Sipas të dhënave paraprake nga Agjencia Europiane për Ruajtjen e Kufijve, FRONTEX, numri i kalimeve të parregullta në kufirin e jashtëm të Bashkimit Europian arriti në vitin 2023 në rreth 380 mij[, i nxitur nga një rritje e mbërritjeve përmes rajonit të Mesdheut,
Kjo shënon nivelin më të lartë që nga viti 2016 dhe përbën një rritje prej 17% krahasuar me kalimet e parregullta të vitit 2022, duke treguar një tendencë të vazhdueshme rritëse gjatë tre viteve të fundit.
Siaps FRONTEX-it, Mesdheu Qendror ishte rruga më aktive e migracionit në Bashkimin Europian, duke llogaritur dy në çdo pesë kalime të parregullta.
Kjo rrugë përbëntë 41% të kalimeve në vitin 2023, e ndjekur nga Ballkani Perëndimor që përbënte 26% dhe Mesdheu Lindor që përbënte 16% të kalimeve.
Sirianët përbënin mbi 100 000 kalime të parregullta përgjatë vitit 2023, duke shëuar edhe numërin më të lartë midis të gjitha kombësive.
Ata u pasuan nga guineasit dhe afganët. Këto tre kombësitë kryesore përbënin mbi një të tretën e të gjitha kalimeve, thotë FRONTEX.
Të dhënat statistikore tregojnë se femrat përbënin 10% të numrit të përgjithshëm të të gjitha kalimeve të parregullta gjatë vitit 2023 dhe po kështu edhe fëmijët përbënin 10%.
“Numrat e paraqitur sot tregojnë sfidat në zhvillim me të cilat përballemi në menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europain ” tha përmes një deklarate Drejtori Ekzekutiv i FRONTEX, Hans Leijtens.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe integritetin e kufijve të BE-së. Është po aq e rëndësishme që të trajtohen aspektet humanitare të migrimit. Këto shifra përfaqësojnë jo vetëm statistika, por njerëz realë”, tha ai.
FRONTEX-i aktualisht ka 2 500 oficerë të rojeve kufitare të BE-së dhe staf tjetër që marrin pjesë në operacionet e saj të përbashkëta në kufijtë e Evropës, duke mbështetur shtetet anëtare të Bashkimit Europain dhe vendet e treta në menaxhimin e flukseve migratore dhe duke kontribuar në parandalimin dhe zbulimin e krimeve ndërkufitare, të tilla si kontrabanda e migrantëve, trafikimi në qeniet njerëzore dhe terrorizmi./O.S