Alarmi i ri/ Katër arsyet pse Covid-19 po merr jetën e të rinjve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shqipëria vijon të paraqesë shifra alarmante për sa i përket numri të personave të infektuar me COVID-19, rasteve të fatalitetit prej virusit, por edhe rënies së moshës së personave të cilët po e humbin betejën me koronavirusin.

Në një intervistë për gazetën “Fjala”, eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, tregon se në vend vihet re një rritje e fataliteteve prej SarsCov2, e shoqëruar me uljen e moshës së viktimave. Sipas tij, rritja e numrit të të rinjve që humbin jetën prej COVID-19 duhet shoqëruar me investigimin e kohës së diagnostikimit, kohës së referimit nga shtëpia në spital, si dhe investigimin mbi protokollet që përdoren për trajtimin e tyre kur manifestohen komplikacione që kërcënojnë jetën.

Nga Ina Allkanjari 

Rritja me shifra alarmante e numrit të të infektuarve me COVID-19 në vend është shoqëruar me rënie të moshës së personave të prekur prej virusit, si dhe të të rinjve të cilët po e humbin betejën me këtë sëmundje. Mosha mesatare e të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, sipas ‘open data’ rezulton të jetë 46,8 vjeç. Ndërsa për sa i përket hospitalizimit, mosha mesatare e pacientëve mësohet të jetë 61 vjeç, ku 85% e rasteve janë mbi 50 vjeç dhe 53% e rasteve janë meshkuj, ndërsa 47% femra.

Në një intervistë për gazetën “Fjala”, eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, shpjegon situatën aktuale në të cilën ndodhet Shqipëria, përballë ‘luftës’ me virusin. Sipas ekspertit, vihet re një rritje e fataliteteve prej SarsCov2, e shoqëruar me uljen e moshës së viktimave. “Ndonëse të moshuarit dhe personat e sëmurë janë ata që rrezikojnë më tepër, edhe të rinjtë mund të pësojnë komplikime të sëmundjes dhe ta humbin jetën. Më bën përshtypje që numri i personave me moshë të re, midis atyre që kanë humbur jetën është i madh. Në SHBA, 20% e personave që humbin jetën janë nën 65 vjeç dhe 80% mbi 65 vjeç.

Nëse në Shqipëri përqindja e të rinjve që humbasin jetën është më e lartë, duhen investiguar koha e diagnostikimit, koha e referimit nga shtëpia në spital, si dhe protokollet që përdoren për trajtimin e tyre kur manifestohen komplikacione që kërcënojnë jetën”, nënvizon eksperti Erion Dasho. Sipas tij, ende nuk ka një konsensus botëror për sa i takon vdekshmërisë së SarsCov2, por ai thekson se jo të gjitha vdekjet nga COVID-19 raportohen si të tilla dhe, mbi të gjitha, eksperti nënvizon se jo të gjitha rastet me koronavirus diagnostikohen. 

 Si e shihni situatën aktuale të COVID-19 në Shqipëri? 

Situata aktuale e COVID-19 në Shqipëri duket shqetësuese, pra numri i rasteve sa vjen dhe rritet. Nëse do të shohim mesataren ditore të rasteve gjatë 6 javëve të fundit, është gjithmonë në rritje të vazhdueshme. Çdo javë kemi një numër mesatar rastesh shumë më të lartë se java paraardhëse. Gjithashtu edhe numri i vdekjeve është shqetësues. Kemi pasur mesatarisht 3 vdekje në ditë gjatë korrikut, dhe gjatë gushtit vazhdon e njëjta tendencë, ndonëse jemi në fillim të muajit. Pra, për ta përmbledhur, si për sa i takon sëmundshmërisë, ashtu dhe për sa i takon vdekshmërisë, situata lidhur me Covd-in duket shqetësuese dhe shpresojmë që kjo situatë të fillojë të hyjë në rrugën e zgjidhjes.

Vihet re një rënie e moshës për sa u përket infektimeve me koronavirus dhe fataliteteve, pse po ndodh diçka e tillë? 

Unë nuk i kam të gjithë statistikat e moshës, sepse duhet t’i mbledhësh rast pas rasti që të bësh mesataren. Por më bën përshtypje që numri i personave me moshë të re, midis atyre që kanë humbur jetën, është i madh. Ndonëse të moshuarit dhe personat e sëmurë janë ata që rrezikojnë më tepër, edhe të rinjtë mund të pësojnë komplikime të sëmundjes dhe ta humbin jetën. Shkalla e kombinuar e vdekshmërisë vlerësohet në 1%, shumë më e lartë se vdekshmëria nga epidemitë e gripit sezonal. Mosha e personave që humbin jetën duhet krahasuar me ato përpjesëtime që shohim në botë. Në SHBA, 20% e personave që humbin jetën janë nën 65 vjeç dhe 80% mbi 65 vjeç. Nëse në Shqipëri përqindja e të rinjve që humbasin jetën është më e lartë, duhen investiguar koha e diagnostikimit, koha e referimit nga shtëpia në spital, si dhe protokollet që përdoren për trajtimin e tyre kur manifestohen komplikacione që kërcënojnë jetën.

Si paraqitet vdekshmëria prej këtij virusi? 

Ende nuk ka një konsensus botëror për sa i takon vdekshmërisë së SarsCov2, sepse ajo çfarë shihet rëndom është rast-fataliteti, pra numri i vdekjeve në raport me numrin e rasteve. Por dihet që jo të gjitha vdekjet nga COVID-19 raportohen si të tilla dhe, mbi të gjitha, jo të gjitha rastet me koronavirus diagnostikohen. Janë rastet që kalojnë asimptomatike, janë rastet që kalojnë me pak simptoma, të cilët nuk hyjnë në statistika. Për këto arsye është e vështirë të shprehesh me një vlerë të saktë. Nga studimet e mia, nga ato që kam lexuar, më rezulton një vdekshmëri prej 0,5%, por kjo është me atë çfarë njohim deri më sot. Sa më shumë studime të kryhen, aq më shumë do t’i afrohemi vlerës së saktë të vdekshmërisë nga COVID-19. Në muajin korrik në Shqipëri kishim 93 jetë të humbura nga COVID-19, të cilat përkthehen në mbi 33 vdekje për 1 milion banorë. Për të njëjtën periudhë, Spanja aq e goditur gjatë muajve të parë të epidemisë dhe me një popullsi 17 herë më të madhe se Shqipëria pati vetëm 90 vdekje! Nëse krahasimet bëhen për 1 milion banorë, pamja duket qartazi më e rëndë. 33 vdekje për 1 milion banorë në Shqipëri janë 16 herë më të larta se Gjermania, madje edhe 5 herë më të larta se Italia që ishte vendi më i goditur prej COVID-19 në Evropë. Gjatë muajit korrik Gjermania pati vetëm 2 vdekje dhe Italia vetëm 6 vdekje për 1 milion banorë.

Lexo edhe :  Rithemelimi s’do marrë pjesë në Komisionin e Dezinformimit! Bardhi: Iu urojmë suksese

 Mendoni se është po i njëjti virus që hyri në Shqipëri në muajin mars, a ka një rënie apo rritje të virulencës? 

Në Shqipëri nuk kryhen studime mbi llojet e viruseve apo mbi variantet e ndryshme të një virusi. Ndaj e kam të vështirë ta them, nëse është i njëjti virus, nëse ka pësuar mutacione, apo nëse kanë hyrë edhe viruse të llojeve të ndryshme. Kjo është një pyetje së cilës do t’i përgjigjemi kur të kemi mundësi të kryejmë të tilla studime edhe në Shqipëri.

Shumë qytetarë koronavirusin mund ta konsiderojnë si grip normal. Cila është këshilla juaj për kategoritë që ende nuk janë ndërgjegjësuar? 

Ky nuk është një grip normal, pasi nëse flasim për gripin normal, vdekshmëria është shumë më e ulët. Një vdekshmëri e cila mund të luhatet nga 2 deri në 5 apo shumë herë më e ulët. Pra, është një sëmundje virusale që e ka gjetur pa mbrojtje imune popullatën njerëzore, dhe si e tillë shoqërohet me një vdekshmëri që është shumë herë më e lartë se ajo e gripit apo e virozave normale të stinës. Është një vdekshmëri e cila është krahasuar me gripin spanjoll, është krahasuar me gripin e Hong Kongut, është krahasuar me ato epidemi gripi që kanë qenë të lidhura me viruse gripi të reja, pra jo me viruse gripi që qarkullojnë rëndom në popullatë. Për këtë arsye këshilla ime për të gjithë qytetarët është që të respektojnë të gjitha ato masa të cilat u rekomandohen dhe u këshillohen nga specialistët. Njëkohësisht, këshilla ime tjetër shkon për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komitetin e Ekspertëve, që duhet të zbatojnë masat parandaluese gjithëpërfshirëse të cilat të fokusohen te spitalet, tek administrata publike, te bizneset, te transporti publik dhe të mos kufizohen vetëm te këshillat që u japin qytetarëve për mbajtje maskash, distancim fizik dhe higjienë personale.

Çfarë risku kanë fëmijët përballë këtij virusi?

Për sa u takon fëmijëve, studimet janë ende duke u kryer. Risku i fëmijëve në raport me COVID-19 dhe roli i tyre në transmetimin e virusit ka qenë një nga temat më të debatueshme gjatë gjithë epidemisë. Fillimisht u mendua se fëmijët nuk preken nga COVID-19, por mund të luajnë rol në transmetim. Kjo ishte arsyeja se përse u rekomandua mbyllja e shkollave si masë anti-Covid. Më vonë, shumë studime hodhën poshtë rolin e fëmijëve në transmetim dhe mjaft vende rihapën shkollat. Para disa ditësh në fytin e fëmijëve të ekspozuar ndaj SARS-CoV-2 u gjetën ngarkesa virale më të larta se edhe tek të rriturit, duke hedhur sërish tezën e rolit që mund të kenë fëmijët në transmetim. Faktikisht, sëmundshmëria dhe vdekshmëria nga COVID-19 në moshën pediatrike mbetet ende shumë e ulët, në raport me adultët dhe, sidomos, të moshuarit. Por studime të ndryshme kanë dhënë përgjigje të kundërta dhe konkluzione të kundërta, prandaj në këto kushte është shumë e vështirë të japësh një përgjigje të saktë, se sa të prekshëm janë fëmijët nga COVID-19. Shpresojmë që muajt e ardhshëm t’i japin një përgjigje edhe kësaj pyetjeje.

Si mund të përmirësohet, cilësia e trajtimit me COVID-19 në familje? 

Për të trajtuar Covid-in në familje, përgjegjësia nuk i duhet lënë vetëm familjes apo personit të infektuar, duhet një përgjigje e integruar, një përgjigje që të koordinohet nga politika të sakta të Ministrisë së Shëndetësisë, të karakterizohet nga përfshirja e mjekut të familjes dhe nga protokolle të qarta trajtimi. Vetëm atëherë do të kemi një trajtim të rregullt dhe efektiv të COVID-19 në familje. Pra, edhe një herë, nuk i duhet lënë përgjegjësia të sëmurit apo familjarëve të tij, është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë, e Komitetit të Ekspertëve për të hartuar politika të sakta dhe për ta përfshirë mjekun e familjes në ofrimin e kujdesit.

Situata epidemiologjike në vend 

Numri total të testuar                      38026 (1.34% e popullsisë)

Numri i të infektuarve                    5620 (14.60% e totalit të rasteve të testuara)
Numri i rasteve aktive                    2417

Të spitalizuar                                    122
Numri i vdekjeve                              172 

Numri i pacientëve të shëruar         3031 

Mosha mesatare e të infektuarve    46,8 vjeç 

Mosha mesatare e pacientëve të spitalizuar 61 vjeç 

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: 

Tiranë 1342

Durrës 302

Shkodër 218

Fier 96

Vlorë 93

Lezhë 84

Korçë 78

Kukës 69

Elbasan 54

Berat 29

Dibër 28

Gjirokastër 24 /Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Dëshmia në SPAK/ Bardhi kërkon ndryshim të datës, zbulohet arsyeja

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka dërguar në Prokurorinë e Posaçme një shkresë me anë të së...

Vrasja e efektivit në Fier, gazetari zbardh detaje të reja: Autorin e gënjen mendja

Gazetari Artan Hoxha ka folur për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Fier, ku ka mbetur i vrarë shtetasi N.C, efektiv policie. I...

Së shpejti baba, Ermal Meta zbulon emrin e vajzës!

Këngëtari i njohur Ermal Meta së shpejti do të bëhet baba dhe në një intervistë që ka dhënë së fundmi për “Verissimo”, ka zbuluar...

Nesër protesta para bashkisë Tiranë, policia njofton masat, ja rrugët që do të bllokohen

Nesër 14 maj do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës dhe “Aleancës për Teatrin” para bashkisë Tiranë lidhur me çështjen “5D”. Për rrjedhojë policia...

Pasagjerët të alarmuar/ Ndalon për disa orë treni në Japoni, shkak një gjarpër

Një tren në Japoni u ndal për një orë pasi pasagjerët raportuan se kishin parë një gjarpër Një tren në një linjë të ngarkuar në...

Lajme të tjera

Web TV