Relacioni i Sigurimit: “Gjet Kadeli tha se për shpirt, Enverin dhe Mehmetin i vriste”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga DASHNOR KALOÇI

 

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar, nëpërmjet disa dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë edhe të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat janë pjesë e një dosje voluminoze (dosje formulare hetuesie dhe gjyqësore), në ngarkim të ish-të dënuarit politik Gjet Kadeli, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës, (ku babai i tij Pjetër Kadeli, bashkë me djalin e madh Gjonin, në vitin 1951, ishin arratisur nga Shqipëria duke dalë në Jugosllavi e më pas në SHBA-ës), u njohëm me përgjimet e Sigurimit të Shtetit, gjatë kohës që Gjeta vuante dënimin në burgun e Burrelit.

 

 

 

 

 

 

 

Në ato biseda të përgjuara nga bashkëpunëtori i Sigurimit me pseudonimin “Shkëmbi”, Gjetës dhe disa bashkëvuajtësve të tij, si: Spartak Ngjela, Abdulla Sallaku, Daut Gumeni, Kapllan Resuli, Luan Burimi, Skënder Shatku, Bepi Konomi, etj., ata flisnin e “villnin vrer”, kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, etj.

Por, duke iu referuar gjithnjë dokumenteve arkivore të dosjes voluminoze në fjalë, pakënaqësitë kundër regjimit komunist dhe bisedat me karakter politik, Gjeta i kishte filluar që në vitin 1957’58, kur ai ende nuk ishte arrestuar dhe ndaj tij u hap dosja e ndjekjes dhe survejtimit nga ana e Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, (me kryetar Dhosi Pecanin), gjë e cila do të vazhdonte për 35 vite me rradhë, deri në janarin e 1991-it, (duke angazhuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit), kur po binte regjimi komunist në fuqi dhe dosja ndaj tij, u arshivua njëherë e përgjithmonë. Në këtë pjesë të dytë të shkrimi, do njihemi me dokumentet e Sigurimit të Shtetit për ndjekjen e survejimin ndaj Gjet Kadelit (vuajti 17 vite, në burgjet e Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia), që i përkasin vitit 1972, pak muaj para arrestimit të tij, të cilat po publikojmë sot ekskluzivisht për gazetën FJALA.

      Vijon nga numri i kaluar

RAPORT-INFORMACIONI SEKRET I PUNËTORIT OPERATIV, HARRILLA KOLA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT, ME PSEUDONIMIN “ÇESMA E TROJËS”, LIDHUR ME NDJEKJEN E SURVEJIMIN E GJET KADELIT DHE BISEDAT E TIJ ME PERSONA TË NDRYSHËM

 

Marë P.Op. Harrilla Kola

 Dhënë B.P. “Çesma e Trojës”

 Raporti i datës 10.VI.1972

Ai, në takimin që pati ku qe prezent Kryetari Degës, Shefi i Seksionit, Thanas Toto dhe P. Op. Harilla Kola, lidhur mbi të dhënën për terror, që Gjeta kishte shprehur për kundër Udhëheqjes së Partisë, shpjegoi si vijon: Duke biseduar me Gjetën, pasi shprehu pakënaqësitë tha se; po të nisem me vra Enver Hoxhën, nuk kam me i tregue kujt.

Kjo shprehje, erdhi si rezultat i pakënaqësive që ka Gjeta dhe mos besimin e tij, te persona të ndryshëm, që sipas tij, nuk duhet t’iu besojë se, denoncojnë në organet e Sigurimit të Shtetit. Nga kjo shprehje, unë kuptova se Gjeta, bluan mendime për terror dhe po të gjej momentin e përshtatshëm, nga sa e kam kuptuar unë, ai e kryen.                                                                                                                                

             “Çesma e Trojës”                                 

                                P.Op. Harrilla Kola

RAPORT-INFORMACIONI SEKRET I PUNËTORIT OPERATIV, HARRILLA KOLA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT, ME PSEUDONIMIN “MBREHIJA”, LIDHUR ME NDJEKJEN E SURVEJIMIN E GJET KADELIT DHE BISEDAT E TIJ ME PERSONA TË NDRYSHËM

                                                                                                      Marrë: P.Op. Thanas Toto

                                                                                                      Dhënë: B.p. “Mbrehija”

                Raport i datës 13/6/1972

Ai raporton se; më datën 11/6/1972, është takuar me Gjet Kadelin, takimin e kanë bërë në Kinema Mamurras, pasi u përshëndetën, ai e pyeti Gjetën se; si i ke nga familja dhe ku je me punë tani. Gjeta tha se; kam qenë ca kohë me punë marangoz në Mirditë por, më nxorën prej andej sepse, nuk kisha dokumenta dhe tani jam pa punë, e sa për në kooperativë, unë nuk punoj më sepse, nuk më del hesapi, nuk ka fitesë, tani tha Gjeta, mua nuk më ka ngelë rrugë tjetër, vetëm të shkoj në Amerikë, sepse kështu, unë nuk mund të jetoj më, këtu tha ai.

Gjeta e kishte fjalën për arratisje, sepse, ndryshe nuk ka se si shkon, në biseda ai, i thotë Gjetës se; ti duhet të punosh në kooperativë e mos fol kështu.

Gjeta përsëri tha se; vendi i jem, është Amerika e jo kooperativa, në këtë kohë, Gjeta tha se dhe në Laç, janë arratisur 3 vetë, ku njëri nga këta, kishte qenë me biografi të mirë dhe kishte bërë ushtrinë në kufi Ersekë, kurse njëri, e kishte babën të arratisur në Australi, këta tha Gjeta, u nisën me makinë prej këndej dhe në orën 10 të natës, u arratisën për në Greqi, më gjatë, nuk u bisedua me Gjetën sepse, këtu erdhi dhe një person tjetër.

Ai thotë se; Gjeta mban në xhep një thikë e cila, është me dy presa dhe e madhe që, nuk lejohet të mbahet.

Po kështu, ai thotë se; Gjeta mban lidhje të ngushta me Kin Bashën nga Mamurrasi i cili, ka babën të arratisur jashtë shtetit dhe vetë, ka qenë i internuar për disa kohë, sot Kini punon bojaxhi në Komunalen e Laçit, bashkë me Kinin, para tre javësh, Gjeta ka qenë në Lushnje, se, përse kanë shkuar, ai nuk ka mundur të mësojë më shumë.

                                   “Mbrehija”

Detyra:

  1. Takohu me Gjet Kadelin dhe në biseda me të, bisedoni prap rreth punës se, a u vendos gjëkundi, sepse më the se; në kooperativë nuk punoj dhe vendi i jem, është Amerika, këtë unë, Gjeta nuk di pse ma the, apo don me ja bë si ata të tre nga Laçi, unë them; Gjet, duhet t’i shtrohesh punës, se ti e di si jemi ne, dhe nuk na përkrah njeri.

Vlerësimi i të dhënës:

E dhënë e këtij B.p., ka vlerë operative, kjo për vetë faktin sepse, Gjeta duke qenë në pozita armiqësore, nuk don të punojë në kooperativë bujqësore, duke thënë se; këtu nuk ka fitesë dhe vendi im, është Amerika, pra këtu del se ka dhe qëllim për t’u arratisur.

                                     Punëtori Operativ

                                       Thanas Toto

RAPORT-INFORMACIONI SEKRET I PUNËTORIT OPERATIV, HARRILLA KOLA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT, ME PSEUDONIMIN “ÇESMA E TROJËS”, LIDHUR ME NDJEKJEN E SURVEJIMIN E GJET KADELIT DHE BISEDAT E TIJ ME DISA SHOKË KUR ISHTE NË ZBORIN USHTARAK NË QYTETIN E LAÇIT

Marë P.Op. Harrilla Kola

                                                                                                 Dhënë B.P. “Çesma e Trojës”

                  Raporti i datës 17.6.1972

Ai njofton se, në një bisedë që pati me Gjet Kadelin, me datën 17.6.1972, kur po prisnin në repart për fillimin e zborit ushtarak, që ishin thirrur nga reparti në Laç. Ai i dha gazetën e datës 6 qershor që, flitet për vizitën e Titos në Bashkimin Sovjetik. Pasi Gjeta e lexoi, ai i thotë se; pak shkruan gazeta. Gjeta thotë se; këtyre nuk u leverdis.

Ai i thotë; sikur Bashkimi Sovjetik, ka dashur t’i bjerë Jugosllavisë dhe Rumanisë, dhe Titua shkon për vizitë në Bashkimin Sovjetik. Po, thotë Gjeta, këtu ka një arsye nga njëri ose nga tjetri, dihet që shkojnë keq por, në fakt, janë të dy revizionistë.

Te ne, thotë Gjeta, bëhen shumë poshtërsi të mëdha, bëhen spiunlliqe, ai që spiunon i ka të gjitha poshtërsitë se, edhe qeveria nuk ka besim te ata, sa të mbarojnë punë dhe pastaj i fut shkelmin se, nesër ose pas nesër, bënë edhe këtë punë për dikënd tjetër, që kështu, nuk ka besim kush.

Ai i thotë se; unë të dua sikur të kisha vëlla, se je i vendosur. Gjeta përgjigjet, i vendosur, jo të bijë Titon këtu se, ai është 80 vjeç dhe as pasardhësit e tij, por lëvdatën personale e kam, sikur të vras kryeministrin dhe udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, të vihem unë në këmbë të tyre dhe jo tjetër. Ai i thotë; të kam thënë të ruhesh nga muhabetet, mos fol me çdo njeri dhe ato që flasim bashkë, se më the dhe atë ditë te shtëpia se, sikur të vras udhëheqësin kryesor të Partisë, nuk kam me i tregue askujt, sikur të kem edhe vëlla.

Ai i thotë në vazhdim të bisedës se; udhëheqësi kryesor i partisë nuk bënë vizita të shpeshta. Gjeta thotë se, nuk e lënë, e ruajnë shumë, ka 30 vjet që drejton dhe ka mbetur sikur e çliroi ai, gjermani iku në fakt, ngaqë i ra Bashkimi Sovjetik dhe shtete të tjera. Ai i thotë se; edhe tanët kanë luftuar dhe sot Shqipëria, është e mbrojtur. Gjeta thotë; po, por të gjitha shpenzimet, në pjesën më të madhe, jepen e bëhen për ushtrinë, por në realitet, nuk është nisur kush me i ra Shqipërisë.

Këta, kanë punuar me agjentë dhe i kanë zhdukur të brendshmit. Neve jemi shtet i vogël, jo që nuk luftojmë por, gjithmonë i madhi e mbyt të voglin. Pastaj Gjeta thotë; mos kanë vënë ndonjë magnetofon këtu afër, se na morën në qafë.

Ai i thotë; nuk ma merr mendja, të kenë të tilla mjete. Gjeta, në vazhdim të bisedës thotë; për shpirt, udhëheqësin e partisë dhe kryeministrin, qysh nesër i vras, nuk i lë të gjallë dhe të drejtojë unë në vend të tyre.

Lexo edhe :  6 maj 1937 “Hindenburg”, shpërthimi i anijes ajrore që vrau 35 pasagjerë

Ai i thotë se; këtë lëvdatë nuk e kuptoj. Gjeta thotë se; po të them për ndonjë tjetër që të udhëheqë, këta të fusin në burg, kurse për lëvdatën personale, nuk kanë se çfarë të bëjnë. Unë, nuk bisedoj me dy persona e lartë. se kështu merr veten më qafë. Ai thotë se; si bëje punën e dollarëve me atë plakën në Tiranë.

Gjeta thotë se; ajo kishte miq edhe në Korçë, etj., dhe nëpërmjet saj, duke këmbyer dollar, fitoja dhe duke pasur lidhje me këtë plakën, unë luajsha pjesën. Ai i thotë se; nuk ka shkuar gjatë kjo punë se, do kisha bërë qef me pare. Gjeta thotë; nuk kanë qenë pare me djersë se, po të ishin me djersë, nuk i shpenzoja vend e pa vend.

                    “Çesma e Trojës”

Detyra:

  1. Qëndroi afër Gjetës dhe gjatë bisedave me të, me takt, i thuaj, të heqë mendimin që ka ai për terror kundër udhëheqjes së partisë dhe të shtetit, se në fund të fundit, do ta paguaj me kokë, një veprim të tillë. Qëndroi afër, mbaj në kontroll çdo lëvizje të tij dhe na sinjalizo menjëherë, për raste kur ke mendim ose konstaton ti, që do largohet nga rrethi i Krujës, për në qytete të tjera. Verifiko nëse ka armë.

Vlerësimi i informatës:

Informata është shumë e rëndësishme, për arsye se, Gjet Kadeli, bluan mendime për të bërë terror kundër udhëheqjes së partisë dhe të shtetit. Kjo, nxjerr detyrën për shpejtimin e punës dhe goditjen e tij.

Masat Operative:

Të gërshetohet shpejtë, shiriti i T.O., kombinacion i përplasjes së Gjet Kadelit me ““Çesma e Trojës” dhe të konkludohet për propozimin, për goditjen e Gjetës. Të vihet në dijeni menjëherë Udhëheqja e Degës, për të dhënën në këtë raport. Meqenëse, Drejtoria e II-të është njoftuar më parë për mendimin e Gjetës për terror, mendojmë nuk është nevoja ta ri njoftojmë.

DOKUMENTI SEKRET I MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRETHIT TË KRUJËS, DHOSI PECANI, PËR PËRGJIMIN ME TEKNIKË OPERATIVE, TË BISEDËS SË BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT, ME GJET KADELIN

REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË                                        “SEKRET”

 

MINISTRIA PUNËVE TË BRENDSHME

 

DEGA P. BRENDSHME TË RRETHIT

               

KRYETARI DEGËS P. BRENDSHME

   

      (Dhosi Pecani)

              LEGJENDA: O – Objekti

                        B – B.p.

                                              Datë 20/6/1972

                    Kontrollon S. Resulaj

                   I N F O R M A C I O N

Kontrolli filloi në orën 9 datë 20/6/1972 dhe mbaroi ora 12 datë 20/6/1972. Pasi kanë ardhur bashkë në vendin ku është vendosur kamuflazhi, zhvillohet kjo bisedë, midis objektit dhe bashkëpunëtorit, të cilën po e japim si më poshtë:

O: – Sot jena thirr nga komanda e brigadës, por sepse, nuk dihet.

B: – Ndofta për ndonjë punë.

O: – Mua m’i ha dreqi këto ditë.

B: – Po edhe mua kështu.

(Objekti i tregon bashkëpunëtorit, disa gjera në lidhje me bujqësinë, për shembull sikur atij ti linin tre dynym tokë afër shtëpisë, këtë do ta përdorte si fruti-kulturë dhe nuk do të mbillte gjë tjetër)

B: – Kur i ke bërë ato fishekët se, mua ai problem, më duket si punë budallallëqesh.

O: Kush në këtë dynja mua nuk më ka pa kur i kam bërë dhe Nikoll Lala, nuk ka ditë gjë, vetëm kur ja kam dhënë.

O: – Nikoll Lala, më ka pas thënë më parë mua, me ja bë, por nuk ka ditur gjë, kur ja kam bërë, nuk nuk ka ditur gjë me siguri matematike, unë si kam thënë.

B: – Ne kemi bërë shumë muhabete bashkë dhe të ngrihem nesër dhe të të them se, kështu më ka thënë Gjeta, ne asnjë mënyrë, kur kemi bërë muhabete bashkë, më ke thënë që, mos trego, kjo është e ulët tani. Apo s’më tregove ti punën e atij Pashkut tënd.

O: – Më ka thirr shefi i Policisë dhe i thashë, që; në mundesh me më fut, ta lumsha, edhe Thanasi, Operativi. Bë me më thanë këta mirëmëngjesi, ua kthej salutimin, duke mos e hequr veten si injorant, që në fakt nuk më takon. Zef Gjergji, ka denoncuar për mua, për një muhabet që kemi bërë.

B: – Po kam qenë edhe unë bre burrë.

O: – Po si mund ti besoj unë atij, se atje, ka ngrënë bukë Asim Aliko dhe Muharrem Pepa etj., pse, aq budalla jam unë (gomar) të flas hapur edhe sikur të thosha unë, megjithëse nuk kam thënë gjë, ai e ka pas thjeshtë, ke lëvdata personale, të kem rrugë, të kem aftësi ta rrah, se këto të gjitha janë poshtërsi.

O: – Të kem mundësi, t’i them Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, ulu poshtë se do shkojë unë në vendin tënd, kryetar qeverie, por ama, jo si kriminel, të jem i ndërgjegjshëm, unë të heq ata dhe të vë një tjetër, se ata e kanë ndërgjegjen, duke marrë parasysh lëvdatën personale. Me mujt me e bë këtë, pa e vrarë Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, nuk e lë, këtë e ka ide çdo njeri. Për atë që thua, t’i shitem dhe kadiem, i thashë atë fjalë mbaje për vete (këtu është fjala për denoncuesin Zef Gjergji), e për atë që thua ti, të kem me u bë unë komandant, ata të dy i vras dhe njoftoj ministrin e Brendshme dhe këtu s’kish nga me më kap mua ai, se kjo është lëvdatë personale e çdo njeriu, kush është ai mut që, s’do me u bë kryetar qeverie, kush është ai që, s’do me i dal zëri në botë.

B: – Ti dojshe me e qit këtë se, duheshin bërë zgjedhje.

O: – Po ç’më duhesh mua me nxjerr për tjetër, kur kjo është lëvdatë personale e çdo njeriu.

B: – E ke lidh këtë me lëvdatën personale.

O: – Ose pikërisht, të marrim një bisedë thjeshtë shoqërore, po qe se ka rryma politike për të biseduar kundër një qeverie, çfarë qeverie do të krijohet, po ç’më duhet mua, të kem nevojë unë të ndryshoj sistemi, po çfarë qeverie do të krijohet, po ç’më duhet mua, të provojë qeverinë Italiane, të kem nevojë unë të ndryshoj sistemi, dhe të jenë vetë ata, kur ta dojë qeveria të ma heqi kaptinën se, këtë fjalë nuk e them, se për shpirt, për zotin, bëhesh kalama ore, kjo është lëvdatë personale edhe kalamajtë e mi në mbrëmje, që s’kam çfarë t’u vë në mbrëmje’ jo po dua Enver Hoxhën, kjo ka vdek, kjo është lëvdatë personale që, ekziston kudo, qeveria të më rrjep, këtë s’mund ta bëj, dhe në qoftë se më pyet dëshirën, dëshira ime, nuk është që të vijë një tjetër qeveri këtu, përveç qeverisë tonë.

B: – Ti e lidh me këtë, se mos lidhesh kështu.

O: – Po me se do ta lidhësh, mos na hap naze ti.

B: – Po, po për zotin, por një gjë duhet të ketë njeriu, vendosmërinë, vendosi për së mbrapshti, për së mbrapshti.

O: – Burri nuk duhet që ta luaj bythën se, e humb edhe konsideratën karshi autoriteteve, ja marrim (nuk dëgjohet) vendimi që kam marr unë, ja ul një çik autoritetin atij, dhe për këtë, ai don me u hakmarrë, po të marrim njërën anë ai, hakmerret, ndërsa po të marrim anën tjetër, ai prap ka levërdin e vet se, thotë me mujt me e kompromentuar e kam adapt, ku ta nguli bythën, mos ta luaj më.

Ka menduar mirë qeveria për njerëzit që, merren me thash e theme, me poshtërsira dhe me detyra konkrete, e me ardhë puna e një dallge e, një rryme politike, që bëhet një far pështjellje e vogël, për herë të parë krejt spiunët, kanë për t’u vrarë avash avash, për këtë besën e zotit, kanë për t’u vrarë, se e di qeveria që, këta të hanë kokën se, ka shkuar ka denoncuar njeriun më të afërm të vet, se Enver Hoxha, ka deklaruar se gjaku është gjak e, z’bëhet ujë se, ka sa të duash që, kanë denoncuar kushëririn, vëllain ose babën, dajën ose nipin, njerëzit e gjakut të vet, të Enver Hoxhës dhe me mund (nuk dëgjohet, ka zhurmë) nuk hakmerresh vetëm me nënën, nënën e babën, ku i ka të parë e, të mbrap.

B: – Po a mund e vrasin Enver Hoxhën, këta spiunët.

O: – A të ka rënë rasti me pa ndonjë herë, këta nesër i ther fap e fap, pa u marr vesh.

B: – A jua bën atë lojë?

O: – Ajo lojë është e bërë o burrë i dheut. Për zotin, nesër me u bë një pështjellim politik, këta njerëz, zhduken të parët, sidomos ata të moshave të kaluar, që janë të kompromentuar, por agjenti, edhe agjenti gjithmonë, i fundit ka mbaruar.

Çdo agjenturë qoftë, çdo shtetit në botë, agjentit, qoftë kundërshtarin e tij, qoftë atë shtet, që e ka futur për veprimet e tijë, prej të dyve, ai ka marrë fund, prej kundërshtarit bën e e zë e rrjep, ndërsa ky që e ka fut, mbaron punët e veta dhe e jep. Kjo është e vërtetuar, po po, është e vërtetuar.

ASISTUES NË KOMBINACION          D Ë S H I F R O J

Harrilla Kola   Thanas Tota    P.O. T.P. (Sami Resulaj)

 

                                               Vijon nga numri i ardhshëm

 

Të fundit

E kemi ditur gabim! Ja sa herë duhen rimbushur shishet plastike të ujit

Shishet plastike kanë një përdorim të gjerë në vendin tonë. Nga një vëzhgim i lirë, kuptohet qartë se çdo amvisë...

E keni ditur? Ja pesë arsye përse duhet të konsumoni vezë më shpesh

Veza është një nga ushqimet më të shëndetshme për njeriun që ka pësuar një rikthim triumfues, pas pretendimeve për rolin e saj negativ në...

Këto janë shenjat më besnike dhe më të përkushtuara të zodiakut

Besnikëria mund të bazohet, përveç karakterit dhe edukimit, edhe në horoskopin e personave. Lexoni më poshtë cilat janë shenjat më të përkushtuara dhe më...

OKB miraton rezolutën për anëtarësimin e Palestinës, mes tyre Shqipëria

Misioni amerikan tha se Autoriteti Palestinez nuk i plotëson kriteret për anëtarësimin në OKB dhe se rezoluta nuk zgjidh shqetësimet e ngritura më parë...

Edi Rama si shpëtimtar I zgjedhjeve evropiane të Greqisë

Nga Mero Baze Takimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi ka marrë një vëmendje të madhe të panevojshme nga shtypi dhe politika greke,...

Lajme të tjera

Web TV