Dy fytyrat e shqiptarëve tanë trima

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Që këtë vit sezoni turistik ishte i mahnitshëm këtë e pamë në televizor dhe e vërtetuam në terren. Kishte turistë të huaj plot.

Por dhe shqiptarët nuk binin pas. Kishin lënë vendet e punës së tyre në Perëndim dhe kishin ardhur në Atdhe për t’u argëtuar nga dy a tri javë. Dhe argëtimi në Shqipëri nis sapo zbret nga avioni.

Ose merr një makinë me qira, ose shif mos të ka ardh çuni i xhajës e të ka pru një Q7 apo X6 që të shtysh ditët në komoditet të plotë. Dhe shqiptari i vërtetë, si i liruar nga zinxhirët, ja ther me të pestin e si dihet ku e mban uryshin.

-Për ku jemi vëlla?

-Për në Vlorë, por e kaluam. Shiko të paktën të na ndalosh andej nga Saranda a Ksamili, se kështu si e kemi nisur do përfundojmë në Greqi.

Dhe makina fluturon mbi Llogara.

Në ditët e nxehta të verës, ke tmerr të udhëtosh nëpër rrugët e Shqipërisë se ca vapa, ca kondicioneri që të bën me bronshit, ca trafiku i ngadaltë që të lë në radhë gjysmën e ditës, e shumë më tepër makinat fuoristrada që fluturojnë para syve të tu.

-Ku vete ai i vrarë?

Mirëpo trimat nuk e lëshojnë veten. Se shoferi aty e ka vlerën, të ecë shpejt e pa iu dridhur qerpiku, dhe… të mos e shkelë fare pedalin e frenave. Vetëm kur bëjnë nja tre a katër kollotumba, dhe si kanë thyer palestrat dhe e kanë bërë makinën që s’ka servis që ua merr përsipër, ia nisin të qaraviten:

-Oj, nana ime…

Eh or trim, vetëm mamaja të bën derman kur shkon për lesh. Se edhe autoambulanca vjen pas 45 minutash. Ndaj dëgjo o babam, të paktën mos e regjistro veten duke bërë gara me makina në rrugët e Shqipërisë, se nuk je në “fushën e Starovës”.

Tani, ne si Shqipëri jemi shquar për shoferë trima. Ka pasur nga ata që në vitin 1980 punonin për vitin 2000. Bënin dhe gomën në mes të natës dhe acarit, riparonin dhe defektet në mes të rrugës e nuk prisnin t’u vinte karroatreci për t’i rimorkiuar.

Se shoferllëku i vërtetë është kur merr skodën RT me rimorkio, ngarkon trupa nja 7-8 ton dhe ecën rrugë e pa rrugë. Pa kur është asfalt, merret vesh që nis komoditeti e bëhen të gjithë trima.

Shumica e emigrantëve që na vijnë nga bota e zhvilluar, kur shkojnë përsëri në vendet e tyre të punës, e respektojnë ligjin aq sa nuk të duket asfare se është ai shqiptari trim e sypatrembur që i kalon policisë lokale te hunda e i ndez cigaren nga shpejtësia e fërkimit.

Atje, urtë e butë, se xhaxhi polici nuk të njeh as për burrë trim, as për azgan e as për asllan. Atje ai të rras gjobën, e do të të duhet të kërkosh punë jashtë orarit që të bësh lekët e faturës.

Lexo edhe :  Spektakli i pritur nuk ndodhi

Polici përtej kufirit nuk të njeh se je kushëriri i ministrit të brendshëm apo nipi i kryetarit të bashkisë – me profesion taksambledhës – dhe nuk i dhemb dora kur ta shkruan shifrën e gjobës të zezë mbi të bardhë që të hapësh xellot e të mos ngatërrohesh hiç fare.

Vetëm se trimave u dhemb fort xhepi ndaj qëndrojnë gatitu para policit. Por nuk dihet pse në atdhe shkrehen aq shumë sa të duket se pikërisht këta janë ata që kanë përmbysur raportet e mafies botërore.

Në Nju Jork ku isha ca ditë për pushime intensive, një miku im shqiptar, – fort i shkathët në rrugët e Tiranës, – sa herë që shihte makinat e policisë me stampën NYPD më thosh:

-Këta s’të falin fare. Po na ndaluan qëndro pa lëvizur, se po bëre një veprim koti e hëngre koqen e plumbit.

-O vëlla, aman o të keqen se s’kam ardhur për t’u vrarë këtej.

Mirëpo miku im qeshte e më thoshte se ky është një udhëzim që u duhet bërë e ditur të gjithë atyre që shkelin për herë të parë në këtë tokë, e nuk ia kanë fare haberin se me policin në Nju Jork nuk mund të sillesh si me policin në Tiranë, ku të hapet gurmazi, e në vend të të pyesë ai ty, je ti ai që i gafurresh”.

-Ça do … pse më ndalove?

-Po ja, ashtu… për kontroll rutinë.

Ç’është e vërteta andej policia nuk të ndalon për kontroll rutinë, por pikërisht se ka sinjalizimin e duhur. Mirëpo edhe policia jonë ka defektet e saj, se të ndalon sipas parimit: me u gjet Kola n’punë” e nis e të pyet: -Jo po ku e ke lejen e qarkullimit… jo po i keni shlyer detyrimet, jo po ku i ke fletë kuitancat…

-Ti je polic i butë mor, je polic demokracie, – lëshonte batutën vite më parë Paulin Preka në një skeç të estradës së Shkodrës.

Ndaj, dhe me sa duket, shqiptarët duke e ditur këtë dobësi të policisë vendase, ia shkelin sa u mban gazi. Ec or ec…

Ndaj policia nuk duhet të rrijë thjesht me një radar në dorë. Futi gjobën vëlla që t’i vijë mendja vërdallë e kur të të shohë përsëri të bëjë shurrën në brekë. Se trima nuk ka më. Ata që ishin trima të vërtetë u vranë në luftë. E meqë kemi nja 80 vjet paqe e vrasim njëri-tjetrin për qejf, vështirë të prodhojmë më trima të vërtetë.

Po për të vrarë do vazhdojmë të vritemi mes vedit, se sipas një postulati monumental: frikacakët vrasin, trimat falin.

Të fundit

Veliaj: Në SPAK shkova vet

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka theksuar edhe një herë se ka kërkuar vetë të shkojë në...

Rriten temperaturat/ Moti për ditën e sotme

Ditën e sotme vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike relativisht të qëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me alternime kthjellimesh dhe...

Horoskopi, e martë, 7 maj 2024/ Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

Dashi Kjo është një javë reflektimi edhe nëse nuk ju pëlqen të rrini ulur dhe kot. Jupiteri është ende në shenjë dhe do të mbetet...

Crystal Palace turpëron Manchester United në “Selhurst Park”, Ten Hag drejt shkarkimit

Manchester United turpërohet nga Crystal Palace në javën e 36-të të Premier League-s. “Djajtë e Kuq”, të cilët udhëtonin në këtë transfertë me shumë...

Lajme të tjera

Web TV