Cilat do të jenë lëvizjet politike të Ramës, Berishës dhe Metës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tre liderët politikë në përballjen e fortë që nis në shtator në një betejë që do mbyllet me të humbur. Si pritet të sillet politikisht Berisha dhe Meta në opozitën e “bashkuar” dhe kundërpërgjigjja e Ramës.

Vetëm etika nuk do të ruhet. Gjuha do presë edhe më shumë se shpata kur ndaj njëri-tjetrit, politikanë në pushtet apo opozitë do nisin akuzat, që nëse do kishte “peshore drejtësie” do të vlenin për të hapur qindra dosje, si hetime kryesisht. Kjo është ajo që pritet në këtë vjeshtë të etur, ku opozita duket sikur ka marrë revansh me rikthimin e dy “Big-ëve” të saj Sali Berisha dhe Ilir Meta, ndërsa Ramës do i duhet për pak kohë të jetë në mbrojtje, për të mësyrë në kundërsulm. Publiku nga ana tjetër e ka të garantuar bombardimin verbal në të gjithë drejtimet, ku për ushqim truri do i “ofrojnë” një lloj turlie e gatuar me kakofoni politike, akuza dhe kundërakuza. Pavarësisht situatës ekonomike, rritjes së çmimeve, çështjeve të korrupsionit apo drejtësisë apatike, qytetarët do e kenë të vështirë të përzgjedhin nga do të anojnë, ndaj nuk do jetë aspak çudi që në çdo palë zgjedhje, ku më të afërtat janë ato lokale, refuzimi për të votuar të jetë i madh.

Rruga e Berishës

Berisha di mirë të kapë situatat, ku është i “regjur” në opozitë dhe po tenton të rikthejë kohën e zymtë të PD-së të viteve 1997-2005, kur ai më pas erdhi në pushtet. Në dukje situatat janë të njëjta, ku Berisha në atë kohë denonconte korrupsionin, por premtonte se do të qeveriste me duar të pastra. Ndryshimi i madh është se Berisha dhe qeveria e drejtuar prej tij është provuar në dy mandatet 2005-2013 dhe prej andej dolën me “duar të pista”. Në këtë situatë kreut të PD-së do i duhet të rishpikë veten, për të hapur më shumë partinë dhe shpresuar se në zgjedhjet lokale të arrijë të marrë disa bashki. Mirëpo sado aktiv, “mbledhës kauzash” dhe mjeshtri të shfaqë për të ringritur opozitarizmin, Berishës i rëndon shumë çështja e shpalljes “non grata” nga SHBA, por njëkohësisht edhe problemet që mund të dalin nga “bishtat” Bashistë. Vetë Lulzim Basha ka nisur pushimet e gjata, por është aty si për tu kthyer nga “ekzili” nëse situata në PD rifaktorizohet dhe nisin përçarjet brenda grupimit që ka mbledhur Berisha. Tregues do të jenë zgjedhjet lokale, ndonëse Berisha por më shumë Meta premtojnë se Edi Rama nuk e ka jetën politike në krye të qeverisë më të gjatë se fundi i këtij shtatori.

Rruga e Ramës

Kryeministri Edi Rama di mirë të fshehë emocionet negative që mund të vijnë për shumë arsye. Së pari janë disa dyshime të forta për afera të rënda korruptive, ku ministra apo ish-ministra nuk është çudi që pa dëshirën e tyre të përfundojnë me pranga në duar. Nga ana tjetër situata ekonomike është ajo që vret më shumë, edhe se “AK 47-ta” që këtë verë ka kënduar vërtetë më shumë. Qytetarët ankohen për çmimet e rritura, pagat e ulëta dhe pamundësinë për të përballuar jetesën. Si mundësi shpëtimi mbetet ikja e të rinjve në emigrim, por edhe ky fluks do ketë një fund. Rama gjithashtu është i kushtëzuar tërësisht në justifikime, pasi nuk mund të ankohet se “nuk e lenë aleatët të qeverisë”, apo se personat e përfshirë në afera nuk mund të jenë përgjegjësia e tij. Një tjetër situatë që nuk e ka në favor është drejtësia e re. Kjo e fundit do i duhet me patrjetër të dalë nga zhgualli ku është futur dhe nuk mund të vijojë pafund lojës se “po kryejmë hetime”. Duhen rezultate dhe rezultatet kërkojnë disa koka të prera, që mund të jenë edhe në nivele të larta, apo ish-të tillë. Megjithatë Rama ka një bonus shumë të madh. Duket se në aspektin ndërkombëtar ai ka mbështetjen e ambasadës amerikane në Tiranë, por edhe të vendeve të tjera të BE-së. Gjithashtu shpreson që për disa kohë të vihet në qendër të vëmendjes, edhe për të fituar kohë politike duke rikthyer më me intensitet çështjen e “Ballkanit të Hapur”. Rama nuk i druhet mijëra mitingdashësit që mbledh opozita, por i druhet edhe dhjetëra qytetarëve që mund të shpërthejnë për problemet që kanë, në bujqësi, shëndetësi, arsim dhe kudo tjetër, mbi të gjitha të papunët dhe ata që nuk kanë se çfarë të humbin. Pakënaqësia është relativisht e madhe.

Lexo edhe :  Rama takim në Athinë, qytetarët mbushin stadiumin ‘Galatsi’

 

Rruga e Metës

Për Ilir Metën ishte një kohë e “artë” këto muaj. Nga tapeti i kuq i Presidencës u katapultua në tapetin e kuq të partisë që krijoi vetë. Pa pikë mundi, madje me dëshirë u bë rrotacioni bashkëshortor ku Kryemadhi i dorëzoi çelësat e partisë. Së pari Meta i ndryshoi emrin dhe tashmë e quan Partia e Lirisë, një veprim që as në ngre as ul peshë, sepse janë të njëjtët që drejtojnë. Megjithatë një “dosje” po bëhet “kauz” në Partinë e Lirisë. Çështja e inceneratorëve dhe denocimet e bëra nga kjo forcë politike më së paku kanë sjellë një zhurmë dhe trysni mbi SPAK e cila duhet të veprojë mbi faktet dhe dokumentat që nuk dihet si e ku përfunduan në duart e LSI-stave. Kjo duket pa rëndësi fare përballë akuzave që lëshojnë. Gjithsesi Ilir Meta nuk do jetë gjithë kohës në “tapetin e kuq”. Aludimet dhe dyshimet se mund të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit u hodhën në tregun politik dhe publik. Nëse kjo rezulton e vërtetë Meta do e mbyllë në mënyrën më të keqe të mundëshme karrierën e pasur politike, por edhe nëse rezulton një blof, sërish Metës nuk i shton aq shumë pikë sa ta bënin një person me parti si të rëndësishëm në majën politike. Meta do duhet të krijojë frymë, një mision thuajse i pamundur, ndaj nëse mbetet në politikë do i duhet të mbledhë një për një të ikurit nga partia dhe të shpresojë që do mbushet edhe me të pakënaqurit socialistë që duan pushtet, por për arsye rrotacioni apo lobimesh nuk janë më në poste drejtuese. Gjithashtu Meta është i detyruar që të bëjë numrin dy në opozitë, për aq kohë sa PD të drejtohet nga Berisha. E duan apo nuk e duan njëri-tjetrin si Meta ashtu edhe Berisha janë të dënuar të bashkëpunojnë, çka edhe lufta “mes llojit” nuk do të jetë aq e lehtë, ku secili tërheq nga vetja.

Të fundit

Çela mbron hartën e re gjyqësore: Ka shërbim më cilësor ndaj qytetarëve

Teksa po prezantonte bilancin për vitin 2023, Kryeprokurori Olsian Çela mbrojti hartën e re gjyqësore të ndryshuar. Sipas tij, harta...

Ish i dashuri Heidit sonte në BBVA, surpriza që është rezervuar nga produksioni (Video)

Pas ardhjes së mikeshës së saj aktores Beatrice Luzzi në BB VIP për të surprizuar Heidin, ka patur shumë polemika edhe për ardhjen e...

Ka qenë apo jo Bubulina, heroina e Revolucionit grek, shqiptare

Nga Ardian Vehbiu Një debat është kthyer, lidhur me atë nëse Bubulina - heroina e Revolucionit grek - ka qenë apo jo “shqiptare”. Debati vjen jo...

Mbyllet protesta e shtatë përpara Bashkisë Tiranë, ja kur mbahet demonstrata e radhës

Është mbyllur edhe protesta e shtatë e protestuesve të opozitës të mbajtur përpara Bashkisë së Tiranës. Demonstrata e radhës do të mbahet të martën tjetër...

Seancë për Berishën në GJKKO, çfarë kërkon ish-kryeministri (Detajet)

Në orën 13:00, do të mbahet një seancë gjyqësore për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se avokatët e Berishës kanë bërë...

Lajme të tjera

Web TV