Viti 2022, shpresë për demokracinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduart Gjokutaj

Viti 2022 do të mbizotërohet nga nevoja për t’u përshtatur me realitetet e reja, si në fushat e riformatuara nga kriza, por edhe i ndikuar nga tendencat regresive më të thella të demokracisë, që ripohojnë faktin se 2022 do të jetë viti drejt thellimit të tendencave autoritariste dhe organizimit të politikës dhe ekonomisë më tej drejt polarizimit dhe destabilitetit. Thënë ndryshe, viti 2022 nuk është viti që do ushqejë shpresat e mëdha të shqiptarëve. Kjo pritshmëri e vakët lidhet me (a) shumë procese politike të dyshimta shoqëruar nga kriza e besimit të publikut, (b) mjaft paqartësi ekonomike, (c) më shumë përqëndrim të burimeve dhe të mirave publike në duart e pak grupimeve politiko-ekonomike, (d) nga lënia e hapësirës për të operuar pa konkurencë dhe respektim të ligjit nga agjensitë publike. Të gjitha këto dhe mjaft shtrembërime të tjera sociale dhe ekonomike të patronazhuara në çdo hap nga politikanët janë mjaftueshëm për të ndikuar mbi shpresat për një rritje të mirëqenies, si do ta uronim të gjithë ne votuesit.

Zgjedhjet lokale të vitit 2023 dhe procesi i nevojshëm i reformimit të opozitës dhe pozitës do të bëjnë kontrast të gjallë me sistemin politik aktual. Ndikimi i klimës paraelektorale do të ndihet gjatë gjithë vitit 2022, nisur kjo nga përvoja që përjetuam me fushatën e premtimeve që më vitin 2020 në funksion të zgjedhjeve të 25 Prillit 2021. Qytetarët gjithnjë e më tepër do të duan përgjigje për pyetjen se cili lidership është më i mirë për të ofruar stabilitet, rritje dhe inovacion për ta? Ky rivalitet do të shfaqet në çdo gjë, duke filluar nga ekonomia, orientimet e fondeve publike në funksion të zgjedhjeve, te përdorimi më masiv i teknologjisë, te vaksinimet dhe sistemi mbrojtjes sociale dhe deri te problemet me zgjerimin e stërmadh të orekseve për të blerë të ardhmen, të orientuar nga grupi politik-ekonomik, që udhëheq vendin aktualisht. Ndërkaq, rishpërndarja jofunksionale e mirëqenies dhe cënimi i vullnetit ndaj meritokracisë dhe luftës ndaj korrupsionit është një reklamë e dobët për modelin udhëheqës dhe hapjen e qeverisjes për njerëzit dhe me njerëzit. Rritja e problemeve të funksionimit të ekonomisë jashtë vendit, si dhe grumbullimi i stokut të problemeve të ekonomisë brenda vendit nuk ngjallin ndjenjën e besimit te të gjithë njerëzit dhe bizneset, pavarësisht se udhëheqësit thonë se kjo situatë është e përkohshme. Ndërkohë, Kosova është në rrezik të veçantë ndaj goditjeve politike ndërkombëtare, të cilat ndikojnë te integriteti i saj i brishtë i trashëguar, por edhe për shkak të të njëjtave probleme që përjetohen në politikën dhe në ekonominë e Shqipërisë. Në këtë pragviti të ri, duket se nismat dhe marrëveshjet politike të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, midis Shqipërisë dhe Serbisë e Maqedonisë së Veriut nuk krijojnë shumë hapësirë për ndikim të madh në ekonomi, pasi këto nisma kanë mosmarrëveshje në detaje. Dhe jeta e përditshme në fakt është pikërisht detaji. Sondazhet dhe analizat tregojnë se ambjenti ekonomik i shqiptarëve është jo konkurues dhe në këtë drejtim me gjithë reflektimet politike të mundshme nuk mund të presësh ndryshime që të rritin produktivitetin dhe konkurueshmërinë e ekonomisë përderisa nuk kemi ndryshime të vlefshme edhe një dekadë më parë. Debatet lindin gjithashtu mbi mungesën e stabilitetit të politikave ekonomike e fiskale, zbatimin jo të barabartë të rregullave tatimore, si dhe mangësitë e mëdha në monitorimin e informalitetit dhe evazionit. Paratë e pista ende depërtojnë me kokëfortësi brenda ekonomisë shqiptare. Në këtë drejtim, joshja kolektive ndaj korrupsionit duke anashkaluar përgjegjësitë ligjore, si dhe mungesa e meritokracisë janë ndikueset kryesore në disfavor të zbatimit të ligjit. Niveli i lartë i informalitetit duket se i mban të forta burimet e financimit për paratë e krimit dhe gjithnjë e më tepër rritet vështirësia dhe kostot për ta luftuar. Pandemia ka pasur një efekt të rëndësishëm negativ në të ardhurat dhe cilësinë e jetës. Nëse i shtojmë kësaj situate edhe stërlodhjen e secilit nga ne, qytetarët që kemi 30 vite që kontribuojmë për të përfituar grupimet politike-ekonomike, si dhe duke konsideruar edhe tensionet aktuale politike brenda PD në nivele mjaft të larta, duket se shpresat tona do të ndikohen edhe për vitin 2022 nga fallsiteti i lidershipit në dëm të mirëqenies.

Lexo edhe :  “Skuqja e perëndimit”, tendenca më e lezetshme e grimit

Në realitet, kur analizohet secili pjesëtar i udhëheqjes aktuale në vend mund të kuptosh qartë nivelin në të cilin kemi rënë, por edhe të kuptosh po qartë se kjo udhëheqje nuk mundet të drejtojë dot me integritet dhe vullnet të pakorruptuar shpresat tona për një vit më të mirë në drejtim të ekonomisë dhe mirëqenies. Por, në përgjigje të dilemës se si do të jemi në 2022 do të duhej të themi se si e kemi perceptuar 2021 dhe vitet më përtej.
Çfarë ka karakterizuar ambjentin politik dhe demokracinë në vitet e fundit është:

mungesa e besimit te institucionet
rritja e pabarazisë
modelet e vazhdueshme të përjashtimit social
elitë egoiste
lëvizje sociale në rënie
polarizimi politik dhe
tendencat autoritare në rritje.

Autoritarizmi bashkëkohor po bëhet një test ekzistencial për shoqërinë tonë demokratike, por duke mos qenë të vetmit. Ky model autoritarizmi, që nuk vjen në formatin klasik, por fshihet brenda populizmit është bërë kërcënues. Fuqia e tij më e madhe vjen nga përdorimi në rritje i retorikës përçarëse, e cila paraqet sfidën e madhe për shoqërinë tonë demokratike dhe kapacitetin për t’iu përgjigjur kësaj politike me veprime të përbashkëta dhe të thjeshta për të sintonuar mendimin dhe veprimin e qytetarëve. Korrupsioni mbeti një kërcënim i rrezikshëm për demokracinë dhe ekonominë. Ai ka dëmtuar integritetin e institucioneve dhe vlerave tona. Por korrupsioni më së shumti ka gërryer besimin për shtetin dhe ka zvogëluar kapacitetin e demokracisë tonë të cënueshme për të ofruar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve. Fondet e rindërtimit dhe ato në ndihmë të rikuperimit nga efektet e COVID-19 tashmë po denoncohen rast pas rasti se kanë krijuar edhe probleme korrupsioni. Gjithëpërfshirja është çelësi. Demokracia shqiptare ka nevojë për një ndryshim rrënjësor në kulturën dhe praktikën e rekrutimit të lidershipit. Kjo nuk ka lidhje me klasën politike aktuale. E ardhmja nevojitet të përgatitet në kapacitetin e shoqërisë tonë për të promovuar angazhimin e të rinjve në politikë. Por krijimi i hapësirës politike për të rinjtë, duke përfshirë të rejat nuk mundet të pranohet përsëri me tutelën e lidershipit actual, që e mban peng e kaluara e vet. Të rinjtë kanë nevojë për të ulur barrierat, përfshirë ato financiare, për pjesëmarrjen në proceset dhe institucionet demokratike, njësoj si ndodh kur nevojitet të stimulohet ekonomia nëpërmjet uljes së taksave. Politika e ngjashme duhet të zhvendoset si filozofi për përfshirjen e meritokracisë duke filluar me veprimet e duhura që nga viti i ri që vjen. Kjo ardhmëri duhet promovuar nga Ne, njerëzit duke stimuluar dialogun dhe barazinë ndërmjet brezave për t’u siguruar që e ardhmja që ne krijojmë pasqyron interesat dhe besimet e brezave të ardhshëm.

Të fundit

Japonia nxjerr pajisjen e parë në botë 6G

Teknologjia ka përparuar ndjeshëm ndërsa lidhja e internetit është përmirësuar në mbarë botën. Ai mundëson që pajisjet dhe aplikacionet...

Konkursi që e duan të gjithë, gara se kush fle më shumë gjumë

Është konkursi i vetëm që të gjithë do të dëshironin të fitonin. Koreano-jugorët mbyllën sytë dhe u qetësuan për një garë gjumi që synon...

“SPAK ka bërë tërmet”/ Karamuço: Shumë shpejt do dalin emra të tjerë politikanësh

Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka paralajmëruar se operacioni “Metamorfoza” do të vijojë dhe së shpejti do të ketë dhe 50 urdhërarreste të tjera. Jo...

Ja çfarë ndodh në trupin tonë kur konsumojmë pije energjike

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli...

Rama: Rruga Dobrunë-Blinisht afron edhe më shumë Kosovën me Shqipërinë

Rruga Dobrunë-Blinisht, Has, në kufirin Kosovë-Shqipëri tashmë është hapur duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve. Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga hapja e kësaj rruge,...

Lajme të tjera

Web TV