Eksperimentet sociale që nisin si lojë dhe përfundojnë në dramë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

“Big Brother” u shfaq sërish në ekranet e shqiptarëve, fillimisht me të qeshura hokatare, pastaj me pëshpërima në vesh, thashetheme, sulme e kundrasulme si dhe… atake paniku.

Herë-herë të duket se loja nuk është aq thjesht si lojë. Motorët janë ndezur, rivaliteti çdo ditë bëhet më i ashpër. Në fund vetëm njëri do të arrijë të marrë çmimin që është i barabartë me pothuaj 100 mijë dollarë.

“Big Brother” në vetvete është një spektakël interesant, ku të gjithë ne kemi rënë dashur padashur në rrjetën e tij dhe duam të shohim të paktën në “prime”: çfarë bëri Semi me Donaldin, çfarë i tha Paloma Monikës, çfarë po ndodh mes Fifit e Granitit? Sepse këtë herë “Big Brother” nuk është me njerëz anonim që pretendojnë të marrin një famë të menjëhershme, të habitshme, dhe ta humbasin atë po aq shpejt. Vëllai i Madh këtë herë ka përzgjedhur ta bëjë lojën me njerëz të njohur të skenës dhe ekranit, këngëtarë dhe aktorë më së shumti.

Në vitin 1949, shkrimtari anglez Xhorxh Oruell parashikoi ardhjen e “Big Brother” me veprën e tij “1984”: një sy-diktator i madh, i gatshëm për të monitoruar dhe spiunuar çdo lëvizje të individëve. Por versioni i realitetit në TV që u përhap në Evropë rrreth viteve 2000 edhe pse ka kundërshtime të forta negative, nga pikëpamja sociologjike, konsiderohet si një eksperiment interesant social-kulturor dhe mediatik.

Megjithatë “Big Brother” edhe pse një spektakël argëtues për shumëkënd që e sheh nga ekrani, është po aq një eksperiment social i rrezikshëm, sepse me gjasë do të të lërë me një traumë.

Je i vëzhguar 24 orë nga disa-dhjetëra kamera, të cilat transmetojnë në publik veprimtarinë tënde të ngushtë. Gjithçka intime që ndiqet nga disa-mijëra njerëz përmes ekranit, të cilët jo vetëm të përflasin por nxjerrin nga fundi i dheut edhe ato gjëra që t’i vetë ke harruar se i ke bërë. Ndaj këtu duhen nerva të forta për ta përballuar, edhe pse gati të gjithë pjesëmarrësit në kor thonë se nuk duan t’ia dinë për atë që thuhet jashtë. Pak e vështirë për t’u besuar kjo punë. Madje njëri nga pjesëmarrësit në një nga takimet përmbledhëse vuri në dukje se nga presione të tilla njerëzit kanë vrarë veten.

Ky është një mesazh që nuk duhet anashkaluar, ashtu siç nuk duhet tepruar me të hapurit e zorrëve të barkut përpara një publiku që nuk është se të ka prerë kërthizën e po i vjen aq keq për ty.

Për më tepër që, shfrimi i energjive negative tanimë ka vend ku merr ngushëllim, sepse në modë janë rrjetet sociale, ku mund të thuash çfarë të të dojë qejfi edhe me një identitet fals. Dhe pas një anonimati mund të thuash shumëçka, të vërteta e trillime për një person që nuk është në shijen tënde. Pavarësisht se çfarë kostoje ka fjala jote tek personi vetë, kur të dalë nga ngujimi e të përballet me furinë e inateve, apo te familjarët e tij, të cilët edhe po të mos duan do t’u shkojnë në vesh gjithfarë thashethemesh.

Në këtë pikë, edhe pse cilësohet si lojë, eksperimenti social thellohet në favor të përplasjeve dhe akumulimit të inateve.

Një studim i Universitetit të Ohajos ka nxjerr në pah një nga arsyet që i shtyn njerëzit të shikojnë Big Brother; pikërisht atë të dëshirës për të zbuluar njerëz dhe sjellje të ngjashme si të tyret, një lloj egocentrizmi që dëshiron të gjejë konfirmim në atë të tjetrit.

Nga agjenci të tjera spektakli në fjalë cilësohet si një eksperiment i vërtetë social në të cilin kontrolli është në duart e autorëve që diktojnë rregullat e lojës.

Lexo edhe :  E ardhmja e Partisë së Lirisë dhe e Ilir Metës

Por çfarë ndodh përtej kësaj?

“The Experiment” është një film dramatik amerikan i vitit 2010 me regji nga Paul T. Scheuring. Në fakt “Eksperimenti” hollivudian është ribërje e filmit gjerman të vitit 2001 “Das Experiment”, i cili u drejtua nga Oliver Hirschbiegel. Ky film ndoshta është më tipiku, i cili trajton temën e një eksperimenti social në kushtet e “Big Brother”-it. Vullnetarët mbërrijnë për një studim psikologjik të udhëhequr nga një mjek, në të cilin pjesëmarrësit do të ndahen në grupe që veprojnë si roje burgu dhe të burgosur. Pasi kryhen intervista që matin reagimet ndaj skenave të ndryshme të dhunës, 26 të zgjedhur dërgohen në një ndërtesë të izoluar, të ngritur si burg, dhe ndahen në 6-të roje dhe 20 të burgosur. Duhen vetëm disa ditë që situata të dalë përfundimisht jashtë kontrollit dhe në përfundim të eksperimentit të gjithë janë të rrahur, të gjakosur e me rroba të shqyera, për shkak të përplasjeve fizike që precipituan gjatë periudhës së izolimit. Dy protagonistët e filmit, që vetëm në pak ditë kanë arritur ta urrejnë dhe ta rrahin gati për vdekje njëri-tjetrin, në fund të këtij eksperimenti ndajnë një vështrim të heshtur ndërsa në dorë mbajnë nga një çek me vlerë 14,000 dollarë. Atëherë një nga lojtarët ngre pyetjen për protagonistin: nëse ai vazhdonte të besonte, po aq sa në fillim të lojës, se njeriu është një qenie më superiore se të tjerat?

Njeriut kur i kufizohet liria dhe ushqimi, patjetër që del nga vetja dhe tregon anët e tij më të errëta. Sepse në “Big Brother” do të të duhet të luftosh edhe për ushqimin. Ndaj çdo javë ka një buxhet ku varet dhe ushqimi yt, i cili ngrihet ose përgjysmohet në bazë të një performance që të urdhërohet.

Formati i Reality Show ka një sukses të pamohueshëm dhe Big Brother është një program i ndjekur nga miliona spektatorë, madje edhe nga ata që nuk e pranojnë.

Ndërkohë që një Reality Show i tillë qëllon që të dalë nga shinat. Sepse edhe pse fjala “lojë” përdoret si mbulesë, sërish inatet dhe pasionet janë të vërteta aq sa prej tyre mund të lindin konflikte fizike. Vetë lojtarët gjatë gjithë kohës deklarojnë publikisht se janë nën një presion të vazhdueshëm.

Është ky spektakël argëtues, për shumëkënd, ku njerëzit bëjnë kompromise me veten për të marrë çmimin i cili nuk është më 14 mijë dollarë sa në një film, por plot 100 mijë dollarë. Por ky eksperiment që mund të jetë i bukur dhe argëtues për ata që e shohin nga ekrani, lë jo pak pasoja tek aktorët.

Dhe teksa lënë shtëpinë e famshme, të gjithë kanë të njëjtën frazë për të thënë: Ishte një eksperiencë fantastike.

Padyshim. Por duhet të kalojnë dhe ca kohë për të kuptuar pasojat, po aq sa dhe mbyllja dymujore në kushtet e pandemisë, ku fill pas kësaj ca njerëz kishin nevojë për një psikolog e ca të tjerë për një psikiatër.

Ndaj: Lum ata që dalin sa më parë nga dhomat shumëngjyrëshe e të arreduara bukur dhe që janë veç karremi ku mbahen varur njerëzit të cilët kur shkelin aty u duket se janë futur në botën e çudirave.

©Copyright Fjala.al

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Fjala, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Fjala dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Të fundit

Çmimi i energjisë për furrat e bukës, më 7 maj nis verifikimi në terren

Furrat e bukës dhe pastiçeritë për rreth 2 javë, përkatësisht nga data 7 deri më 20 Maj do të...

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja?

Sot, më 01 maj 2024, dollari amerikan, blihet me 93.2 lekë dhe shitet me 94.3 lekë. Euro, blihet me 100 lekë dhe shitet 101 lekë. Franga...

Sot 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, si lindi dhe historiku i kësaj dite

1 Maji është dita ndërkombëtare e punëtorëve. Pothuajse në të gjithë botën kjo ditë synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar...

I dehur përplasi tre mjete të parkuara dhe u largua, AMP arreston efektivin e Gardës

Një efektiv i Gardës ka rënë në pranga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi ka përplasur 3 makina të parkuara dhe është larguar. Ngjarja ka ndodhur...

“Llumi e fundërrinat kundër meje”/ Erion Veliaj: Kush ka gabuar të mbajë përgjegjësi!

Me një fjalë që zgjati gati 25 minuta kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj hapi mbledhjen e këshillit bashkiak pasditen e 30 prillit 2024 e...

Lajme të tjera

Web TV