Intervista/ Sali Berisha: Shefi i CIA-s, George Tenet, një mashtrues

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ish-presidenti i vendit dhe kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, analizon vitin tragjik 1997 dhe komenton raportet e kreut të CIA-s George Tenet, duke e cilësuar mashtrues. Analiza e Berishës për situatën aktuale dhe mendimi për opozitarizmin e Bashës, si dhe për disa figura të lëna jashtë listës si kandidatë për deputetë.

 Nga Roland Qafoku

 -Zoti Berisha, si kanë qenë 76 vite jetë dhe si ju janë dukur këto tri dekada në politikë?

Po t’i referohemi jetës në diktaturë dhe jetës në liri është një dallim esencial, si ai midis dy gjysmave të Hënës. Jeta në diktaturë më gjithë përpjekjet dhe investimin tim të jashtëzakonshëm, me ato mundësi që kam pasur, kur e rishikoj nga vitet e lirisë, ajo për mua është një jetë e amputuar, në kuptimin që nuk do të donte askush ta jetonte. Është një jetë në duplicitet, në dyzim të plotë, ku tjetër mendoje dhe tjetër thoshe, për shkak të rrethanave dhe shtypjes diktatoriale. Ishte një jetë në të cilën koha nuk ishte e jotja, ishte e diktaturës. Përveç rrënimit të karakterit njerëzor që përjeton individi në diktaturë, në Shqipëri përjetuam dhe pasoja të cilat nuk i përjetoi asnjë diktaturë tjetër në Evropë.

Në Shqipëri ishte një diktaturë e 3-fishtë: diktaturë e dhunës, shtypjes dhe e luftës së klasave, diktaturë e tmerrshme e izolimit më të thellë, e shkëputjes totale të vendit nga bota dhe së fundi diktaturë e mjerimit dhe e skamjes. Pra, Shqipëria mund të konsiderohet pa asnjë mëdyshje si laboratori i aplikimit më stalinist të dogmës marksiste-leniniste. Unë kam qenë një mjek i apasionuar, me një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj profesionit tim dhe dashuri të madhe për profesionin tim. Në ato kushte jam përpjekur të bëj më të mirën për të sëmurët, studentët dhe karrierën time profesionale mjekësore. Këto do të thosha unë për vitet e diktaturës, të cilat janë më shumë se 4 dekada të jetës sime.

-Kurse udhëtimi im në liri është një udhëtim jashtë çdo imagjinate. Unë kurrë ndonjëherë nuk kisha ëndërruar se do të merresha me politikë. Por, për hir të së vërtetës, edhe në vitin 1990, ndonëse unë kisha filluar të shkruaja, të shfrytëzoja çdo mundësi për të shprehur mendimet e mia, përsëri isha i bindur se një ditë lirie nuk do të shihja në jetën time. Unë iu përkisja atyre që nga dëshpërimi mendonin se ne jemi të ndëshkuar të mbetemi kurba e Adriatikut. Udhëtimi im në politikë është një udhëtim jashtë imagjinate. Dhe këtë e bëri të mundur Revolucioni i Dhjetorit 1990, lëvizja studentore, me të cilët unë pata fatin e bardhë të bashkohem dhe të vazhdoj atë rrugë në këto 3 dekada, në një udhëtim jashtë imagjinatës sime.

-Një gabim tragjik, një gabim i rëndë, ishte lejimi nga ana e qeverisë dhe e Partisë Demokratike dhe e presidentit të asaj kohe, i firmave piramidale. Ndonëse, i rikujtoj shqiptarët se ne i paditëm ata në gjykatë dhe ata e fituan gjyqin me pretekstin se fajdet janë të parashikuara në çdo kod civil të botës. Ne nuk i kishim mekanizmat financiarë mbrojtës për tregjet financiare jo bankare dhe pësuam një krizë shumë të thellë, për të cilën komunistët rrëmbyen armët, organizuan një rebelim pothuaj të armatosur.

-Sa ishte ky gabim?

Masa ishte se u lejuan. Lejimi. Ky është një gabim i rëndë, pa diskutim. Domethënë, vërtet ne i çuam në gjykatë dhe ata e fituan gjyqin, por përsëri mendoj unë, përpjekje shumë më të mëdha duheshin bërë për t’i bllokuar me një ligj të veçantë. Në mënyrë absolute, deri në vitin 1996, asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka shprehur shqetësimin më të vogël. Ne kemi filluar së bashku me fondin hartimin e ligjit për bllokimin e tyre, pasi i kishim ndaluar me një ligj parlamenti. Neve na thuhej nga institucionet ndërkombëtare se këto janë fenomene, janë dukuri që shfaqen në rritje të shpejtë dhe na thuhej “ja se dhe Izraeli i ka, edhe ky vend i ka, edhe ai vend i ka”. Nuk i njihnim ne skemat e Pollsit, të jemi të hapur, nuk kisha dijeni as unë dhe as ata që më rrethonin mua.

-Guvernatori Kristaq Luniku?

Ju falënderoj që e thatë, por çfarë propozimi bënte guvernatori. Guvernatori propozonte t’i rikthenim në banka. Çka do të thotë se guvernatori kishte zero ide dhe njohuri për të vërtetën e tmerrshme të këtyre skemave. Më tragjikja, do të ishte nëse ato skema shndërroheshin në banka. Dhe guvernatori e ngriti shqetësimin në janar të vitit 1996, më nisi mua shkresën, por guvernatori kërkoi dhe propozoi si rrugëdalje shndërrimin e tyre në banka, gjë e cila ishte katastrofë.

-A ndieni përgjegjësi për atë që ndodhi në vitin 1997. U thërmua shteti shqiptar, u shpartallua ushtria, u shpartallua gjithçka dhe ky është rast unikal në gjithë historinë jo vetëm të Shqipërisë, por të historisë moderne botërore?

Unë prandaj e pranoj gabimin e skemave. Por, nga ana tjetër, nuk besoj se shteti u ngrit kundër shtetit. Ishte një forcë politike që rrëmbeu armët, u bashkua me bandat. Ishte Partia Socialiste. A u transferua shtabi i saj? Ne po i bllokonim njëra pas tjetrës. U rrëmbyen armë, u futën armë nga jashtë, u liruan të burgosur, si Zani Çaushi nga burgjet e Greqisë dhe të vendeve të tjera dhe u futën në Shqipëri. U bë shtabi luftarak i PS-së. Këto janë të vërteta. Para qeverisë kishte dy rrugë. Ose të përdorte rrugën e armëve, të kishte gjakderdhje, përmasat e së cilës nuk parashikohen, ose të bënte gjithçka për të shkuar drejt zgjedhjeve, për ta zgjidhur krizën me zgjedhje. Dhe unë mendoj se ne këtë bëmë.

-A jeni dakord me raportin që Bashkim Gazidede lexoi në Parlament, sipas të cilit, aty kishte pjesën e tij edhe shërbimi sekret amerikan, CIA?

Nuk kam të dhëna se kishte CIA pjesë të saj. Po të kisha, unë do ta thosha. Unë nuk kam ndonjë të dhënë të tillë. Dhe, natyrisht, po të kisha, do t’i kisha denoncuar. Por nuk kam të dhëna. Kam të dhëna që Beogradi ka dërguar fonde, kam të dhëna që të tjerë janë përpjekur. Nuk mund të them se agjencia amerikane e zbulimit ka organizuar ose ka ndërhyrë. Mund të jetë spekuluar nga një fakt. Marrëdhëniet e mia me George Tenet-in janë të njohura. George Tenet, në mos gaboj, më 1997, u bë drejtor i agjencisë qendrore të zbulimit. Dhe, pa diskutim, që marrëdhëniet e mia me të kanë qenë jomiqësore. Ai ishte një gënjeshtar kongenital, që gënjeu dhe presidentin Bush për armët e Sadam Hussein-it.

Lexo edhe :  Paralajmërimi i Bashës për opozitën/ Koha na dha të drejtë!

-Jeni duke thënë se shefi i CIA-s, George Tenet, ishte gënjeshtar?

Gënjeshtar kongenital, jo gënjeshtar. I lindur. Ai është njeriu i cili i tha George Bush-it se Sadam Hussein-i ka armë të shfarosjes në masë. Dhe presidenti Bush ka pranuar si gabim të jetës së tij atë akt që e bazoi te ky njeri.

-Po për Shqipërinë, çfarë gënjeu?

Mbase duke ditur marrëdhëniet që kisha me të. Sepse ju e dini, Tenet është nga Qeparoi, një familje shumë e mirë. Problemi i tij është se ai është ushqyer, edukuar në shkollat e ekstremizmit grek, kështu që ai kishte një pikëpamje të veçantë për Shqipërinë, për minoritetin. Ndaj dhe në këtë aspekt unë nuk kam të dhëna, por këta e shfrytëzonin këtë. Unë nuk e kam takuar kurrë atë. E kam takuar një herë në zyrën e John Deutch-it, kur ky i fundit ishte drejtor i CIA-s, dhe aty më thotë “A e ke për gjë se kam thirrur këtu zëvendësin tim, George Tenet.” I them, nëse nuk e ke për gjë të jesh me dy shqiptarë, unë nuk e kam aspak. Tenet-it nuk i erdhi mirë, por unë ia thashë me qëllim. Familja Koka është një familje puro shqiptare, patriote.

-Në librin e tij me kujtime, George Tenet shkruan vetëm kaq për Shqipërinë: Unë jam grek, por vij nga një vend që ndodhet në Jug të Shqipërisë. As e përmend fare që është Koka nga i ati dhe Kacelano nga e ëma.

Shumë shqiptarë, jo vetëm familja Koka, por edhe shqiptarë të tjerë, kryesisht ortodoksë, kur kanë emigruar në SHBA, kanë gjetur përkrahje të madhe nga kisha greke, e cila ka një infrastrukturë të gjerë sociale për të mbështetur emigrantë të ndryshëm dhe, në një farë mënyre nuk është vetëm Tenet-i, por shumë shqiptarë janë greqizuar gjatë kohës që kanë qëndruar në Athinë. Ky është takimi i parë dhe i fundit që kam pasur me të.

-Të pëlqen ky termi Berisha i Parë, Berisha i Dytë?

I bie me qenë i tretë ose i katërt ky, por nuk i përdor unë këto. Unë mendoj se vitet e mia në opozitë 1997-2005 i dhanë Shqipërisë një opozitarizëm të merituar. Vitet në qeveri besoj se janë vite të cilat Shqipëria jo pse e vlerësoj unë, por me treguesin e ecurisë në rrugën e zhvillimit. Një vend që në vitin 1992 kishte 204 dollarë të ardhura për frymë, në vitin 2008 kaloi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme – të larta. Për mua kjo është arritja më historike. Por korrespondon që nga viti 2007 deri në vitin 2014, nëse marrim në analië treguesit më të vështirë, por edhe më të fortë dhe më të qëndrueshëm, treguesin demografik, vitet 2007 – 2014 ishin vite në të cilat popullsia shqiptare u rrit. Kjo përbën për mua një kënaqësi të veçantë.

Ishin vitet në të cilat Shqipëria u anëtarësua në NATO, ishin vite në të cilat Shqipëria bëri hapa të sigurt njëri pas tjetrit në marrëveshjen e stabilizim-asocimit, me heqjen e vizave, me pranimin e pyetësorit, me pranimin e kërkesës për anëtarësim në BE, në mënyrë të pandalshme gjersa e bllokoi Edi Rama procesin e statusit kandidat.

Ishin vitet e njërit prej projekteve më gjigante në historinë e Evropës dhe njërit prej projekteve stretegjike më të rëndësishme në historinë e Evropës, TAP-it, në të cilën Shqipëria ka luajtur një rol absolutisht ndër më kryesorët pas Azerbajxhanit. Shqiptarët dhe çdo njeri duhet ta dijë se TAP-i është TAP, sepse kalon nëpër Shqipëri. Vetëm sepse kalon në Shqipëri ai është TAP. Nëse s’do të kalonte në Shqipëri, ai nuk do të mund të ishte kurrë ky që është.

-Sulejman Delvina më 5 tetor, Ahmet Zogu më 8 tetor, Bashkim Fino më 12 tetor, Migjeni më 13 tetor, Dritëroi Agolli më 13 tetor, Sali Berisha më 15 tetor, Ismail Qemali më 16, Enver Hoxha më 16, Ramiz Alia më 18 tetor, Gjergj Fishta më 23 tetor. A ka ndonjë domethënie të veçantë ky përkim kaq i çuditshëm?

Do të kishte domethënie të jashtëzakonshme, po të mos ishte Enver Hoxha. Ai është armiku dhe tradhtari më i egër në historinë e shqiptarëve. Kurse Ismail Qemali është babai i pavarësisë.

-Disa emra si Ervin Salianji, Romeo Gurakuqi, Luan Baçi nuk janë pjesë e listës fituese të përzgjedhur nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve për Deputetë. Cili është mendimi juaj?

Unë kam një vlerësim të padiskutueshëm për procesin dhe për punën e bërë deri më sot. Rikujtoj këtu se ky proces më parë bëhej nëpërmjet aktiveve të PD-së. Komisioni i ngarkuar nga kryetari apo Kryesia e PD-së ka marrë në shqyrtim 1600 propozime. Kjo tregon shkallën e lartë të besimit që ekziston në potencialin e madh që PD-ja disponon, sepse nga kjo shumësi ka prej tyre personalitete të PD-së, aktivistë të saj, por edhe personalitete që vijnë nga shoqëria civile.

Komisioni i përzgjedhjes çfarëdo që të bënte, në vlerësimin tim, nuk mund të dilte jashtë teorisë së gabimit. Asnjë instancë, asnjë forum, nuk operon dot jashtë gabimeve. Por në tërësinë e vet ai ka bërë një punë të admirueshme. Ka një gjë themelore për çdo forcë politike. Ka një kriter që është gjithmonë kriteri i drejtimit të partisë politike, i organeve drejtuese të partisë politike. Ky është kriteri politik. Në këtë kontekst, natyrisht, fjala përfundimtare apo lista përfundimtare e deputetëve të PD-së është pa asnjë mëdyshje vepër e Kryesisë së PD-së, e kryetarit dhe e Këshillit Kombëtar të saj.

Në vendin ku primaret janë më të konsoliduara se kudo tjetër, në fund pastaj, voton Konventa për kandidatin përkatës të partisë së dhënë. Dhe në Konventë mund të paraqiten dy kandidatë dhe ai që merr vota më shumë zgjidhet si kandidat kryesor.

-A është normale që Jozefina Topalli, por edhe të tjerë nuk do të jenë në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së?

Unë nuk besoj të hyj në emra të veçantë. Sepse PD-ja prej tetë vitesh ka një kryetar të ri. Dhe kryetari i ri ka vendosur të zgjedhë ekipin e tij. Natyrisht, unë i kam të qarta prononcimet e mia për largimet e tyre nga lista e vitit 2017. Por, siç e di unë, me statutin aktual të PD-së, zonjës Jozefina Topalli i takon të kandidojë.

-E cilësoni gabim të Bashës?

E kam thënë unë këtë. Pa asnjë diskutim. Jo vetëm për atë, por për disa prej tyre. E kam shpallur disa herë atë.

Të fundit

Berisha në eufori: Rrotacion politik më 11 maj

Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë shtypi u shpreh optimist se në zgjedhjet e ardhshme të 11 majit do...

PBB rritet me 4,09% në korrik-shtator ngaturizmi, ndërtimi dhe rritja e pagave

Ekonomia e vendit u rrit me 4.9% ne tremujorin  trete te vitit 2024 si rrjedhojë e ecurisë pozitive në  turizëm, ndërtim dhe efektit pozitiv...

Ushqime, lodra, veshje apo…/ Çfarë po blejnë më shumë shqiptarët këtë fundvit

Festat e fundvitit, pavarësisht nga sfidat ekonomike dhe ndryshimeve në sjelljet e konsumatorëve, vazhdojnë të mbeten një periudhë ku shqiptarët janë të prirur të...

Ndalimi i TikTok-ut apo “Të marrësh masa të kota”

Nga Leonard Veizi “Të marrësh masa të kota” është një komedi e shkruar nga dramaturgu francez Pier Bomarshe por që nga publiku njihet gjerësisht si...

Kushtetuesja rrëzon kërkesën për “listat e hapura”, deputetët në duart e kryetarëve

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e shtatë partive politike, një organizate dhe katër individëve për shfuqizimin e neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe...

Lajme të tjera

Web TV