Partia Socialiste në skaner një vit përpara zgjedhjeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vera e re në fuçinë e vjetër

 Nga ROLAND QAFOKU

Edhe pse jemi një vit përpara zgjedhjeve parlamentare Partia Socialiste ka ndezur motorrët e fushatës elektorale. Në vitin e fundit të mandatit të tretë qeverisës ka një dukje të qartë që kjo forcë politike është e etur dhe synon me ngulm fitoren e mandatin e katërt në zgjedhjet e vitit 2025 për të thyer rekordin që po kjo forcë politike e ka vendosur në këto 34 vjet në Shqipëri. Nisja e përgatitjeve nëpërmjet mbajtjes së disa asambleve dhe kongreseve, zgjedhjet në strukurat dhe degët e partisë tregojnë jo vetëm këtë synim. Ato evidentojnë bilancet pozitive që ka kjo forcë politike që nisnin që nga trofeu kryesor reforma në drejtësi dhe veçanërisht SPAK, te përmirësimi i infrastrukturës, e deri te rritja e jashtëzakonshme e numrit të turistëve. Por ironikisht, në të njëtën kohë ky impenjim nxjerr në pah edhe problemet dhe defektet që mbart qeverisja e kësaj force politike. Por, nëse e kalojmë në skaner, cilat janë këto probleme dhe defekte që mbart qeverisja e Partia Socialiste në këto 11 vjet në pushtet?

Problemi i parë i Partisë Socialiste është konsumimi i madh i qeverisjes. Në shtator ajo futet në vitin e 12-të në pushtet dhe afërmendsh një kohë kaq e gjatë e konsumon një forcë politike kushdo të ishte dhe çfarëdo të bënte me këtë pushtet. Por Partia Socialiste është konsumuar më shumë se sa normalja. Ajo duket se është dërrmuar nga një sërë problemesh që e kanë shoqëruar. Për ta kuptuar këtë po ju referohemi pesë raporteve të huaja të viteve të fundit: 1. Në një studim në janar të vitit 2020 i OKB rezulton se nga viti 1999 deri në 2020 janë larguar nga vendi 1.2 milionë shqiptarë dhe në dekadën e ardhshme pritet të largohen edhe 615 të tjerë: 2. Sipas një raporti në shkurt të vitit 2018 të Amnesty International, Shqipëria rezulton të jetë ndër vendet më të korruptuar në Evropë: 3. Sipas një raporti në mars të vitit 2019 i DASH Shqipëria është një vend gjithnjë e më shumë tranzit për drogat e forta; 5. Sipas një raporti në dhjetor 2023, të PISA, është ulur ndjeshëm aftësia e nxënësve shqiptarë duke u renditur në vend të parafundit në rajon duke na e kaluar vetëm Kosova; 5. Në një raport në janar të vitit 2024 nga BERZH, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që kënaqësia mesatare e jetës nuk është rritur në 7 vitet e fundit. Këto të dhëna kanë bërë që kjo parti të mos ketë më freski në qeverisje dhe është evidente që nuk ka më vizion dhe projekte politike për qeverisjen. Premtimet se me qeverisjen e PS shqiptarët do të jetonin më mirë, se do të kishte shëndetësi falas dhe një arsim më cilësor, se në vitin 2021 Shqipëria do të ishte anëtar e BE kanë mbetur vegim i një të kaluare entuziaste në opozitë, por tani janë të një të tashme të zymtë.

Problemi i dytë i Partisë Socialiste është mungesa e demokracisë brenda saj. Në këtë parti ka humbur nocioni i garës dhe i zgjedhjes me votë në forume. Çdo gjë emërohet dhe caktohet nga kryetari dhe askush nuk e di se ku është dhe ku do  të jetë. Në këto 34 vite kjo parti duhet thënë se ka patur arritje të mënyrës demokratike së funksionuari duke u shndërruar në një model pozitiv për të gjitha forcat e tjera politike në vend. Kulmi saj mbetet gara reale mes kryeministrit në detyrë Pandeli Majko dhe Fatos Nanos për kreun e PS në kongresin e 9 tetorit të vitit 1999 në të cilën Nano fitoi 297 me 261 vota, pra me vetëm 36 vota diferencë. Por që nga ajo kohë Partia Socialiste në aspektin e demokracisë ka bërë hapa pas. Në këtë parti nuk ndodh asgjë. Askush nuk kritikon dhe nuk kundërshton, sepse nëse do ta bënte këtë nuk do të ishte më në politikë. Ndërsa ata që kanë dhënë kontribut për demokratizimin e partisë janë larguar dhe nuk janë më pjesë e vendimmarrjeve. Kampioni i kësaj mënyre është Pandeli Majko që sa herë partia ka një problem të këtij lloji atij i dhemb një pjesë e trupit, në raste më të shpeshta dhëmballa. Ndërsa nuk përton të dalë në ekran për të folur për çështje globale dhe ato të rajonit. Disa zëra që kanë bërë ndonjë kritikë janë zhdukur nga qarkullimi. Rasti i Klodeta Dibrës që kritikoi hapur mënyrën se si po funksionte partia është më tipiku. Por edhe kritika që bëri ish presidenti Rexhep Meidani në situatën e fundit të krijuar në parlament duke thënë se PS duhet të tërhiqej kishte vlerën e një meteori duke treguar se këto zëra janë shumë të vlefshëm me apatinë që ka partia në aspektin e demokracisë.

Problemi i tretë i Partisë Socialiste është forcimi dhe drejtimi i partisë me rregullin “one man show”. Kryetari i partisë Edi Rama ka grumbulluar gjithnjë e më shumë pushtet. Ai është jo vetëm një kancelar si kryeministër, por edhe një Zot në parti. Pranë tij nuk ka askënd që ta kundërshtojë dhe ta kritikojë për gabimet që bëhen. Në këto 12 vite në pushtet nuk ka asnjë debat të një socialisti me Edi Ramën. Të gjithë mendojnë si Edi Rama. Nëse ato kanë ndodhur, janë bërë publike ose më vonë ose nuk janë bërë fare. Edi Rama ideon, koncepton dhe vendos për gjithçka. Për nga pesha specifike, në Partinë Socialiste nuk ka asnjë politikan me pozitë që të jetë numri 2 e as numri 3. Për nga renditja, janë 100 vende bosh dhe më pas vijnë ata që kanë rëndësi apo konkurencë në këtë parti.

Lexo edhe :  Rama në Athinë: Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie

Problemi i katërt i Partisë Socialisrte është lista e gjatë e përfaqësuesve të lartë të kësaj partie që kanë qenë dhe janë target i drejtësisë, veçanërisht i SPAK. Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Ilir Beqja, Lefter Koka, Alqi Bllako, Vangjush Dako, Safet Gjici, Fatos Tushe, Gjergj Goro dhe shumë të tjerë janë arrestuar dhe dënuar për vepra të ndryshme penale duke krijuar një togë e tërë që nuk i kanë bërë nder pushtetit socialist. Kjo ka krijuar një perceptim se Rama qeveris me persoanzhe me probleme me drejtësinë. Në këtë listë ndodhet edhe një radhë e gjatë e drejtorësh institucionesh që janë pjesë e skandaleve korruptivë aq sa nga brenda radhëve të PS qarkullon etiketimi Partia e Drejtorëve dhe Republika e Drejtorëve. Përvec dëmeve të rënda arkës së shtetit, drejtorët e korruptuar të Partisë Socialiste ia kanë dëmtuar rëndë imazhin e kësaj partie. Nën petkun e besimit nga shefi i madh, disa prej tyre që nuk janë as atje lart, por as atje poshtë, janë abuzuesit më të mëdhenj të pushtetit socialist. Ata janë kthyer në jo pak raste në pjesën më problematike të partisë, një fenomen që PS nuk arriti ta përmbysë për arsye se emërimet e tyre janë pjesa më e keqe e qeverisjes.

Problemi i pestë i Partisë Socialiste është se shpartallimi që i ka ndodhur Partisë Demokratike ka sjellë lehtësi në qendrimin në pushtet dhe fitore të njëpasnjëshme të kësaj force politike. Fitorja e tre zgjedhjeve parlamentare në 2013, 2017, 2021 dhe e tre zgjedhjeve lokale në 2015, 2019, 2023 kanë ardhur si rezultat i fuqisë politike të PS, por një dorë të mirë në këtë fitore ka patur edhe paaftësia e opozitës. Këto fitore janë shoqëruar me një vetëkënaqësi të struktuave të partisë. Ndarja dhe copëzimi i PD është avantazhi më i madh që Partia Socialiste “marshon” e sigurtë në pushtetin e saj. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se nëse do të kishte një opozitë të fortë, të ndershme, me parime dhe të pa kapur nga segmete të mazhorancës, Partia Socialiste e vërtetë do ta kishte shumë vështirë për të vijuar qendrimin në pushtet.

Problemi i gjashtë i Partisë Socialiset është grumbullimi i shumë pushteteve. Jo vetëm qeveria dhe parlamenti që e kontrollon me vota, por edhe shumë institucione të tjera janë pjesë e një obeziteti në aspekt të këtij pushteti. Kjo ka sjellë dhe vijon të sjellë përgjegjësi më të mëdha dhe si të tillë edhe pakënaqësi më të madha në opinionin publik. Heqja me ligj e të drejtës së opozitës për të ngritur komisionin hetimor parlamentar konfirmoi se Partia Socialiste jo vetëm ka grumbulluar shumë pushet, por është e gatshme për ta zgjeruar akoma më shumë atë.

Problemi i shtatë i Partisë Socialiste është largimi i figurave të vjetra dhe me kontribute të kësaj partie duke i humbur dalëngadalë identitetin e saj. Përtej moshës por kontributi i Gramos Ruçit, Servet Pëllumbit, Namik Dokes, e shumë të tjerëve sot në këtë parti duket demode. Sot Edi Rama, Damian Gjiknuri, Bledi Çuçi, e të tjerë janë më modernë dhe më të sofistikuar politikisht se sa Fatos Nano, Gramos Ruçi, Servet Pëllumbi e Namik Dokle. Por Partia Socialiste ishte më demokratike në kohën e vjetër se sa aktualisht. Kjo ka sjellë që kjo parti ta humbasë thelbin e saj duke e quajtur më shumë Rilindja se sa Partia Socialiste. Kjo ka sjellë fshirjen e historisë që për hir të vërtetës ka patur një kontribut të çmuar në Shqipërinë politike që nga viti 1990 deri më sot.

Problemi i tetë i Partisë Socialiste është që në afër 12 vjet kjo parti nuk prodhoi figura të reja politike që të kenë autoritet. Partia Socialiste vërtetë ka qeverisur në këto tre mandate me qindra ministra. Por asnjë prej tyre nuk ka krijuar një profil politik që të ketë autoritet. Vërtetë ka ministra që kanë qendruar në detyrë edhe dhjetë vjet, por gjurma e lënë prej tyre në PS dhe në historinë e Shqipërisë politike është me vlerën e një gjurme këpuce në rërën e lagur buzë detit.

Problemi i nëntë i Partisë Socialiste është mungesa e transparencës me publikun. Nga një parti që dikur i zhvillonte mbledhjet e kryesisë live, kur votonte në kryesi disa kandidatura për t’u zgjedhur ministër dhe në fund fitonte ai që kishte marrë më shumë vota, kur përfaqësuesit më të lartë të saj zhvillonin konferenca të rregullta shtypi dhe përballjet e deputetëve në media ishin mëse normale, e gjithë kjo sot duket utopi. Sot asnjë funksionar politik dhe asnjë ministër nuk përballet me publikun dhe gazetarët. Ajo dalja në shkallët e kryeministrisë për t’u përgjigjur atyre pak pyetjeve në një kohë të kufizuar i ngjan një situate në kohë lufte dhe është e denjë për qeverinë e Ukrainës se sa për qeverinë e Shqipërisë.

Porblemi i dhjetë i Partisë Socialiste është raporti me median. Duhet të themi se Partia Socialiste ka një Publik Relation të sofistikuar dhe në interes të ngushtë të synimeve të saj. Aq e theksuar është kjo saqë opozita nuk ka model tjetër veçse të kopjojë të gjitha metodat dhe idetë e Partisë Socialiste. Por kjo ka sjellë edhe kufizimin e të gjitha çështjeve në pak duar dhe ka një ngërç në mënyrë se si disa gazetarë janë më të preferuar dhe disa kundërshtarë dhe armiq. Po, si qendrojnë Marrëdhëniet e Publikut mes dy forcave më të mëdha politike në vend? Për ta kuptuar këtë po përdorim një metaforë: Marrëdhëniet me median i Partisë Demokratike i ngjan një reparti tornerie në një uzinë të parëndësishme në një province që i mungon lënda e parë, ndërsa përballë ka atë të Partisë Socialiste që i ngjan një kombinati të industrisë së rëndë të stacionuar në qendër të kryeqytetit.

 

 

 

 

 

Të fundit

Ca pak orë luftë për të “pushtuar” Athinën me degë ulliri

Nga Lorenc Vangjeli Dilemat e tjera që nuk po i zgjidhte dot askush vinin dhe nga padakordësia nëse do të...

Reforma Zgjedhore/ Celibashi: Vota e emigrantëve të kryhet përmes internetit

Pas mbledhjes së Grupit të Dialogut për Reformën Zgjedhore, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi deklaroi për mediat se votimi elektronik më 2025 mund të...

Theu vendimin/ Avokati: Berisha provokon, duhen marrë masa të kalohet në ‘arrest me burg’

Sali Berisha ka thyer për të disatën herë vendimin e gjykatës së posaçme. Nën masën e arrestit në shtëpi, Berisha ka futur në banesë...

Ish-lojtari i Juventus lëshon deklaratën e fortë: “Gasperini i trajton futbollistët keq”

Gian Piero Gasperini dhe Atalanta e tij janë sërish në qendër të vëmendjes. Bergamaskët luftojnë këtë sezon për dy trofe, atë të Kupës së...

E RËNDË në Tiranë/ 10-vjeçarja pickohet nga gjarpri në shkollë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Tiranë, teksa një fëmijë 10 vjeç është pickuar nga gjarpri teksa k qenë në shkollë. Mësohet se...

Lajme të tjera

Web TV