Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria?
Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët.
Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
Njeriu i metë e i sëmurë, nuk është në gjendje të mendojë e të veprojë si çdo vetë, po ashtu edhe një individ, shoqëri e komb, nëse janë në varfëri e vështirësi jetese dhe të shtypura, ngaqë ndodhen në vartësi ndaj faktorëve dhe s’varen nga ai, si ato fizike, ekonomike, kulturore te dhunës etj. Liria të jep, pra, këto mundësi: të mendosh e të veprosh në pajtim me idetë, pikëpamjet e bindjet filozofike, fetare e politike, por në kushte normale fizike e jetësore.
Ndryshe ndodh në burg. Atje nuk i ke këto mundësi, të janë mohuar, ose më saktë të janë kufizuar, sidomos në të vepruarit. “Sidomos”, se siç u shpreha më lart, liria qëndron jo vetëm në të menduarit, por edhe në të vepruarit, jo vetëm në mundësinë e fuqinë e arsyes, por edhe në atë për ta kthyer idealen në reale.
Vijmë tani te: ç’është burgu? Mund të duket paradoksale, por lira e të menduarit në burg, merr shumë herë (flas për të dënuarit politikë, që nuk nënshtrohen dhe nuk e humbasin arsyen e logjikën nën peshën e padrejtësive, keqtrajtimeve e presioneve gjithfarëshe që u bëhen, nuk braktisin bindjet e shpresat, për të ardhmen), zhvillime e përmasa do të thosha, pa kufi.
Nëse kur je jashtë, si pjesëtar i një rrethi a shoqërie të caktuar, i një partie politike cilado qoftë ajo, më shumë akoma, po të mos jetë demokratike, pa e kuptuar, për inerci ose nga detyrimet disiplinore ndaj vullnetit të shumicës, nuk je i pavarur e i lirë prej tyre, në burg shkëputesh, ndihesh i pavarur e i lirë nga ato.
Fillon të shohësh shumë gjëra, me një sy tjetër kritik do të thosha, të kërkosh thellë edhe në veten tënde, të sjellësh në mend e të bluash ngjarje, idera e veprime të mëparshme, të të tjerëve, edhe të tuat. Gjithçka ka luajtur nga vendi, të është tronditur, pra edhe gërmon e kërkon të zbulosh të vërteta e shkaqe, për ato që të gremisën e të çuan në atë fund ku ndodhesh.
Ndërthuren këtu edhe zhgënjime, pabesira, zemërata e inate me veten e të tjerët. Njëheri bën ndarjet e përzgjedhjet, pastron e hedh poshtë të gabuarat, kalbësirat, të dëmshmet, ato që nuk i qëndruan kohës. Është ky një proces i vështirë dhe me dhimbje, por krejt logjik, që të çliron nga barrët të cilat të kanë rënduar, të kanë penguar të shohësh qartë e të ecësh drejt.
Mua kështu më ka ndodhur. Veç të tjerave, për ç’ka flas me poshtë në faqet e këtij libri, tronditëse në mënyrë të veçantë, janë shkeljet e dhunimet që u janë bërë lirisë e ligjit, në vitet e diktaturës, tek ne. Kjo është fusha ku më shëmtuar, është vepruar me mjetet e format më të dhunshme, që e rënduan aq shumë jetën e njerëzve dhe vendin në tërësi.
Jeta që në lashtësitë e hershme, edhe mendimet e ndritura të njerëzimit, kanë folur bindshëm me argumente e arsye të shëndosha, shpesh edhe me zemërim, për dobinë e domosdonë e një kombinimi të lirisë, ligjit dhe forcës.
Pa u zgjatur, mjaft të kujtojmë se problemi i lirisë, është një nga aksiomat e filozofisë së Kantit. Alternativat sipas tij, janë këto: liria dhe ligji pa forcën, shpien në anarki, ligji dhe forca pa lirinë, në despotizëm, forca pa lirinë dhe ligjin, në barbari.
(Për dy të fundit, sot do të thoshim: në diktaturë) vetëm kombinimi i të triave, jep shtetin demokratik kushtetues. Çfarë ndodhi te ne? Flitej për lirinë, por liri nuk pati as të fjalës e të shtypit, as të ideve e të ndërgjegjes, as të tubimit e organizimit në parti e shoqata si i siguron ato demokracia, as të iniciativës së individit.
Po ligi? Shteti, kishte ligje, por ato qenë ndërtuar, siç edhe thuhej, në dobi e mbrojtje “të diktaturës së proletariatit”. Edhe në zbatim nuk veprohej për të gjithë njëlloj.
Mbisundonte forca. Kështu u fillua që në vitet e para, nga ajo kohë që u quajt e Koci Xoxes dhe vazhdoi. Motivet del se qenë disa: modeli që u zgjodh për krijimin e shtetit të porsadalë nga lufta – ai i socializmit totalitar, rruga që u ndoq për konsolidimin dhe forcimin e tij – ajo e shtypjes së kundërshtarëve me të gjitha mjetet, centralizimin e tejskajshëm të ekonomisë në duart e shtetit, masat për të shuar çdo zë të lirisë e për të drejta demokratike edhe të atyre në mbrojtje të interesave të kombit në një kohë kur po shpejtoheshin proceset për kthimin e vendit në një republikë të 7-të të Jugosllavisë.
Më 1948, kur ndodhi prishja me Beogradin, u fol kundër e atij që mund të quhet “regjim i terrorit”. U dënuan ca ekstremizma, u fajësuan disa bartës të tyre dhe nëpërkëmbës të ligjeve, u tha ndonjë fjalë, për shmangie dhe gabime në zbatimin e vijës së partisë. Por u fol dhe kaq, në të vërtetë shpejt u harruan edhe ato që u thanë dhe u vazhdua si më parë, në vitet ’50-të, pak më mbuluar; në ato ’60-të, më hapur, me izolimin e mëtejshëm nga bota, kufizimet e mëtejshme ndaj lirisë së individit, mbylljen e qendrave fetare, likuidimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të avokatisë, teprimet në drejtim të revolucionit kulturor etj; në ato ’70-të me shtimin e masave shtrënguese e gjyqet në të gjitha nivelet, deri te ato më të larta, që terrorizuan vendin dhe në vitet ’80-të, kur ndihej se po vinte fundi, me shtimin edhe të demagogjisë.
Është shpjeguar kjo me natyrën e regjimit e të atij sistemi diktatorial të tipit stalinist, me egërsinë e ambiciet për fuqi e lavdi të Enver Hoxhës, me miopinë e cinizmin e një klani rreth tij, të paaftë e dritëshkurtër që sunduan vendin. Të gjitha këto janë, të marra se bashku e veçmas me peshën e ndikimet e secilës kush më shumë e kush më pak, që pa fjalë janë përcaktuese. Po ka edhe të tjera, të lidhura me faktorë historikë e veçoritë e vendit ndër të cilat: krijimi i vonë i shtetit pas daljes nga despotizmit bizantin e ai osman, mungesa e traditave demokratike, varfëria dhe gjendja kaotike me dasitë e trashëguara nga e kaluara dhe që la lufta, krahinarizmat e atyre fetare.
Nga këto pozita, pra, e në këto kushte veproi e sundoi për një kohë aq të gjatë si i plotfuqishëm, regjimi totalitar. Historia ka shumë për të thënë akoma, për gjithë sa ndodhën, psenë e tyre dhe si rrodhën ngjarjet. Lind këtu një pyetje enigma, që bëhet shpesh: vetëm ai – Enver Hoxha, arriti të bëjë gjithçka dhe është përgjegjës për të gjitha? Që ishte ashtu si është portretizuar tashmë e njihet: egoisti pasionant’ i etur për fuqi e lavdi, diktatori i pashpirt e i egër, këto janë dhe s’i luan asgjë. Por a janë mjaft dhe a nuk do të qe ky një mendim disi i thjeshtëzuar, kur dihen edhe këto faktorë të tjerë si u fol?
Apo si dikur, iu veshën të gjitha meritat, dhe kjo nga mendimet primitive e hyjnizuese për kultin e udhëheqësit, që u ushqyen në vendet diktatoriale të Lindjes, si dhe ato të kryetarit të fisit, kapedanit e bajraktarit, të kultivuara në shekuj te njerëzit tanë; i vishen edhe sot të gjitha fajësitë e mallkimet? Ka këtu një trajtim të cunguar të faktorëve, në tërësi atyre subjektive e objektive; një prirje komode kjo për tu shkarkuar nga bashkë fajësitë.
Po të tjerët, ata përreth e përballë tij, ç’bënë? Duhet njohur: të parët – ato përreth (kuptohet, me dallimet ca më shumë e ca më pak) edhe sepse patën bindje të tilla, edhe për interesa të caktuara personale. Kurse të dytët, ato përballë (me dallime edhe këta), qenë të pafuqi, të paaftë edhe të terrorizuar që të mund bënin diçka për t’i prerë rrugën. Nuk është mjaft të thuhet: nuk e kuptuam, na e hodhi, u mashtruam, aq mund të bëhej etj., siç dëgjohet shpesh; po ashtu edhe t’u bihet gjokseve plot mburrje, se bëmë këtë e atë, si ndodh me disa, e nuk janë të paktë dhe paraqiten sikur nuk kanë qenë në këtë botë, ose kanë bërë namin.
Janë, pra, se toku me peshën e vet secila: Enver Hoxha, me ato që dimë, të tjerët përreth e ato përballë tij, edhe vetë kushtet historike të vendit, me llojin e regjimit dhe veçoritë e trashëgimitë, siç u fol. E domosdoshme kjo për t’u prerë rrugën fenomeneve, e shfaqjeve të tilla edhe në të ardhmen. E rëndësishmja është, të ngulmohet për një vizion më të gjerë nga të nxirren konkluzionet dhe mësimet e duhura: kurrë më ashtu. Kushtet kanë ndryshuar me themel, kombi është në pjekje edhe nga sa hoqi, kemi hyrë në një periudhe të re – atë të demokracisë e të progresit, për të fituar edhe kohën e humbur, pra është e mundur pa nënvleftësuar asgjë nga e shkuara, njëheri edhe pa u rrëmbyer nga euforitë dhe fluturuar në boshllëk.
Qe një periudhë kjo që ia pamë sherrin keqas e për shumë kohë, mjaft! Vonë? Ashtu, vonë. Nuk jam me thënien: më mirë vonë se kurrë, si edhe të mbetemi vetëm duke u qarë. Kujt i duhen e i shërbejnë ato? Të shikojmë me sy kritik të shkuarën, të shohin me besim të sotmen, të luftojmë me guxim e ngulm për të ardhmen. S’është fjala e koha, as për t’u shfajësuar, as për “fenomenin Konica”, për të parë veç anë të errëta, nga vetja, as për vetëmburrje, po për domosdoshmërinë e urtësinë e të qenit realist, në vlerësimin e faktorëve të kohës të zhvillimeve historike.
Fola këtu për sa vura si qëllim që në krye: lirinë, të drejtat e njeriut dhe shkeljen e dhunimin e tyre, si faqja më e zezë e diktaturës, nga e cila porsa kemi dalë, si dhe domosdonë e kombinimit të lirisë, ligjit e forcës në shtetin e ri demokratik që po ndërtojmë, për ç’ka duhet të bëhemi të vetëdijshëm dhe të luftojmë të gjithë.
Është fjala për diskutimin qe bëra në organizatën-bazë të partisë, pas bisedës së 30 marsit 1973 me Enver Hoxhën, të cilin në plenumin e IV të Komitetit Qendror, e quajti si “kredon” time.
Ja disa pjesë të tij
“Kam menduar dhe mendoj se; për të patur një zhvillim më të mirë të letërsisë e të arteve, duhen kapërcyer disa fenomene të sotme, si sentimentalizmi, skematizmi etj.; të çlirohemi gjithashtu nga ato ndikime klasike të paraçlirimit, me temat e preferuara mbi ekzotikën, largimin nga problemet shoqërore dhe hynizimin e disa “virtyteve” disi primitive, shoqëruar me mënyra të foluri pompoze; të jemi të vëmendshëm edhe ndaj ndikimeve dekadente të të gjitha ngjyrave, në përmbajtje dhe në mjetet shprehëse, që mbjellin pesimizmin, fatalitetin dhe kotësinë e jetës; të kapërcehen edhe ato skema konfuze për letërsinë dhe artin të shkollës sovjetike, që hapën rrugë për shterpësi krijuese, në vetë Bashkimin Sovjetik e vendet e tjera të Lindjes.
Dhe kam luftuar në këto drejtime. Ku qëndron gabimi për sa kritikohem? Këto çështje, nuk janë bërë ngaherë të qarta në masën e gjerë të shkrimtarëve e artistëve dhe kjo flet për një punë të dobët të partisë në rreth, të organizatave- bazë në institucionet kulturore e artistike dhe timen që drejtoj në këto sektorë këtu në Tiranë. Po kështu nuk mund tё krijoi gjithmonë marrëdhënie normale në mes të krijuesve, të arrija edhe atë të quajturin ambient artistik; por ka ndodhur që për disa prej atyre krijuesve në veprat e të cilëve ka patur shfaqje të llojeve si ato që përmenden.
Janë përdorur shprehje të tilla si: natyralist, skematik, konservator, modernist, etj. Pas kritikës që u bë në plenumin e XV-të Komitetit Qendror të Partisë, ndaj disa veprave dhe autorëve të caktuar, pati disa rezultate në krijimtarinë letrare e artistike, mirëpo kjo bëri që të nënvleftësohen rreziqet ndaj sa u fol dhe unë këtu, nuk tërhoqa vëmendjen e organizatave – bazë.
Duket edhe unë pashë vetëm anët e mira në zhvillim, gjë që çoi në rënien në gabime të tjera. Nuk dua të them se disa çështje që përmenda më lart, i kam patur të qarta deri në fund, nuk dua të them edhe se në punë e sipër dhe në proces, kam vepruar veç drejt, përkundrazi, ato që thashë pak më parë, flasin edhe për lëshimet që kam bërë për ndonjë vepër, si dhe kritikat për ndonjë tjetër. Edhe kritikës letrare e artistike disa herë i kam rënë në qafë. E kam quajtur veten me koncepte të formuara, por jeta vërtetoi se jam prekur edhe unë nga sëmundjet e kohës, kam ndier edhe presione…!
– Dua të flas edhe për mendimin e qëndrimin tim ndaj krijimtarisë së viteve ’60-të, sidomos pas Kongresit të V-të të Partisë, për të cilin ka patur edhe ka diskutime. Kam menduar gjithnjë dhe mendo se vitet ‘60-të, qenë një periudhë ngritjeje. U shfaq para dhe pas Kongresit të II-të të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, një përpjekje për të mos folur; për të mos vlerësuar ose për të vënë shumë pikëpyetje, ndaj kësaj krijimtarie, që u duk në disa artikuj dhe biseda në mbledhjet që bëheshin.
Me të drejtë, si shumë të tjerë edhe unë kam qenë e jam kundër këtyre qëndrimeve dhe mendoj nga pozita objektive. Me sa si unë, çështja nuk është shtruar asnjëherë, për të mohuar atë që është krijuar në vitet ’50-të. E vërteta është se u dëgjuan zëra, e qarje të tilla. Ndodhi edhe që një pjesë e krijimtarisë së atyre viteve, nuk u ribotua.
Dhe unë këtu mbaj një përgjegjësi, se nuk i dëgjova këto qarje, nuk ndërhyra në raste të tilla. Kam menduar se këtu, nuk ka ndonjë problem. Por edhe aq sa u shfaqën, duhej t’i vlerësoja për t’u prerë rrugën keqkuptimeve dhe gabimeve të mëtejshme. Them se kam shprehur entuziazëm, më shumë nga sa duhej për rezultatet e viteve ’60-të, mbase edhe nga pozita subjektiviste, sepse edhe krijimtaria ime kryesore, i përket kësaj kohe dhe kjo ka penguar, të bëhet e qartë çështja, ka krijuar shqetësime te disa dhe nxitje për të keq, te disa të tjerë.
Ky problem s’ka lidhje me çështjen të rinj e të vjetër. Disa herë më është dashur ta përballoi e ta sqaroj këtë çështje, qoftë në Teatrin Popullor, në ndonjë konferencë ose mbledhje tjetër, sepse ngrihej herë pas here nga disa shokë, shpesh nga frika se mos mohohej krijimtaria e tyre lidhej pra me “unin” e njërit ose të tjetrit. Si kudo edhe në letërsi e arte nuk ka çështje të ndarjes së brezave. Kjo dihet.
Por ndodh që në fushën e krijimtarisë letrare e artistike, në periudha të caktuara, bëhen akumulime dhe zbërthime eksperiencash e talentesh, ndodh që në një periudhë, vinë forca të reja të cilat, sjellin krijimtari të bollshme dhe me nivel, siç ndodh dhe kalojë edhe një periudhë a brez i tërë e, të mos sjellë gjë me vlerë! Kjo nuk varet nga brezat, por nga zhvillimet politiko-shoqërore të vendit, nga epokat në të cilat rrojmë, nga situatat që krijohen, talentet që shfaqen, etj./Memorie.al / S.M