amerikan kundër korrupsionit dhe trafiqeve

Ambasadorja e SHBA-së Yuri      Kim ka komentuar urdhrin e Biden se kush cënon stabilitetin do i sekuestrohet pasuria dhe do shpallen “non grata”....

Horoskopi ditor, 17 qershor 2021

Dashi Gjatë kësaj dite mund t’ju vijnë surpriza mjaft të këndshme. Madje, ato mund t’ju ndryshojnë edhe kursin e jetë. Ata që kanë ndërmend të...

Lajme të tjera

Web TV