Në Pezën e Vogël për mirënjohjen e madhe…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Natën e 28 shtatorit 1942, fashistët italianë masakruan 18 njerëz të pafajshëm, si hakmarrje për mbështetjen që i bënë Konferencës së Pezës

Nga Agron Sejamini

Si për të dëshmuar, se ajo Konferencë historike nuk mund jetësohej pa besën dhe sakrificën e pezakëve, para se të mbërrish te lapidari madhështor “Lavdi Pezës heroike”, fillimisht të shfaqet ky piedestal i bardhë monumental…

Nuk ishte e lehtë të sigurohej qetësia dhe siguria e 16 shtatorit 1942, kur forcat e ndryshme politike shqiptare, u bashkuan dhe krijuan frontin nacional-çlirimtar. Gjatë 24 orëve të zhvillimit të mbledhjes, por edhe në ditët e tjera, kur u pritën dhe u përcollën delegatët, u organizua një mbrojtje rrethore me rreze 7 kilometra nga qendra e Pezës. Njësitet luftarake që u krijuan me fshatarët më besnikë dhe më trima, u vendosën në pikat zotëruese. Për fatin e tyre dhe të Shqipërisë gjithçka shkoi për mrekulli! Ato ditë… Sepse, ditët në vazhdim do të ishin për Pezën, gjak dhe lot! Dufin dhe inatin e asaj mbledhje të zhvilluar para syve të tyre, fashistët italianë e shfaqën me egërsi ç’njerëzore ndaj banorëve të kësaj zone…

Të parët që derdhën gjakun në themelet e porsa hedhur të frontit per liri, janë emrat që skaliten në këtë piedestal të bardhë:

Ali Sali Spahiu, Allaman Hajdar Merepeza, Bejte Tahir Spahiu, Abdulla Xhaferr Spahiu, Sali Ali Spahiu, Servete Qamil Spahiu, Selim Abdulla Spahiu, Zelie Abdulla Spahiu, Ismail Zyber Spahiu, Ibrahim Jakup Myrta, Hamid Ibrahim Myrta, Rexhep Hysen Myrta, Rahman Ibrahim Myrta, Kaje Kasëm Dedja, Mustafa Sulejman Çeka, Qazim Selim Vrapi, Qazim Kapllan Bulku, Halil Haxhi Beka.

Të gjithë u masakruan gjatë mbrëmjes së 28 shtatorit 1942 me veprime dhe egërsi kafshërore. Mbi fshatarët e pafajshëm të Pezë – Helmësit, Pezës së Vogël, Greblleshit, Vaqarrit, Damjanit… u lëshuan si banditë mbi 6000 trupa fashiste nën komandën e gjeneral Xaninit. Të tërbuar nga vendimet e asaj Konferencë të jashtëzakonshme për të mirën e Shqipërisë dhe të keqen e tyre, ata nisën hakmarrjen e madhe duke u treguan të pamëshirshëm ndaj njerëzve të pafajshëm. Tragjedi për fisin Spahiu dhe Myrta që humbën disa pjesëtarë të familjeve të tyre. Skena tmerri ndodhën gjatë asaj nate dhe pamje të llahtarshme u shfaqën mëngjesin e 29 shtatorit…Edhe tani, kur i kujtojmë, të shkaktojnë dhimbje dhe rrënqethje në shpirt.

16 vjeç ishte Halil Beka dhe 14 vjeç Ali Spahiu; natë e keqe për Qazim Bulkun, që kishte ardhur nga Durrësi, mysafir te të afërmit e tij, në fisin Myrta; kur zbardhi drita, pranë trupit të pa jetë por ende të ngrohtë të Bejtes, u gjet duke pirë gji djali i saj, Skënderi…; Mustafanë dhe Allamanin i çuan te reparti ushtarak në Pezë të Vogël, i lidhën pas një makinë dhe pasi i tërhoqën zvarrë disa metra, me pas i pushkatuan; klithma dhe ulërima nënash dhe fëmijësh, shtëpi të djegura dhe të shkrumbuara nga flakët…

Kur kanë rënë bataretë e para mbi burrat e fisit Myrta të vënë para skuadrës së pushkatimit, oshëtiu zëri i të parit të shtëpisë, Ibrahimit:

– Mos qani moj nuse, se u bëhet qejfi këtyre katilëve! Amanet fëmijët!

Mirëpo, dhimbja dhe hidhërimi i asaj nate tragjike, ishte i papërballueshëm. Në çdo shtëpi të prekur nga kjo gjëmë, dhimbja kishte prekur fundin. Tmerr te Spahijtë! Aq sa, kur shikonte njerëzit e saj të masakruar, nusja e Ismail Spahiut, rënkonte thellë shpirtit: “Nuk ka më lot nona me qa…”.

Nuk me bie nder mendje një trevë tjetër shqiptare, si Peza, që të ketë 327 dëshmorë! Sakrificë deri në vetflijim perkufizohet kontributi i banorëve të kësaj zone, për lirinë. Mjafton të kujtojmë, se Pezën në kohën e Luftës Nacionale-Çlirimtare e kanë shkelur 75.000 nazifashistë, ku më shumë se 700 prej tyre, lanë aty kockat.

Lexo edhe :  Sali Vranishti, monument i atdhetarisë dhe trimërisë labe

Jo thjesht, nga pozicionimi gjeografik pranë Kryeqytetit, Peza është bërë vatër e ngrohtë dhe derë e hapur për ajkën e elitës kombëtare, por sepse njerëzit e saj e kanë të kultivuar ndër breza fisnikërinë, bujarinë dhe besën. Këto virtyte i shpalosi më së miri, biri i saj i shquar, Myslim Peza që lindi për të jetuar vetëm nacionalist. Të gjithë dëshironin ta afronin dhe shfrytëzonin Babë Myslimin për trimërinë dhe autoritetin e madh që zotëronte në interes të pikëpamjeve të tija nacionaliste, por asnjëri nuk ia doli ta bënte për vete. Nuk pranoi, as poste dhe as ofiqe,  por për seli dhe takime burrash preferoi të kishte vetëm vëndlindjen e tij, Pezën. Myslim Peza, nuk shfaqi preferenca, as për komunistët, as për ballistët, as për legalistët, por për… atdhetarët e vërtetë. Ata që mbi gjithçka kishin Shqipërinë.

Me këtë burrëri dhe pastërti vlerash fitoi edhe besimin e bashkëfshatarëve të vet. Ndaj u bë prijës, ndaj u bë i pari i Pezës, sepse ishte në vendin e burrit dhe të nderit! Me këto cilësi dhe ndjesi, çeli portën e mirëkuptimit dhe të bashkimit më 16 shtator 1942. Misioni i tij atdhetar filloi dhe mbaroi në më të mirën e mundshme, pikërisht në vendlindjen e tij, në Pezën e dashur. Ndaj, iu bënë krah bashkëfshatarët me gjithçka mundën, duke mos kursyer as jetën e tyre. Sepse ai burrë, as shitej dhe as blihej, as frikësohej dhe as tundohej para interesave të ngushta vetjake në dëm të shqiptarizmës. Tjetër punë, se pas luftës, dolën të tjerë pelivanë që u treguan më “trima” se ai…

Një gjë mbetet e pa tjetërsueshme! Peza në jetë të jetëve, mbetet e skalitur me gërma të arta, në faqet e historisë tonë kombëtare. Pezakët, Shqipërisë i kanë dhënë më shumë se sa i kanë marrë… Fjala vjen, as ndërtime, as investime kapitale nuk dallon kur shkon për në Pezë. Veçse, pllaka përkujtimore, monumente dhe lapidare… Atëherë, të paktën, t’i kishin bërë një muze lufte me të gjitha kushtet dhe komoditetet bashkëkohore! Pse jo, shumë mirë aty mund të ishte edhe Muzeu Historik Kombëtar. Në mos ky, në shenjë mirënjohje për kontributin e vyer dhe veçanërisht për 303 bijtë dhe 24 bijat e rëna, shteti duhet t’i kishte bërë Pezës, Muzeun Lokal.

Edhe shpirti i tyre do të ndjehej më në paqë, kur vizitorët të ndaleshin në ato 327 stenda jetëshkrimesh për t’u njohur me aktin sublim të sakrificës për lirinë. Më e pakta që ne të gjallët, mund të bëjmë për të rënët është të kujtuarit dhe të nderuarit e jetës dhe veprës së tyre.

Ky detyrim qytetar dhe kjo ndjesi shpirtërore, motivoi edhe Shoqatën Patriotike Kulturore “Myslim Peza” në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën e Veteranëve dhe të Familjeve të Dëshmorëve të Njësisë Administrative të Pezës, të organizonin një takim përkujtimor pranë lapidarit që përjetëson maskarën fashiste të 28 shtatorit 1942, ku ranë heroikisht 18 martirë.

U ndjemë me fat që na dhanë ftesë për të qenë pjesëmarës në këtë homazh përkujtimor. Madje, me detyrimin edhe për tu ulur e shkruar këto pak rreshta… Çdo shqiptar, do të ndjehej i privilegjuar nëse do t’i jepej mundësia të shkonte në Pezën e Vogël, për të shprehur mirënjohjen e madhe dhe të pakufishme ndaj kontributit të vyer që pezakët dhanë në historinë kombëtare.

Të fundit

25 zanatet që “hapin dyert” për një vizë pune spanjolle në 2024

Ashtu si disa vende të BE-së, Spanja po përballet me mungesë të fuqisë punëtore në industri të ndryshme, ka...

U tha se ishte në gjendje kritike për jetën, reagon Fedez

Pas aludimeve dhe lajmeve të shumta se reperi italian ishte në gjendje kritike për jetën, Fedez zgjodhi të sqaronte njëherë e mirë situatën me...

Dhunë edhe në protestën e tetë të Rithemelimit e PL, hidhet molotov drejt bashkisë Tiranë

Ka nisur me tensione protesta e tetë e Rithemelimit dhe PL para bashkisë së Tiranës ka nisur. Protestuesit që ndonëse numërohen me gishtat e...

Pushime 2024, ja destinacioni juaj ideal sipas shenjës astrologjike

Aventura apo çlodhje në luks, zbuloni cilat janë pushimet ideale për ju sipas shenjës që keni në zodiak. Dashi: Aventura në Nepal. Duke qenë shenja më...

Vdiq pas rrëzimit të helikopterit/ Irani shpall pesë ditë zie për presidentin

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei ka shpallur pesë ditë zie pas vdekjes së presidentit të vendit, Ebrahim Raisi. Raisi u vra pas përplasjes...

Lajme të tjera

Web TV