EKSKLUZIVE/COVID-19, 3,5 milionë euro gjoba në një muaj, penalizohen 218 pronarë lokalesh

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 

Pas lehtësimit të masave dhe rifillimit të jetës normale, koronavirusi u përhap shumë në vendin tonë, duke shënuar disa të vdekur dhe qindra të prekur në ditë. Për këtë qeveria nxori një akt tjetër normativ, ku detyronte mbylljen e lokaleve të natës, fikjen e muzikës pas orës 20:00 në të gjitha lokalet, si dhe ndalimin e evenimenteve dhe festave familjare, si dasma apo fejesa.

Gazeta “Fjala” sjell eksluzivisht të dhënat e numrit të të penalizuarve. Çfarë do të behet me masat administrative dhe rreziku për mbylljen e bizneseve të kapura në shkelje. Cilat janë qytetet e penalizuara më shumë për organizimin e evenimenteve, në kundërshtim me aktin normativ.

Nga Elvis Myrta

Nëse do të ishim në kohë normale, gjatë kësaj periudhe të gjithë ne do të përballeshim me zhurmën e borive të vargut të makinave që shkonin për të marrë nusen dhe më pas të mësonim “veshët” me muzikën e lartë deri natën vonë. Ritual ky i cili na ka munguar gjatë këtij viti, për shkak edhe të situatës së COVD-19. Gushti është periudha kur shumica e çifteve i jep fund beqarisë, duke festuar me familjarët, të afërmit dhe miqtë, ditën më të bukur të jetës. Por, për shkak të situatës së pandemisë ku ndodhet sot mbarë globi, ndodh që dasmat të anulohen apo të shtyhen, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën.

Në disa shtete vendimi është marrë për shkak të izolimit, ndërsa në disa të tjera për shkak të distancimit social dhe rregullit për një numër të kufizuar të ftuarish. Në vendin tonë, pas daljes nga karantina, autoritetet fillimisht vendosën që dasmat të zhvilloheshin me numër të kufizuar të ftuarish, duke marrë të gjitha masat e higjienës, si dhe duke ruajtuar distancimin social.

Por, me shtimin e numrit të të prekurëve me COVID-19, virus i cili ka “pushtuar” gjithë botën, më 20 korrik qeveria mori vendim për ndalimin e të gjitha festave apo eventeve familjare, si dasma apo fejesa, si dhe urdhëroi mbylljen e lokaleve të natës. “Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge-bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3000000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë njëvjeçare”, thuhet në ligj.

Gjithashtu, po sipas këtij akti, të gjitha lokalet duhet të fiknin muzikën pas orës 20:00. “Ndalon muzikën pas orës 20:00 në të gjitha mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet dënohet me gjobë 1000000 lekë dhe në rast përsëritjeje, me pezullim të aktivitetit për një periudhë gjashtëmujore”, shkruhet në Fletoren Zyrtare.

Por, pavarësisht paralajmërimit për penalizime dhe gjoba të majme, dëshira e të rinjve për t’u argëtuar dhe e çifteve për të bërë një dasmë me farefisin e miqtë e tyre, si dhe tundimi i pronarëve të lokaleve për të fituar në këtë kohë krize, ka bërë që të dyja palët të mos marrin parasysh as frikën nga koronavirusi dhe as frikën nga penalizimet. Për shkelje të prtokolleve të sigurisë, në gati një muaj janë gjobitur qindra pronarë lokalesh e restorantesh.

Gazeta “Fjala”, nga burimet e saj në Policinë e Shtetit, ka mësuar zyrtarisht se janë plot 218 pronarë restorantesh, lokalesh apo longe-bareve që janë gjobitur, pasi janë kapur duke zhvilluar ceremoni martesore apo evenimente e festa të ndryshme në ambente të mbyllura. Sipas burimeve policore, mësohet se mbi 35 administratorë të këtyre lokaleve nuk kanë zënë mend, pasi kanë vijuar punën me dasmat apo vakitë, edhe pas gjobës. Pas konstatimit të përsëritjes së shkeljes, atyre u është bllokuar aktiviteti për 6 muaj, si edhe kanë marrë gjoba nga 3 milionë lekë. Masa administrative ekzekutohet menjëherë, dhe pronarët e këtyre subjekteve kanë afat tre muaj për ta paguar masën administrative, në të kundërt atyre u mbyllet biznesi.

Gjatë këtij muaji nga masat administrative të vëna me vendimin e ri, buxheti i shtetit ka përfituar rreth 2 milionë euro. Nga informacionet e siguruara nga gazeta “Fjala”, mësohet se numri më i lartë i të pabindurve për masat e sigurisë ndaj koronavirusit i përket kryeqytetit, më pas vijnë vijnë Lezha, Vlora, Berati, Fieri, Dibra dhe Korça. Gjatë kontrolleve të policisë janë kapur duke ushtruar aktivitetin e tyre, në kundërshtim me aktin normativ, plot 312 pronarë lokalesh, ndërkohë që 218 prej tyre me shkelje të rënda dhe janë gjobitur.

Përplasja mes qeverisë edhe këngëtarëve

Me rihapjen e vendit pas karantinës, dhe çeljen e sezonit veror, Shqipëria u kthye për fat të keq në një vend me rrezikshmëri të lartë për sa i përket prekjes me koronavirus. Pas shtimit të këtyre rasteve, më 20 korrik qeveria nxori një akt normativ për ndalimin e punës së diskove, pub-eve dhe lounge-bareve, dhe ndalimin e muzikës në të gjitha ambientet pas orës 20:00 të mbrëmjes. Vendimi u mor, pasi sipas qeverisë, këto vende janë zona grumbullimi të të rinjve, ku nuk ka kurrfarë kujdesi, si nga klientët, ashtu edhe nga pronarët e tyre. Ndryshe nga kafenetë, lokalet e natës u prekën më shumë nga ky vendim i qeverisë, për ndalimin e muzikës, pasi në këto ambiente muzika është elementi kryesor i argëtimit që ato ofrojnë.

Pas publikimit të këtij vendimi, pati protesta të shumta nga artistë, këngëtarë dhe punonjës të bareve, të cilët pretendojnë se ky akt normativ i lë ata pa ushtruar profesionin e tyre dhe, si pasojë, pa të ardhura. Elton Deda, një nga këngëtarët e mirënjohur shqiptarë, nëpërmjet një postimi publik fill pas aktit normativ të qeverisë, u shpreh i zhgënjyer dhe i indinjuar në lidhje me këto masa shtrënguese që, sipas tij, nuk po i lënë artistët të rimëkëmben. “Reflekto or mik, sa nuk është vonë. Mos ua mbyll shqiptarëve të dërrmuar atë dritaren e zbehtë që u jep pak kënaqësi. Shfuqizo atë aktin e çuditshëm dhe bëj një të ri ku shtrëngon masat”, ka shkruar muzikanti Elton Deda, duke deklaruar se ka plot forma të tjera kotrolli, nëpërmjet të cilave nuk rrënohen artistët apo zinxhiri i biznesit. Në të njëjtën mënyrë reagoi edhe këngëtarja Orgesa Zaimi, e cila u shpreh se shteti duhet të kontrollojë respektimin e masave, dhe jo të mbyllë lokalet. “Është një gamë e gjerë profesionesh që mbyllen, me mbylljen e muzikës. Shteti duhet të kontrollojë respektimin e masave, jo të mbyllë. Kryeministri duhet të na lejojë të punojmë në kushte sigurie”, shkroi ajo në facebook.

Pas nxjerrjes së këtij akti normative, ku lokalet e klubet e natës nuk duhet ta zhvillojnë aktivitetin e tyre, ndryshe do të gjobiten, pronarët e lokaleve, DJ dhe këngëtarët u mblodhën para Kryeministrisë kundër këtij vendimi, që prek direkt buxhetin e tyre, pasi përmes muzikës ata përfitojnë të ardhurat e tyre ekonomike. Ky vendim erdhi pas mosrespektimit të asnjë mase në ambientet e mbyllura të party-ve të zhvilluara në lokalet e natës dhe rritjes së madhe të shifrave të të prekurve me Covid në vend. Në atë kohë pati dhe një përplasje mes protestuesve dhe policies, pasi ata u mblodhën kundër rregullave antiCovid, të vendosura në vend, të cilat nuk lejojnë grumbullime dhe protesta.

Qeveria në vendimin e saj tha se hapja e tyre do të gjobitet me 3 milionë lekë dhe një vit pezullim. Kurse muzika pas orës 20:00 në të gjitha mjediset e shërbimeve të çfarëdo lloji ndalohet dhe, nëse vendimi nuk zbatohet, subjekti gjobitet me 1 milion lekë dhe 6 muaj pezullim. Ndërsa Shoqata e Bareve e cilëson vendimin si absurd, duke shtuar se vatër e virusit nuk janë baret dhe klubet, por spitalet Covid.

Lexo edhe :  E RËNDË në Tiranë/ 10-vjeçarja pickohet nga gjarpri në shkollë

Kontrollet pas lehtësimit të masave

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe grupet e tjera të Task-Forcës, gjatë këtyre muajve kanë zhvilluar me mijëra kontolle. Sipas burimeve, mësohet se këto institucione kanë arritur të bëjnë deri te 1000 kontrolle e monitorime vetëm në 24 orë. Ndërkohë, si rezultat i këtyre kontrolleve janë vendosur edhe mijëra masa administrative. Burime bëjnë me dije se kryesisht subjektet e gjobitura janë bar kafetë dhe restorantet, por nuk mbeten pas as institucionet shtetërore.

Burime zyrtare nga policia i thanë gazetës “Fjala” se vetëm nga 18 prilli deri në 2 maj, në të gjithë vendin janë vendosur 4857 gjoba për shkelje të ndryshme të përcaktuara në aktin normativ. Më konkretisht, gjatë kësaj periudhe ishin 468 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalimqarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në bazë të aktit normativ.

Gjithashtu janë vendosur 691 masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve, që nuk kanë respektuar urdhrin për të qarkulluar me jo më shumë se një pasagjer në automjet që ishte në atë periudhë. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe me masë administrative 10000 lekë, u gjobitën 3618 shtetas, pasi u kapën duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, jashtë fashave orare të lejuara.

Gjithashtu, u gjobitën me 20000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj 15 shtetas, pasi nuk zbatuan urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe e lulishte. 6 shtetas të tjerë në dyjavëshin e fundit të prillit u ndëshkuan me masë administrative 700000 lekë, pasi kishin shkelur rregullat e vetëkarantinimit të detyrueshëm. Në të gjithë vendin, për periudhën 18 prill-2 maj 2020, janë konstatuar 69 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, duke i gjobitur ata me 100000 lekë. Të gjitha këto gjoba i sollën buxhetit të shtetit një fitim prej gati 1,5 milion eurosh.

Në periudhën maj-qershor numri i masave administrative ka qenë shumë i ulët, kjo për shkak edhe të hapjes së vendit dhe lirimit plotësisht të masave. Por me rritjen e numrit të të prekurve dhe shtimin e viktimave, qeveria i shtrëngoi sërish masat për vendet që cilësoheshin burim infeksioni, duke u vënë gjoba pronarëve të bareve, restoranteve dhe lokaleve të natës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që pas shtimit të rasteve të të prekurve me koronavirus dhe rritjes së numrit të viktimave, u bën apel bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët.

Akti Normativ

Pas konstatimit të rastit të parë me koronavirus, më 11 mars, qeveria miratoi aktin normativ, i cili hyri në fuqi në datën 15 mars. Ai përmban masa drastike, të cilat janë marrë me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit Corona, teksa deri tani të infektuar në Shqipëri janë 51 persona. Masat e reja të aktit normativ parashikojnë gjoba deri në 10 milionë lekë për shkelësit dhe abuzuesit. Akti normativ parashikon masa shumë të rënda për shkelësit në treg, spitale, media dhe në rrugë. Një nga pikat e aktit normativ thekson që, nëse personi që hyn brenda territorit dhe nuk deklaron ardhjen nga zonat e prekura nga virusi, gjobitet 700 mijë lekë.

Po ashtu, gjoba do të jetë në këtë vlerë nëse personi nuk vetëkarantinohet për 14 ditë dhe nuk zbaton urdhrin. Gjithashtu, nëse ke rezultuar pozitiv dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm, gjobitesh 700 mijë lekë. E ndërsa pjesa dërrmuese e institucioneve kanë pezulluar punën, në aktin normativ specifikohet që nga tani e në vazhdim marrja e vendimeve nga organet kolegjiale duhet të realizohet edhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. Ky akt do të jetë në fuqi deri sa të përfundojë situata me koronavirusin. Masat e reja të aktit normativ që janë futur në fuqi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit:

-Kush eksporton barna e pajisje mjekësore pa autorizim, gjobë 5 mln lekë dhe sekuestro;
-Kush organizon protesta, ndeshje apo konferenca 5 mln lekë gjobë;
-Familjarët që futen pa leje në spitale gjobë 500 mijë lekë;
-Kush fsheh ardhjen nga zona të prekura ose të infektuarit që nuk vetëkarantinohen gjobë 700 mijë lekë;
-1- 5 mln lekë gjobë për çerdhet, kopshtet dhe shkollat që nuk mbyllen;
-Palestrat, qendrat sportive dhe të internetit që rrinë hapur gjobë 1 mln lekë;
-Gjobë 1 mln lekë nëse organizoni ekskursione;
-Nëse hapni lokalet, restorantet dhe diskot 1 mln lekë gjobë;
-Postat që nuk respektojnë distancat në radhë 1 mln lekë gjobë;
-Strukturat shëndetësore publike/private që lejojnë grumbullim 1 mln lekë gjobë;
-Drejtuesve të makinave që qarkullojnë iu hiqet patenta për 3 vjet, bllokim mjeti;
-Deri në 5 mln lekë gjobë po rritët çmimet e ilaçeve e ushqimeve në kohën e koronavirusit;
-Emisionet me më shumë se 2 persona do të gjobiten 1 mln lekë;
-Shkeljet e masave të sigurisë nga farmacitë gjobë 50 mijë deri në 10 mln lekë;
-Nëse rriten të infektuarit, spitalet private, hotelet e personeli në dispozicion të situatës, kush thyen urdhrin 5 mln lekë gjobë;
-Gjobat i vendos policia dhe institucionet e tjera, lekët derdhen në buxhetin e shtetit;
-Në periudhën e koronavirusit vendimet e organeve kolegjiale vetëm përmes video-konferencave.

Gjobat dhe falja e tyre gjatë kohës së karantinës

Gjatë kohës kur vendi u izolua totalisht dhe nuk lejohej lëvizja e qytetarëve, nëse nga njëra anë qeveria premtoi përmes paketave ekonomike ndihma për shtresat më të prekura dhe bizneset, në anën tjetër pati edhe gjoba për “të pabindurit” e karantinimit. Një muaj pas hyrjes në fuqi të aktit të parë normativ me masat ndëshkuese që parashikoheshin, kryeministri Rama ndryshoi qëndrim. Më 17 prill dha lajmin se 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtuesit e automjeteve, që nga fillimi i pandemisë, do të falen. Po ashtu, u rikthyen patentat dhe makinat e bllokuara.

Sipas kryeministrit, ky veprim u bë për ta nisur të gjithë të barabartë hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal. “Sot dua t’ju jap një provë të thjeshtë, se ndëshkimet nuk janë plan për t’u bërë si Enveri, siç më akuzojnë, por domosdoshmëri për të forcuar mbrojtjen. Janë ekzekutuar deri tani 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtues automjeti, të cilat janë shoqëruar me pezullim të lejes së drejtimit për tre vjet dhe bllokim të makinës. Ne sot kemi vendosur mosekzekutimin e këtyre gjobave dhe kthimin e të gjitha patentave dhe të të gjitha mjeteve të bllokuara. Javën e ardhshme, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal, le të startojnë të gjithë të barabartë”, tha në atë kohë kryeministri.

Menjëherë pas daljes së tij publike, vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare. Vendimi parashikonte që të faleshin të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, që u vendosën nga momenti i konstatimit të sëmundjes COVID-19 në vend deri në datën 17.04.2020. Ndërsa personat që i kishin paguar këto gjoba u rimbushsuan nga buxheti i shtetit apo buxheti i institucionit në të cilin ata kishin paguar masën administrative që kishin marrë. Në të njëtën mënyrë u veprua edhe për lejet e qarkullimit rrugor dhe mjetet e bllokuara, të cilat deri më datë 15 maj 2020 u ishin kthyer pronarëve të tyre. Kujtojmë se nga ai vendim përfituan mbi 7 mijë këmbësorë dhe rreth 2 mijë drejtues mjetesh që u gjobitën nga autoritetet.

/En.Br./Fjala.al

 

Të fundit

Piktura e rrallë/ Skënderbeu i portretizuar nga Peter Appian

Një pikturë e veçantë e Peter Appian pasqyron hartën e botës së vitit 1553 ku në të dallohet Skënderbeu...

Pensionet, përballë sfidave të plakjes së popullsisë dhe informalitetit në ekonomi

Ndryshimet që pësoi skema e pensioneve një dekadë më parë, si rritja e moshës së pensionit, apo vendosja e barazisë, pra të një raporti...

Vula e PD-së dhe mundësia anti-korrupsion e partive të reja!

Nga Ben Andoni Ka nisur të ketë shumë pritshmëri te opozita për datën 11 Qershor, kohë kur Gjykata e Apelit pritet të japë vendim për...

Humbi babain në moshën 15-vjeçare, gazetari kujton përjetimin e dhimbshëm

Ndikimi i një mësuesi nuk shtrihet vetëm përgjatë viteve të shkollës, por edhe përtej tyre. Gazetari Osman Stafa i cili ka ardhur në “Ka...

Liverpool mposht Wolvesin në sfidën përmbyllëse të kampiontit, Klopp përcillet si hero

Jurgen Klopp mbylli eksperiencën e tij 8-vjeçare në krye të Liverpool-it këtë të dielë. Skuadra e trajnerit gjerman e mbylli sezonin e Premier League me...

Lajme të tjera

Web TV