Studimi/ Fëmijët shqiptarë “nën kthetrat” e shfrytëzimit seksual

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime seksuale, është raporti më i fundit ndërkombëtar, që fokusohet tek evidentimi i rreziqeve që ekspozojnë fëmijët në trafikim, shfrytëzim seksual, pornografi dhe turizëm seksual. Në raportin e publikuar nga CRCA (Qendra për të Drejtat e Fëmijëve) mbi shfrytëzimin e fëmijëve për qëllime seksuale, tregohet se Shqipëria ka nevojë të ketë një qasje tërësisht të re kundrejt fenomeneve që nxisin shfrytëzimin seksual apo trafikimin e fëmijëve.

Nga Ina Allkanjari

Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një ndër abuzimet e rënda kriminale që ndodh në një shoqëri. Kjo dhunë e cila merr formën e abuzimit, ngacmimit, përdhunimit ose shfrytëzimit seksual, fatkeqësisht mund të ndodhë kudo: në shtëpi, shkolla, institucione kujdestarie, familje apo komunitete. Gjithashtu, përhapja e gjerë e përdorimit të internetit dhe të teknologjisë i ka ekspozuar edhe më shumë fëmijët ndaj rrezikut të dhunës dhe abuzimit.

Në një raport të publikuar nga CRCA (Qendra për të Drejtat e Fëmijëve) mbi shfrytëzimin e fëmijëve për qëllime seksuale, i cili është raporti më i fundit ndërkombëtar, tregohet se Shqipëria ka nevojë të ketë një qasje tërësisht të re kundrejt fenomeneve që nxisin shfrytëzimin seksual apo trafikimin e fëmijëve. Ndërsa theksohet se plani i ri i veprimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore duhet që përfundimisht ta heqë Shqipërinë nga harta e vendeve me trafikim të fëmijëve për qëllime seksuale.

Sipas raportit, vetëm në dy vitet e fundit Shqipëria renditet në vendin e parë për numrin e fëmijëve të pashoqëruar në Itali, duke numëruar rreth 1393 minorenë të pashoqëruar nga prindërit në këtë vend dhe një target i lehtë për t’u trafikuar e shfrytëzuar, ndërkohë që të paktën 200 fëmijë nga Shqipëria raportohen çdo vit të trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Personat vulnerabël shpesh janë viktima jo vetëm të shfrytëzimit seksual, por edhe të punës së detyruar, skllavërisë, apo edhe shitjes së organeve.

Raporti ndër të tjera evidenton faktin e përfshirjes së familjeve në trafikimin e fëmijëve të tyre. Një vit më parë raport i EUROPOL-it tregoi se në shumicën e rasteve të trafikimit të fëmijëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së për shfrytëzim seksual, familjet e viktimave ishin përfshirë në procesin e trafikimit të fëmijëve të tyre. Raporti fokusohet tek evidentimi i rreziqeve që ekspozojnë fëmijët në trafikim, shfrytëzim seksual, pornografi dhe turizëm seksual.

Raporti u prezantua edhe në kuadër të Ditës Evropiane kundër Trafikimit të Personave, duke sjellë një realitet shqetësues për fëmijët në Shqipëri, të cilët vijojnë ende të jenë viktima të shfrytëzimit seksual dhe trafikimit në vendet fqinje si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqi, apo vendet e BE-së si Italia, Holanda, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Shqipëria u rendit në vendin e 32-të ndërmjet 60 vendeve, mbi përgjigjen dhe reagimin e një vendi ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve, duke marrë notën 49,8. Kjo e rendit vendin poshtë Xhamajkës (50,0), dhe përpara Mongolisë (47,9)”, thuhet në raport, ndërsa nënvizohet se nota e Shqipërisë u ndikua nga një sërë faktorësh, si tradita shqetësuese e pranimit nga ana e shoqërisë të disa formave të dhunës ndaj fëmijëve, paragjykimet ndaj fëmijëve të komunitetit rom, normat gjinore kufizuese, si dhe mungesa e planeve parandaluese dhe strategjive.

PËRKUFIZIMI I ABUZIMIT SEKSUAL TË FËMIJËVE

Fëmijët janë viktima të shfrytëzimit seksual kur marrin pjesë në aktivitet seksual në këmbim të një shpërblimi që marrin ata ose palë të treta. Forma të ndryshme të ASF-së përfshijnë shfrytëzimin e fëmijëve për prostitucion, shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet, shitjen dhe trafikimin e fëmijëve për qëllime seksuale, shfrytëzimin seksual të fëmijëve në kontekstin e udhëtimeve dhe turizmit, si dhe disa forma të martesave në moshë fëminore, në moshë shumë të re, apo martesave me detyrim.

MJEDISI SHOQËROR

Sipas këtij studimi, Shqipëria çalon në lidhje me stabilitetin e mjedisit shoqëror, duke marrë notën 50 nga një total prej 100 pikësh në lidhje me treguesin e trazirave sociale. Po kështu, në studim theksohet se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze, ndërkohë që edhe niveli i varfërisë së fëmijëve mbetet i lartë, pasi 29.6 për qind e fëmijëve në Shqipëri rrezikoheshin nga varfëria në vitin 2018. “Niveli i lartë i varfërisë ka të ngjarë që të sjellë rrezikshmëri më të lartë për shfrytëzimin e fëmijëve. Gjithashtu, normat dhe praktikat kufizuese gjinore, pranimi nga ana e shoqërisë të disa formave të dhunës ndaj fëmijëve, si dhe paragjykimet ndaj fëmijëve të komunitet rom në Shqipëri, krijojnë kushte të favorshme për rritjen e disa formave të shfrytëzimit seksual”, thuhet në studimin e publikuar nga CRCA-ja.

Situata e komunitetit rom

Nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e pjesëtarëve të komunitetit rom në Shqipëri, me përllogaritje ata shkojnë nga 13,000 – 150,000, por nuk ka dyshime në lidhje me nivelin e tyre të lartë të papunësisë, kushteve të mjerueshme të jetesës, si dhe faktit se vetëm 66 për qind e fëmijëve romë ndjekin arsimin e detyrueshëm. Sipas raportit këto probleme i ekspozojnë akoma më tepër fëmijët ndaj shfrytëzimit seksual. Burime të ndryshme deklarojnë se fëmijët Romë në Shqipëri janë shumë të ekspozuar ndaj rrezikut të trafikimit për shfrytëzim seksual, pasi ata përbëjnë një përqindje tepër të lartë të fëmijëve në situatë rruge.

Po kështu, një tjetër studim ka dalë në përfundimin se, në komunitete të veçuara apo të integruara rome, disa forma të martesave në moshë fëminore, në moshë shumë të re, apo martesa me detyrim pranohen dhe mbështeten nga një gamë e gjerë traditash dhe zakonesh. Presioni vjen edhe nga komuniteti dhe farefisi përreth vajzave, duke nxitur martesat në moshë të vogël. Studimi gjithashtu nënvizon ekzistencën e qëndrimeve konservatore të disa komuniteteve të veçuara rome, që i japin një rëndësi shumë të madhe mbrojtjes së “nderit” të vajzave, duke justifkuar kështu martesat e vajzave në moshë të vogël, megjithëse dihej se martesa në moshë të vogël do t’i shkaktonte dëm fëmijës.

Lexo edhe :  Batuta e Ramës nga bashkia e Tiranës/ Vetëm Ali Ahmeti mund të më kthente këtu

Ekspozimi i fëmijëve ndaj shitjes dhe trafikimit për shfrytëzim seksual

Fëmijët në Shqipëri janë shumë të ekspozuar ndaj shitjes apo trafikimit për shfrytëzim seksual, thuhet ne raportin e CRCA-së. Jashtë vendit, fëmijët shqiptarë identifikohen shpesh si viktima të trafikimit në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, Itali, dhe në Britaninë e Madhe. Ne raport jepet shembulli i një rasti në Itali, ku 19 fëmijë shqiptarë viktima të trafikimit u morën në mbrojtje nga sistemi i kujdesit për fëmijët, në vitin 2018. Sipas CRCA-së, këto shifra zyrtare ka të ngjarë që të jenë vetëm maja e ajsbergut të trafikimit të fëmijëve nga Shqipëria në Itali, teksa përmendet viti 2019, ku, sipas raportit, Shqipëria mbante vendin e parë për numrin e fëmijëve të pashoqëruar nga prindër në Itali.

Duke qenë se nuk gëzojnë dot mbrojtje ligjore, dhe autoritetet italiane nuk kanë dijeni për praninë e tyre atje, minorenët e pashoqëruar janë shumë të rrezikuar në lidhje me trafikimin për qëllime të shfrytëzimit seksual. Ndonëse nuk ka akoma të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve shqiptarë që kanë rënë viktima të trafikimit, CRCA-ja përllogariti se deri në vitin 2018, më shumë se 5000 fëmijë nga Shqipëria, u bënë viktima të trafikimit ndërkombëtar. Raporte të shumta kanë denoncuar bashkëpunimin e vetë familjeve të fëmijëve në trafikimin e këtyre të miturve në Shqipëri.

Në një raport të vitit 2018 EUROPOL theksoi faktin se në shumicën e rasteve të trafikimit të vajzave dhe djemve të mitur shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian për shfrytëzim seksual, familjet e viktimave ishin përfshirë në mënyra të ndryshme në këtë proces – nganjëherë duke u përfshirë me dijeni të plotë në trafikim, dhe herë të tjera, duke u mashtruar nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore.

Shfrytëzimi i fëmijëve për prostitucion

Ligji në Shqipëri në lidhje me shfrytëzimin e fëmijëve për prostitucion sipas CRCA-së, ka disa mangësi serioze. Në raportin e publikuar theksohet se ndonëse prostitucioni është i paligjshëm, ligji nuk e ndalon shprehimisht blerjen e shërbimeve seksuale nga fëmijët, apo përfshirjen dhe nxitjen e fëmijëve për prostitucion. Gjithashtu, ligji nuk jep një përkufizim për shfrytëzimin e fëmijëve për prostitucion. “Ligji që e cilëson shkelje penale shitjen edhe blerjen e seksit në Shqipëri nuk bën ndonjë dallim midis të rriturve dhe fëmijëve, duke i ekspozuar fëmijët e përfshirë në prostitucion ndaj rrezikut që të trajtohen si shkelës ligji.

Ndonëse vihet re se prokurorët ndjekin një rregull të pashkruar për të mos i akuzuar të miturit për shitje të akteve seksuale, fëmijët janë teknikisht të pambrojtur nga situata të tilla”, thuhet në raport. Ndërsa paraqitet rasti i ndodhur në vitin 2015, ku dy fëmijë u paditën nga prokuroria për pjesëmarrje në prostitucion. Sipas raportit, këto mangësi në legjislacion i japin Shqipërisë notën 0 për treguesin mbi blerjen e favoreve seksuale.

Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në internet

Instituti i Statistikave në Shqipëri raportoi në Sondazhin mbi Përdorimin e Internetit dhe Teknologjisë së Komunikimit për Familje dhe Individë për periudhën 2018-2019, se 82,2 për qind e familjeve shqiptare kishin akses në internet në vitin 2019, dhe 88,9 për qind e familjeve kishin akses në internet nëpërmjet lidhjeve broadband nga rrjete celulare. Një sondazh i zhvilluar me 1000 fëmijë në 2019, zbuloi se 10 për qind e të anketuarve kishin pasur forma të ndryshme të eksperiencave të padëshiruara seksuale në internet gjatë vitit të mëparshëm.

Për më tepër, 16 për qind e fëmijëve të intervistuar thanë se ishin takuar në realitet me një person me të cilin kishin rënë më parë në kontakt nëpërmjet internetit, ndërsa 25 për qind e tyre raportuan se kishin kontakte interneti me një person që nuk e kishin takuar kurrë në realitet. Nga një total prej 6129 raportimesh, mësohet se gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, 6054 kishin të bënin me faqe, video apo profile që përmbanin materiale të abuzimit seksual me fëmijët. Me gjithë përhapjen e gjerë të përdorimit të internetit në vend, dhe të dhënave se fëmijët në Shqipëri mund të jenë të ekspozuar ndaj shfrytëzimit seksual në internet, në raport theksohet se ka akoma boshllëqe në legjislacionin shqiptar.

Sipas tyre, në ligjin shqiptar nuk ka një përkufizim të veçantë për ‘materiale të abuzimit seksual me fëmijët’, ndërsa akte të paligjshme, si joshja e të miturve dhe shantazhi seksual, nuk janë cilësuar si vepra penale. Për më tepër, Shqipëria nuk kërkon nga kompanitë e shërbimit të internetit (ISP) që të bllokojnë, filtrojnë, apo raportojnë vepra apo materiale të shfrytëzimit seksual të fëmijëve, përveç rastit kur këto kryhen për qëllime komerciale. Këto boshllëqe në legjislacion janë edhe arsyeja përse në raport jepet nota 25 nga totali prej 100 pikësh për joshjen e të miturve në internet, dhe 0 nga 100 për mbrojtjen në internet./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Crystal Palace turpëron Manchester United në “Selhurst Park”, Ten Hag drejt shkarkimit

Manchester United turpërohet nga Crystal Palace në javën e 36-të të Premier League-s. “Djajtë e Kuq”, të cilët udhëtonin...

Napoli humbet “rrugën” e fitores, Udinese merr një pikë të artë në fundin e sfidës

Napoli nuk di më si të fitojë. Në ndeshjen që mbylli javën e 35-të të Serisë A, skuadra e drejtuar nga Calzona nuk shkoi...

Flet fqinji i babit të Alma Arrazit: I kishte kërkuar ndihmë të atit pak ditë më parë

Azem Bushati babai i Alma Arrazit, 39-vjeçares e cila u vetëmbyt në lumin Buna së bashku me tre fëmijët e saj të mitur, banon...

“Vajza e brishtë e martuar me të fortin e lagjes”, gazetari i njohur zbulon detajet

Gazetari Ferdinant Xhaferri ka treguar në një emision televiziv shkaqet e mundshme të ngjarjes tragjike të ndodhur tre ditë më parë në Shkodër, ku...

Tragjedia në lumin Buna/ Reagon Fevziu: Fëmijës nuk ka të drejtë t’ja marrë jetën askush

Qyteti mikpritës e bujar i Shkodrës u zgjua nën kujën e lotëve, ku një nënë e re i dha fund jetës së saj dhe...

Lajme të tjera

Web TV