Mirënjohje tetovare për Prof. Dr. Xheladin Çeka

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga AGRON SEJAMINI

Para pak ditësh, në një nga auditorët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës, u organizua një festë e mrekullueshme me pjesëmarrjen e titullarëve të Rektoratit, Dekanatit, pedagogëve, specialistëve dhe drejtuesve të Qendrës Spitalore të Tetovës e rrethinë, studentëve e drejtuesve të institucioneve shëndetësore të qytetit. Kremtohej 15 vjetori i themelimit të këtij Fakulteti dhe si “qershia mbi tortë”, organizatorët kishin programuar përurimin e librit “Urat e bashkëpunimit” me autor Prof. Dr. Xheladin Çeka. Një biografi historike dhe luksoze, botuar në shenjë mirënjohjeje nga Rektorati i Universitetit “Fadil Sulejmani” të Tetovës, ku përshkruhet me profesionalizëm bashkëpunimi institucional dhe pedagogjik i Tiranës me Tetovën. Në gati 300 faqe, profesor Çeka, përshkruan ecurinë dinjitoze arritjet e këtij Universiteti – epiqendra e arsimimit të lartë për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Traditë e nisur me largpamësi nga Ernest Koliqi në fillimin e viteve’40….
Nëse Autori nuk do të ishte peng i thjeshtësisë dhe modestisë, mund të kishim ndër duar, një tjetër libër me detaje dhe ndodhi shumë interesante të përjetuara në plot 27 vite dashuri dhe pasion për… Tetovën. Po! Po! Dashuri dhe pasion mes vështirësive dhe sakrificave të jashtëzakonshme. Vetëm kjo ndjesi qytetarie dhe atdhetarie ua “prishi mëndjen” disa prej profesorëve më të shquar të mjekësisë tonë, që Tetova t’u dukej më e afërt dhe më e bukur se… Tirana. Mes tyre, Prof. Dr. Gjergji Minga, Prof. Dr. Pandeli Çino, Prof. Dr. Ndok Marku, Prof. Dr. Petrit Bara, Prof. Dr. Feçor Agaçi, Prof. Dr. Mynyr Koni, Prof. Dr. Zija Jacaj, Prof. Dr. Shyqyri Subashi, Prof. Dr. Skënder Durrësi, Prof. Dr. Besnik Jucaj…. Ndër të parët dhe i fundit prej tyre në këtë mision, për gati 30 vite, edhe Prof. Dr. Xheladin Çeka. Mjaftueshëm për të shkruar libra me mbresa të pashlyera pozitive dhe ndodhi të pafundme vështirësish. Sepse asgjë nuk ka qenë e lehtë gjatë këtij itinerari prej 500 kilometrash vajtje-ardhje. Profesor Xhela, disa detaje m’i rrëfen sikur të kenë ndodhur dje…
Zakonisht shkonin ditën e premte në Tetovë, jepnin mësim të shtunën dhe ktheheshim të dielën në Tiranë, që të hënën të ishin gati për angazhimet e tyre. Udhëtimin e bënin zakonisht me autobusët e linjës “Poljet” që niseshin në orën 21:00 tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe arrinin në Tetovë rreth orës 05:00 – 06:00 të mëngjesit. Me të mbërritur, merrnim dhomat në hotel, ku pushonin rreth dy orë, konsumonin mëngjesin dhe fillonin pastaj ligjëratat për studentët. Vitet e para, rrugët ishin të dëmtuara dhe të pa ristrukturuara duke shtuar edhe kapriçot e motit, me temperatura që shkonin deri në – 20 gradë dhe trashësi bore deri në një metër. Më pas, situata rëndohet edhe më shumë nga fillimi i luftës në Maqedoni. Kontrolle të shpeshta, verifikim dokumentash, presione dhe orë të zgjatura nëpër dogana…
Një herë duke udhëtuar drejt Tetovës me Prof. Dr. Petrit Bare bëjnë aksident të rëndë në Qafën e Thanës. Zoti i shpëtoi dhe i shpërbleu për atë që e kishin hallall. Ndërsa makina u largua me karrotrec, shoferi u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Librazhdit, të dy profesorët gjetën taksi për të vazhduar udhëtimin drejt Tetovës duke u dhënë studentëve leksionet e programuar për atë ditë…
Ndodhi që në një rast tjetër, Profesor Xhela të udhëtonte vetëm drejt Tetovës. Mbërriti vonë në hotel “Liraku” por pa mundur të pushonte dhe flinte asnjë minutë sepse filloi të ndjehej keq nga ana shëndetësore. Me temperaturë të lartë, 41ºC, me djersë profuze dhe vështirësi të theksuar në frymëmarrje. Aty nga mesnata, kontakton me telefon dy miqtë e tij, Prof. Nexho Karemanin dhe Dr. Femi Demirin duke u kërkuar ndihmë. Menjëherë ata i shkuan pranë, e vizituan dhe konstatuan se kishte bronkopneumoni të dyanëshme. I filluan mjekimin me antibiotikë dhe perfuzione në dhomën e hotelit duke i qëndruar pranë gjatë gjithë natës. Të nesërmen e transferuan në Spitalin e Ftiziatrisë, për vazhduar mjekimin… Të dy, kolegët nga tani i konsideron vëllezër…
Jo vetëm këta të dy! Por të gjithë kolegët dhe vetë Tetovën e ndjen si Tiranën. Ndryshe do t’i ishte bërë e lodhshme dhe e bezdishme ai udhëtim 27 vjeçar për të dhënë kontributin e tij të vyer në arsimin e lartë mjekësor. Motivi dhe frymëzimi i këtij misioni fisnik, buron nga individualiteti dhe personaliteti tij i veçantë. Të veçantë do ta konsdideronim edhe këndvështrimin që zgjdhi për t’i dhënë jetë subjektit të këtij libri. Nuk zgjodhi të fliste për vete, por për Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Universitetit të Tetovës. Dhe Tetova nuk ia harron mirësitë dhe kontributet Prof. Dr. Xheladin Çekës. U dëshmua edhe në këtë festim jubilar. Këtë radhë, fati i qëlloi Doc. Dr Vegim Zhakut, Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore për t’ia përcjellë këtë mirënjohje. Shumë herë më bukur, më me vërtetësi dhe pastërti se kushdo tjetër: “Sot, në këtë ditë të veçantë për Fakultetin e Shkencave Mjekësore që korrespondon me 15 vjetorin e themelimit, kemi nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të bëjmë edhe promovimin e librit “Urat e Bashkëpunimit (me elemente historikë nga viti 1994-2022), të Prof. Dr Xheladin Çeka, të profesorit që ka qëndruar stoikisht përgjatë periudhave të caktuara si një lapidar i palëkundur dhe krenarë, me të vetmin qëllim, arsimimin e gjeneratave të reja të popullatës shqiptare që mbeti padrejteësisht matanë kufirit. Histori si kjo e prof. Xheladin Çekës na çon shumë prapa, në Greqinë antike, ku arsimi u vlerësua shumë dhe u konsiderua thelbësor për rritjen personale, angazhimin qytetar dhe zhvillimin e shoqërisë. Një nga figurat më me ndikim të kësaj ere ishte filozofi i njohur Sokrati, i cili besonte në fuqinë e pyetjeve dhe mendimit kritik si mjet për arsimim dhe edukim. Ai inkurajoi studentët e tij të sfidonin paragjykime, të eksploronin ide dhe të kërkonin urtësi nëpërmjet diskutimit intelektual. Ndikimi i tij i thellë në studentët e tij, përfshirë Platonin dhe Aristotelin, tregon ndikimin e përhershëm të një mësuesi të ndriçuar, nga drita e të cilit vazhdojnë e përfitojnë gjeneratat. E tillë është edhe energjia e cila buron nga mendja e ndritur e prof. Xheladin Çekës.
Si student i gjeneratës së parë i gjendur në mes të Tetovës nën vorbullën e jetës, në një periudhë jo edhe aq të favorshme si studentë dhe rini e këtij vendi të brishtë, kam patur nderin dhe kënaqësine veçantë që të përfitoj nga ky burim i pashtershëm energjie, nga urtësitë e tij, këshillat, pikpamjet shkencore dhe intelektuale jo vetëm të lëndës së Histologjisë por edhe jetës në përgjithësi. Në syrin e një studenti me shpresë dhe uzdajë, mezi pritnim ligjeratat e profesor Çekës, por jo vetëm. Ai shpesh herë ndante me ne edhe pak kohë për kafe, dhe besoj se këtë e bënte me qëllim që të shohë mendimet dhe pikpamjet tona lidhur me fakultetin, universitetin dhe jetën në përgjithësi. Bisedat tona dhe komportimi që kishim me njëri-tjetrin, besoj se ka pasur ndikim bilateral, duke bërë që profesori që të vazhdonte edhe më tutje këtë rrugëtim të vështirë. Jam i bindur se ai, kishte dalluar brumin e studentëve të tre gjeneratave të para, duke qenë i bindur se pikërisht këto gjenerata do të jenë promotori i ndryshimeve në këtë shoqëri, rezultate të cilat sapo kanë filluar të shfaqen dhe tani mund të themi me plot gojë, se është “ora vera”.
Librat kanë qenë gjithmonë porta për në botë të tjera dhe sot ne festojmë lindjen e një universi të ri, të krijuar nga fjala e shkruar mbi elementët historikë të themeluesve të UT-së, stafit akademik të FSHM-së dhe studentëve.
Ata që vrapojnë në rrugën për t’i ndriçuar njerëzit, që përpiqen vazhdimisht për lumturinë e njerëzve, ata që u zgjasin dorën njerëzve të rënë në greminat e ndryshme të jetës, janë shpirtra të lartë që e kanë njohur veten mbi të gjitha, të cilët si ëngjëj mbrojtës të shoqërisë mes së cilës jetojnë, përfyten me fatkeqësitë që u bien sipër shoqërisë, u vënë gjoksin furtunave, hidhen në flakë dhe rrinë vazhdimisht me gishtin në shënjestër para tronditjeve të mundshme”.
Fjalë shpirti dhe vlerësime filozofike për kontributin e vyer të Prof. Dr. Xheladin Çeka, të ligjëruara nga ish studenti i tij, sot dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës. As më shumë dhe as më pak, thjesht vërtetësia e urtësisë popullore, se: “Çdo të mbjellësh, do të korrësh!”.

Të fundit

Çfarë do të ndodhë me paratë serbe të sekuestruara në veri?

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar e Kosovës nuk ka ende vendim gjykate për të administruar...

Njihet si fruti i ‘majit’/Mos i hidhni gjethet e Manave! Këto janë disa nga dobitë e tyre

Lëngu i gjetheve të manit është një thesar shijesh dhe vlerash që përftohet nga gjethet e manave. Kjo pemë e rëndësishme rritet me bollëk në...

Zbardhen bisedat/ Si Leonard Duka iu ‘lut’ Ervis Martinajt për të mbyllur sherrin

Ervis Martinaj dhe Leonard Duka njihen për miqësinë dhe më pas armiqësinë e tyre të betuar, pasi përplasja për biznesin e lojërave të fatit...

Zyrtare/ Mauricio Pochettino e mbyll me Chelsean pas vetëm një sezoni

Mauricio Pochettino dhe Chelsea kanë mbyllur bashkëpunimin me konsensus pas vetëm një sezoni. Blutë e Londrës hasën vështirësi nën drejtimin e trajnerit argjentinas në fillimin...

Shqiptarja sulmohet sapo lë fëmijët në shkollë, flasin fqinjët: Kishte probleme me…

Një grua shqiptare është goditur me thikë ditën e sotme jashtë një shkolle fillore në Londër. Ngjarja ka ndodhur pasi shqiptarja ka lënë fëmijët...

Lajme të tjera

Web TV