Kur “Epitafi” i sotëm e ngjall emocionin e zejes edhe pas gjashtë shekujsh

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

E panjohur. E thjeshtë. E urtë. E beftë. E talentuar. Tejet… Grishëse. Kjo është pak a shumë karakteristika e Egla Memaj, një grua e re, me një talent të rrallë artistik. Duke përzierë teknikat, ku shquhet qëndisja artistike dhe tejet cilësore me dorë dhe pastaj trajtuar mbi kanavacë të sjella me ngjyra monokron, ajo na jep një motiv historik religjioni përmes një arti të veçantë. E rrallë sesi mund të krijosh vetëm me qëndisje, relieve me motive të “Epitafit të Gllavenicës”, njërës prej kryeveprave të artit tonë mesjetar. Me pak fjalë, Krishti, apostujt, Eprorët e Ungjijve të punuara me mrekullinë e qëndisjes me dorë.
E veçanta e artistëve që kërkojnë përsosmërinë shkon pikërisht tek zbërthimi i një teme, pas të cilës nis edhe sfida e elementëve artistikë. Kjo grua vendosi t’i kushtohet trashëgimisë kombëtare dhe caku që zgjodhi është i veçantë. Nga Epitafi i Gllavenicës, duart e Eglës kanë sjellë plot 27 tablo, e kështu në të tre sallat e FAB është përhapur figura qendrore e Krishtit dhe pastaj simbolikat e të gjithë ato punëve, që dikur Gjergj Araniti njeriut që i dedikohet bërja e kësaj kryevepre, punoi për Shën Mërinë, Engjëjt vajtues, Joan Teologu, Profetët, Katër Ungjillorët dhe plot figurina e rozeta. Ajo që e identifikon teknikën e punës së saj, më së shumti, me historinë e kësaj teknike lidhet me punimet artistike shtëpiake për kumte dhe simbolika festimesh. Ishte momenti i vetëm ku bajraqet, fiset, familjet dhe grupime të tjera përshfaqnin mrekullinë e talentit por edhe identitetin, të cilin duhej ta identifikonin qartë. Kjo lloj zejtarie që po humbet përditë e nga pak merret për dore nga Egla dhe i përcillet e gjallë para syve vizitorit edhe kur mitet, eposi është arkivuar dhe legjendat e njerëzve që mbathnin dikur veshje të qëndisura, sot kanë humbur e hasen vetëm në ndonjë shfletim shkarazi të ndonjë letrari. Por artistja jonë, që këtë fundjavë (17 Prill) e mbyll ekspozitën, ka shpërfaqur një gjë të paarritshme nga cilido, gërshetimin e artit më epëror të zanatçinjve të dikurit në këtë hapësirë dhe mbi të gjitha përkundjen e ëndrrës familjare, që përcillej nga të vjetërit tek të rinjtë për punën. Ashtu si Araniti me njerëzit e tij, kur bëri Epitafin, ia fali kohërave.
Nëse do ta shikosh epitafin në një madhësi mbi natyralen e Muzeut, ku ruhet prej kohësh, Egla Memaj të propozon zgjidhjen e saj që ka bërë me zbërthimin e figurave të saj nga vetë Krishti tek apostujt, por edhe për detajet që etnografët i hulumtojnë sot me shumë kujdes. Ndërsa…” Në ekspozitën e saj të parë personale “Psalm”, ajo përcolli me kërshëri për publikun një dashuri të harruar, atë për qëndistarinë, përthyer mbi subjekte të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore shqiptare. Ishin aty dragonjtë, shqiponjat dykrenore mbretërore, fronëzimet apo motivet tradicionale të zogjve e luleve. E ripropozuar në një format të ri, sa bashkëkohor, aq dhe tradicional, ajo ishte një eksperiencë e vyer vizive, si për ithtarët e fillit prej ari a argjendi, edhe për ata adhurues të shtresëzimit kulturor vendas mes motive pagane, fetare apo patriotike. Në ekspozitën e saj të dytë personale, Egla ruan të njëjtën formulë, porse subjekti i përzgjedhur është vetëm një: “Epitafi i Gllavenicës”, shkruan kuratori Ermir Hoxha.

Lexo edhe :  Ja se si mund të praktikoni stërvitjen e trurit

Si Egla u kujtoi shqiptarëve se kanë një kryevepër Mbi Epitafin e Gllavenicës

Për ata që e kanë harruar duhet të kujtohen se Epitafi është gjithnjë atje, mu në qendër të qytetit. Epitafi i Gllavenicës është realizuar në vitin 1373 dhe gjendet në Muzeun Kombëtar. Duke ndarë detaje dhe figurina kemi këtë ekspozitë. Epitafi, i gjendur në bazilikën e Shën Mërisë në Ballsh, paraqet figurën e Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf dhe rrethuar nga shenjtorë, serafinë e engjëj. Me përmasa 212 X 114 cm, në këtë “ikonë të qëndisur” me fije tekstile dallohen katër ngjyra bazë: e kuqe, blu, jeshile dhe e verdhë, të shoqëruara me nuancat përkatëse. Epitafi është një nga objektet më të rëndësishme që trashëgon Shqipëria nga Mesjeta; një brilant historie e teknologjie. Ai është konceptuar si një pikturë, duke përdorur të gjithë elementët e saj; ka një larmi ngjyrash, dritëhije, madje dhe një pikë imagjinare drite, e cila e ndriçon gjithë epitafin dhe i jep atij një vezullim gati qiellor. Mbi të është shkruar: “U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëm Kalisit të Glavenicës dhe Beratit në muajin mars 22, viti 6881 (1373). Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërinjve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Ballshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arëqëndisësit”, shkruhet në literaturë. Kurse vetë Egla e shpjegon më përmbledhtas punën e saj: “Punimet e thjeshta artizanale, me grep apo shtiza, në formë thurjeje apo qepjeje, i kam mësuar që në fëmijërinë e hershme, pranë nënës dhe gjyshes sime. Si shumë fëmijë, nisa fillimisht të qep veshjet për kukullat e mia, por ndërsa rritesha, teksa zhvilloja pasionin për pikturën e vizatimin, paralelisht u përfshiva gjithnjë e më tepër në botën e endjes. Me hyrjen në liceun artistik ku studiova Pikturë e Stilim, nisa të krijoja veshje me material tekstili tradicional, apo ato të riciklueshme, me format më bashkëkohor. Me këtë prirje do të eksperimentoja më profesionalisht në studimet në Universitetin e Arteve, në atelierin e Tekstilit dhe Modës, ku punoja mulazhe, skica, teknika të prerjes dhe qepjes, tezgjahut, apo printime mbi copa, shpesh duke huazuar kultura të ndryshme, ripërcjellë me një dizanj të personalizuar bashkëkohor”.

Nëse ngjyra e arit të fillit, që i ka krijuar këto figurina, nuk do të kishte këtë saktësi milimetrike dhe qartësi, si në unët e Eglës, atëherë do të mjaftoheshim vetëm me fjalët shabllone por Egla na tregoi se mbi të ka më shumë se art. Ka thirrjen e një zeje arti, që vendosi kulme në etnografinë tonë dhe diferencoi identitetin tonë, falë kësaj teknike përcjellë në veshje dhe qëndistari. Mbase vetëm kjo do të mjaftonte, që kësaj gruaje të re t’i jepej shumë më tepër mundësi për të përshfaqur artin e saj…Ajo vetë ruhet nga zhurma sepse i tillë është arti i saj i përkorë.

Të fundit

Cila ishte këshilla që Donald Veshaj i dha Romeos para se të futej në Big Brother Vip?!

Sot ishte episodi i fundit i emisionit më të dashur nga banorët e shtëpisë më të famshme në Shqipëri,...

Shqipëria dhe Greqia nuk flasin hapur për thelbin e krizës mes tyre

Nga Mero Baze E vërteta është se raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në krizë, por të dy palët nuk i referohen thelbit të kësaj...

‘Ethet e Shqipërisë Turistike’: Tirana destinacioni i tretë pas Myhihut dhe Tokios


Duket se “Ethet e Shqipërisë Turistike” nuk janë më as një version i  filmit të famshëm të Travoltës. Sipas të gjitha statistikave kjo tendencë...

Google Maps zbulon përditësimin më të fundit

Google Maps ka prezantuar një funksion të ri që e thjeshtëson navigimin, funksionin “You”. Siç raportohet, “You” është vendi ku gjenden ndryshimet më të rëndësishme,...

Turizëm në katër stinë/ Pushimet jo vetëm në verë, si ka ndryshuar trendi në Shqipëri

Jo vetëm turistët po e preferojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit por edhe vetë shqiptarët kanë ndryshuar mënyrën e planifikimit të pushimeve, më të shkurtra...

Lajme të tjera

Web TV